Lajme nga vendi
Katër ditët e fundit të fushatës zgjedhore, partitë politike vazhdojnë me aktivitetet e tyre

Kanë mbetur katër ditë deri në heshtjen zgjedhore para zgjedhjeve që do të mbahen më 19 tetor. Aktivitetet zgjedhore të partive vazhdojnë dhe sot.
Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE do të mbajë tubime dhe takime me qytetarët në komunat Probishtip, Kratovë, Rankovcë dhe Kriva Palankë. Kandidati për kryetar të Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgievski, do të mbajë një konferencë për shtyp.
LSDM-ja opozitare do të vizitojë komunat e Shkupit si Saraj dhe Çair, këtë pasdite. Në mbrëmje, karvani i LSDM-së do të jetë në komunat Novaci, Resnjë dhe Manastir.
Përfaqësuesit e VLEN-it do të kenë një takim me Odën Tregtare të Maqedonisë Veriperëndimore.
Konferencë për shtyp do të mbajnë nënkryetari i BDI-së, Arber Ademi dhe kandidati për kryetar të Sarajit Blerant Ramadani. Konferencë për media gjithashtu do të mbaj edhe kandidati i pavarur për kryetar të Shkupit i mbështetur nga platforma qytetare “Të Pavarurit Së Bashku”, Goran Markovski.
Lajme nga vendi
Humb jetën këngëtari “Panço” i grupit DNK , viktima e 63 nga zjarri tragjik në Koçan

Këngëtari i “DNK”, Vlladimir Blazev – Panço, humbi jetën sot si pasojë e lëndimeve që mori në zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan, konfirmojnë për Telegrafi Maqedoni nga “Acibadem Sistina”.
Ai për një kohë të gjatë është mjekuar në spitalin privat “Acibadem Sistina”.
Sipas njoftimeve, Panço për një periudhë ka qenë në koma, ndërsa ka pasur edhe djegie të rënda në fytyrë dhe duar.
Lajme nga vendi
Kasami: Projekt 40 milionë euro që lidhë Tetovën, Lisecin dhe “Kodrën e Diellit”

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka njoftuar për një projekt madhor që pritet të transformojë turizmin malor në rajon. Bëhet fjalë për ndërtimin e teleferikut Tetovë – Lisec – Kodër e Diellit, një investim prej 40 milionë eurosh që do të lidhë qytetin me njërën prej destinacioneve më të njohura turistike në Maqedoninë e Veriut.
Sipas Kasamit, ky projekt do të jetë një hap i madh drejt zhvillimit të qëndrueshëm turistik dhe ekonomik të Tetovës, duke e kthyer Kodrën e Diellit në një destinacion të vizitueshëm gjatë gjithë vitit.
“Kodra e Diellit së shpejti me teleferik – është një ëndërr e shumë qytetarëve që po bëhet realitet,” ka shkruar Kasami në njoftimin e tij publik.
Teleferiku pritet të lehtësojë ndjeshëm qasjen e vizitorëve drejt qendrës turistike, të zvogëlojë trafikun rrugor dhe ndotjen, ndërsa njëkohësisht të rrisë numrin e turistëve vendas dhe të huaj në zonë.
Autoritetet lokale paralajmërojnë se punimet për projektin do të fillojnë së shpejti, pas përfundimit të fazave të planifikimit dhe tenderimit.
Lajme nga vendi
VLEN: Asnjë ‘referendum’ s’mund ta ringjallë besimin që BDI e ka varrosur vetë!

Kur populli zgjohet, asnjë mashtrim nuk mund ta ndalë. Kur e vërteta del në dritë, errësira e gënjeshtrës digjet vetë. Kur shqiptari ngrihet me dinjitet, askush s’mund ta mashtrojë më me flamur në dorë e me xhep të mbushur. Mbrëmë, sot, dhe çdo ditë që po vjen, shqiptarët janë duke e fituar betejën me frikën, me mashtrimin dhe me patriotizmin e rremë.
BDI përpiqet t’i kthejë zgjedhjet lokale në “referendum”, sepse s’ka më çfarë të tregojë, as punë, as besim, as rezultat. Por populli shqiptar e njeh mirë këtë skenar: e ka parë 23 vite me radhë të njëjtën film, me të njëjtët aktorë që flasin për idealin, por veprojnë për interesin, që betohen për kombin, por grabisin pasurinë e tij.
Flasin për “Marrëveshjen e Ohrit”, por e përbuzën e e lanë të pazbatuar. Akuzojnë për “botë serbe”, por vetë ndërtuan ura e banka me Beogradin. Thirren në “referendum”, por kërkojnë vota në fshatra 100% maqedonase, sepse aty ku ka shqiptarë, s’i hapet më dera!
Kjo nuk është më politikë, është panik. Panik i atyre që ndjejnë fundin, por nuk dinë të kërkojnë falje. Panik i atyre që për dekada ushqyen popullin me iluzione, e sot s’kanë asnjë fjalë që të prekë zemrën e tij.
Por shqiptarët janë zgjuar. Ata nuk i ndan më askush me frikë e mashtrime. Ata nuk duan më “referendume” të rreme, duan ujë, duan rrugë, duan punë, duan dinjitet!
Prandaj, më 19 tetor, kjo nuk është vetëm ditë zgjedhjesh, është dita kur populli shqiptar do ta shkruajë një faqe të re të historisë së tij. Do ta mbyllë kapitullin e mashtrimit dhe do ta hapë epokën e punës.
VLEN-i nuk mban flamur për t’u fshehur pas tij, por për ta ngritur lart, bashkë me gjithë popullin. Kështu siç e çliruam Tetovën, kështu siç e fituam ndryshimin në pushtetin qendror, bashkë do t’i çlirojmë edhe komunat tona, një nga një, me votën e ndershme të njerëzve të thjeshtë. Të gjithë shqiptarët janë NJË ZË.