Lajme nga vendi
KORRIDORI 8: BDI DHE VLEN – PROJEKTI NUK NDALET!
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) mirëpret zhvillimet e fundit lidhur me projektin strategjik të Korridorit 8, të cilat dëshmojnë qartë se ky projekt madhor vazhdon edhe përkundër përpjekjeve të Qeverisë për ta shkëputur lidhjen e tij me Republikën e Shqipërisë.
Shtyrja e vizitës së delegacionit të UNESCO-s nuk e vë në pikëpyetje realizimin e projektit, por konfirmon seriozitetin dhe domosdoshmërinë e realizimit të tij sipas projektimit të realizuar në kohën kur BDI ishte pjesë e Qeverisë, thonë integristët.
BDI rikujton se Korridori 8 është projekt me rëndësi strategjike për vendin dhe rajonin, i cili lidh lindjen me perëndimin, forcon integrimin ekonomik dhe rrit lëvizjen e lirë të qytetarëve. Mbështetja e Bashkimit Evropian dhe angazhimet e marra në Deklaratën e Tiranës janë dëshmi shtesë se ky projekt është prioritet i padiskutueshëm. Përpjekjet për ta penguar apo vonuar këtë projekt janë të kota, sepse Korridori 8 është një realitet në ndërtim dhe një domosdoshmëri për të ardhmen evropiane të vendit.
Mirë se erdhët në realitetin e Korridorit 8 – thuhet në reagimin e VLEN, sic thonë, duke e mirëpritur “zbulimin” e fundit të Bashkimi Demokratik për Integrim lidhur me Korridorin 8, i cili, edhe pse me vonesë, konfirmon atë që e kanë thënë dhe dëshmuar vazhdimisht: ky projekt nuk ndalet dhe nuk është pronë e askujt.
Pas një periudhe të gjatë deklaratash kontradiktore dhe përpjekjesh për të krijuar mjegull politike, është inkurajuese të shohim se opozita më në fund po reflekton dhe po i afrohet qëndrimeve që VLEN i ka mbrojtur me konsekuencë dhe përgjegjësi institucionale.VLEN rikujton se përkushtimi ynë për realizimin e Korridorit 8 ka qenë i qartë që nga dita e parë: Një projekt strategjik që lidh vendin me rajonin dhe me Bashkimi Evropian, dhe që duhet të ndërtohet mbi baza profesionale, transparente dhe të qëndrueshme.
Ndërtimi i segmentit rrugor dhe hekurudhor të Korridorit 8 do të kushtojë pothuajse 5 miliardë euro, deklaroi dje dhe Ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, gjatë takimit për aktivitetet dhe planet e projekteve të Korridorit 8.
Sa i përket segmentit autostradë Trebenishtë – Qafë Thanë, pas vërejtjeve nga UNESCO për shkak të zonës së mbrojtur, ai theksoi se nuk vihet në pikëpyetje fakti nëse do të ketë zgjidhje autostrade deri në Strugë dhe në pikën kufitare Qafë Thanë, por vetëm se nëpër cilën trase do të kalojë.
Njëkohësisht anulohet ardhja e delegacionit të UNESCO-s në Maqedoni, që të diskutohen vërejtjet lidhur me punimet e Korridorit 8 në rajonet e mbrojtura.
Edhe pse fillimisht ishte paralajmëruar se UNESCO do të vinte kah mesi i Majit, sipas Ministrit Nikolovski, me kërkesë të tyre vizita mund të realizohet në mesin e qershorit.
Me deklaratën e nënshkruar më 18 shkurt të këtij viti në Tiranë, shtetet që janë pjesë e Korridorit 8 konfirmuan sërish përkushtimin e tyre për zbatimin e këtij projekti.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

