Lajme nga vendi
“Safe City”, për një javë u regjistruan rreth 5 mijë kundërvajtje rrugore
Në javën e parë të shkurtit (02-08 shkurt 2026), monitorimi digjital në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë ka rezultuar në një numër rekord gjobash. Sistemi ka regjistruar gjithsej 4,991 shkelje, ku vihet re një numër i lartë i mjeteve me targa të huaja (641 gjoba).
Shkeljet kryesore të rënditura sipas shpeshtësisë:
Shpejtësia: 4,674 raste (shkaktari kryesor).
Drita e kuqe: 163 shoferë të cilët nuk respektuan semaforin.
Dokumentacioni: 154 mjete me leje qarkullimi të skaduar.
Lajme nga vendi
Ministri për Çështje Evropiane dhe Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali, sot zhvilloi një takim me Ambasadoren e Republikës së Kroacisë, Nives Tiganj
Në takim u shkëmbyen mendime për zhvillimet aktuale në procesin e integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe për prioritetet që lidhen me Agjendën e Reformave dhe obligimet nga agjenda evropiane. Ministri Sali theksoi përkushtimin e Qeverisë për zbatimin e përshpejtuar të reformave dhe ofrimin e rezultateve konkrete, me fokus të veçantë në sundimin e ligjit dhe përmirësimin e shfrytëzimit të fondeve evropiane.
Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian për procesin e zgjerimit, si dhe për nevojën e ruajtjes së momentit pozitiv të integrimit evropian në rajon.
Ministri Sali shprehu mirënjohje për mbështetjen e deritanishme dhe theksoi se Ministria për Çështje Evropiane do të vazhdojë me koordinim të përforcuar dhe fokus në prioritetet reformuese, në drejtim të përparimit të procesit të anëtarësimit.
Lajme nga vendi
Bekim Sali dhe ambasadorja Kawahara: Mbështetja japoneze kyçe për reformat dhe zhvillimin e Maqedonisë së Veriut
Ministri për Çështje Evropiane dhe Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali, zhvilloi takim me Ambasadoren e Japonisë, Setsuko Kawahara.
Në takim u theksua bashkëpunimi zhvillimor në vijim ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Japonisë, si dhe mbështetja e vazhdueshme e Japonisë për prioritetet reformuese dhe zhvillimin socio-ekonomik të vendit. Ministri Sali theksoi përkushtimin e Qeverisë për ofrimin e rezultateve konkrete në kuadër të Agjendës së Reformave, me fokus të veçantë në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike.
Bashkëbiseduesit diskutuan për zbatimin e projekteve aktuale të bashkëpunimit teknik, përfshirë iniciativat në fushën e zvogëlimit të rrezikut nga fatkeqësitë, transportin urban, mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe zhvillimin e turizmit. U shkëmbyen mendime edhe për projektet e reja që lidhen me zbutjen e ndryshimeve klimatike në bujqësi dhe forcimin e kapaciteteve për reagim emergjent mjekësor dhe gatishmëri ndaj krizave.
Ministri Sali shprehu mirënjohje për mbështetjen afatgjatë të Japonisë përmes ndihmës zyrtare zhvillimore, përfshirë grantet për projekte të vogla, të cilat kanë përfitime të drejtpërdrejta për komunitetet lokale në fushat e arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes së mjedisit dhe shërbimeve publike.
Ai theksoi se Ministria për Çështje Evropiane do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Ambasadën e Japonisë dhe JICA, me qëllim koordinimin efikas të ndihmës zhvillimore dhe harmonizimin e saj me prioritetet reformuese dhe objektivat e procesit të integrimit evropian.
Lajme nga vendi
Zëvendësministri Iseni dhe ambasadori francez De Rigoler në hapjen e trajnimit mbi luftën kundër shfrytëzimit dhe trafikimit të qenieve njerëzore
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, sot, në Qendrën e Trajnimit – Idrizovë, hapi trajnimin mbi luftën kundër shfrytëzimit dhe trafikimit të qenieve njerëzore, në të cilin marrin pjesë 12 nëpunës policorë dhe prokurorë publikë. Trajnimi do të realizohet në periudhën nga 9 deri më 12 shkurt, informuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Në fjalimin e tij, Iseni theksoi se trafikimi i qenieve njerëzore dhe shfrytëzimi janë disa nga format më serioze të krimit të organizuar, të cilat shkelin rëndë të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e viktimave, duke theksuar se nevojitet një qasje e integruar dhe e koordinuar institucionale për parandalimin, zbulimin dhe sanksionimin efektiv të tyre.
Ai theksoi se trajnimi synon të ofrojë njohuri praktike dhe mjete për njohjen e treguesve të këtyre krimeve, veprimin e saktë në rastet e dyshimit dhe mbrojtjen dhe mbështetjen në kohë të viktimave, si dhe promovimin e bashkëpunimit ndërmjet policisë, gjykatave dhe prokurorëve.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe ambasadori i Republikës së Francës në Shkup, Kristof De Rigoler, si dhe drejtoresha e Akademisë së Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë, Irina Strezoski.
Iseni shprehu mirënjohjen e tij ndaj Ambasadës së Francës për mbështetjen dhe bashkëpunimin e saj të gjatë në forcimin e kapaciteteve të nëpunësve policorë.

