Lajme nga vendi
Studentët e Fakultetit të Arteve të UT-së e vizituan ekspozitën e profesorit Miftar Memeti në Galerinë “Bezisten” në Shtip
Pas hapjes zyrtare të ekspozitës së profesorit dhe piktorit të njohur Miftar Memeti, studentët e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, drejtimi Art Figurativ, më 29 tetor 2025, realizuan
një vizitë studimore në ambientet e Galerisë së Arteve “Bezisten” në Shtip.
Në këtë vizitë ishte i pranishëm edhe vetë profesori Miftar Memeti, i cili zhvilloi një bashkëbisedim të hapur me studentët, duke ndarë përvoja të vlefshme nga karriera e tij artistike dhe akademike. Ai foli mbi procesin krijues, rëndësinë e origjinalitetit, kërkimit dhe pasionit në artin bashkëkohor.
Studentët ishin të shoqëruar nga prodekania për arsim, profesoresha e Historisë së Artit Jëlldëz Asani, dhe profesoresha e vizatimit Drenusha Palloshi. Ata u pritën ngrohtësisht nga drejtoresha e
galerisë dhe kuratori i ekspozitës, të cilët e prezantuan konceptin dhe mënyrën e organizimit të kësaj ekspozite.
Në hapësirat e galerisë ishin ekspozuar vepra nga cikle dhe teknika të ndryshme artistike, vizatime me goditje të sakta e karakteristike, si dhe piktura në vaj mbi pëlhurë, të realizuara me një paletë të gjerë ngjyrash, që dëshmojnë mjeshtërinë dhe vizionin e veçantë të autorit.
Në veçanti spikatnin dy piktura monumentale të portretit të Nënë Terezës, të cilat ruajnë dorëshkrimin e njohur të artistit përmes formave konceptuale dhe frymës postmoderne që e
karakterizon krijimtarinë e tij.
Në tërësi, veprat e profesor Miftar Memetit reflektojnë freskinë e impresionizmit, lëvizjen e lirë të ngjyrave dhe ndjesinë e hapësirës, duke i dhënë artit të tij një dimension komunikues ku edhe
publiku bëhet pjesë e procesit krijues.
Studentët shprehën mirënjohjen e tyre për mundësinë e këtij takimi me një artist të kalibrit akademik e kombëtar, i cili përmes shembullit dhe përvojës së tij frymëzon brezat e rinj të ecin me
përkushtim në rrugën e artit.
Kjo vizitë u vlerësua si një përvojë e vlefshme praktike dhe frymëzuese, që forcon lidhjen midis edukimit universitar dhe jetës artistike në vendin tonë.


Lajme nga vendi
17 komuna me shumcë shqiptare
Sipas të dhënave zyrtare të regjistrimit të popullsisë të vitit 2021, në nga 80 komunat e Republikës së Maqedonisë së Veriut, shqiptarët janë grup etnik shumicë thuajse në rreth 17 komuna, përcjell INA. Këto komuna janë kryesisht në pjesën perëndimore dhe verilindore të vendit.
1. Komuna e Zhelinës
2. Komuna e Likovës
3. Komuna e Bogovinës
4. Komuna e Haraçinës
5. Komuna e Sarajit
6. Komuna e Tearcës
7. Komuna e Vrapçishtit
8. Komuna e Tetovës
9. Komuna e Studeniçanit
10. Komuna e Gostivarit
11. Komuna e Bërvenicës
12. Komuna e Dibrës
13. Komuna e Çairit
14. Komuna e Strugës
15. Komuna e Kërçovës
16.Komuna e Çashkës
17.Komuna e Dollnenit
Këto të dhëna janë shpërndarë në rrjetet sociale nga faqe të ndryshme të internetit, por që të dhënat janë bazuar në regjistrimin e fundit të popullsisë të vitit 2021. Sipas Regjistrimit të Popullsisë 2021, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut numërojnë gjithsej 619,187 persona ose 29.52% e popullsisë së përgjithshme të regjistruar si rezident dhe jorezident.(INA)
Lajme nga vendi
Zgjedhjet e 11 janarit në Gostivar: KSHZ përcakton renditjen në fletëvotim
Në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) sot është hedhur shorti për përcaktimin e numrave rendorë në fletëvotim për zgjedhjet e përsëritura lokale që do të mbahen më 11 janar në Komunën e Gostivarit.
Sipas shortit, kandidati i koalicionit VLEN, Nevzat Bejta, do të garojë me numrin 1 në fletëvotim, ndërsa kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Valbon Limani, do të jetë i renditur me numrin 3.
Zgjedhjet e 11 janarit zhvillohen pas vendimit për përsëritjen e procesit zgjedhor në Gostivar, ndërsa fushata pritet të vijojë sipas afateve të përcaktuara nga KSHZ. Gostivari Sot
Lajme nga vendi
Drita Sahiti – Marigona e dijes së Universitetit të Tetovës
Sot, në 31-vjetorin e themelimit të Universitetit të Tetovës, emri i Drita Sahitit nuk qëndron vetëm në pllaka përkujtimore apo në monografi akademike por në zemrat dhe kujtesën e një kombi.
Emri i nënës Dritë është i pranishëm në vetë qenien morale të këtij institucioni, në frymën që e mbajti gjallë në kohët më të vështira, kur dija shqipe rrezikohej të mbetej një ëndërr e ndaluar. Emri i saj është i gdhendur në themele, aty ku ndërtohet besimi dhe ku lind qëndrueshmëria e një ideali.
Drita Sahiti është “Marigona e Universitetit të Tetovës” jo si metaforë poetike, por si një e vërtetë historike dhe shpirtërore. Ashtu si Marigona që qëndisi flamurin në errësirën e robërisë, ajo e mbajti të ndezur dritën e dijes në një kohë kur arsimi shqip kërkonte mbështetje, guxim dhe sakrificë. Kur shpresa ishte e brishtë dhe e ardhmja e pasigurt, ajo zgjodhi të mos presë kohë më të mira, por t’i krijojë ato. Në aktin e saj të heshtur, ajo nuk dhuroi vetëm stolitë e arit, por besimin se arsimi është rruga e vetme drejt lirisë.
Nuk dha vetëm pasuri materiale, por një mesazh të fuqishëm moral se idealet kombëtare mbijetojnë vetëm kur ushqehen me sakrifica personale. Me atë veprim, Drita Sahiti u shndërrua nga një grua e thjeshtë në një simbol të përhershëm të përgjegjësisë qytetare dhe të ndërgjegjes kombëtare. Ajo mishëroi figurën e nënës shqiptare që nuk flet shumë, por vepron shumë; që nuk kërkon lavdi, por lë gjurmë; që nuk e mat vlerën e arit me peshë, por me dobinë që ai sjell për brezat që vijnë.
Përmes asaj sakrifice, ajo e vendosi veten në themelet e Universitetit të Tetovës, aty ku historia shkruhet pa zë, por me domethënie të përjetshme. Sot, kur Universiteti i Tetovës ecën me dinjitet në rrugën e dijes, emri i Drita Sahitit mbetet një kujtesë morale për çdo brez se institucionet e mëdha ndërtohen nga zemra të mëdha dhe se drita e vërtetë nuk vjen nga stolitë që mbajmë, por nga idealet që zgjedhim të mbrojmë.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Marigonën e dijes. Vepra e saj nuk u shua me kohën, sepse ajo nuk ishte thjesht një dhurim por ishte një betim ndaj dijes, ndaj kombit dhe ndaj së ardhmes.
-
Lajme nga vendi2 months agoBilall Kasami : Mega projekti që po bëhet realitet investim prej 70 milionë denarëve Tetova po transformohet
-
Lajme nga vendi1 month agoUniversiteti i Tetovës shpreh ngushëllime për vdekjen e studentes Daorsa Spahija
-
Lajme nga vendi2 months agoDogana konfiskoi 130 kilogramë mariuhanë

