Lajme nga vendi
Mbi 50% e vauçerëve për kondicionerë inverter tashmë janë tërhequr – zbatim efikas i masës për konsumatorët e cenueshëm
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale informon opinionin publik se procesi i tërheqjes së vauçerëve për blerjen dhe instalimin e kondicionerëve inverter po zhvillohet pa pengesa dhe me dinamikë të përforcuar në terren.
Nga gjithsej 4.070 vauçerë të ndarë, në periudhën nga 18 mars deri më 25 mars janë tërhequr tashmë 2.084, që përfaqëson më shumë se gjysmën e numrit të përgjithshëm.
Sipas të dhënave të marra nga qendrat ndërkomunale për punë sociale, deri më 25 mars 2026 në ora 18:00, gjithsej janë tërhequr 2.084 vauçerë,ndërsa dinamika ditore tregon interes të vazhdueshëm dhe aktivitet të shtuar të qytetarëve në të gjitha komunat në vend. Këto të dhëna konfirmojnë se procesi po realizohet në mënyrë efikase, pa ndërprerje dhe në përputhje me dinamikën e paraparë.
Ministria rikujton se lista e qytetarëve që kanë përfituar të drejtën për këtë mbështetje, si dhe lista e kompanive nga të cilat mund të blihen pajisjet, janë publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë:
https://energy.gov.mk/mk-MK/odnosi-so-javnost/rezultati-i-spisoci
Qytetarët që ndodhen në listë mund t’i tërheqin vauçerët në qendrat ndërkomunale për punë sociale në komunën ku jetojnë, deri më 17 prill 2026, ndërsa në faqen e internetit janë të disponueshme të gjitha informacionet për dokumentacionin e nevojshëm dhe procedurën.
Pas tërheqjes, vauçerët mund të përdoren te kompanitë me të cilat Ministria ka lidhur kontrata, për blerjen dhe instalimin e kondicionerit inverter.
Bëhet fjalë për fazën përfundimtare të procedurës sipas Thirrjes Publike për vitin 2025, në kuadër të Programit për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm të energjisë, ku të drejtë për mbështetje kishin amvisëritë që i plotësuan kushtet e parashikuara.
Me vauçerin, qytetarët fitojnë mundësinë për blerjen dhe instalimin e një kondicioneri inverter me fuqi 3,5 kW dhe të paktën klasë energjetike A+, me vlerë deri në 28.000 denarë, pa pagesë shtesë. Vauçerët mund të shfrytëzohen më së voni deri më 15 tetor 2026.
Ministria vazhdon me realizimin intensiv të masave për mbështetjen e kategorive të cenueshme të qytetarëve, me qëllim uljen e kostove të energjisë dhe përmirësimin e efikasitetit energjetik në amvisëri.
Lajme nga vendi
Buka, sheqeri dhe kripa nuk janë shtrenjtuar! Sipas LSM-së, nuk ka rritje të madhe të çmimeve të ushqimit në muajin mars
Tek produktet më të lira ushqimore, të cilat mund të gjenden në gjashtë zinxhirë marketesh në të gjithë vendin dhe që përdoren nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë për formimin e shportës së konsumit, në mars në krahasim me shkurtin pothuajse nuk ka rritje të çmimeve të produkteve ushqimore.
Nëse shihen veç e veç, buka, sheqeri dhe kripa nuk janë shtrenjtuar. Ka rritje të vogla çmimesh tek disa produkte të qumështit, kryesisht tek djathi i lopës për 10 denarë dhe tek djathi i lopës dhe i përzier për 14 dhe 25 denarë. Tek mishi nuk ka rritje çmimesh, ndërsa tek frutat dhe perimet tek disa produkte ka rritje, e tek disa ulje.
Është interesante që sindikalistët kanë arritur të gjejnë vaj për gatim për 96 denarë për litër, që është tre denarë më lirë se në shkurt dhe për rreth 10 denarë më ulët se çmimi i zakonshëm.
Nga LSM pohojnë se ata kërkojnë çmimet më të lira nga më të lirat që mund të gjenden në gjashtë zinxhirët e marketeve në vend, prandaj kanë arritur të gjejnë vaj kaq të lirë për gatim.
Ndërkaq, ekonomisti Viktor Mitevski nga Shoqata për hulumtime dhe analiza thotë se kriza globale me energjetikën ende nuk është reflektuar tek ne dhe që është e pritshme nëse vazhdon të eskalojë, do të ketë një ndikim të vonuar. Ai për pyetjen, e cila po bëhet gjithnjë e më shpesh në publik, nëse qeveria duhet të fillojë të mendojë për marrjen e masave konkrete për kontrollin e çmimeve në shitje me pakicë, thotë se kjo është një çështje që momentalisht nuk duhet të flitet shumë, sepse disa nga rrjedhat ekonomike udhëhiqen nga pritshmëritë.
“Ajo që qeveria duhet të bëjë tani është të monitorojë me kujdes situatën, të kryejë vazhdimisht monitorim të tregjeve dhe më e rëndësishmja, në mënyrë të qëndrueshme të zbatojë Ligjin për praktikat të pandershme tregtare. Nëse ka kontroll mbi këto pjesë, atëherë është e pritshme që në momentin kur dhe nëse ndodh një vonesë e kësaj krize, të mund të reagojë në mënyrë adekuate. Dhe kur të reagojë, masat nuk duhet të jenë të njëjta dhe gjithëpërfshirëse, sepse përvoja na ka treguar se trajtimi me masa të tilla nuk sjell rezultat të madh, ndoshta ruan standardin e qytetarëve, por ajo që goditet është hapësira fiskale, d.m.th. pozita fiskale e shtetit”, tha Viktor Mitevski, ekonomist.
Mitevski thotë se edhe nëse ka masa që do të kontrollojnë çmimet në shitje me pakicë, ato duhet të jenë të synuara në mënyrë adekuate tek qytetarët dhe kompanitë më të prekura.
Ndërkaq, TV21 kontaktoi edhe Inspektoratin Shtetëror të Tregut për të verifikuar nëse ka pasur rritje çmimesh në mars krahasuar me shkurtin. Edhe aty konfirmuan informacionet e LSM-së se nuk janë vërejtur devijime të mëdha të çmimeve, përveç tek vaji për gatim dhe tek vezët. Vaji është shtrenjtuar sepse është produkt i tregut, dhe vezët për shkak të rritjes së madhe të çmimeve të sojës dhe misrit.
Lajme nga vendi
“SHPËRTHEJNË” ÇMIMET NËPËR TREGJE – DOMATAT 200, SPECAT 300 DENARË!
Domatet e kuqe nga 220 deri 250 denarë, trangujt nga 100 deri 120 denarë, për një kilogram speca duhet të paguani së paku 300 den, për një copë sallatë të gjelbër – 50 den, për karrotën 50 deri 80 den.
Çmimet e perimeve, ditëve të fundit, kanë “hypur në qiell” që ka vënë në situatë të pakëndshme edhe shitësit edhe blerësit.
Tv Koha ishte në tregun e gjelbër të Tetovë për të parë nga afër lëvizjen e çmimeve. Ajo që vërehej në shikim të parë ishte se shumica e tregtarëve nuk I kishin bërë publike çmimet, nga shkaku se asnjë blerës nuk do të afrohet tek tezgat e tyre.
Qytetarët ankohen për çmimet e larta të perimeve, por thonë se vet I kemi fajet, pasi nuk I punojmë tokat, duhet të jemi në mëshirën dhe pamëshirën e prodhimeve që vijnë nga jashtë vendit.
“Çmimet e produkteve ushqimore bujqësore janë mbi normalen, maksimale, për shkak se nuk i kultivojmë, arat nuk i punojmë vet, fushat janë bërë si shkretëtirë. Si kundra që s`punojmë prap janë lirë”
“220 denarë domatet, specat 300 den, lakra 100 den, marula 50 den. Ma lirë është marulla. Nuk kemi prodhimin tonë, vijnë prej jashtë. Shteti duhet t`i kontrollojë pak çmimet, jo ne. Nuk varet prej nesh, varet prej shtetit. Duhet kontrolla shteti kur hyjnë në doganë. Interesim ka por kur s`ka material kot që ka interesim. Me këtë cmim kush blenë. S`kanë njerëzit para me ble. 300 den specat”
“Mendoj se është shumë shtrenjtë. Në këtë periudhë vitet e kaluara ishte shumë më lirë. Prodhimet që ishin nga 50 dhe 100 den tani janë shtrenjtuar 100% edhe për domtatet, specat dhe prodhimet tjera. Këtë treg e dikton një treg më I madh, sikur që furnizohen tregtarët ashtu edhe e shesin”
Nuk e kanë të lehtë as edhe shitësit. Thonë se cmimet e larta dhe mos shitja e produkteve mund t`i detyrojë t`I mbyllin bizneset.
“Shumë shtrenjtë. Sallatën duhet ta shes 200 den, unë aq e kam ble dhe duhet ta shes 350 den, 300 den, kush do t`i paguajë këto. Është shtrenjtë se krejt malli vjen nga jashtë . Edhe pak dhe do t`ia vëmë çelësin. Do të vijë, do ta bleje një sallatë dhe do të shkojë, s`ka shitje, katastrofë. Krejt do ta lëmë vendin dhe duhet të ikim. me këto çmime krejt duhet të ikim kurse rroga është 200 – 300 euro”
Cmimet e larta të perimeve nëpër tregje janë si pasojë se çmimit të lartë të naftës, kurse transportuesit thonë se nuk ka lëvërdi të importohet nga destinacione të largëta.
Prodhimet vendore nëpër tregje pritet të mbërrijnë rreth festës së Pashkëve. Deri atëherë qytetarët do të duhet të ndajnë nga buxheti I tyre modest, për të blerë perime që mbërrijnë nivele rekorde.
Lajme nga vendi
Mickoski: Nuk do të qetësohem derisa të marr përgjigje si Katica nga burgu i ringjalli lëndët e PSP-së
Kryeministri Hristijan Mickoski nga seanca e pyetjeve parlamentare i bëri thirrje prokurorit të ri publik, Nenad Saveski, që t’i nxjerrë të gjitha lëndët që gjatë viteve të fundit janë mbajtur në sirtar dhe të bëjë analizë për të parë nëse ka dyshime të bazuara për krim të organizuar. Ai pret përgjigje edhe për lëndë nga koha e Prokurorisë Speciale Publike, duke përmendur sërish rastin me “Bonuset e PSP-së”.
“Nga raportet e Entit Shtetëror të Revizionit mund të konkludojmë se në ato institucione është kryer krim, pse kjo nuk është hetuar nuk e di, por shpresoj që prokurori i ri publik do të bëjë analizë të detajuar. Personalisht pres edhe dy çështje që janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e shtetit. Nëse nuk e zbulojmë të vërtetën për këto dy çështje, do të vazhdojmë të jetojmë në iluzion.
Së pari, si në mënyrë ‘magjike’ e burgosura Katica Janeva i ka dorëzuar lëndët në praktikën gjyqësore ndërsa ka qenë në burg. Nuk do të qetësohem derisa të marr përgjigje se si Katica i ringjalli këto lëndë. Nëse duam shtet juridik duhet të dimë sipas cilit ligj dhe si Katica nga burgu i ka aktualizuar këto lëndë, së bashku me prokurorin e atëhershëm publik.
Së dyti, si u gjykua një grup njerëzish për terrorizëm dhe mbi çfarë provash? Si janë nxjerrë deklarata nga dëshmitarët e mbrojtur? Dhe së treti, për çfarë shumash bëhet fjalë për bonuset e prokurorëve të PSP-së dhe pse kanë frikë që ky rast të hyjë në fazë hetimi – nëse janë të pafajshëm, nuk kanë pse të frikësohen.
Në emër të së vërtetës dhe sundimit të ligjit, publiku duhet ta dijë të vërtetën. Gjithçka tjetër është luftë ditore kundër krimit dhe korrupsionit. Pres që prokurori i ri publik të dalë me informacion të qartë për opinionin – pra, ditën atë dhe atë, kjo ka ndodhur. Nëse nuk e bën këtë, do të vazhdojmë të jetojmë në një shtet ku një grup do të jetë i privilegjuar, ndërsa të tjerët do të jetojnë në dëshpërim se drejtësia nuk vlen për të gjithë.
I bëj thirrje publike që pa marrë parasysh për kë ka dyshime për krim, qoftë edhe anëtar i Qeverisë, të hapë hetim dhe ta çojë deri në fund. Nuk guxon të ketë të privilegjuar”, deklaroi Mickoski.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Sport2 months agoOLIMPIADA DIMËRORE ‘’MILANO CORTINA 2026’’ FILLON MË 6 SHKURT
-
Lajme nga bota2 months agoGjermania në krizë për punëtorë të kualifikuar, spitalet dhe shkollat kanë mungesa të mëdha

