Lajme nga vendi
Limani: Mes Deharit dhe Jovanovskit, të votohet më i miri!

Kandidati i pavarur për Komunën e Kërçovës, Fatmir Limani, ka reaguar pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve lokale, duke bërë thirrje që në balotazhin e ardhshëm qytetarët të votojnë “më të mirin”, mes Fatmir Deharit të Aleancës Kombëtare për Integrim dhe Aleksandar Jovanovskit të VMRO-DPMNE-së. Në qëndrimin e tij publik, Limani tha se rezultati i raundit të parë tregon një qëndrueshmëri të mbështetjes për kryetarin aktual të komunës, ndërsa theksoi se vota e qytetarëve është vendimtare dhe duhet respektuar.
“Është krejt e qartë se votuesit shqiptarë kanë shprehur një vlerësim relativisht të qëndrueshëm për kryetarin ekzistues. Kjo vlen si për rezultatet e tij në komunë, ashtu edhe për figurën e tij morale dhe politike, pavarësisht çdo skeme për të ruajtur votën në favor të tij. Ky rezultat shumë kërçovarëve mund t’u duket i padrejtë, por populli foli, ashtu si di ai”, ka thënë Limani. Ai kujtoi se ishte zotuar që në fillim të fushatës të mbështeste çdo kandidat shqiptar që do të arrinte në raundin e dytë, duke nënvizuar se këtë e bën pa paragjykime dhe pa shfrytëzuar dobësitë e askujt.
“Jam luftëtar që në ring shoh të godas drejt dhe përpara, e jo poshtë, nën brez. Me këtë veprim ndjehem se kam përmbushur zotimin tim para mërgatës në Zvicër”, theksoi Limani. Sipas tij, populli tashmë ka vendosur dhe është koha që qytetarët të votojnë të ndërgjegjshëm në balotazh. “Unë do bëj thirrje të votohet më i miri, duke besuar se këtë herë qytetarët në tërësinë e vet do dinë të votojnë, duke peshuar gjithçka. Për këto arsye ndjej se zotimi im është i përmbushur”, shtoi ai.
Në fund, Limani theksoi se do të vazhdojë të punojë për Kërçovën dhe të realizojë projektet e premtuara, pavarësisht se kush fiton në raundin e dytë. Ai përfundoi mesazhin e tij me një thirrje simbolike për t’u kthyer tek vlerat e Rilindjes Kombëtare: “I mëkuar me Rilindjen dhe rilindasit që në barkun e nënës, do bëj thirrje që të lexojmë ata, në çdo moshë! Kështu do kuptojmë veten e veset tona, por dhe të tjerët! Fishta më vjen në mend i pari… çdo kohë është e mirë për Rilindje!”.
Lajme nga vendi
KOALICIONI VLEN SHPALLI FITORE NË POLLOG

Kryetari i ardhshëm i komunës së Tetovës do të zgjidhet në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale respektivisht më 2 nëntor. Në raundin e dytë në garrë do të jenë Bilall Kasami nga Koalicioni VLEN dhe Bajram Rexhepi nga Aleanca Kombëtare për Integrim. Në raundin e parë Kasami ka marrë 19028 vota, Rexhepi morri 15 272 vota. Diferenca e Kasamit ndaj Rexhepit është 3756 vota. Pas mbylljes së procesit zgjedhor, mbrëmë në qendër të Tetovës Koalicioni VLEN shpalli fitore në shumicën e komunave në rajonin e Pollogut. Në ndërkohë, Kasami në fjalimin e tij para simpatizantëve të tubuar fitoren e VLEN-it tha se do të vazhdojnë të zgjidhin problemet dhe hallet e qytetarëve. Deklarata KasamiPas daljes së rezultateve kandidati për Tetovën Bajram Rexhepi nga Aleanca Kombëtare për Integrim përmes një postimi falënderoi për votat që siç tha ai të pastra dhe me zemër.“Falënderoj çdo aktivist, çdo qytetar, për punën e palodhshme dhe besimin e dhënë.Beteja për Tetovën vazhdon. Me më shumë përkushtim, me më shumë forcë dhe me të njëjtin ideal, për një Tetovë me dinjitet” shkroi Bajram Rexhepi nga Aleanca Kombëtare për Integrim.Ndërkaq,në zgjedhjet e djeshme, Katka Bozhinovska nga partia E Majta, ka marrë 3298 vota, STEVICA SARKOSKI nga VMRO-popullorja ka marrë 1625 vota, SAMKA IBRAIMOSKI ka marrë 253 vota dhe Izet Zejneloviq ka marrë 115 vota. Poashtu, KSHZ ka publikuar rezultatet e para edhe për këshillin komunal në Komunën e Tetovës. Nga 92.56 përqind e votave të procesuara për këshillin komunal, koalicioni VLEN do të ketë 13 këshilltarë , Aleanca Kombëtare për Integrim 12 këshilltarë, VMRO-DPMNE-ja do të ketë 3 këshilltarë, LSDM-ja, E Majta dhe Më mirë për Tetovën do të kenë nga një këshilltarë.
Lajme nga vendi
VLEN: Shqiptarët folën qartë dhe fuqishëm

Koalicioni VLEN shpreh mirënjohje të thellë ndaj qytetarëve për besimin e madh që treguan në zgjedhjet lokale që u mbajtën gjatë ditës së djeshme (19.10.2025).
Sipas VLEN kjo është fitorja më e madhe ndonjëherë në historinë e zgjedhjeve lokale, një fitore që u arrit në çdo cep ku jetojnë shqiptarë.
“Shqiptarët folën qartë dhe fuqishëm, referendumi i BDI-së nuk kaloi. Ky ishte verdikti i popullit ndaj një politike që për vite me radhë ka abuzuar me besimin qytetar dhe ka ndërtuar pushtet mbi frikën e përçarjen.
VLEN e konsideron këtë rezultat si një kthesë historike për politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Tani është momenti që liderët e AKI-së të marrin përgjegjësi dhe të japin dorëheqje, sepse qytetarët ua kanë thënë fjalën përfundimtare. Fitorja e 19 tetorit është fitorja e shpresës, e bashkimit dhe e dinjitetit. VLEN është dhe do të mbetet NJË ZË, zëri i qytetarëve, zëri i ndryshimit”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.
Lajme nga vendi
Spanja propozon heqjen përhershme të ndërrimit të orës në vendet e BE-së

Qeveria spanjolle njoftoi se do t’i propozojë Bashkimit Evropian heqjen e përhershme të ndërrimit të orës dhe kalimit në kohën dimërore, e cila duhet të ndodhë fundjavën e ardhshme, duke e quajtur këtë “praktikë të vjetruar”, raportojnë mediat spanjolle.
Siç raportohet, kjo ndryshim më nuk kontribuon në kursimin e energjisë, ndërsa njëkohësisht shkakton efekte negative për shëndetin, raportoi televizion RTVE.
Në një postim video në platformën X, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez theksoi se “ndërrimi i orës dy herë në vit nuk ka më kuptim”, prandaj Spanja do të propozojë heqjen e kësaj praktike.
– Në të gjitha anketat që kemi kryer, shumica e qytetarëve spanjollë dhe evropianë janë kundër ndërrimit të orës. Për më tepër, shkenca na tregon se kjo nuk kursen më energji dhe se dy herë në vit shqetëson ritmin biologjik, shpjegoi Sanchez.
Ai kujtoi se gjashtë vjet më parë BE-ja kishte votuar për heqjen e ndërrimit të orës dy herë në vit në të gjitha vendet anëtare, dhe se atëherë ishte theksuar se vendimi ishte marrë pas konsultimeve publike, ku morën pjesë 4.6 milionë qytetarë, nga të cilët 84% ishin pro heqjes së kësaj praktike.
Parlamenti Evropian në vitin 2019 gjithashtu mbështeti këtë vendim, me 63% të votave.
Megjithatë, vendimi përfundimtar nuk u mor për shkak të mungesës së konsensusit mes vendeve anëtare, pasi për miratimin e tij kërkohet shumicë e kualifikuar në Këshillin e BE-së.
Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Teresa Ribera, për televizionin spanjoll deklaroi se evropianët mbështesin idenë e një kohe të vetme dhe se “tani është momenti i duhur për ta realizuar atë”.
Sanchez theksoi se për këtë arsye Spanja do të dorëzojë një propozim formal në takimin e sotëm të Këshillit Evropian për transportin, telekomunikacionet dhe energjinë, ku do të marrin pjesë ministrat e të gjitha 27 vendeve anëtare të BE-së.
Burime raportojnë se tani është moment i favorshëm që Parlamenti Evropian të votojë për heqjen e kësaj praktike në vitin 2026, pasi cikli aktual pesëvjeçar i planifikimit të Komisionit Evropian skadon vitin tjetër.