Lajme nga rajoni
Në Nju York emërtohet rruga “Isa Boletini” në muajin e Pavarësisë
Presidenti i Shoqatës Shqiptare Amerikane Staten Island, Naser Nika, ka njoftuar të afërmit e familjes së Heroit Isa Boletini dhe gjithë komunitetin shqiptar se Bashkësia Amerikane në Nju York ka miratuar kërkesën e kësaj shoqate dhe disa organizatave të tjera me në krye Federatën Pan Shqiptare “Vatra” për emërtimin e një rruge në Staten Island me emrin e Heroit tonë Kombëtar, Isa Boletini.
Sipas Nikajt, i cili njihet si aktivist dhe patriot i përkushtuar i çështjes shqiptare në SHBA, ndër të tjera thotë: “Të dashur bashkatdhetarë, me zemër plot krenari ju ftojmë të bëhemi pjesë e një ngjarje të paharruar inaugurimi i rrugës ‘Isa Boletini’, kushtuar heroit të madh të kombit tonë, i cili do të mbahet më 30 nëntor në këndin midis Father Capodanno Blvd dhe Seavieë Avenue, Staten Island, NY.
Isa Boletini, trim i Kosovës dhe simboli i sakrificës për lirinë, bëhet heroi i parë kombëtar nga Kosova që merr një rrugë me emrin e tij në Staten Island. Ky nderim bëhet edhe më i madh, sepse rruga e tij do të qëndrojë pranë asaj të Ismail Qemalit, udhëheqësit të pavarësisë, e cila u emërua dy vite më parë. Kështu, dy figurat më të ndritura të kombit do të takohen përgjithmonë në zemër të Nju Jorkut, si një dëshmi e pavdekshme e unitetit dhe krenarisë sonë kombëtare”.
Nipi i Isa Boletinit, Drejtor gjeneral Marketingu Armend Murati, që jeton e punon prej vitesh në Norvegji, duke falënderuar Shoqatën Shqiptare Amerikane në Staten Island dhe Presidentin e saj Naser Nika, ndër të tjera shkruan: “Çfarë të themi tjetër pos të shprehim respekt të thellë, për angazhimin e Shoqatës së Shqiptarëve në Amerikë, Staten Island dhe në veçanti për atdhetarin e shquar dhe udhëheqësin e shoqatës Naser Nika, për vendosmërinë për të arritur që projekti i emërtimit të rrugës në Staten Island të mbajë emrin e Isa Boletinit.
E di se sa kohë, mund dhe financim ishin të nevojshme për të arritur këtë, gjë që zoti Naser Nika nuk kurseu asnjë moment, vetëm për të arritur qëllimin. Si trashëgimtarët e Isa Boletinit, të përgëzojmë për atdhedashuri dhe patriotizëm që keni treguar, ju paçim faqebardhë për gjithmonë. Na bëni të ndjejmë që frymëzimi që Isa Boletini ka lënë, është ende i gjallë dhe i fortë si kurrë më parë”.
Njëherësh për nipërit e mbesat e Heroit Isa Boletini ka lajme tepër interesante, dy mbesat e tij, Ariana Hoxha dhe Arijeta Turku, nën siglën e partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me drejtues të lartë Ramush Haradinaj, kandidojnë respektivisht për asambleiste, Ariana në Gjakovë, ndërsa Arijeta në Mitrovicë. Motoja e tyre për fitoren e tyre në këtë fushatë është “Dritë për Komunat”. Ndërsa një nga arsyet kryesore pse ato mbështesin programin dhe statutin e kësaj partie është se Lideri dhe Kryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka qenë një mbështetës i flaktë i figurës legjendare Isa Boletini dhe familjes së tij. Çdo vit në çdo përvjetor përkujton heroin duke vizituar varrin e tij dhe Kullën e Boletinëve në Mitrovicë. Edhe ditën që u lirua nga Gjykata Speciale në Hagë, nuk harroi, por direkt vendosi një buqetë me lule te varri i Isa Boletinit. Hekuran Hoxha, edhe ky nip i Isa Boletinit dhe djali i Arianës, përfundon tani mandatin katërvjeçar si asambleist në Komunën e Gjakovës për Partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Sipas sloganit që Ariana Lila Hoxha dhe Arijeta Murati Turku paraqesin si moton e tyre përgjatë kësaj fushate “Dritë për Komunat”, flet për një jetë më të mirë për popullin në Kosovë. “Të jemi shembull i mirë për të gjithë – thotë Ariana – pasi me punë arrihet suksesi dhe jo me premtime si të tjerët”.
Duke përfunduar, falënderojmë Shoqatën Shqiptaro Amerikane në Staten Island, Presidentin e saj Naser Nika, Bashkinë e Nju Jorkut si dhe të gjitha organizatat e tjera që bënë të mundur emërtimin e rrugës “Isa Boletini” përkrah liderit historik “Ismail Qemali” në Staten Island, Nju Jork. Njëherësh i urojmë suksese e fitore Ariana Hoxhës, Arijeta Murati Turkut, si dhe Hekuranit në arritje të sukseseve te reja në karrierë. /Panorama/
Lajme nga rajoni
Vuçiq akuzon Kroacinë: Është bërë bashkë me Kosovën e Shqipërinë për ta penguar Serbinë
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq foli përsëri për marrëdhëniet me Kroacinë në një paraqitje televizive duke akuzuar se Zagrebi, siç u tha Vuçiq, po bllokon rrugën evropiane të Serbisë.
Vuçiq pretendon se “ngritja e Serbisë”, siç tha ai, si “një feniks”, ka bërë Kracia të bëhet bashkë me Kosovën, Shqipërinë, e të tjerët për ta penguar Beogradin. Ai këtu përmendi edhe aleancën ushtarake mes Kroacisë, Shqipërisë e Kosovës.
“Pse fqinjët tanë nuk duan që ne të jemi në BE? Arsyeja është e thjeshtë. Ata menduan se në momentin që u bashkuan me BE-në dhe NATO-n dhe kur ata që ishin në pushtet në Serbi ishin në pushtet dhe nuk e trajtonin vendin e tyre, le të themi, brenda vendit, gjithçka kishte mbaruar dhe se po bëheshin një forcë dominuese nga Triglav në Stamboll në mënyra të ndryshme, dhe sigurisht në zonën deri në Bullgari dhe Greqi”, tha Vuçiq.
“Që kur Serbia është ngritur, që kur Serbia, fjalë për fjalë është ngritur si një feniks nga hiri, është zgjuar dhe është bërë më e fortë, ata duan të frenojnë forcën e Serbisë. Dhe nuk ka ndonjë filozofi të madhe. Kjo është arsyeja pse ata janë të bashkuar me Prishtinën, Tiranën dhe të gjithë të tjerët”, përfundoi Vuçiq, siç raportohet nga mediat në Serbi.
Lajme nga rajoni
Shqipëria ndaloi 51 ton misër nga Serbia, konstatohet prani e substancave kancerogjene
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AUK) në Shqipëri ka konfirmuar të enjten në mbrëmje praninë e aflatoksinës B1 në dy ngarkesa me misër, të importuara nga Serbia, që përbëjnë një total prej 51 tonësh.
Ato ishin të porositura si ushqim për kafshët, ndërsa sipas njoftimit zyrtar, një nga ngarkesat është kthyer në vendin e origjinës, ndërsa tjetra është bllokuar për asgjësim.
“AKU kreu në Pikën e Inspektimit Kufitar të Hanit të Hotit mostrimin e dy ngarkesave me misër, ushqim për kafshë, origjina Serbi, të cilat pas kryerjes së analizimit laboratorik, janë konfirmuar me prani të Aflatoksinës B1. Informojmë se njëra nga ngarkesat është kthyer në vendin e origjinës, ndërsa ngarkesa tjetër është bllokuar në ambientet e subjektit me destinacion asgjësimin”, thuhet në njoftim.
Ekspertët e cilësojnë aflatoksinën si një nga toksinat më të rrezikshme për shëndetin e njeriut.
Konsumimi i misrit të kontaminuar nga kafshët mund të ndikojë edhe në qumështin që ato prodhojnë, pasi toksina nuk shkatërrohet gjatë procesit të përpunimit. Sipas OBSH-së, ekspozimi ndaj aflatoksinës mund të shkaktojë sëmundje kancerogjene./TopChanel
Lajme nga rajoni
Pak para afatit, LVV dorëzon koalicionin në KQZ
Vetëm edhe disa orë kanë mbetur deri në përfundim të afatit për arritjen e koalicioneve të mundshme parazgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.
Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është konfirmuar edhe një koalicion që do të garojnë në këto zgjedhje e të përbëra nga:
Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane.
Këto të dhëna i bëri publike zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.
Elezi theksoi se deri në ora 20:30 të së dielës 17 subjekte politike kanë aplikuar për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhje. Tri nga këto subjekte politike janë koalicione që janë deklaruar në KQZ.
“Subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetareve dhe kandidatët e pavarur) që aplikojnë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje, kanë afat që deri më 7 dhjetor të dorëzojnë listën e tyre me emrat e kandidatëve për deputetë”, deklaroi ai.
Ai tregoi se cilat subjekte politike tashmë kanë dorëzuar aplikimin:
Koalicionet:
- Koalicioni “PAI – PDAK – LPB”, i përbërë nga 3 parti politike: Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB)”;
- Koalicioni “Koalicija VAKAT”, i përbërë nga 3 parti politike: Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB), Bošnjačka Stranka Kosova (BSK) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV); dhe
- Koalicioni “Lëvizja VETËVENDOSJE!”, i përbërë nga 4 partitë politike: Lëvizja VETËVENDOSJE!, GUXO, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (PSHDK).
Partitë politike:
- LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – LDK;
- PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – PDK:
- Kosovaki Nevi Romani Partia;
- JEDINSTVENA GORANSKA PARTIJA;
- Za Slobodu Pravdu i Opstanak;
- KOSOVA DEMOKRATIK TÜRK PARTISI;
- PARTIA LIBERALE EGJIPTIANE;
- PARTIA ROME E BASHKUAR E KOSOVËS;
- SOCIALDEMOKRATSKA UNIJA – SDU;
- SRPSKA LISTA;
- INICIATIVA E RE DEMOKRATIKE E KOSOVËS;
- FJALA;
- NOVA DEMOKRATSKA STRANKA – NDS;
- LËVIZJA PËRPARIMTARE E ROMËVE TË KOSOVËS (LPRK).
-
Lajme nga vendi2 months agoBilall Kasami : Mega projekti që po bëhet realitet investim prej 70 milionë denarëve Tetova po transformohet
-
Lajme nga vendi1 month agoUniversiteti i Tetovës shpreh ngushëllime për vdekjen e studentes Daorsa Spahija
-
Lajme nga vendi2 months agoDogana konfiskoi 130 kilogramë mariuhanë

