Lajme nga vendi
Rreth 25 milionë euro të shpenzuara për import të energjisë elektrike që nga fillimi i vitit 2026
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) publikon fakte konkrete, duke marrë parasysh deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski lidhur me punën e ESM.
Këto të dhëna i demantojnë plotësisht pretendimet dhe dezinformatat që vijnë nga drejtuesit e ESM-së dhe Ministria e Energjetikës.
Vetëm që nga fillimi i vitit 2026, ESM, për të mbuluar nevojat e amvisërive dhe konsumatorëve të vegjël, ka qenë e detyruar të blejë energji elektrike në të paktën dy raste:
– Janar: 104.160 MWh me çmim 119,50 euro/MWh
Gjithsej: 12.447.120 euro
– Shkurt: 94.080 MWh me çmim 126,90 euro/MWh
Gjithsej: 11.938.752 euro
Në total, për vetëm dy muaj janë shpenzuar 24.385.872 euro për import të energjisë elektrike.
Këto shifra tregojnë qartë se ESM nuk ka kapacitet të mjaftueshëm prodhues për të mbuluar nevojat e tregut të rregulluar. Kjo situatë krijon presion të drejtpërdrejtë mbi çmimin e energjisë elektrike për qytetarët.
Sistemi elektroenergjetik po përballet me sfida serioze, ndërsa pasojat e menaxhimit të dobët dhe jo profesional do t’i paguajnë qytetarët përmes faturave më të larta të energjisë.
Lajme nga vendi
Ministria e Drejtësisë nuk është dikasteri i vetëm që saboton Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve
Ministria e Drejtësisë nuk është dikasteri i vetëm që saboton Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, përkatësisht gjuhën shqipe. Inspektori Fitim Ramadani gjatë intervistës në Alsat tha se Ministria e Financave nuk bashkëpunon aspak me inspektoratin, veprim që i pamundëson inspektorëve të hyjnë për kontroll dhe të konstatojnë nivelin e zbatimit të gjuhës shqipe.
Fitim Ramadani, Inspektor në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve (10:00….)
“Këtu dua të theksoj vetëm Ministrinë e Financave. Gjatë mbikëqyrjes kontrolluese në Ministrinë e Financave nuk ka qenë raporti institucion-inspektor. Dhe neve nuk na është mundësuar qasja në dokumentacionin e ministrisë. Për këtë arsye për Financat ka procedurë kundërvajtëse, jo për mos zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, por për mosbashkëpunim me inspektorët”.
Gjuha shqipe nuk respektohet as nga Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev. Sipas Ramadanit, mbi bazën e denoncimeve që kanë bërë gazetarët për deklaratat e Minçevit, ka procedurë kundër tij, ndërsa kontrolli planifikohet gjatë vitit 2026. Dyshohet se Minçev nuk zbaton gjuhën shqipe në asnjë akt nënligjor.
Fitim Ramadani, Inspektor në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve (13:05….)
“Iniciativa ka qenë për deklaratat në opinion që i jep ministri. Mendoj se edhe iniciativa ka qenë nga gazetarët, kanë qenë vetëm në gjuhën maqedonase. Ne kemi konstatuar se ato nuk janë në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe lënda është në Gjykatën kompetente në Shkup”.
Aktualisht 53 lëndë të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve ndodhen në Gjykatën Penale në Shkup. Të gjitha i referohen institucioneve dhe udhëheqësve të institucioneve që nuk kanë respektuar dhe zbatuar gjuhën shqipe në përputhje me ligjin. Së fundi Inspektorati adresoi vërejtje ndaj ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov mbi mos zbatimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës. Brenda 30 ditësh, Fillkov obligohet t’i harmonizojë dispozitat ligjore. Nëse nuk harmonizohet ligji brenda afatit, Ministria e Drejtësisë është e detyruar të zbatojë dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
VLEN NJË PARTI – KUVENDI THEMELUES NË MAJ, MË PAS KONGRESI?!
Kuvendi themelues në maj, e më pas edhe Kongresi.
Kjo është trajektorja e parashikuar sipas së cilës koalicioni aktual i përbërë nga Lëvizja Besa, Lidhja Demokratike, Alternativa dhe ASH të shkrihen në një parti të vetme – VLEN.
Ditë më parë liderët e partive u ulën në një tavolinë të përbashkët për t`i harmonizuar qëndrimet rreth mënyrës së funksionimit të VLEN-it si një subjekt i vetëm politik. Takimi ishte i mbyllur dhe ende nuk janë publikuar detaje.
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, nuk deshi të prononcohej për këtë temë duke preferuar që Dita e Ekologjisë të shënohet në mënyrë dinjitoze në Komunë e Tetovës.
Ndërkohë zëdhënësi I koalicionit VLEN, Albi Qamili, për Tv Koha, tha se në takimin e fundit liderët janë dakorduar për krijimin e një grupi të punës I cili do të punojë në përafrimin e platformave të subjekteve politike dhe strukturimin e subjektit të ri politik të unifikuar.
Por, si u zhvillua kronologjia?
Pas Prekazit në konakun e Bacit Rifat, në Prishtinë tek kryeministri Albin Kurti. VLEN-i një! – ishte një postim nëpër rrjetet sociale që u shpërnda në të njëjtën kohë nga liderët e partive që përbëjnë koalicionin VLEN. Postimi daton nga aktivitetet e shënimit të Epopesë së UÇK-së në Kosovë.
Por, “mesazhet e koduara” nëpër rrjetet sociale nuk u ndalën me kaq!
Në ditën e dytë të festës së Fitër Bajramit, një nga eksponentët kryesor të koalicioni VLEN, Izet Mexhiti, shkroi në Facebook mesazhe uniteti me kryefjalën “VLEN është bashkimi që nuk ndalet”.
“Nuk ka më hapësirë për interesa të ngushta, për pazare në kurriz të qytetarëve, apo për politikë që na mban të ndarë. Nga sot, zëri shqiptar do të jetë një – i fortë, i qartë dhe i pandalshëm.
Ky është momenti ynë. Ose bashkë, ose të humbur. Sepse kur shqiptarët bashkohen, askush nuk mund t’i ndalë.” – shkroi mes tjerash Izet Mexhiti.
Pas takimit të fundit të liderëve të koalicionit, thuhet se është gjithnjë e më e sigurt që partia e re do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, do të ketë dy nënkryetarë dhe një sekretar të përgjithshëm, duke reflektuar në mënyrë të drejtë përfaqësimin e partnerëve në udhëheqjen e ardhshme partiake. Si bashkëkryetarë përmenden Izet Mexhiti nga Lëvizja Demokratike dhe Bilall Kasami nga BESA; për sekretar të përgjithshëm Bekim Sali nga Alternativa; ndërsa për pozitat e nënkryetarëve deputetja Mimoza Musa nga fraksioni i ASh-së dhe deputeti nga Vetëvendosje, Bekim Qoku.
Në rrugën drejt bashkimit mbetet për t’u diskutuar edhe përfaqësimi në përqindje i partive që përbëjnë koalicionin aktual, në organet e ardhshme partiake.
Një marrëveshje e tillë ende nuk është arritur. Ka pasur mendime dhe kërkesa të ndryshme – nga ideja që secili subjekt të përfaqësohet me 20% ose 25% në organet partiake, deri te varianti që partitë kryesore të kenë nga 35%, ndërsa pjesa tjetër të shpërndahet mes partnerëve të tjerë.
Megjithatë, nga VLEN liferojnë se procesi i bashkimit nuk duhet të lërë përshtypjen se dikush është dëmtuar apo është përfaqësuar më pak në partinë e ardhshme.
Shkrirja e koalicionit në një parti të vetme pritet të përkojë me periudhën kur është paralajmëruar një rikonstruim i mundshëm i Qeverisë.
Ndryshimet brenda VLEN-it dhe disa mosmarrëveshje publike të shfaqura kohët e fundit pritet të kenë ndikim edhe në riformatimin e përbërjes qeveritare.
Lajme nga vendi
THIRRJET TELEFONIKE: RROFTË VIBER-i E RROFTË WHATSAPP-i!
Tregu i komunikimeve elektronike në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2025 pasqyron një fazë të qartë maturimi dhe transformimi, ku përdoruesit vazhdojnë të mbështeten fuqishëm në shërbimet mobile, por njëkohësisht po ndryshojnë mënyrën se si i përdorin ato. Tv Koha hulumtoi se si komunikojnë qytetarët përmes telefonit.
Sipas të dhënave më të fundit, gjatë vitit të kaluar abonentët e telefonisë celulare realizuan mesatarisht 104.05 thirrje dhe folën rreth 228 minuta në muaj. Këto shifra tregojnë se komunikimi zanor vazhdon të ketë një rol të rëndësishëm, megjithëse trendet globale sugjerojnë një zhvendosje graduale drejt komunikimit përmes internetit, përfshirë aplikacionet e mesazheve dhe thirrjeve online.
Hulumtimet rreth përdorimit të telefonisë mobile përmes rrjeteve të operatorëve thonë se ka shënuar një rënie të dukshme. Por, “Rroftë WhatsAppi, e rroftë Viberi”. Qëmoti qytetarët, me avancimin teknologjik, kanë bërë zgjedhjen e tyre. Flasim me këto platforma sociale jashtë shtetit, por edhe brenda duke u bërë vegla më e përdorur e komunikimit. Mjafton të kemi vetëm internet, në rast të nevojës edhe të kyçemi në wi-Fi.
Qytetarët kanë preferencat e tyre. Pavarësisht se shumica preferojnë thirrjet mobile, duket se trend po bëhet përdorimi i aplikacioneve të ndryshme.
Thirr prej numrit apo e përdor Viberin apo Whats Appin?
-Prej numrit, ndonjëherë edhe me Viber ose Whats App.
-Numrin e përdori më tepër. Për telefonatë jashtë po me këto tjerat
-Unë jam pri-pejd dhe gati të gjitha I kanë këto oferta mujore dhe mua më vjen mirë se vetëm ua bëj një zile dhe ato më thirrin. Përndryshe e bëj javore internetin. Edhe në Maqedoni thirri me Whats App dhe harxhoj 200 den në muaj
-Kryesisht me numër. Unë jam me post-pejd dhe nuk e shfrytëzoj shumë Viberin e WhatsAppin, vec për punë e për postime.
Numri i abonentëve aktivë të telefonisë mobile në fund të vitit 2025 arriti në 1.954.643, që paraqet një rritje prej 1.82 për qind krahasuar me vitin paraprak. Kjo rritje është nxitur kryesisht nga abonentët rezidencialë me kontratë (post-paid), të cilët shënuan një rritje prej 2.55 për qind.
Në përgjithësi, të dhënat tregojnë se tregu i komunikimeve në vend po kalon nga një model tradicional i bazuar në komunikimin zanor drejt një modeli gjithnjë e më digjital, ku interneti dhe shërbimet e integruara po marrin rolin dominues në jetën e përditshme të qytetarëve.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Sport2 months agoOLIMPIADA DIMËRORE ‘’MILANO CORTINA 2026’’ FILLON MË 6 SHKURT
-
Lajme nga vendi2 months agoVLEN: Me Fetain në krye, nis goditja reale ndaj pasurisë së paligjshme

