Lajme nga vendi
Tragjedi në rrugën Veles–Shtip: Humb jetën 46-vjeçari nga Kumanova
Një aksident i rëndë komunikacioni ka përfunduar me fatalitet këtë pasdite në rrugën Veles–Shtip, pranë udhëkryqit për fshatin Dorfulli.
Në aksident ka humbur jetën një 46-vjeçar nga Kumanova, i cili po drejtonte një automjet “Skoda Fabia”.
Sipas informacioneve fillestare, për shkaqe ende të panjohura, automjeti ka dalë nga rruga. Nga plagët e marra, shoferi ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Me urdhër të organeve kompetente, trupi i viktimës është dërguar për obduksion.
Në vendngjarje është kryer ekspertizë, ndërsa po vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Lajme nga vendi
Drejtoritë Doganore të Maqedonisë dhe Kroacisë lidhën Memorandum bashkëpunimi
Drejtori i Drejtorisë Doganore, Boban Nikollovski dhe drejtori i Drejtorisë Doganore të Republikës së Kroacisë, Mario Demiroviq, nënshkruan Memorandum bashkëpunimi.
Siç deklaroi Nikollovski, ky hap hap një kapitull të ri në lidhjet ekonomike dhe konfirmon qartë angazhimin ndaj proceseve të integrimit evropian dhe për thellimin e bashkëpunimit në fushat që janë thelbësore për përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe forcimin e sigurisë në nivel ndërkombëtar.
Sipas tij, Memorandumi nënshkruhet në një kohë kur Dogana e Maqedonisë po zbaton politika të rëndësishme reformuese për integrimin e përshpejtuar në BE, dhe përvoja kroate në këtë segment është e paçmuar dhe do të ndihmojë në sigurimin e një tranzicioni efikas drejt integrimit të plotë në sistemin doganor evropian.
“-Brenda vendeve kandidate nga Ballkani Perëndimor, ne duam që Maqedonia të njihet si lider në modernizimin e operacioneve doganore, digjitalizimin dhe zbatimin e standardeve evropiane. Jo vetëm deklarativisht, por përmes rezultateve konkrete. Prandaj, do të mësojmë nga përvoja kroate, do të pranojmë praktikat më të mira dhe do t’i përshtasim ato kushteve tona. Por ky nuk është një bashkëpunim njëkahësh. Nga pala e Maqedonisë, përvoja jonë me rrjedhat rajonale tregtare dhe roli ynë në lidhjen e tregjeve në Ballkanin Perëndimor janë vlerë shtesë për luftën e përbashkët kundër krimit ndërkufitar dhe për lehtësimin e tregtisë së ligjshme. Prandaj, sot nuk po flasim vetëm për shkëmbimin e përvojave. Po flasim për një partneritet nga i cili të dyja palët duhet të kenë përfitime konkrete. Kroacia fiton një partner më të fortë dhe më të besueshëm në rajon. Maqedonia fiton njohuri, përvojë dhe mbështetje në rrugën e saj drejt BE-së. Kompanitë tona fitojnë kushte më të mira për tregti. Dhe qytetarët tanë fitojnë diçka që është qëllimi përfundimtar i çdo reforme të mirë, institucione që punojnë më shpejt, më me efikasitet dhe më me siguri. Prandaj, besoj se Memorandumi i sotëm nuk do të mbetet vetëm një dokument. Do ta masim atë nga shpejtësia me të cilën i zgjidhim problemet, sa më pak pritje ka në kufij, sa më shumë kontrabandë zbulojmë dhe sa më shpejt i afrojmë procedurat tona doganore me ato evropiane. Qëllimi ynë është që kufiri të jetë një vend ku kontrollohet siguria, jo një vend ku humbet kohë”, tha Nikollovski.
Drejtori Demiroviq theksoi se qëllimi i bashkëpunimit strategjik të vendosur me nënshkrimin e Memorandumit është shtypja më efektive e aktiviteteve të paligjshme dhe përshpejtimi dhe thjeshtimi i procedurave doganore për subjektet ekonomike të Maqedonisë.
Ministria e Financave, Drejtoria Doganore e Republikës së Kroacisë, ka miratuar një vendim për bashkëpunim strategjik me Drejtorinë Doganore të Maqedonisë, i cili kryesisht synon bashkëpunimin me ekonominë. Qëllimi i bashkëpunimit tonë strategjik, përveç shtypjes më efikase të aktiviteteve të paligjshme dhe forcimit të bashkëpunimit operativ në mbikëqyrjen e tregtisë ndërkufitare të mallrave, është gjithashtu në një masë të konsiderueshme përshpejtimi dhe thjeshtimi i procedurave doganore për subjektet ekonomike të Maqedonisë. Përveç kësaj, qëllimi i bashkëpunimit është transferimi i të gjitha informacioneve dhe të dhënave nga fusha e legjislacionit dhe praktikës në Bashkimin Evropian nga juridiksioni doganor, si dhe teknologjia e informacionit në fushën doganore, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe lidhjeve efektive midis dy vendeve”, theksoi Demiroviq.
Lajme nga vendi
Gjykata Supreme shfuqizon vendimin e Apelit për rastin “Llaskarca”
Gjykata Supreme e rrëzoi vendimin e Gjykatës së Apelit të Shkupit në lidhje me aksidentin e autobusit në Llaskarcë, i cili ua rriti dënimet disa prej të akuzuarve, dhe e ktheu lëndën për rigjykim dhe vendimmarrje.
Siç njoftoi Gjykata Supreme, Këshilli Penal në seancën e mbajtur më 9 shtator vendosi për rastin KVP2-86/25, i njohur në publik si rasti i aksidentit të autobusit pranë fshatit Llaskarcë, lënda është kthyer për rigjykim.
“Me vendimin në rastin KVP2-86/25, pranohen kërkesat për rishikim të jashtëzakonshëm të një vendimi përfundimtar, të paraqitura nga të dënuarit përmes avokatëve të tyre mbrojtës, revokohet vendimi i Gjykatës së Apelit të Shkupit KZ-979/24 i datës 17.04.2025 dhe çështja kthehet për rigjykim dhe vendimmarrje”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.
Gjykata e Apelit rrit dënimet për disa nga të akuzuarit në rastin “Llaskarca”
Ky është vendimi me të cilin Gjykata e Apelit në maj 2025 rriti dënimet për disa nga të akuzuarit. Dënimet e pronarit të Durmo Tours, Durmish Beluli, dhe menaxherit të transportit të kompanisë, Remzi Miftari, u rritën nga gjashtë në 10 vite burg, ndërsa dënimet e punonjësve të stacionit të kontrollit teknik, Igor Gjorgievski dhe Goran Dukovski, u rritën nga pesë në shtatë vite. Dënimet për Jane Bovarovskin dhe shoferin e autobusit Manoil Trifunovskin mbetën përkatësisht pesë dhe 14 vite burg.
Në vendimin e shkallës së parë, të dhënë në janar 2024, gjashtë të pandehurit u shpallën fajtorë për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik.
Tragjedia pranë Llaskarcës ndodhi më 13 shkurt 2019, kur një autobus i Durmo Tours doli nga autostrada Shkup-Tetovë. 16 persona humbën jetën në aksident dhe më shumë se 30 u plagosën.
Lajme nga vendi
Pesë kandidatë për kreun e ri të PTHPNKOK, sot formohen komisionet për zgjedhjen
Këshilli i Prokurorëve Publikë do të mbajë sot seancën e 50-të, në të cilën pritet të formohen komisionet që do të udhëheqin procedurën për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHPNKOK).
Sipas rendit të ditës, në seancë është paraparë formimi i Komisionit për Përgatitjen e Listave të Kandidatëve, si dhe Komisionit për Zgjedhjen e Kryeprokurorit Publik të PTHPNKOK.
Për postin e kreut të ri të kësaj prokurorie deri më tani kanë aplikuar pesë prokurorë publikë. Sipas informacionit të konfirmuar për AIM nga kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Bashkim Besimi, kandidaturat i kanë dorëzuar prokurori i lartë publik Jove Cvetanovski, prokurori në Prokurorinë e Lartë Publike dhe ish-prokurori i PSP-së, Trajçe Pelivanov, prokurorja nga PSP-ja në Shkup, Lidija Raiçeviç, si dhe prokurorët nga PTHPNKOK, Iskra Haxhi-Vasileva dhe Faton Azizi.
Shpallja për zgjedhjen e kreut të ri të PTHPNKOK është publikuar në përputhje me Ligjin për Këshillin e Prokurorëve Publikë dhe Ligjin për Prokurorinë Publike.
Sipas kushteve të përcaktuara, për këtë pozitë mund të aplikojnë prokurorët publikë që kanë të paktën gjashtë vjet përvojë të pandërprerë në funksionin prokurorial deri në momentin e aplikimit dhe që kanë marrë vlerësim pozitiv gjatë tre viteve të fundit.
Zgjedhja e kryeprokurorit të ri të PTHPNKOK është planifikuar të zhvillohet më 28 tetor 2026.
Procedura për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri është iniciuar pas skadimit të mandatit të kryetarit aktual të PTHPNKOK, Islam Abazi, i cili ishte zgjedhur në këtë detyrë në tetor të vitit 2022.
-
Lajme nga vendi1 month agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota2 months agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize
-
Lajme nga bota2 months agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori

