Lajme nga rajoni
Vuçiq: Aleance të re ushtarake midis Zagrebit, Tiranës dhe Prishtinës e drejtuar kundër popullit serb
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi se Serbia do të bëjë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, megjithëse, siç tha ai, një fushatë e fortë dhe e koordinuar po zhvillohet kundër Serbisë në disa qendra rajonale, raporton Anadolu.
Ai theksoi se Beogradi e kupton qartë formimin e një aleance të re ushtarake midis Zagrebit, Tiranës dhe Prishtinës, duke shtuar se kjo aleancë, sipas tij, nuk është e drejtuar kundër askujt tjetër, por kundër popullit serb. Ai shtoi se lëvizje të tilla nuk janë afatshkurtra dhe nuk duhen parë si lajme politike kalimtare.
Vuçiq tha se përpjekja e Zagrebit për ta vënë Podgoricën nën kontrollin e tij të plotë politik dhe për ta përfshirë atë në, siç deklaroi ai, një politikë më të gjerë antiserbe në rajon është e dukshme.
“Nuk ka gënjeshtër që ata nuk e kanë shpikur kundër meje dhe kundër Serbisë. Ata janë aq brutalë dhe të pakuptimtë saqë dikush pyet veten se cili është qëllimi përfundimtar, por shpesh nuk ka përgjigje”, tha Vuçiq.
Ai theksoi se Serbia është e gatshme për dialog dhe diskutim rreth së kaluarës së dhimbshme, si me boshnjakët dhe kroatët, ashtu edhe me të gjithë popujt e tjerë në rajon, sepse, siç theksoi ai, paqja është interesi më i rëndësishëm për të gjithë.
Vuçiq kujtoi se Serbia është akuzuar se dëshiron konflikte në rajon për katër vjet, që nga fillimi i luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, por se Serbia nuk ka sulmuar askënd dhe as nuk planifikon ta bëjë këtë.
Duke folur për kontekstin më të gjerë, Vuçiq paralajmëroi se bota po përballet me kriza të mëdha globale, kërcënime dhe mungesë dialogu midis shteteve, dhe se në rrethana të tilla, presioni mbi vendet më të vogla po rritet më tej./AA
Lajme nga rajoni
Përmbyten banesat dhe bizneset në Rrogozhinë, banorët për TCH: Është shkatërruar çdo gjë, dëmi është kolosal
Banorët e zonës në një prononcim për Top Channel, shprehen se dëmet janë shumë të mëdha dhe se disa u janë dëmtuar bizneset.
“Kam ndenjur gjithë natën me kova në duar pasi nuk ka pasur energji elektrike, nuk punonin pompat. As hidrovori. Po nuk e tërhoqi hidrovori ta çojë në det, kështu do shkonte. Hidrovori është përmbytur vetë. Tani bashkia të marrë masa dhe të rregullojë ngjarjen.”, shprehet një qytetar.
Një qytetare shprehet se supermarketi në pronësi të saj është nën ujë, ndërsa disa të tjerë bëjnë me faj mos pastrimin e kanalit.
“Jemi përmbytur komplet. Unë këtë e kam supermarket, me këtë ushqehem. Tani është komplet nën ujë, drita s’ka, nuk dimë si ta heqim. Kërkojmë ndihmë. Çdo gjë është shkatërruar, dëmi është kolosal”, shprehet një qytetare.
“Niveli i ujit ka shkuar në 80-90 cm. Nuk kishim mundësi të shmangnim përmbytjen, shkak mbetet moti i keq. Mbase dhe hidrovori nuk ka punuar. Dëmet janë të madha.”, tha një qytetar të cilit i është përmbytur hoteli.
“Është përmbytur thuajse gjysma e lagjes, për shkak të mungesës së pastrimit të kanalit. Ka nja pesë vjet as ferrën s’e kanë hequr, për 200 m kanal është përmbytur lagjja.”, tha një tjetër qytetar i prekur nga përmbytjet.
Lajme nga rajoni
Durrësi , Lezha dhe Kuksi nën ujë, shiu i dendur shkakton kaos
Reshjet e dendura të shiut, të rëna gjatë orëve të natës, kanë shkaktuar përmbytje dhe probleme të shumta në qytetet e Durrësit dhe Lezhës, duke vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve dhe qarkullimin e automjeteve.
Në Durrës, përmbytjet janë shënuar në disa zona të qytetit, veçanërisht në kryqëzimet kryesore të rrugëve, ku uji ka pushtuar rrugët dhe trotuaret. Në disa raste, uji ka depërtuar edhe në hyrjet e pallateve dhe të bizneseve buzë rrugës, duke krijuar shqetësim për banorët dhe tregtarët.

Durrës
Ndërkohë, situata paraqitet më problematike në Lezhë, ku si pasojë e prurjeve të larta dhe pamundësisë së rrjetit të kanalizimeve për të përballuar sasinë e ujit, janë regjistruar përmbytje në lagjen “Besëlidhja”.
Sipas mediave atje, niveli i ujit ka arritur deri në 40 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve.
Për shkak të prezencës së ujit në ambientet e jashtme, është pezulluar procesi mësimor në shkollën 9-vjeçare “Kosova” në Lezhë, për arsye sigurie.

Lezhë
Po ashtu, raportohet rritje e ndjeshme e prurjeve në lumenjtë Drin dhe Gjadër, të cilët ndodhen në kuota kritike.
Autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencave civile janë në terren dhe po monitorojnë situatën nga afër, ndërsa qytetarët këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar.
Në Kukës ku vërshimi i ujërave ka përmbytur disa segmente rrugore. Problem mbeten edhe disa akse nacionale, konkretisht rrugët Kukës–Shishtavec, Kukës–Bushtricë, Kukës–Qafë Mali, Kukës–Krumë–Kam–Tropojë, Tropojë–Qafë Morinë, Bajram Curri–Valbonë si dhe aksi Tropojë–Fierzë–Qafë Mali, ku ka prezencë uji dhe dëmtime të pjesshme të rrugës.
Ndërkohë, shumë rrugë rurale në të tre bashkitë e Qarkut të Kukësit janë dëmtuar si pasojë e daljes së përrenjve nga shtrati, duke izoluar përkohësisht disa zona.
Lajme nga rajoni
Numërohen mbi 50% e votave me kusht, këto janë rezultatet e deritanishme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon me publikimin e rezultateve nga numërimi i votave me kusht në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës 2025.
Sipas të dhënave të përditësuara deri më tani nga 31 vendvotime të numëruara nga 57 gjithsej (54.39%), Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 49.06% të votave, që përkthehet në 2,086 vota.
Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 19.29% ose 820 vota, ndërsa e treta është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 11.08% (471 vota).
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës renditet e katërta me 7.62% (324 vota)
KQZ ka bërë të ditur se procesi i numërimit po vazhdon dhe se rezultatet përfundimtare do të publikohen pas përfundimit të numërimit të të gjitha vendvotimeve dhe verifikimeve përkatëse.
-
Lajme nga vendi1 month agoNdryshime partiake në Maqedoninë e Veriut, por me udhëheqës të vjetër
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilm ndërkombëtar për Reçakun dhe luftën në Kosovë, pjesë e kastit edhe legjenda e kinemasë Robert De Niro
-
Sport2 months agoSHQIPËRIA SIGUROI NJË VEND NË PLAY OFF PËR BOTËRORIN 2026

