Lajme nga vendi
“MË MIRË PËR TETOVËN”: “SAUBERMACHER” DO T`I RRISË ÇMIMET?!
Nisma “Më mirë për Tetovën” u bën thirrje të gjithë këshilltarëve të Komunës së Tetovës, sic thonë, të mos lejojnë rritjen e çmimit të shërbimeve nga Saubermacher, e cila godet direkt xhepin e qytetarëve. Nga Komuna e Tetovës thonë se nuk do të lejojnë të rëndohet ekonomia e qytetarëve dhe se kanë vërrejtjet për propozim-çmimoren e kompanisë që do të shpalosen gjatë seancës së të hënës.
Në mbledhjen e radhës të Këshillit, e cila do të mbahet ditën e hënë, më 27.04.2026, si pika e 20 e rendit të ditës, nga udhëheqësia komunale është pranuar propozimi i “Saubermacher” për çmimore të re që do të rrit ndjeshëm çmimin e shërbimit për grumbullimin e mbeturinave si për persona fizik dhe ato juridik, thanë në një press-konferencë para Komunës së Tetovës nga nisma “Më mirë për Tetovën”.
Kjo nismë ka publikuar edhe propozim – çmimoren që e kanë pranuar këshilltarët komunal.
Sipas tyre, po ndodh rreziku të cilin e kishin paralajmëruar.
AGRON ARIFI – “Më mirë për Tetovën”
Sipas propozimit të rendit të ditës dhe materialit që kemi pranuar, parashihet që shërbimet nga “Saubermacher” të rriten 30% për amvisëritë (shtëpitë dhe banesat) dhe 50 deri 100% për bizneset, me çka dëmtohet drejtpërdrejtë buxheti i tetovarëve.
Ky është rreziku që i kanoset qytetarëve kur komuna lidh marrëveshje për Partneritet Publiko-Privat. Privati gjithmonë ka interes përfitimin financiar, ndërsa komuna, e cila nuk është e aftë të ofrojë shërbimet e duhura dhe të jetë në shërbim të qytetarëve, i ikën përgjegjësisë duke lidhur marrëveshje të dëmshme që zhvasin banorët e Tetovës.
Kryesuesi i Këshillit Komunal të Tetovës, Jusuf Abduli, tha se e kanë pranuar kërkesën e “Saubermacher” për rritje të çmimeve dhe se kanë vërrejtjet e tyre që do t`i shpalosin në seancën e së hënës. Por, sipas Abdulit, rritja nuk është aq sa pretendojnë nga nisma “Më mirë për Tetovën”.
JUSUF ABDULI – Kryesues i Këshillit Komunal
“Po është bërë kërkesë nga ana e “Saubermacher” për rritjen e çmimeve, në bazë të kërkesës ka një rritje prej 30% për qytetarët ndërsa për kompanitë ka rritje, nuk është rritje aq sa këshilltari i pavarur e thotë. Ne si grup i këshilltarëve jemi në diskutim dhe kemi vërejtjet tona të cilat do t’i shpalosim në seancën e radhës, do mundohemi të gjejmë zgjidhje dhe që mos ketë rritje ose mos pranohet kjo kërkesë e Saubermacherit që të ketë një rritje që nuk do ndikojë në ekonominë e qytetarëve”, tha Abduli.
Kujtojmë që Komuna e Tetovës në vitin 2023 nënshkroi marrëveshje për partneritet publiko-privat me kompaninë sllovene të grupacionit “Saubermacher” për menaxhimin e mbeturinave në Tetovë.
Si rezultat i kësaj, u ndryshua edhe metodologjia e pagesës. Paraprakisht paguhej taksa për çdo anëtarë të familjes, kurse aktualisht sipas metrit katror të banesave.
Kompania kishte inicuar edhe procedura për pagesë të detyrueshme të borxheve të papaguara të faturave të qytetarëve./Tv Koha/
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

