Lajme nga vendi
Ministri Tripunovski paralajmëron masa të reja për fermerët e rinj dhe mbështetje për modernizim në bujqësi
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, ka paralajmëruar mbështetje për modernizimin e bujqësisë, duke vënë theks të veçantë edhe te fermerët e rinj. Në një intervistë për „News Max Balkans“, ministri paraqiti rezultatet nga thirrjet e realizuara, si dhe planet për periudhën e ardhshme.
“Si Ministri po punojmë në drejtim të modernizimit të bujqësisë, tashmë janë shpallur një sërë thirrjesh publike që nënkuptojnë stimulim për fermerët maqedonas. Përveç shpalljeve standarde dhe të rregullta të IPARD-it për blerje të mekanizimit, përmes programeve kombëtare shpallëm një seri thirrjesh publike”, theksoi ministri Cvetan Tripunovski.
Një nga thirrjet më të rëndësishme është e ashtuquajtura masa 50-50, përmes së cilës Ministria bashkëfinancon blerjen e mekanizimit modern bujqësor.
“Thirrja e parë publike nga programet kombëtare që e shpallëm është në fushën e blerjes së mekanizimit, që mes fermerëve është e njohur si masa 50-50, ku bashkëfinancojmë blerjen e mekanizimit modern”, sqaroi ministri.
Përveç kësaj, janë realizuar edhe thirrje për mekanizim përcjellës, si dhe për blerje të sistemeve bashkëkohore për mbrojtjen e prodhimeve bujqësore nga ndryshimet klimatike.
“Këtu do të doja të përmend edhe thirrjen publike për investime në blerje të pajisjeve për prodhim të ushqimit me prejardhje shtazore dhe jo-shtazore, që është dedikuar bizneseve të vogla familjare. Në këtë thirrje publike përfshihen edhe investimet për prodhim vere dhe pije alkoolike në shkallë më të vogël. Pra, përmes këtyre thirrjeve publike japim mjete financiare për blerje të pajisjeve dhe makinerive që do të sjellin modernizim dhe përmirësim të kapaciteteve ekzistuese”, theksoi ministri Tripunovski.
Ministria kushton vëmendje të posaçme për fermerët e rinj, si motorë të së ardhmes në sektorin agrar, gjë që tashmë po jep rezultate konkrete. Ministri Tripunovski informoi se në thirrjen publike për fermerët e rinj kanë arritur gjithsej 254 aplikime, prej të cilave janë miratuar 117. Ai theksoi se kjo është vetëm një nga masat e realizuara deri më tani, ndërsa vitin e ardhshëm do të shpallen edhe programe të reja të destinuara për fermerët e rinj.
Lajme nga vendi
Mexhiti: VLEN është fitues i zgjedhjeve lokale
Kryetari në ardhje i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka vlerësuar se Ali Ahmeti, lideri i BDI-së, është humbësi më i madh i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut të mbajtura më 19 tetor.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Mexhiti ka theksuar se Ahmeti, i cili qeveriste në 90% të komunave, ka përfunduar me vetëm një komunë të fituar, Likovën.
“Qëllimisht apo jo, Ahmeti dhe BDI-ja kanë fokusuar rëndësinë kryesore te Tetova dhe posaçërisht te Çairi, ndërsa komunat e tjera i kanë konsideruar më pak të rëndësishme. Ne e pranuam këtë sfidë dhe sot Çairi u mbyll në raundin e parë. Tetova ka një epërsi mbi 4 mijë vota, kështu që është çështje e kryer. Gjithashtu, ne vetëm në raundin e parë kemi fituar 5-6 komuna. Kam deklaruar edhe më parë se humbësi më i madh i këtyre zgjedhjeve është Ali Ahmeti, i cili qeveris në 90% të komunave, dhe në mbrëmjen kur të numërohen votat, BDI-ja do të ketë fituar vetëm një apo dy komuna rurale, pra BDI ka fituar vetëm në Likovë”, ka deklaruar ai.
Sipas Mexhitit, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë vendosur t’i japin shansin një gjenerate të re për qeverisje, si në nivel qendror, ashtu edhe në atë lokal.
“Shqiptarët në Maqedoni kanë vendosur të japin mundësinë për një gjeneratë të re për qeverisje, për hir të konkurrencës dhe demokratizimit të skenës politike. Pas tre apo katër viteve që kanë mbetur, çdo qytetar shqiptar në Maqedoni do të ketë mundësinë të bëjë krahasimin ndërmjet këtij dhe tjetrit tabori, duke i vlerësuar në bazë të punës dhe programeve. Deri më tani kjo mundësi nuk ka ekzistuar, pasi ka pasur një lloj monopoli politik ose skena ka qenë shumë e shpërndarë”, është shprehur Mexhiti.
Lajme nga vendi
Varg me marihuanë në oborr të shtëpisë, arrestohet 54-vjeçari
Personi u mbajt në Stacionin Policor të Gjevgelisë, u njoftua prokurori nga Prokuroria Themelore e Gevgelisë, dhe pas dokumentimit të rastit, gjatë ditës do të paraqitet kallëzim penal.
“Më 21.10.2025, rreth orës 13:00, zyrtarët e policisë nga SPB Strumicë – DPB Gjevgjeli arrestuan A.R. (54) nga Bogdanci. Bazuar në urdhër gjyqësor, u krye bastisje në shtëpinë e tij, ku u gjetën rreth 1 kilogram e 100 gramë marihuanë, katër bimë të mbjella kanabis, mbetje të degëve me marihuanë dhe objekte me mbetje të marihuanës”, thonë nga MPB.

Lajme nga vendi
Paraburgim 6 persona dhe masa kujdesi për 15 të tjerë, shkak keqpërdorime në spital
Prokuroria e Prilepit ka kërkuar paraburgim për gjashtë persona dhe masa kujdesi për 15 të tjerë të arrestuar në lidhje me rastin e Spitalit të Përgjithshëm të Prilepit.
“Prokuroria Themelore Publike e Prilepit ka dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prilepit propozime për paraburgimin e gjashtë personave, për 15 masa kujdesi dhe për gjashtë deri në shtatë persona juridikë nga Prilepi, Manastiri dhe Shkupi, si dhe propozim për ndalesë nga pjesëmarrja në procedurat e prokurimeve publike,” tha Jasmina Shishkovska, kryetare e Gjykatës Themelore në Prilep.
Personat e arrestuar pritet të dorëzohen gjatë ditës në Gjykatën e Prilepit. Më shumë se 10 persona u arrestuan mbrëmë dhe sot nga policia e Prilepit gjatë një aksioni të Drejtorisë së Policisë Financiare, e cila ndërmori bastisje në disa lokacione në kuadër të hetimeve për keqpërdorime financiare në spital.
Sipas Prokurorisë, që nga prilli i këtij viti zhvillohet një procedurë parahetimore për shkak të dyshimeve për veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” lidhur me operacionet financiare të spitalit. Drejtori aktual i Spitalit të Përgjithshëm të Prilepit, Borka Taleski, ka deklaruar vitin e kaluar se pas marrjes së detyrës ka vërejtur parregullsi financiare dhe se institucionit i është trashëguar një borxh prej rreth 193 milionë denarësh.

