Lajme nga vendi
Alarme për bomba në Tetovë: Sërish panik dhe evakuim në disa shkolla
Edhe mëngjesi i sotëm ka nisur me ankth për nxënësit dhe prindërit në Tetovë. Disa shkolla fillore dhe të mesme kanë pranuar sërish kërcënime për mjete shpërthyese përmes postës elektronike.
Policia ka evakuuar menjëherë nxënësit dhe stafin, ndërsa ekipet antiterror po kontrollojnë objektet. Kjo situatë e përsëritur po shkakton revoltë të madhe te prindërit, të cilët shprehen të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve të tyre dhe ndërprerjen e vazhdueshme të mësimit.
Deri më tani, të gjitha alarmet e mëparshme kanë rezultuar të rreme, por autorët mbeten ende të paidentifikuar, duke lënë qytetin në gjendje pasigurie.
Lajme nga vendi
Këshilli Gjyqësor propozon Meri Dika Georgievskën për gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese
Këshilli Gjyqësor e ka propozuar Meri Dika-Georgievska, gjyqtare në Gjykatën e Apelit, për gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese,
Në mbledhjen e sotme, 10 anëtarë votuan “pro”, një ishte kundër, ndërsa gjyqtarja Antoaneta Dimovska u përjashtua nga votimi për këtë pikë të rendit të ditës.
Gjyqtarja Elizabeta Dukovska, u propozua gjithashtu për gjyqtare kushtetuese, por ajo nuk mori mbështetjen e Këshillit Gjyqësor.
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë gjyqtarë.
Kryetari zgjidhet nga radhët e gjyqtarëve për një mandat trevjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.
Gjyqtarët zgjidhen nga Kuvendi për një mandat nëntëvjeçar, gjithashtu pa të drejtë rizgjedhjeje, dhe duhet të jenë juristë të shquar.
Funksioni i gjyqtarit kushtetues është i papajtueshëm me ushtrimin e një funksioni tjetër publik, profesioni apo anëtarësimi në parti politike.
Gjyqtarët gëzojnë imunitet si deputetët, ndërsa për imunitetin vendos vetë gjykata sipas procedurave të saj.
Sipas Kushtetutës, dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese i propozon Presidenti i Republikës, ndërsa dy të tjerë i propozon Këshilli Gjyqësor nga radhët e gjyqtarëve. Kuvendi zgjedh tre gjyqtarë me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, duke përfshirë edhe shumicën e votave nga deputetët që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë në shtet. (Portalb)
Lajme nga vendi
TETOVA NË ZI – NDËRRON JETË AKTIVISTI DHE AFARISTI RAUF RAMADANI!
Ka ndërruar jetë në moshën 72-vjeçare Rauf Ramadani, një personalitet i shquar në jetën publike, politike dhe ekonomike të qytetit të Tetovës.
Përmes rrjeteve sociale lajmin e kanë bërë publike familjarët dhe miqtë e tij.
I lindur në vitin 1954, Rauf Ramadani njihej si një aktivist i palodhur politik, veçanërisht gjatë angazhimit të tij në radhët e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH).
Për një periudhë kohore, ai shërbeu me përkushtim në krye të Ndërmarrjes Publike Komunale (NPK) të Tetovës, si Kryeshef i Policisë së Tetovës dhe Drejtor i Postave, duke dhënë kontributin e tij në menaxhimin e sfidave të qytetit.
Përveç angazhimit publik, Ramadani ishte një figurë qendrore në botën e biznesit lokal. Ai ishte themelues dhe pronar i rrjetit të njohur të marketeve “Erzana”, ndërsa së fundmi ishte fokusuar në drejtimin e kompanisë “Swiss Bakery”, duke gjeneruar vende pune dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në ekonominë e rajonit të Pollogut.
Rauf Ramadani ishte një figurë e rëndësishme edhe në historinë e KF Shkëndija. Njihet si futbollist i gjeneratës së parë të “kuqezinjve” por edhe si Kryetar i këtij klubi.
Lajmi për vdekjen e tij ka tronditur qytetin e Tetovës dhe jo vetëm, por edhe miqtë, të afërmit dhe kolegët e tij.
Lajme nga vendi
NAFTA MË E LIRË, QYTETARËT E SHQIPËRISË DREJT MAQEDONISË SË VERIUT!
Çmimi i lartë i naftës dhe benzinës në Shqipëri po shtyn gjithnjë e më shumë qytetarët e zonave të juglindjes që t’i drejtohen pikave të furnizimit në Maqedoninë e Veriut, me qëllim uljen e kostove financiare për blerjen e karburanteve.
Ditët e fundit, në pikën kufitare të Qafë Thanës është vërejtur një rritje e ndjeshme e fluksit të automjeteve që udhëtojnë drejt Strugës dhe Ohrit.
Në pikat e karburantit në Maqedoninë e Veriut, nafta tregtohet deri në 1.4 euro për litër, çka e bën dukshëm më të leverdishme, rreth 60 lekë më pak për litër në krahasim me atë që tregtohet në Shqipëri.
“Po ta llogarisësh, kursen më shumë në krahasim me Shqipërinë”, tha një qytetar.
“Njëherë në muaj vij. Më ulët është këtej, ia vlen”, u shpreh një tjetër.
Ndërkohë, interesi i shtuar i qytetarëve shqiptarë për t’u furnizuar përtej kufirit konfirmohet edhe nga banorët e Maqedonisë së Veriut.
“Vijnë furnizohen në Strugë me naftë”, shprehet një qytetar nga Maqedonia e Veriut.
“Çdo ditë shohim makina me targa të Shqipërisë që vijnë te ne dhe furnizohen”, shton një tjetër.
Në kushtet e diferencave të ndjeshme të çmimeve, ky trend pritet të vijojë, duke përfshirë jo vetëm blerjen e karburanteve, por edhe produkteve ushqimore në Maqedoninë e Veriut.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Sport2 months agoOLIMPIADA DIMËRORE ‘’MILANO CORTINA 2026’’ FILLON MË 6 SHKURT
-
Lajme nga vendi2 months agoVLEN: Me Fetain në krye, nis goditja reale ndaj pasurisë së paligjshme

