Lajme nga vendi
Letër e hapur e Ali Ahmetit: Nuk ka dinjitet pa gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare. Kush prek këtë parim, prek vetë themelin e shtetit.
Shtetet e qëndrueshme ndërtohen mbi parime të qarta, mbi marrëveshje të mëdha politike dhe mbi respektin e ndërsjellë ndërmjet qytetarëve dhe popujve që i përbëjnë ato. Kur këto parime ruhen dhe forcohen, shteti ecën përpara; kur ato relativizohen, hapen debate të panevojshme që nuk i shërbejnë askujt.
Ka çështje që nuk duhen trajtuar me pasion të ditës, por me pjekurinë që kërkon shteti. Ka tema që nuk janë as pronë e partive, as objekt garash politike, por pjesë e marrëveshjes sonë të përbashkët për të jetuar bashkë, të barabartë, në një shtet të përbashkët dhe evropian. Një prej këtyre çështjeve është statusi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare.
Për mua, barazia nuk ka qenë kurrë slogan. Ajo ka qenë bindje e pandryshuar politike dhe morale. Sepse shteti bëhet i fortë jo atëherë kur njëra palë ndjehet superiore, por atëherë kur çdo qytetar dhe çdo popull ndjehet i respektuar, i njohur dhe i përfaqësuar me dinjitet të plotë. Pikërisht këtu qëndron pesha e gjuhës: ajo nuk është vetëm mjet komunikimi, por shprehje e identitetit, e dinjitetit dhe e barazisë kushtetuese.
Gjuha shqipe për mua nuk është dhe nuk do të jetë kurrë çështje negocimi. E kam thënë dhe do ta përsëris pa asnjë rezervë: Marrëveshja e Ohrit është themel i këtij shteti dhe kush e vë në pikëpyetje atë, vë në pikëpyetje vetë ardhmen e tij. Shqipja nuk është privilegj, por e drejtë e fituar dhe e garantuar me Kushtetutë. Çdo tentativë për ta relativizuar apo kufizuar këtë të drejtë është një përballje e drejtpërdrejtë me rendin kushtetues dhe nuk do të kalojë pa përgjigje.
Shqiptarët në këtë vend nuk e kanë kontestuar asnjëherë gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas; përkundrazi, janë përcaktuar vazhdimisht për një Maqedoni të përbashkët, unitare, euroatlantike dhe evropiane. Kjo është e vërteta që duhet thënë qartë: barazia e shqiptarëve nuk e ka dobësuar shtetin, por e ka forcuar atë. Nuk e ka cenuar bashkëjetesën, por e ka bërë më të drejtë. Nuk e ka lëkundur orientimin perëndimor të vendit, por e ka bërë të mundur.
Unë besoj dhe qëndroj fuqishëm pas kësaj: barazia gjuhësore është shtylla mbi të cilën qëndron bashkëjetesa. Paqja dhe stabiliteti nuk ndërtohen mbi dominimin e njërit mbi tjetrin, por mbi barazinë reale. Një shtet që nuk u flet qytetarëve të vet në gjuhën e tyre, nuk është shtet i barabartë. Shqipja nuk është barrë për shtetin, është realitet i tij dhe pjesë e pandashme e identitetit të tij institucional.
Prandaj, çdo përpjekje për ta relativizuar, reduktuar apo dobësuar statusin e gjuhës shqipe nuk është thjesht debat juridik. Është prekje e një ekuilibri të ndërtuar me shumë mençuri politike, me shumë përgjegjësi dhe me shumë përkushtim për të ardhmen e përbashkët. Të reduktosh të drejtat gjuhësore do të thotë të reduktosh besimin. E kur cenohet besimi, dëmtohet vetë kohezioni i shtetit.
Me shqetësim po ndiqen edhe qasje të caktuara institucionale, e veçanërisht në Gjykatën Kushtetuese, që krijojnë bindjen e palëkundur se në çështje të ndjeshme për marrëdhëniet ndëretnike nuk mbizotëron argumenti profesional e kushtetues, por një mendësi majorizuese etnike, e tejkaluar nga koha dhe e papajtueshme me frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Kjo është arsye për kujdes serioz shtetëror. Sepse institucionet, sidomos ato kushtetuese, duhet të jenë gardiane të barazisë, jo hapësira ku vihet në pikëpyetje ajo që është fituar si standard i bashkëjetesës demokratike.
Edhe kur flitet për vlerësimet e Komisionit të Venedikut, duhet thënë e vërteta e plotë dhe jo ajo pjesë që i shërben një narrative politike. Komisioni nuk ka konstatuar se ligji për përdorimin e gjuhëve është në kundërshtim me Kushtetutën apo me standardet ndërkombëtare. Por vlerësimet për zbatimin praktik kanë të bëjnë me nevojën për kapacitete, organizim administrativ dhe mbështetje financiare. Këto janë detyra të institucioneve përkatëse. Në asnjë demokraci serioze, siç thekson edhe vetë Komisioni i Venedikut, vështirësitë e zbatimit nuk përdoren si argument për të delegjitimuar vetë parimin e sundimit të së drejtës.
Për më tepër, standardet ndërkombëtare janë standarde minimale, jo tavan për të drejtat. Një shtet që synon Evropën nuk synon të reduktojë të drejtat tani më të fituara. Në këtë kuptim, gjuha shqipe si gjuhë zyrtare nuk është as lëshim, as privilegj, as favor politik. Ajo është e drejtë e fituar, është shprehje e karakterit shumetnik të shtetit dhe e domosdoshmërisë për një rend kushtetues të drejtë dhe të qëndrueshëm.
Secila parti politike serioze, e që pretendon të jetë shtetformuese, duhet të reflektojë. Mosdurimi nuk na çon përpara. Retorika që thotë se “mund të flisni sa të doni shqip, por një gjuhë zyrtare ka” nuk është as moderne, as shtetformuese, as evropiane. Ajo nuk sjell qetësi, por tension; nuk ndërton ura, por thellon ndarje; nuk shëron, por rihap plagë që ky vend i ka paguar shtrenjtë; dhe nuk e forcon shtetin, por minon vetë themelin e bashkëjetesës.
Unë nuk dua që askush në këtë vend të ndihet i kërcënuar nga barazia. As maqedonasi nga të drejtat e shqiptarit, as shqiptari nga institucionet e shtetit. Ky është kuptimi i vërtetë i bashkëjetesës: të jetojmë me ndjenjën se shteti është i të gjithëve dhe se askush nuk duhet të kërkojë respekt si favor, por ta gëzojë atë si të drejtë.
Prandaj sot nevojitet gjuhë e mençur, qasje e matur dhe përgjegjësi historike. Duhet të mbrojmë maqedonishten dhe shqipen, identitetin e secilit dhe dinjitetin e të gjithëve. Duhet të mbrojmë jo vetëm tekstin e ligjeve, por frymën e shtetit të përbashkët. Sepse kur mbrohet barazia, mbrohet paqja; kur nuk cenohet gjuha e tjetrit, forcohet shteti ynë i përbashkët.
Kthim pas nuk ka! Të drejtat e fituara nuk negociohen dhe nuk zhbëhen. Çdo tentativë për të kufizuar zbatimin e gjuhës shqipe është regres i rrezikshëm. Dhe ata që sot flasin për kufizime duhet ta dinë se po hapin plagë që ky vend i ka mbyllur me shumë sakrifica. Me këto çështje nuk luhet.
Këto të drejta nuk janë vetëm arritje e brendshme, ato janë rezultat i një rruge të përbashkët me partnerët tanë strategjikë, Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n. Prandaj, mbrojtja e tyre nuk është vetëm detyrim politik, por përgjegjësi shtetërore dhe ndërkombëtare.
Unë besoj në një Maqedoni që ecën përpara, jo pas. Në një shtet që nuk i frikësohet barazisë, por e sheh atë si vlerën e vet më të madhe demokratike. Në një shoqëri ku askush nuk trajtohet si qytetar i dorës së dytë dhe ku gjuha shqipe mbetet ajo që është: pjesë e rendit kushtetues, pjesë e barazisë dhe pjesë e pandashme e të ardhmes evropiane të vendit.
Unë e kam thënë qartë: ne nuk kërkojmë më shumë se sa na takon, por nuk do të pranojmë as më pak. Barazia nuk është opsion, është detyrim. Sot problemi nuk është ligji, por mungesa e vullnetit për ta zbatuar atë. Ligjet nuk zbatohen vetë, zbatohen nga institucione dhe nga njerëz që duhet të mbajnë përgjegjësi. Askush nuk ka të drejtë të bllokojë apo të injorojë zbatimin e një të drejte kushtetuese. Kjo nuk është vetëm shkelje ligjore, është shkelje e besimit të qytetarëve.
Gjykata Kushtetuese të heqë dorë nga të qenurit institucion parapolitik dhe instrument i agjendave destabilizuese, duke rrënuar rendin kushtetues dhe barazinë në vend.
Ky është qëndrimi im.
I qartë, i panegociueshëm dhe i pakthyeshëm:
nuk ka të ardhme pa barazi,
nuk ka barazi pa dinjitet,
dhe nuk ka dinjitet pa gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare.
Kush prek këtë parim, prek vetë themelin e shtetit.
Lajme nga vendi
Qeveria Shqiptare e demanton Mickovskin: Autostradën do ta bëjmë deri në Qafë Thanë!
Nga pjesa e Shqipërisë segmenti drejt vendkalimit kufitar të Qafë Thanës do të ndërtohet plotësisht me Autostradë, konfirmojnë për TV21 nga Tirana zyrtare. Prej Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë shqiptare thonë se me kërkesë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është miratuar ndryshimi i një trajektore të re me tunel për të hapur edhe një vendkalim të ri kufitar me Republikën e Shqipërisë. Por, sipas tyre nuk do të pezullohet dhe as të tjetërsohet projekti aktual në zonën e mbrojtur nga UNESCO.
“Punimet e autostradës së Korridorit 8 zhvillohen në dy segmente njëkohësisht Rrogozhinë-Elbasan dhe Elbasan-Qafë Thanë. Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut është kërkuar që të projektohet një trase e re nga ura e Bushtricës përmes një tuneli drejtë Ladorishtes dhe të hapet një vendkalimi i ri kufitarë, për shkurtim të kohës dhe për të evituar maloret që janë më të kushtueshme për ndërtim dhe mirëmbajtje. Por, Qeveria e Shqipërisë do të vazhdoj edhe segmentin e mëparshëm drejt Qafë Thanës me Autostradë, për të cilat po zhvillohen punimet edhe në zonën e mbrojtur nga UNESCO”, thonë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë për TV21.
Sot pikërisht në Qafë Thanë ishin të pranishëm qeveritarët e të dyja vendeve për inter-konektorin energjetik, por nuk folën për autostradën e Korridorit 8.
Ndërsa nga VLEN- betohen se ky projekt do të jetë amanet i këtij mandati ose nuk do të jenë më pjesë e qeverisë.
“Që ky segment nuk ka ku shkon tjetër përveç se të përfundoj në lidhje me Qafë Thanën në Shqipëri, unë nuk e di prej nga i nxjerrin këto insinuate që një projekt kaq serioz të përfundoj pa dalje diku ose pa një destinacion të caktuar? Kështu që ne jemi garancia! Shqiptarët duhet të rrinë të qetë se ne po bëjmë Korridorin 8, do ta bëjmë edhe rrugën Shkup-Bllacë, do ta bëjmë edhe rrugën Tetove-Prizren. Po që se nuk do të bëhen këto në mandatin tonë, unë ju garantoj se as unë, as Besa e shkrirë në VLEN nuk do të jetë pjesë e Qeverisë”, theksoi Adnan Azizi, deputet i VLEN.
Dje TV21 e publikoi dokumentin me 8 vërejtjet e Komitetit të trashëgimisë botërore të UNESCO për Maqedoninë e Veriut, në të cilin vetëm në një pikë përmendet autostrada për Korridorin 8.
Kryeministri Mickoski dje tha se në segmentin andej kufirit në pjesën e Shqipërisë nuk do të jetë autostradë.
Lajme nga vendi
Komisioni Venecias porosi Shkupit për zbatimin e shqipes, por e njeh si gjuhë të pakicës
Gjykata Kushtetuese në ueb-faqen e saj publikoi mendimin e përbashkët “Amicus Curiae” (Këshillë miqësore) e Komisionit të Venecias dhe Drejtorisë së Përgjithshme për Demokraci dhe Dinjitet Njerëzor në Këshillin e Evropës lidhur me lëndën për përdorimin për Përdorimin e Gjuhëve.
Sipas këtij mendimi, të drejtat gjuhësore të pakicave janë standarde minimale, që shtetet mund t’i zgjerojnë, por vetëm nëse sigurojnë zbatim real në praktikë. Pra, nuk mjafton që këto të drejta të ekzistojnë në ligj – ato duhet të mbështeten me burime financiare, staf dhe mekanizma funksionalë.
Komisioni thekson se shtetet kanë hapësirë të gjerë për të vendosur si do t’i zbatojnë këto të drejta, por duhet të përdorin kritere objektive dhe të respektojnë parimin e mosdiskriminimit, si dhe të konsultohen me komunitetet pakicë. Në nivel lokal, pritjet janë më të larta për përdorimin e gjuhëve të pakicave, pasi institucionet janë më afër qytetarëve.
Në raport me administratën, përdorimi i gjuhëve të pakicave mund të kushtëzohet nga përqindja e popullsisë, por pragjet shumë të larta mund të pengojnë zbatimin real të këtyre të drejtave. Ndërkohë, çdo zgjerim i përdorimit të gjuhëve kërkon investime shtesë nga shteti.
Sa i përket gjyqësorit, standardi minimal është i qartë: çdo i akuzuar që nuk e kupton gjuhën zyrtare ka të drejtë për përkthim dhe mbrojtje në një gjuhë që e kupton.
Shtetet mund të ofrojnë edhe të drejta më të gjera, por pa e dëmtuar funksionimin e drejtësisë.
Në përfundim, Komisioni i Venecias thekson se balancimi mes të drejtave të pakicave dhe funksionimit efektiv të shtetit është thelbësor, dhe çdo politikë gjuhësore duhet të jetë e zbatueshme dhe e qëndrueshme në praktikë.(INA)
Lajme nga vendi
Filloi ndërtimi i linjës interkonektive 400 kV Maqedonia e Veriut – Shqipëria
- Pas një periudhe ngecjeje, sot filluan punimet ndërtimore të njërit prej projekteve më të mëdha elektroenergjetike në dhjetë vitet e fundit. Vendosja e gurthemelit për linjën interkonektive 400 kV ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë shënon rifillimin e projektit, i cili ka rëndësi strategjike për stabilitetin energjetik dhe integrimin rajonal. Projekti është pjesë e Korridorit 8 Pan-evropian, i cili do të mundësojë lidhjen direkte të sistemeve elektroenergjetike të dy vendeve, rritjen e sigurisë në furnizim dhe avancimin e shkëmbimit ndërkufitar të energjisë elektrike.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Lajme nga rajoni1 week agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Lajme nga bota7 days ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen

