Lajme nga vendi
Me një biletë do të udhëtohet me tren dhe autobus në Shkup
Qyteti i Shkupit, në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit, planifikon të vendosë një biletë të integruar për transportin publik, me të cilën qytetarët do të mund të përdorin trena dhe autobusë pa paguar biletë të veçantë për çdo ndërrim.
Njoftimin e bëri kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, duke shpjeguar se qëllimi është që udhëtarët të mund të kombinojnë mjete të ndryshme transporti me një biletë të vetme.
“Që të mos zbresësh nga treni, pasi ke paguar 40 denarë, dhe më pas të hipësh në autobus e të paguash edhe 35 denarë. Me një biletë të mund të udhëtosh nga Zelenikova në Gjorçe Petrov dhe të vazhdosh drejt destinacionit tjetër”, tha Gjorgjievski.
Sipas tij, sistemi synon të ulë kostot dhe kohën e udhëtimit, duke e bërë transportin publik më të thjeshtë për qytetarët.
Gjorgjievski tha se sistemi pritet të përgatitet deri në mesin e vitit të ardhshëm.
Lajme nga vendi
Gjendet i pajetë në Liqenin e Ohrit 31-vjeçari nga Shkupi, ishte raportuar i zhdukur
Ohër – Është gjetur trupi i pajetë i një 31-vjeçari nga Shkupi, i cili një ditë më parë ishte raportuar i zhdukur gjatë qëndrimit në Ohër.
Sipas SPB Ohër, trupi i B.S. (31) është gjetur mbrëmë rreth orës 22:00 në ujërat e Liqenit të Ohrit, pranë një autokampi, rreth 50 metra larg bregut.
Trupi është gjetur nga pjesëtarë të policisë së liqenit dhe efektivë të SPB Ohër. Mjeku i Ndihmës së Shpejtë ka konstatuar vdekjen, pa shenja dhune.
Identifikimin e viktimës e ka bërë një familjar. Me urdhër të prokurorit publik, trupi do t’i nënshtrohet autopsisë për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e vdekjes.
B.S. ishte raportuar i zhdukur më 14 shtator, rreth orës 18:10, nga babai i tij Z.S. (68) nga Shkupi. Sipas policisë, 31-vjeçari qëndronte me të atin në një autokamp në Ohër.
Lajme nga vendi
“Leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin” – kallëzim penal ndaj Ramiz Merkos dhe dy zyrtarëve të Strugës
Ish-kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, së bashku me dy punonjës të komunës, përballet me kallëzim penal për dyshime për kryerjen e veprës penale “punë e pandërgjegjshme në shërbim”.
Departamenti i Punëve të Brendshme në Strugë ka ngritur kallëzim penal ndaj R.M. (69) nga Struga, A.B. (40) nga Struga dhe N.R. (57) nga fshati Poum i Strugës, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për këtë vepër penale.
Sipas njoftimit të policisë, R.M., në cilësinë e ish-kryetarit të Komunës së Strugës, gjatë mandatit të tij dyshohet se ka shfrytëzuar pozitën dhe autoritetin zyrtar duke mos kryer mbikëqyrjen e detyrueshme.
Në këtë mënyrë, sipas kallëzimit penal, ai ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim dhe ka nënshkruar në mënyrë të kundërligjshme një leje ndërtimi për një parcelë kadastrale në fshatin Misleshovë të Strugës.
Në rast janë përfshirë edhe A.B. dhe N.R., të cilët, sipas policisë, në cilësinë e këshilltarit në Sektorin për Urbanizëm, Veprimtari Komunale, Komunikacion dhe Mbrojtje të Mjedisit Jetësor dhe ndihmës-udhëheqësit të të njëjtit sektor, paraprakisht dyshohet se kanë përgatitur lejen e ndërtimit në kundërshtim me ligjin.
Sipas kallëzimit, leja është përgatitur mbi bazën e dokumentacionit të paplotë, pa projekt ideor të bashkëngjitur, dhe më pas është lëshuar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Ndërtim.
Policia thotë se ndaj tre personave ekzistojnë baza dyshimi për kryerjen e veprës penale “punë e pandërgjegjshme në shërbim”, ndërsa rasti do të procedohet më tej nga organet kompetente.
Të përfshirët konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Lajme nga vendi
Qeveria zgjedh lokacionin për qendrën kombëtare të të dhënave – investim 20 milionë euro
Qendra Kombëtare e të Dhënave (Data Center) pritet të ndërtohet në afërsi të zonës teknologjike-industriale në Bunardzhik, pranë Shkupit, bëri të ditur ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski. Sipas tij, lokacioni është pranë autostradës dhe rrjetit optik, ndërsa parcela nuk është tokë bujqësore produktive. Në të ardhmen, aty mund të ndërtohet edhe një central fotovoltaik për furnizimin me energji të qendrës. Projekti vlerësohet në 20 milionë euro, ku rreth 30% do të shpenzohen për pajisje, ndërsa 70% për ndërtimin e objektit. Qeveria planifikon që qendra të ndërtohet në mënyrë modulare, duke mundësuar zgjerimin e saj në të ardhmen, përfshirë edhe infrastrukturën për përdorimin e inteligjencës artificiale. Financimi do të sigurohet me mjete shtetërore dhe komponentë granti. Qeveria po zhvillon bisedime me institucione të ndryshme financiare ndërkombëtare për sigurimin e financimit, pasi Banka Botërore nuk mund ta financojë projektin për shkak të mospërputhjes me kërkesat e BE-së. Sipas Andonovskit, blerja e pajisjeve pritet të realizohet gjatë viteve 2027–2028, në varësi të lëvizjes së çmimeve të pajisjeve harduerike. Aktualisht, Maqedonia e Veriut ka vetëm një qendër rezervë të të dhënave në Prilep, nën kompetencë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Pas ndërtimit të qendrës së re kombëtare, të dhënat e institucioneve shtetërore pritet të migrohen në infrastrukturën e re.
-
Lajme nga vendi2 months agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota2 months agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori
-
Lajme nga bota2 months agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize

