Lajme nga vendi
Komunikacion i rënduar në rrugët e Tetovës

Ardhja e mërgimtarëve në vendlindje, ka dyfishuar numrin e automjeteve në rrugët e Tetovës. Kjo ka krijuar kaosin e zakonshëm për këtë periudhë, ku në mungesë të vendaparkimeve dhe dyndjes së qytetarëve kryesisht në pjesën qendrore shpesh herë rrugët bllokohen. Kështu, një vozitësi i duhet të paktën 30 minuta për të arritur nga qendra në njërën nga daljet e qytetit për Gostivar, Shkup ose drejt fshatrave Poroj dhe Xhepçisht. Ajo që ka më shumë punë në këtë kohë është policia rrugore e cila duhet që të kujdeset për mbarëvajtjen e komunikacionit.
Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë thonë se për shkak të periudhës që pason, gjegjësisht gjatë muajve të verës në zonën që mbulon SPB-Tetovë janë kthyer një numër i madh i mërgimtarëve që punojnë dhe veprojnë jashtë vendit, për këtë arsye po ndërmerren të gjitha masat dhe aktivitetet në mënyrë të intensifikuar për të mundësuar qarkullimin normal dhe të rrjedhshëm nëpër zonat qendrore të qyteteve të Tetovës dhe Gostivarit, në raport me parkimin e gabuar dhe të paligjshëm të automjeteve.
“Gjatë muajit qershor dhe periudhës së kaluar të muajit korrik të këtij viti, për shkak të parkimit të gabuar dhe të paligjshëm, janë shqiptuar mbi 500 masa, kurse me anë të merimangës janë ngritur mbi 250 automjete që në mënyrë të drejt për drejtë kanë penguar qarkullimin në trafik, si dhe për kundërvajtësit janë përgatitur urdhërpagesat përkatëse dhe do të përballen me gjoba të parapara me ligj”, deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.
Njëkohësisht, policia dhe pushteti lokal kanë hapur oborret të disa shkollave fillore dhe të mesme, që gravitojnë në pjesët qendrore të dy qyteteve për të mundësuar parkimin e veturave me qëllim që të mundësohet parkim i rregullt i një numri më të madh të automjeteve dhe të mos ketë parkime të dyfishta.
“Gjatë kësaj kohe kemi liruar për parkim oborret e shkollave fillore dhe të mesme në pjesën qendrore me qëllim që të ketë më shumë hapësira parkimi për mërgimtarët. Në ndërkohë, në terren në vazhdimësi janë prezent edhe policia dhe shërbimi i merimangës, të cilët marrin veturat e parkuara në vende adekuate dhe e pengojnë qarkullimin e lirë të komunikacionit”, tha Besarta Ramadani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, për shkak të periudhës së ardhshme të kthimit të mërgimtarëve tanë dhe rritjes së frekuencës së trafikut, apelon drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat dhe rregulloret ligjore në komunikacion për të shmangur pasojat e rënda dhe tollovinë në trafik.
Edhe nga Policia edhe nga Komuna e Tetovës apelojnë që vozitësit të jenë më të kujdesshëm dhe të mos bllokojnë rrugët për shkak se dukshëm në këtë periudhë është rritur numri i intervenimeve në terren nga njësia e zjarrfikësve dhe ndihmës së parë, prandaj që të arrijnë në kohë këto automjete është e nevojshme që vozitësit të jenë të ndërgjegjshëm dhe të krijojnë hapësira për automjetet e emergjencës. (koha.mk)
Lajme nga vendi
ASHMMA miratoi Udhëzimin për radiodifuzerët për Zgjedhjet lokale 2025

Аgjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, pas përfundimit të konsultimit publik, dhe me qëllim të sqarimit të mënyrës së zbatimit të dispozitave të Kodit Zgjedhor, sot miratoi Udhëzimin për radiodifuzerëtt për Zgjedhjet lokale 2025.
Udhëzimi përfshin rregullat për limitet kohore të reklamave politike me pagesë (RPP), shënjim të porositësit të reklamës, ndarjen e kohës në lajme për Shërbimin publik radiodifuziv, prezantimin politik papagesë të Kanalit të Kuvendit dhe sigurim në qasjes të përmbajtjeve të procesit zgjedhor për personat me aftësi të kufizuar.
“Gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet lokale, në rrethin e parë të zgjedhjeve, radiodifuzerët mund të emetojnë gjithësej nëntë minuta e tridhjetë sekonda kohë shtesë për reklamim në kohë reale të transmetimit të programit, të destinuar ekskluzivisht për RPP. Në Udhëzim është përcaktuar saktë ndarja e këtyre minutave ndërmjet pjesëmarrësve në procesin zgjedhor. Në rrethin e dytë të zgjedhjeve koha në total për RPP do të varet nga koha për RPP, që përdoret nga bartësit e listave, kandidatët për kryetarë të së cilës do ta vazhdojnë fushatën zgjedhore në rrethin e dytë. Në të njëjtën kohë, ndarja e kohës ndërmjet bartësve të listave do të jetë e njëjtë dhe në rrethin e parë të fushatës zgjedhore”, informojnë nga ASHMAA.
Gjatë rrethit të parë të fushatës zgjedhore për Zgjedhjet lokale, Shërbimi i Kuvendit, çdo ditë do të ofrojë gjithësej tre orë për prezantim politik papagesë të fushatave të partive politike të përfaqësuiara në Kuvendin e RMV-së, si dhe gjithësej një orë çdo ditë për prezantim politik papagesë të fushatave të bartësve të listave që nuk janë të përfaqësuar në Kuvend. Në rrethin e dytë, gjatë kësaj kohe do të transmetohet papagesë prezantimi i kandidatëve për kryetarë bashkie që do të vazhdojnë fushatën zgjedhore në rrethin e dytë.
Shërbimi publik dhe televizionet në nivel shtetëror që do të publikojnë reklama politike me pagesë, duhet të emetojnë përmbajtje në lidhje me procesin zgjedhor në format të qasshëm për personat me aftësi të kufizuar. Udhëzimi për radiotransmetuesit për Zgjedhjet lokale 2025, është i disponueshëm në linkun.
Lajme nga vendi
I maskoi targat me kuq si të makinave zyrtare, ndalohet 56-vjeçari nga Tetova

Një 56-vjepar nga Tetova i kishte lyer me ngjyrë të kuqe targat e regjistrimit që të dukeshin si të automjeteve zyrtare dhe kishte vendosur edhe drita sinjalizuese – flesherë. R.L. u ndalua nga policia në Tearcë gjersa drejtonte një “Mercedes” me targa të ndryshuara dhe pajisje të paligjshme ndriçuese. Punonjësit e policisë ia morën marrë shenjat e regjistrimit dhe dritat sinjalizuese, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rastit kundër tij do të paraqiten kallëzime për kundërvajtje nga Ligji për automjete dhe Ligji për siguri të trafikut rrugor.
Lajme nga vendi
VLEN: Në logon tonë jeton historia dhe identiteti shqiptar, jo shërbimi ndaj Gruevskit

BDI, vazhdon fushatën e saj të shpifjeve dhe manipulimeve, kësaj here duke gënjyer edhe për dizajnin në prapavijë të VLEN.
Ky dizajn është pasqyrë e trashëgimisë, krenarisë dhe identitetit tonë kombëtar. Brenda saj janë të gdhendura simbolet që flasin vetë: Kalaja e Shkupit, Malet e Sharrit, Sheshi Skënderbeu me flamurin kombëtar, Çarshia, Stacioni i vjetër i trenit, lumi Vardar, Shtëpia e Beut, Universiteti i Tetovës dhe shumë të tjera. Këto janë themelet e historisë, kulturës dhe përditshmërisë së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Paturpësia e BDI-së paraqitet në shtrembërimin e fakteve, ose edhe më keq në mosnjohjen e simboleve!
Muzeu i Ilindenit paraqet kryengritjen e Krushevës, ku në këtë kryengritje sipas gjitha fakteve historike shqiptarët kanë pasur rol kyç;
2. Universitetin Shtetëror të Tetovës e paraqesin sikur muze të VMRO-së;
3. Përmendoren e Skënderbeut e paraqesin sikur Aleksandri i Madh;
4. Gënjejnë që vetëm flamuri shtetëror është në këtë dizajn, ku duket qartë që krahas flamurit shtetëror, qëndron edhe flamuri kombëtar.
Nëse BDI nuk i sheh këto elemente shqiptare, atëherë kjo ndodh sepse BDI prej kohësh i ka mbyllur sytë ndaj interesave kombëtare dhe i sheh vetëm interesat e Soravisë dhe korrupsionit të vet.
VLEN nuk ka nevojë të fshehë asgjë. Ne flasim me simbolet e shqiptarëve, me historinë tonë, me universitetin e parë shqiptar, me flamurin kuq e zi, me malet, lumenjtë dhe qytetet tona.
Prandaj, çdo shpifje e BDI-së është vetëm një dëshmi tjetër se kjo parti ka humbur busullën shqiptare dhe ka mbetur peng i korrupsionit dhe i shefave të saj të vjetër në Budapest.
VLEN është NJË ZË i shqiptarëve dhe ky zë do të dëgjohet fuqishëm më 19 tetor, me numrin 7, për ndryshimin që e meriton çdo qytetar.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi3 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve