Lajme nga vendi
NDËRROI JETË XHEVAT PREKAZI – MESAZHE NGA PARTIZANI, HAJDUKU DHE GALATASARAY!
Ish-futbollisti i njohur, Xhevdat Prekazi, ka ndërruar jetë të dielën në banesën e tij në Beograd, në moshën 69-vjeçare.
I lindur më 18 gusht 1957 në Mitrovicë, Prekazi e nisi karrierën te klubi lokal Remont, për t’u transferuar më pas te Partizani i Beogradit, ku kaloi shtatë vite. Me fanellën bardhezi zhvilloi 175 ndeshje dhe shënoi 23 gola, duke fituar tre tituj kampioni dhe Kupën Mitropa në vitin 1978.
Më pas luajti për Hajdukun e Splitit, me të cilin fitoi Kupën e Jugosllavisë në vitin 1984, ndërsa karrierën e vazhdoi te gjiganti turk Galatasaray.
Me klubin e Stambollit fitoi dy tituj kampioni të Turqisë, ndërsa arriti edhe në gjysmëfinale të Kupës së Kampionëve Evropianë në vitin 1989.
Prekazi ishte veçanërisht i dashur për tifozët turq. Ai mori nënshtetësinë turke, ndërsa një rrugë në Stamboll mban emrin e tij.
Paraqitja e tij e fundit publike ishte në tetor të këtij viti në “Mundialin Ulqinak të Miqësisë” ku mori pjesë bashkë me shumë legjenda të sportit ish-jugosllav.
Partizani, Hajduku dhe Gallatasaraji u ndanë me emocione nga legjenda e tij, me mesazhet: “Preki, faleminderit për gjithçka dhe pusho në paqe!”TV KOHA
Lajme nga vendi
QEVERIA PARALAJMËRON PRIVILEGJE TË REJA PËR STUDENTËT!
Vakti i subvencionuar studentor mund të shndërrohet edhe në mundësi për zbritje shtesë në markete. Qeveria po shqyrton një model që studentëve t’ua mundësojë shfrytëzimin e mjeteve mujore edhe për blerje në rrjetet tregtare. Por, paralelisht me këtë paralajmërim, vazhdojnë kritikat për mosrritjen e shumës së subvencionit në përputhje me inflacionin.
Më shumë përfitime nga i njëjti subvencion! Ky është synimi i Qeverisë, e cila po punon për një mundësi të re që studentët, përveç vaktit të subvencionuar, të përfitojnë edhe zbritje në markete.
Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se po shqyrtohet mundësia që shuma mujore e miratuar për studentët të shfrytëzohet edhe në rrjetet tregtare, përmes privilegjeve dhe zbritjeve shtesë.
Megjithatë, për momentin nuk janë bërë të ditura marketet ku do të vlejë kjo masë, përqindja e zbritjeve dhe koha kur pritet të fillojë zbatimi.
HRISTIJAN MICKOSKI – “Ne tashmë jemi duke punuar në Qeveri për këtë çështje, në kuadër të asaj që përmenda, që studentët t’i shfrytëzojnë këto privilegje jo vetëm për vaktin studentor, por edhe shumën, përkatësisht vlerën që do t’u miratohet në nivel mujor, ta përdorin edhe në rrjetet tregtare për zbritje dhe privilegje shtesë. Qëllimi është që studentët të përfitojnë më shumë nga mbështetja financiare ekzistuese”
Paralajmërimi vjen në kohën kur subvencionimi i vaktit studentor është bërë objekt përplasjesh mes organizatave studentore dhe Ministrisë së Arsimit.
Përfaqësuesi i Forumit për Ndryshime në Arsim, Blendi Hodai, javën e kaluar njoftoi se organizata ka ngritur padi kundër Ministrisë, me pohimin se gjatë tre viteve të fundit shuma e subvencionit nuk është harmonizuar me inflacionin vjetor, siç parashihet me ligj.
Mickoski porositi se do të vazhdojë t’i mbështesë studentët dhe se pas përfundimit të karrierës politike planifikon të rikthehet në universitet.
Lajme nga vendi
ALTA BANKA: NGA E HËNA HAPEN SPORTELET NË TETOVË!
Klientët e “Alta Bankës” që nuk kanë kartela pagesore, nga e hëna, 9 nëntor 2026, do të mund të tërheqin para nga llogaritë e tyre edhe në ekspoziturat në Tetovë dhe Strumicë.
Nga java e ardhshme, limiti javor për tërheqjen e parave të gatshme dhe pagesat në pikat e shitjes me kartelat pagesore të “Alta Bankës” SHA Manastir do të rritet nga 10.000 në 15.000 denarë për një javë, njoftoi guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski.
Ndër lehtësimet e paralajmëruara është edhe mundësia që klientët të tërheqin në tërësi mjetet e reja të deponuara nga pagat, pensionet dhe transferet sociale, nëse pagesat vijnë nga institucione ose kompani që kanë llogari në banka të tjera.
Kjo masë ka të bëjë vetëm me të hyrat e reja dhe jo me të gjitha mjetet që klientët tashmë i kanë në llogaritë e tyre.
Banka Popullore më 1 nëntor vendosi administrim të përkohshëm në “Alta Bankën” në vend, me kohëzgjatje prej tre muajsh, pas falimentimit të bankës amë në Beograd.
Me këtë masë u kufizua disponimi i mjeteve të klientëve, duke u përcaktuar shuma maksimale prej 20.000 denarësh për tërheqje.
Problemet nisën në Serbi, pas zgjedhjeve, kur më 30 tetor Banka Popullore e Serbisë ia hoqi licencën e punës “Alta Bankës” në Beograd, për shkak të përkeqësimit të gjendjes financiare.
Pasojat u reflektuan edhe në funksionimin e “Alta Bankës” në vendin tonë.
Lajme nga vendi
15 NËNTORI – DITA E PREMATURITETIT, NË TETOVË VETËM 2% E FOSHNJAVE LINDIN PARA KOHE
15 nëntori shënon datën e prematuritetit, apo ndryshe njihet si dita e fëmijëve të lindur parakohe. Në rajonin e Tetovës, vetëm 2% e fëmijëve janë të lindur parakohe, ndërsa nëse marrim totalin në Maqedoni të veriut, kjo shifër shënon rreth 10%. Pediatri në repartin e neonatologjisë në Spitalin Klinik të Teovës, Fitim Rexhepi shpjegon se dallimi qëndron në atë se rastet që gjinekologët i konstatojnë me rrezikshmëri të lartë për lindje të parakohshme, dërgohen në Shkup paraprakisht, në institucionet terciale ku ka kujdes intenziv.
Rexhepi thotë se rastet kur të lindurit parakohe nuk shfaqin gjendje të mirë klinike apo përmirësim brenda disa orësh, me ekip special dhe mjete speciale dërgohet për në Klinikën e Shkupit, ku kushtet për kujdes inteziv janë më të përshtatshme.
Reparti i gjinekologjisë dhe neonatoloigjisë në Spitalin Klinik të Tetovës ka gati dy vite që është tjetërsuar dhe për momentin, është lider në mirëmbajten e rendit, si dhe suksesit të treguar në trajtimin e nënave dhe fëmijëve të posalindur. Ndërsa pas përmiërsimit të dukshëm të kushteve dhe shërbimeve, nga viti në vit, ka shënuar rritje të numrit të lindjeve. Kujtojmë se Maqedonia e Veriut shënon vdekshmërinë më të ulët të të posalindurve dhe të foshnjeve në rajon, me vetëm 3 në 1000 lindje, krahasur me vendet tjera që shënojnë numër më të lartë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

