Lajme nga vendi
SHPORTA SINDIKALE E PRILLIT MBËRRIN NË 68.797 DENARË!
Çmimi i shpenzimeve bazë mujore, sipas shportës minimale sindikale, në muajin prill arrinë në 68.797 denarë. Krahasuar me marsin, kostot e jetesës për një familje mesatare me katër anëtarë janë rritur për 979 denarë.
Kjo vlen për familjet që kanë banesë në pronësi. Nëse jetojnë në një banesë me qira prej 60 metrash katrorë, sipas përllogaritjeve sindikale, shporta e prillit arrin në 84.172 denarë.
Pjesa më e madhe e buxhetit familjar (37,9%) shkon për ushqim dhe pije – 26.085 denarë.
Sipas përqindjes, pasojnë arsimi me 10,5% (7.192 denarë) dhe shpenzimet komunale me 9,2%, ku përfshihen qiraja, energjia elektrike, uji dhe ngrohja (6.338 denarë).
Rifreskimi i garderobës dhe këpucëve kushton 6.129 denarë, ndërsa rekreacioni dhe jeta kulturore-argëtuese 5.592 denarë.
Për transport në prill nevojiten 4.961 denarë, ndërsa për vizita të mundshme në restorante dhe hotele – 4.131 denarë.
Në shpenzime përfshihen edhe ato për komunikime – 3.417 denarë, për higjienë personale dhe të shtëpisë – 2.667 denarë, për shëndet – 1.185 denarë, si dhe për mallra dhe shërbime të tjera – 1.100 denarë.
Nëse merret parasysh të dhëna e dhjetorit prej 65.492 denarësh, që nga fillimi i vitit vlera e shportës minimale sindikale është rritur për 3.305 denarë, ose mbi 50 euro.
Kjo do të thotë se çdo muaj shpenzimet janë rritur mesatarisht për rreth 826 denarë.
Lajme nga vendi
Gashi: Ligji për përfaqësim të drejtë mund të ketë mangësi, nuk tentojmë ta kontrabandojmë
-Nuk është ideja që të kontrabandojmë diçka që e kemi filluar dy vite, po punojmë në mëynrë shumë të detajuar, tha kryetari i Kuvendit Afrim Gashi në lidhje me akuzat e opozitës, të cilët thonë se po përpiqet të kontrabandohet miratimi i Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, përcjell TV21. Gashi tha se po provon që të krijojë hapësirë që të komunikojnë grupet parlamentare për këtë ligj, ndërsa ftoi deputetët që ta votojnë të njëjtin.
“Në asnjë moment nuk kemi thënë se ligji është perfekt. Ai mund të ketë mangësi, por mangësitë po presupozohen apo po prejudikohen. Unë mendoj se duhet të kemi një ligj, sidomos për parimin kushtetues përfaqësim të drejtë dhe adekuat, shumë më mirë është të kemi një ligj, sesa mos të kemi fare”, deklaroi Gashi.
Lajme nga vendi
Ahmeti takoi ambasadoren e Holandës: Rruga evropiane dhe Marrëveshja e Ohrit janë themelet e të ardhmes së vendit
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, zhvilloi sot një takim të hapur dhe përmbajtësor me ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, znj. Özlem Canel.
Në qendër të takimit ishte domosdoshmëria që vendi të gjejë sa më parë rrugën për vazhdimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Ahmeti theksoi se çdo vonesë e mëtejshme në procesin integrues e largon vendin nga perspektiva evropiane, dobëson institucionet dhe krijon pasiguri politike, ekonomike dhe shoqërore.
Gjatë takimit, Ahmeti ka ngritur siç thuhet shqetësimin serioz lidhur me goditjet e vazhdueshme ndaj Marrëveshjes së Ohrit dhe arritjeve që garantojnë barazinë, kohezionin ndëretnik dhe stabilitetin e vendit.
Ai theksoi se Marrëveshja e Ohrit është themeli i paqes dhe i funksionimit demokratik të shtetit, ndërsa çdo cenim i saj prek drejtpërdrejt stabilitetin e përgjithshëm dhe marrëdhëniet ndëretnike.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet aktuale politike, sundimin e ligjit, sigurinë dhe sfidat me të cilat përballet rajoni.
Ahmeti nënvizoi se partnerët ndërkombëtarë duhet ta dëgjojnë qartë alarmin për zhvillimet në vend.
“Rruga evropiane dhe Marrëveshja e Ohrit janë dy shtyllat mbi të cilat qëndrojnë stabiliteti, demokracia dhe e ardhmja e vendit”, theksoi Ahmeti.(INA)
Lajme nga vendi
SHKUP: MUNGESA E VENDPARKIMEVE NË QENDRËN KLINIKE SFIDË SERIOZE!
Parkingu në Qendrën Klinike vazhdon të jetë sfidë për pacientët po edhe për të punësuarit. Edhe pse është premtuar disa herë zgjidhje, ajo nuk erdhi kurrë.
Për mungesën e vendparkimeve biseduam me disa qytetarë, të cilët kishin ardhur në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” për të marrë shërbime shëndetësore. Ata thonë se gjetja e një vendi për parkim është bërë një sfidë e përditshme, duke u shkaktuar vonesa në arritjen e termineve të caktuara tek mjeku.
Sipas tyre, në shumë raste u duhet të kalojnë më shumë se 30 minuta duke kërkuar një vend të lirë për të parkuar automjetin.
Këtu, me të vërtetë, është problem i madh të gjesh parking, por disi gjindemi, humba më shumë se gjysmë ore, deri sa gjeta parking.
Po, ka çdoherë, pasi që vi çdo muaj për të marrë shërbime shëndetësore, gjithnjë kam problem, shëtitem mbi gjysmë ore për të gjetur vend të lirë për parkim.
Shumë rëndë, humba gjysmë ore për të gjetur vend të lirë për t’u parkuar
Përveç ankesave, qytetarët kanë edhe kërkesa konkrete ndaj institucioneve kompetente. Ata vlerësojnë se ka ardhur koha që ky problem të marrë një zgjidhje përfundimtare, qoftë përmes krijimit të hapësirave të reja për parkim, qoftë me ndërtimin e garazheve në kate.
Të ndërtohet ndonjë garazh, këtu ka hapësirë, mund të bëhet një parking me kate.
Të bëhet zgjidhje me parking, këtu, të jetë i qasshëm në çdo kohë për secilin.
Duhet të ndërtohet parkingu, është koha që përfundimisht të zgjidhet problemi.
Zgjidhje për problemin e parkimit dhe kaosin që krijohet çdo ditë në Qendrën Klinike kanë premtuar pothuajse të gjithë ministrat e Shëndetësisë ndër vite. Megjithatë, pavarësisht premtimeve dhe paralajmërimeve për projekte të ndryshme, pacientët, familjarët e tyre dhe punonjësit vazhdojnë të përballen me të njëjtin problem./Tv Koha – Shkup/MEVLUDIN IMERI – GAZETAR

