Sport
NOVI PAZAR: PËRLESHJE MES TIFOZERISË, SHKAK KOSOVA
Huliganët polakë të klubit Jagiellonia janë sulmuar të enjten mbrëma nga tifozët boshnjakë të Novi Pazarit. Novi Pazari dhe Jagiellonia u takuan të enjten në Novi Pazar, në afërsi të kufirit me Kosovën.
Atmosfera para dhe gjatë ndeshjes së Ligës së Konferencës ndërmjet Novi Pazarit dhe Jagiellonias ka qenë e mbushur me tension dhe përplasje të dhunshme. Të enjten në mbrëmje, në qytetin e Novi Pazarit, pranë kufirit me Kosovën, tifozët boshnjakë u përleshën me një grup huliganësh polakë të ardhur për të mbështetur ekipin e tyre.
Përleshja ka filluar kur tifozët polakë, të njohur si pro-serbë filluan thirrje provokuese kundër Kosovës.
Sipas raportimeve nga mediet lokale dhe rrjetet sociale, përplasjet fizike kanë ndodhur që përpara fillimit të takimit, me të paktën një tifoz polak të lënduar si pasojë e përleshjes.
Grupi i tifozëve ekstremistë të Jagiellonias kishte shfaqur që më herët qëndrime hapur anti-Kosovë, përmes sloganeve dhe deklaratave provokuese para udhëtimit në Serbi. Kjo retorikë u pasua edhe gjatë ndeshjes, ku huliganë serbë që ndodheshin në stadium brohoritën slogane të njohura nacionaliste si “Kosova është Serbi”.
Sport
MILANO-CORTINA 2026: DENNI XHEPA I 34-TI NË SUPER G
Skiatori shqiptar, Denni Xhepa, zhvilloi sot garën e parë në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026, që transmetohen në RTSH. Kjo garë shënon edhe debutimin e skuadrës shqiptare në Olimpiadën Dimërore, ku përfaqësohemi me 4 sportistë.
Ai regjistroi kohën 1:31,72, duke u pozicionuar në vend të 34-t në Super G. Xhepa zbriti në pistë i 37-i dhe kjo garë ishte për të një test për Slalomin Gjigant, që do të zhvillohet pas tri ditësh.
Kjo është hera e parë që Shqipëria merr pjesë në një garë shpejtësie në ski.
Përveç Xhepës, në Lojërat Olimpike Dimërore marrin pjesë në disiplina të ndryshme Lara Colturi, Lisa Brunga dhe Semire Dauti. Xhepa garon gjithashtu në Slalom Gjigant më 14 shkurt dhe Slalom më 16 shkurt.
Më 15 shkurt zbresin në pistë Lara Colturi dhe Semire Dauti, të cilat marrin pjesë në disiplinën e Slalomit Gjigant. Më 18 shkurt Lara Colturi, Lisa Brunga dhe Semire Dauti garojnë në disiplinën Slalomit.
Sport
QËLLOHET PËR VDEKJE ME SHISHE QELQI FUTBOLLISTI NË ARGJENTINË
Lucas Ignacio Pires, ish-futbollist i Almirante Broën, u vra me një shishe qelqi të thyer gjatë një përleshje në La Matanza të Buenos Aires
Lucas Pires pasoi një plagë të thellë në parakrah që shkaktoi gjakderdhje fatale.
Pampa Mónaco’ publikon pamjet e regjistruara nga një kamerë sigurie në momentin kur, në kontekstin e një grindjeje, një burrë përdor buzën e një shisheje të thyer për t’i shkaktuar një plagë të thellë kundërshtarit të tij.
Sipas burimeve gjyqësore dhe policore, Lucas Pires pësoi një plagë të thellë në parakrahun e djathtë që dëmtoi një arterie, duke shkaktuar një hemorragji fatale .
Lucas Pires u dërgua me urgjencë në Spitalin Nestor Kirchner, por i riu vdiq për shkak të plagës së rëndë, pasi besohet se tehu i xhamit ka arritur në një arterie.
Çështja po trajtohet nga Zyra e Prokurorit të Vrasjeve në La Matanza, e cila po heton si një krim të mundshëm brenda familjes, raporton Marca.
Sport
MILANO CORTINA: SKUALIFIKOHEN DY SKIATORE TË KORES SË JUGUT
Dy skiatoret koreano-jugore Han Dasom dhe Lee Eui-jin janë përjashtuar për shkak të një substance të gjetur te skitë e tyre, e ndaluar që nga sezoni 2023/24
Skiatoret koreano-jugore Han Dasom dhe Lee Eui-jin janë përjashtuar për shkak të një substance të gjetur te skitë e tyre, e ndaluar që nga sezoni 2023/24. Rihapet debati për substancat e përdorura te materialet sportive.
Skualifikohen për një pomadë të ngjashme me pastën e dhëmbëve. Kjo substancë ka shkaktuar largimin menjëherë nga Olimpiada dimërore të dy skiatoreve nga Koreja e Jugut, Han Dasom dhe Lee Eui-jin. Është fluori i ndaluar në protokoll që nga sezoni 2023/24.
Bën përshtypje fakti se fronti i ri i CIO-s është dopingu te materialet, sepse fluori nuk është gjetur në trupat e sportisteve, por në pajisjet e sportit që ato ushtrojnë, te skitë. Konkretisht, është gjetur në dyllin që teknikët kishin përgatitur për garat në Lago di Tesero. Kështu ka ardhur menjëherë përjashtimi i dy garueseve që gjithsesi nuk do të luftonin për medalje.
Lajmi ka rindezur debatin mbi rëndësinë e substancave që përdoren për skitë për t’i bërë ato më të shpejta gjatë garës. Ekipi italian, për shembull, ka një kamion me më shumë se 500 lloje pomadash, që seleksionohen për diskutimit me sportistët garë pas gare.

