Lajme nga vendi
Mexhiti thotë se përfundoi rruga “Maksut Sadik”, nis ndërtimi i kampusit modern të Universitetit “Nëna Terezë”
Izet Mexhiti ka bërë të ditur sot përfundimin me sukses të një tjetër investimi madhor në Çair – rrugës “Maksut Sadik”, ndërkohë që në të njëjtën ditë ka nisur ndërtimi i kampusit modern të Universitetit “Nëna Terezë”.
Rruga “Maksut Sadik”, me vlerë investimi prej 220 mijë euro, tashmë është gati për t’u vënë në shërbim të qytetarëve. Projekti është realizuar me standardet më të larta të cilësisë, sigurisë dhe funksionalitetit, duke përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën urbane të zonës. Kjo rrugë lidh lagjet e Çairit me bulevardin “Nikola Karev” dhe Universitetin “Nëna Terezë”, duke u shndërruar në një arterie të rëndësishme zhvillimore, që lehtëson qarkullimin dhe rrit vlerën urbanistike e ekonomike të komunës.
Në të njëjtën ditë, nisi edhe ndërtimi i kampusit modern të Universitetit “Nëna Terezë”, një investim historik prej 40 milionë euro, i pari i këtij niveli që realizohet nga një qeveri për një universitet shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
“Një përfundim dhe një fillim që bashkohen në një mesazh të vetëm: Çairi po ecën përpara, me zhvillim, me dije dhe me vepra që mbeten përjetësisht!”, thotë Mexhiti.
Mexhiti: Rruga “Maksut Sadik” përfundon, nis ndërtimi i kampusit të Universitetit “Nëna Terezë”
Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti sot ka informuar se edhe një investim i ri i ka përfunduar tashmë, bëhet fjalë për rrugën Maksut Sadik.
“Një tjetër investim madhor, rruga “Maksut Sadik” përfundoi me sukses, dhe po në këtë ditë nis ndërtimi i kampusit modern të Universitetit “Nëna Tereza”. Rruga “Maksut Sadik” është tashmë përfunduar me sukses dhe gati për t’u vënë në shërbim të qytetarëve, një investim i realizuar me standardet më të larta të cilësisë, sigurisë dhe funksionalitetit. Me vlerë rreth 220.000 euro, ky projekt shënon një tjetër hap të rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës urbane të Çairit”, tha Mexhiti.
Sipas tij, kjo rrugë që lidh lagjet e Çairit me bulevardin Nikola Karev dhe Universitetin Nënë Tereza është shndërruar në arterie të rëndësishme që lehtëson lëvizjen.
“Falë bashkëpunimit të ngushtë mes Qeverisë dhe komunës së Çairit, kjo rrugë që lidh lagjet e Çairit me bulevardin “Nikola Karev” dhe Universitetin “Nëna Terezë” është shndërruar në një arterie të rëndësishme zhvillimore, që lehtëson qarkullimin dhe rrit vlerën urbanistike e ekonomike të zonës. Dhe simbolika është e jashtëzakonshme, në të njëjtën ditë kur përfundon rruga që çon drejt dijes, nis ndërtimi i kampusit modern të Universitetit “Nëna Terezë”, një investim historik prej 40 milionë euro, i pari i këtij niveli që realizohet nga një qeveri për një universitet shqiptar në Maqedoni të Veriut”, theksoi për fund Mexhiti.
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

