Lajme nga vendi
Mucunski: Nuk ka ndryshime kushtetues nëse nuk marrim garanci të forta nga BE-ja se kjo do të jetë kërkesa e fundit e Sofjes
Shkupi aktualisht nuk është gati të bëjë ndryshimet kushtetuese të kërkuara nga Sofja nëse nuk merr garanci të forta nga Bashkimi Evropian se kjo do të jetë kërkesa e fundit e tillë, thekson Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timcho Mucunski, në një intervistë me revistën politike “Politiko”, dhënë gjatë vizitës së tij në Bruksel.
“Frika jonë është: nëse bëjmë ndryshimet kushtetuese, çfarë do të ndodhë nëse pas gjashtë muajsh Bullgaria do të vijë përsëri me kërkesa që lidhen me historinë, identitetin ose gjuhën?”, tha Mucunski, duke iu referuar procesit të integrimit evropian të vendit.
Ai theksoi se Maqedonia e Veriut është gati dhe tashmë po punon për të gjitha reformat e tjera të nevojshme, sepse ato nuk janë vetëm një kërkesë nga Unioni, por edhe një nevojë e shoqërisë.
“Nëse nesër shtetet anëtare na thonë se duhet të bëjmë më shumë në fushën e sundimit të ligjit ose qeverisjes së mirë – ne e kuptojmë këtë. Dhe jo vetëm që e kuptojmë, por e ndiejmë si detyrimin tonë”, tha Mucunski.
Ai kujtoi se Maqedonia e Veriut e filloi rrugën e saj evropiane së bashku me Kroacinë, por Kroacia është sot anëtare e Shengenit dhe përdor euron, vendi ynë ende nuk ka filluar negociatat e anëtarësimit.
Shefi i diplomacisë shprehu besim se zgjerimi është ende i mundur.
“Dëgjojmë për skepticizëm ndaj zgjerimit. Por Maqedonia e Veriut – nga ana kulturore, sociale dhe politike – është një shoqëri evropiane. Nëse i bëjmë reformat siç duhet, nuk besoj se do të ketë rezistencë të fortë ndaj zgjerimit të rajonit tonë”, theksoi Mucunski.
Përveç temave që lidhen me anëtarësimin në BE, Mucunski foli gjithashtu për mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për Ukrainën, kontributin e saj në NATO dhe përafrimin e saj të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së. Ai gjithashtu vuri në dukje se Maqedonia e Veriut ishte vendi i parë në rajon që nënshkroi një partneritet sigurie dhe mbrojtjeje me Bashkimin Evropian – madje edhe para Mbretërisë së Bashkuar dhe Kanadasë.
Lajme nga vendi
“Safe City”/ Presidentja dekretoi Kodin Penal
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova dekretoi Kodin Penal. Thotë se ka vërejtje, por sipas saj është më i mirë se Kodi paraprak Penal. Siljanovska thotë se ndryshimet i pranon vetëm si tranzicion, pra deri në miratimin e Kodit tërësisht të ri në qershor.
“Unë e kam nënshkruar ligjin ja do të them përse. Kam menduar, por kam edhe unë vërejtje për disa zgjidhje por më së voni pres që ky tranzicion të tejkalohet në qershor, siç më kanë shpjeguar, sepse unë kërkova sqarime të detajuara. Do ta toleroj këtë vetëm në prag të pritjes së Kodit të ri Penal, për të cilin punohet gjatë kohë dhe sipas meje do të jetë kyç edhe për reformat në gjyqësor”, tha Gordana Siljanovska Davkova, Presidente.
Siljanovska tha se e mbështet plotësisht edhe ligjin për kundërvajtje në trafik, respektivisht sistemin “Safe City”. Ajo thotë se iniciativat që e vënë në pikëpyetje kushtetutshmërinë e sistemit janë të pabaza.
“Unë jam juriste dhe teza se sistemi ka të bëjë vetëm me disa qytete është tezë laike nuk është tezë e bazuar juridikisht sepse në Kumanovë, Shkup dhe Tetovë nuk drejtojnë automjetet vetëm banorët e atyre qyteteve por ka shoferë nga i gjithë shteti. Unë nuk shoh këtu diskriminim. Diskriminimi është i mundshëm vetëm nëse bëhet fjalë për dallime në baza gjinore, mbi baza të çfarëdolloj përkatësie”, u shpreh Gordana Siljanovska Davkova, Presidente.
“Safe City” do të hyjë në fuqi të plotë më 1 shkurt, kur dhe do të nis zbatimi i gjobave ndaj shkeljeve të detektuara nga sistemi i kamerave. Gazetare: Ajnur Bafqari
Lajme nga vendi
Lajm i mirë për transportuesit, BE do të vendosë viza speciale për shoferët
Bashkimi Evropian ka publikuar një strategji të re për viza e cila për herë të parë parashikon zgjidhje sistematike për shoferët profesionistë jashtë Zonës Shengen, nëpërmjet vendosjes se regjimit të posacëm të vizave dhe për qëndrimet e vazhdueshme por të shkurta në Zonën Shengen.
Në dokumentin strategjik të KE-së, theksohet se regjimi i tanishëm i qëndrimit, i cili lejon 90 ditë në afat prej 180 ditëve, shkakton probleme serioze për sektorët që varen nga lëvizshmëria përtej kufitare, Mes tyre, posacërisht është theksuar sektori i transportit që është i një rëndësie shumë të madhe për vendet e BE-së.
Komisioni vëren se rregullat aktuale kërkojnë marrjen e një vize afatgjate ose leje qëndrimi për çdo qëndrim më të gjatë se 90 ditë, por se një sistem i tillë nuk është i përshtatshëm për profesione që kërkojnë lëvizje të shpeshta dhe afatshkurtra ndërmjet vendeve anëtare, pa synim për vendosje të përhershme në Bashkimin Evropian.
Në këtë kontekst, për herë të parë përmenden në mënyrë eksplicite shoferët e kamionëve nga vendet e treta si kategori profesionale për të cilën mund të vendosen rregulla të reja për qëndrime të zgjatura afatshkurtra, së bashku me artistët në turne, sportistët dhe profesionistët e angazhuar në projekte ndërkufitare.
Komisioni Evropian vlerëson se zgjidhjet e reja për viza mund të kontribuojnë në fleksibilitet më të madh të tregut të punës, stabilitet të zinxhirëve të furnizimit dhe funksionim më të mirë të tregut të brendshëm të BE-së, duke ruajtur njëkohësisht kontrollin mbi flukset migratore.
Hapat e mëtejshëm dhe modelet konkrete të vizave të reja do të jenë objekt i negociatave me vendet anëtare në periudhën e ardhshme.
Lajme nga vendi
Virusi i barkut dominues tek fëmijët, Ademi: Me rëndësi marrja e terapisë adekuate

