Connect with us

Lajme nga vendi

MPB AKTIVIZOI APLIKACIONIN “SAFE CITY” PËR MAKINAT ME TARGA TË HUAJA!

Published

on

Mëngjesin e sotëm janë zvogëluar turmat në pikën kufitare Tabanoc në drejtim të Serbisë fqinje, pasi dje u krijuan kolona kilometrike në dalje nga vendi ynë. Kjo ndodhi në ditën e parë pas zbatimit të sistemit “Qyteti i Sigurt”, i cili parashikon gjoba edhe për makinat me targa të huaj.  Aktualisht, në Tabanoc funksionojnë tetë sportele për pagesën e gjobave për shoferët e huaj, ndërsa kontrolli dhe pagesa e gjobës zgjasin deri në 15 minuta për një shofer.  Procedura tani është organizuar në atë mënyrë që ndahen vetëm automjetet për të cilat është evidentuar shkelje, ndërsa drejtuesit e tjerë vazhdojnë rrugën drejt daljes nga Maqedonia e Veriut.

Ministria e Punëve të Brendshme ka informuar opinionin se është vënë në funksion aplikacioni ueb me ndërfaqe për pajisjet mobile “Qyteti i Sigurt”, i cili në këtë fazë u dedikohet shtetasve të huaj, përkatësisht pronarëve dhe drejtuesve të automjeteve me targa të huaja.

Shoferët me targa të huaja tani mund të ndalohen në pikën kufitare Tabanoc gjatë largimit nga Maqedonia e Veriut, nëse automjeti i tyre paraprakisht është regjistruar nga kamerat e sistemit “Qyteti i Sigurt”.

Përmes aplikacionit, shtetasit e huaj mund të marrin në mënyrë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë informacione për kundërvajtjet në trafik të evidentuara nga sistemi “Qyteti i Sigurt”, të kenë qasje në urdhërpagesat e lëshuara për kundërvajtje, si dhe t’i paguajnë gjobat në mënyrë elektronike.

Gjatë kyçjes në aplikacion, shoferi duhet të fotografojë ose të skanojë dokumentin e tij të udhëtimit dhe të vendosë targën e automjetit ose automjeteve që përdor në vendin tonë.

Advertisement

Në këtë mënyrë, shoferët e huaj, të cilët me automjetet e tyre evidentohen se kanë kryer kundërvajtje në trafik në territorin e gjithë vendit, do të mund të informohen me kohë dhe në mënyrë të thjeshtë dhe ta rregullojnë detyrimin e tyre, pa pasur nevojë për ndalesa shtesë në pikat kufitare.

Kontrolli nuk vlen vetëm për kundërvajtjet e kryera nga dita e zbatimit të sistemit, por edhe për kundërvajtjet e evidentuara më herët, që nga 1 shkurti 2026.

Nëse gjoba nuk paguhet sipas procedurës së paraparë, rasti mund t’i dërgohet gjykatës kompetente.

Dita e parë e zbatimit të “Qytetit të Sigurt” edhe për shoferët e huaj, dje u prit me reagime negative nga turistët që dilnin nga vendi përmes pikës kufitare Bogorodicë në drejtim të Greqisë.

Masa e re shkaktoi krijimin e radhëve të automjeteve, pronarët e të cilave u udhëzuan të paguanin gjobat, ndërsa kishte edhe udhëtarë që nuk ishin të informuar për masën e re.

Advertisement

Në fund të ditës së djeshme, pasi u hapën më shumë sportele për pagesën e gjobave, turma u zvogëlua. Megjithatë, një pjesë e turistëve serbë reaguan me zemërim ndaj masës së re të policisë maqedonase, ndërsa disa deklaruan se në të ardhmen, për të udhëtuar drejt Greqisë, do të përdorin rrugën përmes Bullgarisë.

Lajme nga vendi

Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria

Published

on

Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.

Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.

Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Moti sot në Maqedoninë e Veriut

Published

on

Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.

Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.

Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.

Continue Reading

Lajme nga vendi

LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare

Published

on

Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.

Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.

LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.

Continue Reading

Më të lexuarat