Sport
KURDISËN NDESHJEN KOZHUF – BASHKIMI, PADI PENALE KUNDËR SHTATË PERSONAVE
Ndeshja e shumë përfolur ndërmjet Kozhufit dhe Bashkimit rikthehet sërish temë diskutimi, por kësaj radhe me detaje më të hollësishme nga Ministria e Punëve të Brendshme. Këta të fundit kanë njoftuar sot se kanë pasur bastisje në dy vende dhe kanë privuar nga liria një person për këtë duel që dyshohet për trukim.
“Dje më 15 gusht 2025, zyrtarë policorë nga Departamenti për Policinë Kriminale, me urdhër të siguruar paraprakisht nga Gjykata Themelore e Gjevgjelisë, kanë kryer bastisje në dy lokacione te P.Gj. nga Gjevgjelia, drejtor sportiv i KF ‘Kozhuf’ nga Gjevgjelia dhe pas zhvillimit të një procedure paraprake hetimore, sipas udhëzimeve të Prokurorisë Themelore Publike Gjevgjeli, Departamenti për Krim të Organizuar ka dorëzuar kallëzim penal kundër B.H., kryetar i KF ‘Bashkimi’ nga Kumanova për veprat penale ‘mashtrim’ sipas nenit 247 paragrafi 6 të Kodit Penal, ‘dhënie e paautorizuar e dhuratave’ sipas nenit 253-a paragrafi 4 të KP-së dhe ‘bashkëveprim’ sipas nenit 22 të KP-së, si dhe kundër P. Gj., drejtor sportiv i KF ‘Kozhuf’, për veprat penale ‘mashtrim’ sipas nenit 247 paragrafi 6 të KP-së, ‘pranim i paautorizuar i dhuratave’ sipas nenit 253 paragrafi 4 të KP-së dhe ‘bashkëveprim’ sipas nenit 22 të KP-së, si dhe kundër A.J., futbollist i KF ‘Bashkimi’, S.G., trajner i KF ‘Kozhuf’, B.K., J.P. dhe K.S., të tre futbollistë të KF ‘Kozhuf’, për veprat penale ‘mashtrim’ sipas nenit 247 paragrafi 6 dhe ‘bashkëveprim’ sipas nenit 22 të KP-së”, thonë nga MPB.
I kallëzuari i parë B.H., në cilësinë e kryetarit të KF ‘Bashkimi’, me qëllim që klubi i tij futbollistik të arrijë plasman në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë apo në ndeshjet e barazhit për hyrje në këtë ligë, në ndeshjen e zhvilluar më 06.05.2025 në Gjevgjeli ndërmjet ekipeve KF ‘Kozhuf’ dhe KF ‘Bashkimi’, ka mashtruar Federatën e Futbollit të Maqedonisë dhe klubet e tjera anëtare të federatës, duke fshehur fakte që lidhen me një ndeshje të trukuar apo rezultat të rregulluar të lojës sportive, përmes dhënies së paautorizuar të dhuratave për të kallëzuarin e dytë P. Gj., me qëllim që ky i fundit të neglizhojë interesat e KF ‘Kozhuf’ dhe të Federatës së Futbollit të Maqedonisë që ka organizuar ndeshjen, për të arritur një rezultat që nuk varet nga loja sportive dhe rregullat e ndeshjes.
“Në këtë mënyrë, i kallëzuari i parë përmes të kallëzuarit të tretë A.J., ka organizuar një takim dhe ka siguruar kontakt telefonik me të kallëzuarin e dytë P. Gj., në të cilin takim kanë marrë pjesë të kallëzuarit i parë, i dytë dhe i tretë, ku i kallëzuari i dytë është pajtuar të pranojë dhe ka pranuar një dhuratë nga i kallëzuari i parë, para në vlerë prej 10.000 eurosh, për veten dhe persona të tjerë. P. Gj. pas pranimit të shpërblimit, përmes S.G. ka ndikuar te B.K., J.P. dhe K.S., të cilët kanë pranuar të mos angazhohen mjaftueshëm në ndeshje sipas aftësive të tyre sportive dhe lojës futbollistike, duke neglizhuar interesat e KF ‘Kozhuf’, në favor të KF ‘Bashkimi’.
Si rezultat, në ndeshje është arritur rezultati 1:2 në favor të KF ‘Bashkimi’ dhe me këto tre pikë të fituara, i kanë mundësuar KF ‘Bashkimi’ të renditet në vendin e tretë në Ligën e Dytë të Futbollit të Maqedonisë, gjë që u ka dhënë mundësinë të luajnë në barazh për plasman në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë. Njëri nga të kallëzuarit, sipas udhëzimeve të prokurorit publik, është privuar nga liria për sigurimin e provave shtesë dhe është dërguar në Prokurorinë Themelore Publike Gjevgjeli për procedurë të mëtejshme.”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sport
MILANO-CORTINA 2026: DENNI XHEPA I 34-TI NË SUPER G
Skiatori shqiptar, Denni Xhepa, zhvilloi sot garën e parë në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026, që transmetohen në RTSH. Kjo garë shënon edhe debutimin e skuadrës shqiptare në Olimpiadën Dimërore, ku përfaqësohemi me 4 sportistë.
Ai regjistroi kohën 1:31,72, duke u pozicionuar në vend të 34-t në Super G. Xhepa zbriti në pistë i 37-i dhe kjo garë ishte për të një test për Slalomin Gjigant, që do të zhvillohet pas tri ditësh.
Kjo është hera e parë që Shqipëria merr pjesë në një garë shpejtësie në ski.
Përveç Xhepës, në Lojërat Olimpike Dimërore marrin pjesë në disiplina të ndryshme Lara Colturi, Lisa Brunga dhe Semire Dauti. Xhepa garon gjithashtu në Slalom Gjigant më 14 shkurt dhe Slalom më 16 shkurt.
Më 15 shkurt zbresin në pistë Lara Colturi dhe Semire Dauti, të cilat marrin pjesë në disiplinën e Slalomit Gjigant. Më 18 shkurt Lara Colturi, Lisa Brunga dhe Semire Dauti garojnë në disiplinën Slalomit.
Sport
QËLLOHET PËR VDEKJE ME SHISHE QELQI FUTBOLLISTI NË ARGJENTINË
Lucas Ignacio Pires, ish-futbollist i Almirante Broën, u vra me një shishe qelqi të thyer gjatë një përleshje në La Matanza të Buenos Aires
Lucas Pires pasoi një plagë të thellë në parakrah që shkaktoi gjakderdhje fatale.
Pampa Mónaco’ publikon pamjet e regjistruara nga një kamerë sigurie në momentin kur, në kontekstin e një grindjeje, një burrë përdor buzën e një shisheje të thyer për t’i shkaktuar një plagë të thellë kundërshtarit të tij.
Sipas burimeve gjyqësore dhe policore, Lucas Pires pësoi një plagë të thellë në parakrahun e djathtë që dëmtoi një arterie, duke shkaktuar një hemorragji fatale .
Lucas Pires u dërgua me urgjencë në Spitalin Nestor Kirchner, por i riu vdiq për shkak të plagës së rëndë, pasi besohet se tehu i xhamit ka arritur në një arterie.
Çështja po trajtohet nga Zyra e Prokurorit të Vrasjeve në La Matanza, e cila po heton si një krim të mundshëm brenda familjes, raporton Marca.
Sport
MILANO CORTINA: SKUALIFIKOHEN DY SKIATORE TË KORES SË JUGUT
Dy skiatoret koreano-jugore Han Dasom dhe Lee Eui-jin janë përjashtuar për shkak të një substance të gjetur te skitë e tyre, e ndaluar që nga sezoni 2023/24
Skiatoret koreano-jugore Han Dasom dhe Lee Eui-jin janë përjashtuar për shkak të një substance të gjetur te skitë e tyre, e ndaluar që nga sezoni 2023/24. Rihapet debati për substancat e përdorura te materialet sportive.
Skualifikohen për një pomadë të ngjashme me pastën e dhëmbëve. Kjo substancë ka shkaktuar largimin menjëherë nga Olimpiada dimërore të dy skiatoreve nga Koreja e Jugut, Han Dasom dhe Lee Eui-jin. Është fluori i ndaluar në protokoll që nga sezoni 2023/24.
Bën përshtypje fakti se fronti i ri i CIO-s është dopingu te materialet, sepse fluori nuk është gjetur në trupat e sportisteve, por në pajisjet e sportit që ato ushtrojnë, te skitë. Konkretisht, është gjetur në dyllin që teknikët kishin përgatitur për garat në Lago di Tesero. Kështu ka ardhur menjëherë përjashtimi i dy garueseve që gjithsesi nuk do të luftonin për medalje.
Lajmi ka rindezur debatin mbi rëndësinë e substancave që përdoren për skitë për t’i bërë ato më të shpejta gjatë garës. Ekipi italian, për shembull, ka një kamion me më shumë se 500 lloje pomadash, që seleksionohen për diskutimit me sportistët garë pas gare.

