Lajme nga vendi
Shqiptarët kanë humbur besimin te VMRO
Sondazhi i Nëntorit 2025: Shqiptarët perceptojnë VMRO-DPMNE-në si pengesë për integrimin dhe përfaqësimin e tyre.
Një sondazh i realizuar në nëntor 2025 nga Gani Bobi ka nxjerrë në pah perceptimet e komunitetit shqiptar mbi VMRO-DPMNE-në dhe rolin e saj në politikën e Maqedonisë së Veriut, por mbi të gjitha me optikën e shqiptarëve për forcën qeverisëse në vendin fqinj.
Rezultatet e këtij sondazhi të shtjelluar tregojnë një shqetësim të thellë për qëndrimet e kësaj partie ndaj shqiptarëve dhe perspektivës evropiane të vendit.
Pjesa më e madhe e të anketuarve e perceptojnë VMRO-në si një parti me qëndrime paternaliste ose nacionaliste, ndërsa vetëm një pjesë e vogël e sheh si bashkëpunuese dhe të moderuar
Shumica e shqiptarëve nuk besojnë se VMRO është e interesuar për integrimin real evropian dhe e perceptojnë këtë parti si një aktor që përjashton shqiptarët nga vendimmarrja shtetërore.
Kursi politik i VMRO-së, i orientuar drejt Serbisë dhe i kushtëzuar nga çështje të jashtme, shihet ndër të tjera si i dëmshëm për perspektivën euro-atlantike të Maqedonisë së Veriut.
Sondazhi nxjerr gjithashtu në pah se shumica e shqiptarëve e cilësojnë rrugën evropiane të vendit si të domosdoshme, por vetëm nëse garantohen të drejtat e tyre, ndërsa mbështetja për Marrëveshjen me Bullgarinë është e kushtëzuar me respektimin e identitetit shqiptar.
Përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutë shihet me kujdes: shumica nuk e kundërshtojnë nëse kjo nuk cenon të drejtat e tyre, por një pjesë tjetër shpreh pasiguri ose mungesë informacioni. Vetëm një pjesë e vogël e shqiptarëve e perceptojnë Maqedoninë si një shtet multietnik me të drejta të garantuara, ndërsa pjesa më e madhe e sheh shtetin si dominues maqedonas ose me multietnicitet të pabarabartë.
Sondazhi tregon gjithashtu se shqiptarët janë të vetëdijshëm për rëndësinë e përfshirjes së pakicës bullgare në Kushtetutë si një kusht për anëtarësim në BE dhe nuk e shohin këtë si një kërcënim për të drejtat e tyre. Përkundrazi, ata e shohin bllokimin e këtij procesi nga VMRO si një lojë politike që synon destabilizimin e brendshëm dhe përjashtimin e komunitetit shqiptar nga vendimmarrja shtetërore
Në përgjithësi, sondazhi reflekton një mosbesim të lartë ndaj VMRO-së, duke e perceptuar si pengesë për integrimin evropian dhe si aktor që minon pozitat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Interesant është ndërkaq fakti se ndër politikanët shqiptarë, figura e Menduh Thaçit është ajo, e cila shihet si më e përgatitur për t’u përballur me Hristijan Mickockin dhe VMRO-në, veçanërisht në Tetovë.
“Edhe pse prej një periudhe jashtë vëmendjes për vendimmarrje, Menduh Thaçi doli befasishëm në pyetjen për kush mund të përballet realisht me Mickoskin dhe VMRO-në, si një nga më të besueshmit”, reflekton sondazhi.
Ndërsa, një frikë e madhe e shqiptarëve ka të bëjë edhe me ndarjen etnike që mund t’i vijë vendit nëse VMRO do të vijojë të ketë këtë dominancë në sferën politike të RMV-së.
Analiza e Pyetjeve
Si e vlerësoni sjelljen e VMRO-DPMNE në këto zgjedhje?
Përgjigjet janë ndarë në katër kategori: paternaliste ndaj shqiptarëve, nacionaliste por e qartë, e moderuar dhe bashkëpunuese, dhe nuk kam ndjekur fushatën. Pjesa më e madhe e respondentëve e perceptojnë VMRO-në si një subjekt që mbart qëndrime paternaliste ose nacionaliste, ndërkohë që një pjesë e vogël e konsideron bashkëpunuese.
A duhet të jetë urgjente rruga evropiane e Maqedonisë?
Shumica e shqiptarëve mendojnë se po, por vetëm nëse garantohen të drejtat e shqiptarëve. Kjo tregon një qëndrim të matur pro-evropian të kushtëzuar me përfaqësimin e drejtë.
A mendoni se Marrëveshja me Bullgarinë duhet të mbështetet?
Mbështetja për marrëveshjen është gjithashtu e kushtëzuar me mbrojtjen e identitetit shqiptar. Rreth gjysma e të anketuarve janë skeptikë nëse marrëveshja nuk respekton këtë identitet.
A e konsideroni Maqedoninë e Veriut një shtet…
Vetëm një pjesë e vogël e shqiptarëve e perceptojnë Maqedoninë e Veriut si një shtet multietnik me të drejta të garantuara. Pjesa më e madhe e sheh shtetin si dominues maqedonas ose me multietnicitet të pabarabartë.
A mendoni se VMRO është e interesuar për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE?
Shumica janë skeptikë ose nuk kanë informacion. Kjo tregon mungesë besimi në angazhimin real të VMRO-së për integrimin evropian.
A mendoni se VMRO po e kthen Maqedoninë e Veriut drejt një aleance me Serbinë?
Një pjesë e madhe e shqiptarëve e percepton këtë si një rrezik real. Kjo frikë thellon ndarjen mes komuniteteve dhe shpjegon arsyet e dyshimit ndaj VMRO-së.
A mendoni se BE është garantuese më e mirë për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.
Megjithëse shumë shqiptarë besojnë te BE, një pjesë e mirë ka dyshime nëse BE-ja do të jetë garantuese më e mirë se mekanizmat e brendshëm kushtetues.
A e përkrahni përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë?
Një pjesë e madhe e shqiptarëve nuk e kundërshton këtë nëse kjo nuk dëmton të drejtat e tyre. Por gjithashtu ka shumë pasiguri dhe mungesë informacioni për pasojat e këtij përfshirjeje.
Pyetja e fundit e sondazhit ngre një çështje kyçe: përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutë.
Qëndrimet janë të ndara, por shumica kërkon që një veprim i tillë të bëhet vetëm nëse garantohen të drejtat e shqiptarëve. Një pjesë tjetër e refuzon këtë përfshirje, ndërsa të tjerë shfaqin pasiguri ose mungesë informacioni për temën.
Kjo reflekton një frikë të qartë që përfaqësimi i një pakice tjetër mund të instrumentalizohet për të minuar pozitat e shqiptarëve, sidomos nëse nuk ka garanci të balancës dhe reciprocitetit politik e kushtetues.
Aneks: VMRO-DPMNE dhe Shqiptarët – Perceptime nga Sondazhi i Nëntorit 2025
Nga sondazhi i realizuar në nëntor 2025, rezulton se një pjesë dërrmuese e shqiptarëve e perceptojnë VMRO-DPMNE-në si një parti që mban qëndrim armiqësor ndaj interesave shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Pyetjet që lidhen me orientimin e kësaj partie drejt Serbisë, refuzimin e rrugës evropiane dhe mosgatishmërinë për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë, janë tregues të qartë të këtij perceptimi.
Qëndrimi i VMRO-së për të bllokuar rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke e kushtëzuar me çështje që nuk kanë lidhje direkte me zhvillimin e vendit, është parë nga shumica e shqiptarëve si veprim i dëmshëm për perspektivën euro-atlantike të Maqedonisë së Veriut.
Për më tepër, afërsia politike me qeverinë e Serbisë shihet si një devijim nga konsensusi historik i vendit për të qenë pjesë e strukturave perëndimore. Nga sondazhi mësohet se shqiptarët, në përqindje shumë të lartë, e refuzojnë këtë kurs të VMRO-së.
Kjo parti perceptohet si pengesë për integrimin dhe si një aktor që, në mënyrë të qëllimshme, përjashton shqiptarët nga vendimmarrja shtetërore. Sondazhi gjithashtu tregon se shqiptarët janë të vetëdijshëm për rëndësinë që ka përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutë, si një kusht për anëtarësim në BE, dhe nuk e shohin këtë si çështje që cenon të drejtat e tyre.
Përkundrazi, ata e shohin bllokimin e këtij procesi nga VMRO si një lojë politike që synon destabilizimin e brendshëm.
Lajme nga vendi
Lashkoska: Së bashku ndërtojmë një rajon pa mbeturina – me partneritete të forta drejt një sistemi të qëndrueshëm dhe funksional
Zëvendësministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Ane Lashkoska, mbajti një fjalim hyrës në Forumin Rajonal të Menaxhimit të Mbeturinave – “Së bashku për një Rajon pa Mbeturina: Drejt një Sistemi Rajonal Funksional dhe të Qëndrueshëm”, që u mbajt sot në Shkup.
Forumi i kushtohet përmirësimit të sistemit rajonal të menaxhimit të mbeturinave në rajonet e Pellagonisë dhe Jugperëndimit dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi modern, funksional dhe të qëndrueshëm që do të ofrojë shërbime më cilësore për qytetarët dhe një nivel më të lartë të mbrojtjes së mjedisit.
Ngjarjen e hapi E.T. Ambasadori i Mbretërisë së Suedisë, Ola Solstrom, gjithashtu fjalime hyrëse mbajtën dhe Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Zllatko Perinski, Drejtori Ekzekutiv i “BNJVL” Dushica Perishiq dhe Drejtori i “SALAR International” Rajn Noks.
Në fjalimin e saj, Lashkoska theksoi se plani rajonal i menaxhimit të mbeturinave nuk është vetëm një detyrim administrativ, por një mjet thelbësor për zgjidhjen e një prej sfidave më të mëdha me të cilat përballen komunat – deponitë ilegale, infrastruktura e pamjaftueshme dhe kapacitetet e kufizuara për menaxhimin efikas të mbeturinave.
“Duke vepruar së bashku, mund të ndërtojmë një sistem modern dhe të qëndrueshëm që do të ofrojë shërbim më të mirë për qytetarët, mbrojtje të mjedisit dhe përdorim më efikas të burimeve financiare. Ky projekt nuk është vetëm një investim në infrastrukturë, por një investim në të ardhmen e komunave tona”, theksoi Lashkoska.
Ajo potencoi se burimet financiare janë siguruar përmes një kredie nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), si dhe granteve të konsiderueshme nga Suedia dhe Zvicra, ndërsa pajisjet dhe makineritë e nevojshme janë vënë tashmë në dispozicion në terren.
“Kushtet për realizim janë vendosur – tani faktori kyç është angazhimi, koordinimi dhe vendosmëria jonë në nivel lokal. Mbështetja dhe pjesëmarrja aktive e komunave janë thelbësore për suksesin e këtij procesi”, theksoi Lashkoska, duke bërë thirrje për një partneritet të fortë ndërkomunal dhe zbatim të vazhdueshëm të vendimeve të marra.
Kjo ngjarje organizohet në kuadër të projektit “Menaxhimi i Qëndrueshëm i Mbeturinave në Nivel Lokal”, i financuar nga Suedia dhe i zbatuar nga SALAR International në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale dhe BNJVL.
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor thekson bashkëpunimin afatgjatë të suksesshëm me Mbretërinë e Suedisë dhe BE-në në procesin e krijimit të sistemeve rajonale të menaxhimit të mbeturinave, si një nga proceset më të rëndësishme të reformës së infrastrukturës dhe mjedisit në vend.
Lajme nga vendi
“Omega Block” sjell të ftohtin drejt Evropës Lindore dhe Ballkanit, rrezikohen kulturat bujqësore
Një depërtim i rrallë i një mase ajrore shumë të ftohtë nga Arktiku në fund të prillit pritet të ulë ndjeshëm temperaturat në Evropën Lindore dhe Juglindore, duke sjellë rrezik të lartë për ngrica të dëmshme në vreshta, pikërisht në fillim të sezonit të rritjes 2026.
Ndërsa kontinenti evropian po përmbyll një fillim pranvere jashtëzakonisht të ngrohtë dhe po përgatitet për temperaturat e majit, një depërtim i fuqishëm dhe i pazakontë i ajrit të ftohtë po mbyll prillin 2026.
Faktorët kryesorë meteorologjikë pas këtij ndryshimi:
Çrregullimet stratosferike që kanë dobësuar vorbullën polare në fund të sezonit kanë lejuar që ajri arktik të zhvendoset drejt jugut, duke anashkaluar rrjedhën e zakonshme perëndimore, e cila bllokohet nga një “Omega Block” i fortë mbi Atlantikun e Veriut.
Kjo valë e ftohtë e vonë nga Arktiku karakterizohet nga një sistem i qëndrueshëm me presion të lartë dhe një bllokim mbi Atlantikun e Veriut dhe Grenlandë. Ajo shtyn masën e gjerë të ajrit të ftohtë thellë në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore.
Koha e këtij ftohti kujton ngjarjet e njohura si “Shenjtorët e Akullit”: një periudhë kritike në mesin e majit kur pjesë të Evropës shpesh përjetojnë ngrica të dëmshme. Por këtë vit, për shkak të fillimit më të hershëm të sezonit të rritjes dhe zhvillimit të përshpejtuar të bimësisë, situata është po aq ose edhe më kritike nëse ndodhin ngrica të forta në mëngjes.
Rënia e temperaturave do të arrijë deri në 10–15 °C nën normat sezonale, duke përbërë një kërcënim serioz për bujqësinë, veçanërisht për vreshtat dhe pemishtet që ndodhen në faza të ndjeshme lulëzimi.
Ngrohtësia e hershme e prillit (20–25 °C ose më shumë në disa rajone) ka shtyrë vegjetacionin të zhvillohet para kohe, duke e bërë kthimin e ngricave shumë më të rrezikshëm se zakonisht.
Ngrica të përhapura priten në Evropën Lindore dhe pjesë të Evropës Qendrore, në Ballkan dhe në Turqi. Gjithashtu priten reshje bore jashtë sezonit në zonat më të larta të Rumanisë dhe në pjesë të mëdha të Turqisë, ndërsa Evropa Perëndimore do të përjetojë ngrohje graduale.
Koha është kritike për bujqësinë rajonale. Me pemët tashmë në lulëzim, temperaturat e parashikuara nga -2°C deri në -5°C në Turqinë qendrore dhe Ballkan mund të shkaktojnë humbje totale të prodhimit për kultivuesit lokalë të frutave dhe arrave.
Lajme nga vendi
Mickoski: LSDM-ја gënjente se do të falimentonim, se do të vinin migrantë, se fondet IPARD janë të bllokuara, gënjyen për Vajcin, dhe për gjithçka u demantuan, Qeveria e di saktësisht çfarë po bën
LSDM vazhdimisht ndjek një politikë dhe strategji PR me të cilën përhap gënjeshtra. Dhe ata thonë, hajde t’i shpërndajmë pendët që të mos mund t’i mbledhin të gjitha, kështu dikush do të na besojë. Edhe ata që në moment, menjëherë do t’u besojnë, me kalimin e kohës do të heqin dorë t’u besojnë, sepse e kuptojnë që është gënjeshtër“, thotë kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, duke u përgjigjur në pyetje gazetareske.
Mickoski theksoi se LSDM gënjente se shteti do të falimentonte, por jo vetëm që nuk falimentoi, por edhe pagat u rritën, se do të vinin migrantë, por asgjë nga ajo nuk ka, si dhe fondet IPARD për bujqit janë të bllokuara, por Brukseli konfirmoi se nuk kishte parregullsi me fondet.
„Thoshin se do të bankrotonim, por nuk bankrotuam. Përkundrazi, u rritën pagat, u respektuan Marrëveshjet Kolektive. Ja, kaloi prilli, ‘erdhën migrantë, azilkërkues?!’, Ja po kalon prilli, nuk ka azilkërkues, pastaj thoshin për fondet IPARD, na i bllokuan, jemi në bankrot… ja, vetë Komisioni Evropian doli dhe tha “bravo për Qeverinë, reagoi shpejt dhe brenda gjashtë muajve e zhbllokoi procesin”. Për shkak të reagimit të shpejtë të Qeverisë procesi është zhbllokuar. Po ashtu e interpretonin edhe deklaratën e Vajcit. Doli njeriu dje dhe shumë qartë përcolli atë që kishte për të thënë dhe edhe shumë gjëra të tjera, prandaj paralajmëroj, çdo konferencë për shtyp, çdo deklaratë që vjen prej andej, duhet të merret me shumë rezervë, sepse ajo është parti politike e cila në këtë moment nuk lufton për qytetarët, por lufton që udhëheqja aktuale e partisë, pas humbjes në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të mbetet ende udhëheqje,“ tha Mickoski.
Mickoski theksoi se Qeveria e di mirë cilat janë prioritetet dhe cilat politika duhet t’i ndjekë.
„Kjo është strategjia e tyre politike dhe kjo është praktikisht këshilla nga guruja politik i tyre nga prapavija dhe ai u tregon çfarë të bëjnë. Prandaj të jeni të sigurt, Qeveria e di saktësisht çfarë bën, e di saktësisht cilat janë prioritetet, e di saktësisht cilat politika duhet t’i ndjekë dhe ne do të vazhdojmë në atë drejtim t’i ndjekim,“ porositi kryeministri Mickoski.
-
Lajme nga bota1 month ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga rajoni1 month agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Sport1 month agoBARDHI: NËNVLERËSIMI VETËM SE NA MOTIVON KUNDËR DANIMARKËS!

