Lajme nga vendi
Shqipëria shpall si “të padëshiruar” dy shtetas të Maqedonisë përmes rrjeteve sociale është prononcuar edhe Valon Bela
Në Shqipëri, me urdhër të Ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, dy shqiptarë nga Maqedonia e Veriut janë shpallur non-grata në Shqipëri për 10 vite.
Sipas mediave shqiptare, Valon Bela dhe Bekir Halimi dyshohen se janë përfshirë në veprimtari të dyshimta ndaj shtetit shqiptar.
Gjithashtu për Valon Belan është lëshuar dhe një urdhër dëbimi nga Shqipëria.
Ky vendim i fundit është firmosur nga Lamallari, sic thonë mediat shqiptare, pas informacioneve të përcjella nga shërbimet informative të shtetit ku bëhet fjalë për lidhje të Valon Belas dhe Bekir Halimit me veprimtari që përbëjnë rrezik dhe kërcënim për Shqipërinë.
Pas këtij vendimi, përmes rrjeteve sociale është prononcuar edhe Valon Bela. Gjatë një postimi në Facebook, ai thotë se “një vendim administrativ nuk mund ta shpallë “non grata” historinë, sakrificën dhe kontributin e një shqiptari”.
Nëse një luftëtar i tri luftërave kombëtare shqiptare shpallet i padëshiruar në shtetin shqiptar, atëherë pyetja nuk është vetëm se kush u shpall “non grata”, por çfarë mesazhi po i jepet kujtesës sonë kombëtare.
Shqiptarët nuk janë ndarë kurrë në ata “brenda” dhe “jashtë” kufirit shtetëror kur ka qenë fjala për idealet kombëtare. Ata që kanë sakrifikuar për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve nuk mund të gjykohen vetëm me vendime administrative, sidomos kur mungon transparenca dhe një shpjegim i qartë publik.
Asnjë qeveri nuk është mbi kombin dhe asnjë mandat politik nuk është i përjetshëm. Qeveritë vijnë e shkojnë, ndërsa historia mbetet. Ata që sot marrin vendime përjashtuese duhet të jenë të vetëdijshëm se do të gjykohen jo vetëm nga bashkëkohësit, por edhe nga brezat që do të vlerësojnë nëse kanë mbrojtur interesin kombëtar apo interesat e ditës. E sidomos kur një qeveri fyen rëndë Kosovën, pret me tepih të kuq Vuçiqin dhe malltreton e rrah brutalisht popullin e tij që mendon ndryshe.
Dinjiteti i një luftëtari nuk matet me të drejtën për të hyrë ose jo në një shtet, por me veprën që ka lënë pas dhe me respektin që gëzon në mesin e popullit, ndryshe nga qeveria aktuale që gëzon respekt vetëm nga foshnjëvrasësit. Dhe mu në sinkron të plotë, Rama & Vuçiq më fusin në listën e padëshiruarve. Kjo flet shumë! – shkruan Valon Bela në Facebook.
Në qershor, Lamallari shpalli ‘person të padëshiruar në Shqipëri’, Ikballe Huduti Berisha për një periudhë 15-vjeçare, pasi u bë pjesë e protestave në Tiranë. Huduti akuzohet për lidhje të forta me regjimin iranian ndërsa publike është bërë dhe një fotografi e saj krah ish-presidentit të Iranit Mahmud Ahmadinexhad.
Lajme nga vendi
Rritet çmimi i naftës, arrin në 99.5 denarë
Komisioni Rregullator i Energjetikës, i Shërbimeve të Ujit dhe i Shërbimeve të Menaxhimit me Mbeturina Komunale i Republikës së Maqedonisë së Veriut (KRRE) solli vendimin, me të cilin bëhet ulja e çmimeve të shitjes me pakicë të derivateve të naftës mesatarisht 1,24 % në raport me vendimin e datës 27.7.2026, thuhet në njoftimin e KRRE-së.
Në vendimin e sotshëm është zbatuar shuma e ulur e akcizës prej 2,00 den/l te benzina EUROSUPER BS-95 dheEUROSUPER BS-98 dhe shuma e ulur e akcizës prej 4,00 den/l tek EURODIZELI (D-Е V).
Çmimet e shitjes me pakicë të benzinës EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 ulen për 2.00 den/litër.Çmimi i shitjes me pakicë i EURODIZELIT (D-Е V) rritet për 1,00 den/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i Vajit Ekstra të Lehtë për Amvisëri (ЕL-1) rritet për 0,50 den/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i Мazutit М-1 SU ulet për 1,680 denarë/kg
Nga data 5.8.2026, nga ora 00:01, çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:
EUROSUPER BS – 95 do të shitet për 91,00 (denarë/litër)
EUROSUPER BS – 98 do të shitet për 93,00 (denarë/litër)
EURODIZEL BS (D-E V) do të shitet për 99,50 (denarë/litër)
Vaj për Djegie Ekstra i Lehtë 1 (EL-1) do të shitet për 98,50 (denarë/litër)
Mazut М-1 SU do të shitet për 46,419 (denarë/kilogram).
Lajme nga vendi
Arrestohet 41-vjeçarja nga Kratova që iu merrte para turistëve për hyrje në lokalitet “Kuklica”
Është arrestuar një 41-vjeçare nga Kratova, ndaj së cilës po zhvillohen procedura për uzurpimin e lokalitetit “Kuklica”, për të cilën Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës në gjykatën kompetente ka dorëzuar edhe propozim për caktimin e masës së paraburgimit.
Sipas informacioneve nga MPB, policia e arrestoi S.D. (41) nga Kratova më 2 gusht në orën 19:30, duke vepruar sipas një kallëzimi të mëparshëm se po atë ditë, rreth orës 18:00, në lokalitetin “Kuklica”, kishte sulmuar fizikisht disa persona, të cilët ishin vizitorë të lokalitetit.
Siç informojnë nga PTHP, e dyshuara për një periudhë më të gjatë, pavarësisht të gjitha masave të ndërmarra deri më tani, vazhdon ta uzurpojë lokalitetin “Kuklica”, i cili me dekret është shpallur monument i natyrës, t’u paguajë hyrje vizitorëve pa bazë ligjore, të debatojë me ta dhe t’i kërcënojë, me çka vazhdimisht e prish rendin dhe qetësinë publike. Gjatë incidentit të fundit, e dyshuara ka penguar edhe një person zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, përkatësisht ka sulmuar fizikisht dhe ka penguar zyrtarët policorë të cilët kanë tentuar ta identifikojnë dhe ta arrestojnë.
“Prokurori publik e kishte parasysh edhe faktin se kundër këtij personi tashmë është në zhvillim procedurë për veprën penale të vazhduar uzurpim i lokalitetit “Kuklica”, në të cilën i janë shqiptuar masa kujdesi, duke përfshirë edhe ndalimin për ta vizituar lokacionin, megjithatë ajo shmang pranimin dhe respektimin e vendimit. Gjithashtu, e dyshuara së bashku me bashkëshortin e saj edhe më parë ka marrë pjesë në veprime për pengimin e një personi zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare ndaj inspektorëve të tregut”, thuhet në njoftimin e PTHP-së.
Ata theksojnë se, duke qenë se ekziston mundësia e arratisjes, por edhe tendencë e qartë që e dyshuara të vazhdojë të kryejë vepra penale, prokurori publik te gjyqtari i procedurës paraprake ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit.
Lajme nga vendi
VAPA AFRIKANE – MJEKËT BËJNË THIRRJE PËR KUJDES NDAJ SHËNDETIT!
Rikthimi i temperaturave të larta përvëluese ka bërë që mjekët të vazhdojnë me apelet për kujdes të shtuar, veçanërisht për grupet më të rrezikuara.
Mjeku Harkan Memedi, në një prononcim për TV Koha, ka theksuar se temperaturat e larta mund të shkaktojnë pasoja serioze për shëndetin.
Ai u bën thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të respektojnë rekomandimet e mjekëve.
Sipas Memedit, kujdes i shtuar duhet të kenë edhe të rinjtë. Ai paralajmëron se konsumimi i tepërt i pijeve energjetike, veçanërisht gjatë ditëve me temperatura ekstreme, mund të ketë pasoja negative për organizmin, duke rritur rrezikun e dehidratimit dhe problemeve kardiovaskulare.
Ndryshe, sipas parashikimeve meteorologjike, vala e të nxehtit pritet të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim, me temperatura që në disa zona do të tejkalojnë 40 gradë Celsius.
Autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë masat mbrojtëse dhe rekomandimet e mjekëve për të shmangur pasojat që mund të shkaktojë moti ekstrem./Tv Koha – Shkup/

