Lajme nga bota
“Më i lirë ari se nafta”, çmimi kalon mbi 100 dollarë për fuçi
Dështimi i bisedimeve për paqe mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka ndikuar menjëherë në tregjet globale të energjisë, duke shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve të naftës.
Pas përfundimit të negociatave gjatë fundjavës pa një marrëveshje dhe paralajmërimit të presidentit Donald Trump për bllokimin e porteve iraniane, çmimi i naftës ka kapërcyer sërish nivelin prej 100 dollarësh për fuçi.
Vetëm disa ditë më parë, çmimet kishin rënë ndjeshëm nën pragun e 100 dollarëve, pasi Uashingtoni dhe Teherani kishin arritur një armëpushim të përkohshëm dyjavor, i cili përfshinte edhe hapjen e një prej rrugëve më të rëndësishme tregtare detare, Ngushticës së Hormuzit.
Kjo ngushticë, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimeve globale të energjisë, transmeton Klankosova.tv është shndërruar në një pikë kyçe të tensioneve, pasi Irani paralajmëroi se mund të sulmojë anijet që e përdorin atë, në përgjigje të veprimeve ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit.
Qarkullimi në këtë zonë ka qenë kryesisht i kufizuar që nga fillimi i konfliktit më 28 shkurt, megjithatë disa shtete, si India dhe Malajzia, kanë arritur të negociojnë kalim të sigurt për anijet e tyre.
Ndërprerjet në këtë korridor strategjik kanë mjaftuar për të shkaktuar rritje të çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare.
Lajme nga bota
U arrestua nga policia pasi u kap në gjendje të dehur në timon, Britney Spears shtrohet në rehabilitim
Britney Spears është shtruar në një qendër rehabilitimi, pasi u arrestua për drejtim automjeti në gjendje të dehur në Kaliforni.
Sipas mediave, këngëtarja ka qëndruar esëll që prej arrestimit dhe ka marrë pjesë në takime të Alcoholics Anonymous.
Në një deklaratë pas lirimit, përfaqësuesit e saj u shprehën: “Ky ishte një incident i pafalshëm. Britney do të ndërmarrë hapat e duhur dhe do të respektojë ligjin.” Ata shtuan se kjo mund të jetë një pikë kthese për jetën e saj dhe se familjarët po punojnë për ta mbështetur në këtë periudhë të vështirë.
Këngëtarja pritet të paraqitet në gjykatë më 4 maj, ndërsa burime pranë saj bëjnë të ditur se edhe marrëdhënia me dy djemtë e saj, Preston dhe Jayden, është përmirësuar kohët e fundit.
Spears ka kaluar një periudhë të gjatë sfidash personale dhe ligjore, përfshirë kujdestarinë shumëvjeçare që përfundoi në vitin 2021, dhe ky zhvillim shihet si një tjetër hap drejt stabilizimit të jetës së saj.
Lajme nga bota
Kriza nga Lindja e Mesme, Gjermania ul taksat e karburantit për 2 muaj
Gjermania do të ulë përkohësisht taksat për karburantet, në një përpjekje për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve.
Kancelari Friedrich Merz njoftoi se taksat për benzinën dhe naftën do të reduktohen me rreth 17 cent për litër, për një periudhë dy mujore.
“Ne do ta ulim taksën e karburantit për naftën dhe benzinën me afërsisht 17 centë për litër për dy muaj”, deklaroi ai gjatë një konference për shtyp.
Kjo masë synon të ndihmojë familjet dhe bizneset që po përballen me kosto të larta të energjisë, të nxitura nga tensionet dhe konflikti në Lindjen e Mesme.
Qeveria gjermane synon që përmes këtij vendimi të japë një lehtësim të menjëhershëm për konsumatorët, ndërsa çmimet globale të naftës vijojnë të mbeten të paqëndrueshme.
Lajme nga bota
Humbja historike e Viktor Orban në Hungari, analiza e CNN: Pse mbështetja e SHBA nuk i mjaftoi? Qytetarët e konsideruan Peter Magyar si të vetmin që mund ta mposhte
Edhe pse sondazhet parashikonin një fitore të qartë për partinë opozitare Tisza të fituesit të zgjedhjeve, Péter Magyar, shumëkush ruante rezerva deri në momentin e fundit, ndaj humbja e Orbán për shumëkënd u perceptua si një ndryshim regjimi.
Sipas analizës së rrjetit amerikan, “ndonëse shumë gjëra mbeten të paqarta, nga madhësia e shumicës parlamentare të Tisza deri te mënyra se si do të nisë çmontimi i sistemit të ndërtuar nga Fidesz, humbja e Orbán tregon kufijtë e populizmit. Ajo ofron mësime si për ata që do të donin ta imitonin, ashtu edhe për ata që gëzohen për largimin e tij.”
“Mësimi i parë është se është e vështirë të ndërkombëtarizohet nacionalizmi. Pasi ka qeverisur për kaq gjatë si mbrojtës i sovranitetit kombëtar, duke premtuar të mbrojë Hungarinë nga kërcënimet e supozuara të Bashkimit Evropian dhe ideologjisë liberale, fushata e tij përfundimisht u mbështet fort në përkrahjen e aleatëve të fuqishëm ndërkombëtarë si SHBA dhe Rusia”, shkruan CNN.
Pavarësisht deklaratave të nënpresidentit të SHBA-së, J.D. Vance, i cili udhëtoi në Budapest për të mbështetur aleatin më të afërt të administratës Trump në Evropë, duke thënë se “do ta ndihmoj Orbán sa më shumë të mundem”, si dhe thirrjes edhe më të fortë të presidentit amerikan “dilni dhe votoni për Viktor Orbán, një mik i vërtetë, luftëtar dhe fitues”, këto ndërhyrje nuk dhanë rezultat.
Para humbjes së Orbán, politologu Ivan Krastev, i cili e ka studiuar kryeministrin në largim që nga fillimi i viteve ’90, komentoi: “Ironia është se nëse humbet, do të humbasë si një përkrahës i globalizimit. Duke kërkuar ndihmë nga miq të fuqishëm jashtë vendit, Orbán bëri pikërisht atë që do të pritej nga liderët ndërkombëtarë.”
Sipas CNN, arsyeja pse fushata e Orbán u fokusua kaq shumë në politikën e jashtme ishte imazhi i dobët në planin e brendshëm. Ky është një tjetër mësim nga humbja e tij: populizmi mbështetet në përplasje të vazhdueshme dhe ka nevojë për armiq të përhershëm. Orbán gjeti shumë të tillë: OJQ-të, universitetet liberale, George Soros, komunitetin LGBTQ+, Bashkimin Evropian.
Por në një moment, “armiqtë” mbarojnë. Një pjesë e madhe e fushatës së tij targetoi Ukrainën. Budapesti u mbush me postera të presidentit Volodymyr Zelensky me slogane si “Rrezik!” dhe “Mos e lini të qeshë i fundit”.
Pa një ekonomi të fortë apo një sistem shëndetësor efektiv, fushata e tij u përpoq të frikësonte votuesit, duke paraqitur Fidesz si “zgjedhjen e sigurt”. Siç tha Krastev, paraqitja e Ukrainës si kërcënimi kryesor për sovranitetin hungarez përfundoi duke u dukur qesharake, shkruan CNN.
Përballë këtyre kërcënimeve të paqarta, Magyar u mjaftua duke vënë në dukje gjendjen e brendshme të vendit, e cila nuk i kënaqte hungarezët.
“Për ata që duan të mposhtin populizmin, humbja e Orbán ofron gjithashtu mësime. Pavarësisht fitores së tij, shumë hungarezë liberalë dhe të majtë nuk janë entuziastë për Magyar, një ish-zyrtar i Fidesz me pikëpamje konservatore. Megjithatë, ata u bashkuan rreth tij, duke e parë si mundësinë më të mirë për të mposhtur Orbán. Siç tha politologu Péter Kreko, votuesit nuk lejuan që ‘e përkryera’ të bëhej armike e ‘së mirës’,” thuhet në analizën e CNN.
Në fjalimin e fitores, Magyar pranoi sfidat dhe i bëri thirrje Orbán të veprojë si një lider tranzitor pa penguar qeverinë e re. Megjithatë, për mbështetësit e tij, nëse Tisza do të arrijë të çmontojë sistemin e Orbán dhe të qeverisë në mënyrë efektive, mbetet një çështje për të ardhmen.
“Do të ishte një kthesë e mirëpritur nëse Hungaria kalon nga një shembull i iliberalizmit dhe autoritarizmit në një shembull të ndryshimit demokratik,” tha Kreko, por kjo mbetet për t’u parë, përfundon CNN.
-
Lajme nga bota3 weeks ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga rajoni3 weeks agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Sport3 weeks agoBARDHI: NËNVLERËSIMI VETËM SE NA MOTIVON KUNDËR DANIMARKËS!

