Lajme nga bota
15 të plagosur nga zjarri në një spital, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme
Të paktën 15 persona u plagosën nga një zjarr që përfshiu dje në mbrëmje një spital në Berlin, ndërsa policia po heton rastin e dyshuar të zjarrvënies së qëllimshme.
Sipas policisë, dyshohet se një pacient i vuri flakën krevatit të tij, në një dhomë në katin e parë të ndërtesës së spitalit, në qarkun lindor të Lichtenbergut.
Zjarrfikësit arritën të shuanin flakët, por tymi u përhap edhe në pjesë të tjera të ndërtesës, duke detyruar autoritetet të evakuonin një pjesë të spitalit.
Trembëdhjetë persona pësuan plagë të lehta. Një infermiere dhe pacienti i dyshuar për zjarrvënien, pësuan gjithashtu probleme nga thithja e tymit dhe morën trajtim mjekësor.
Infermierja u largua nga spitali pas marrjes së ndihmës mjekësore, ndërsa pacienti vijon të jetë i shtruar.
Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Lajme nga bota
Nga burgu në Turqi te komploti ndaj biznesmenit në Greqi, lidhjet e autorëve nga RMV-ja me shërbimet sekrete iraniane
Zyrtarët në agjencitë e inteligjencës së Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut besojnë gjithashtu se plani i të dyshuarve është hartuar në bashkëpunim me agjencitë sekrete të Iranit, një pretendim që ambasada e Iranit në Athinë e ka hedhur poshtë si propagandë izraelite të pabazë.
Agjencitë e të dy vendeve u njoftuan për komplotin nga një agjenci e tretë e paidentifikuar, e cila supozohet gjerësisht të jetë Mossadi i Izraelit. Një i dyshuar është ende i lirë, të gjashtë janë shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Zyrtarë nga Maqedonia e Veriut kanë thënë se dy nga të dyshuarit kishin krijuar lidhje me shtetas iranianë në një burg turk, ku secili prej tyre po vuante dënime me 14 vjet burg për trafik droge. Të dy ishin dënuar në vitin 2010 dhe ishin liruar në vitin 2020.
Greqia dhe Maqedonia e Veriut kanë publikuar emrat e dy shtetasve iranianë që dyshohet se janë të lidhur me komplotistët, njëri, Edris Jahangiri Mavaneh, përshkruhet se ka një lidhje të drejtpërdrejtë me Gardën Revolucionare të Iranit dhe, sipas zyrtarëve grekë, kërkohet nga disa agjenci inteligjence, përfshirë CIA-n dhe Mossadin.
Iraniani tjetër, Naji Sharifi Zindashti, ishte arrestuar dhe akuzuar për kontrabandën e dy ton heroinë në Greqi në vitin 2014, por ishte liruar nga akuzat për mungesë provash të mjaftueshme.
Sipas autoriteteve, ishte ai që e lidhi Mavaneh-un me kriminelët e Maqedonisë së Veriut.
Zindashti është gjithashtu subjekt i një urdhër-arresti të FBI-së që nga viti 2024 për dyshimin e rekrutimit të dy kanadezë të grupit “Hells Angels”, të përfshirë në trafikun e drogës në të kaluarën, për të vrarë dy disidentë iranianë që banonin në SHBA.
Autoritetet mendojnë gjithashtu se njëri nga të dyshuarit ka marrë pjesë në një sulm ndaj një poste të policisë kufitare në fshatin Gosince, më 21 prill 2015.
Në atë sulm, rreth 40 burra të armatosur, të veshur me stemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, lidhën dhe rrahën katër policë të Maqedonisë së Veriut dhe u vodhën armët dhe pajisjet e komunikimit.
I dyshuari në arrati thuhet se ka marrë pjesë në një pritë në vitin 2008 kundër agjentëve të antiterrorizmit të Maqedonisë së Veriut, duke vrarë njërin prej tyre.
Lajme nga bota
Zelensky konfirmon sulmet ndaj anijeve ruse pranë Libisë, OKB-ja kërkon hetim
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky konfirmoi sot se shërbimi i inteligjencës së vendit të tij kreu sulmet e një dite më parë ndaj anijeve ruse pranë brigjeve të Libisë.
Në një reagim në platformën X, Zelensky bëri të ditur se gjatë operacionit, u përdorën shtatë mjete detare pa pilot, të prodhuara në Ukrainë. Sipas tij, gjatë sulmit u fundos anija luftarake ruse “Merkury”.
Korveta, e cila hyri në shërbim në vitin 2023, ishte një nga anijet më moderne të flotës detare ruse.
Zelensky shtoi se ishte goditur edhe anija tregtare “Angara”, të cilën Rusia e përdor për transportin e armëve.
Presidenti publikoi gjithashtu një video të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, ku shfaqet një sulm gjatë natës ndaj një anijeje luftarake, në siluetën e së cilës dallohet “Merkury”.
Sipas tij, sulmi ndaj anijes “Angara” u krye gjatë ditës, në det të hapur.
Burime zyrtare në Libi raportuan dje shpërthime në një anije luftarake ruse, e cila ishte ankoruar në bazën detare të Bengazit.
Qeveria libiane deklaroi se goditja e një anijeje brenda një porti libian përbën sulm ndaj sovranitetit kombëtar dhe shkelje të sigurisë portuale dhe të lundrimit detar.
Ajo theksoi se Libia nuk është palë në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës dhe nuk lejon përdorimin e territorit, ujërave apo porteve të saj për zgjidhjen e konflikteve ose kryerjen e akteve armiqësore.
Në reagimin e tij në X, Zelensky deklaroi se Ukraina do të vazhdojë operacionet në zonat e përcaktuara, duke iu përgjigjur agresionit rus dhe duke zhvilluar armët e saj.
Ndërkohë, mediet libiane dhe ekspertët detarë raportuan se në shënjestër ishte edhe anija tregtare ruse “Ascalon”.
Në videot që pretendohet se tregojnë sulmin, një mjet detar pa pilot, shihet duke iu afruar një anijeje mallrash, përpara se të ndodhë një shpërthim.
Anija “Ascalon” kishte kaluar në Ngushticën e Gjibraltarit dhe ishte drejtuar për në Detin Mesdhe në fillim të këtij muaji.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione ndaj saj në vitin 2022, me pretendimin se transportonte armë dhe pajisje ushtarake për Rusinë.
Megjithatë, ende nuk ishte e qartë nëse, përveç korvetës “Merkury”, ishin sulmuar dy anije tregtare apo vetëm njëra prej tyre.
“Angara” dhe “Ascalon” janë anije transporti mallrash të ndërtuara pothuajse në të njëjtën periudhë dhe, sipas faqeve të specializuara të transportit detar, kanë strukturë shumë të ngjashme dhe janë pothuajse të padallueshme nga jashtë.
Ukraina është akuzuar edhe për disa sulme të mëparshme ndaj anijeve ruse në Detin Mesdhe.
Ndër to përfshihet edhe sulmi ndaj cisternës së gazit të lëngshëm “Arctic Metagaz”, e cila u shkatërrua pranë brigjeve të Libisë në muajin mars.
Në atë kohë, nuk pati asnjë konfirmim zyrtar se Ukraina qëndronte pas sulmit.
Organizata e Kombeve të Bashkuara shprehu shqetësim për sulmet dhe kërkoi një hetim të menjëhershëm.
“Libia nuk mund ta përballojë dhe nuk duhet të shndërrohet në një fushëbetejë për konfliktet e huaja”, deklaroi Misioni i Mbështetjes së OKB-së në Libi (UNSMIL).
Në deklaratë u theksua gjithashtu se sovraniteti, integriteti territorial i Libisë dhe siguria e qytetarëve dhe pronave të saj duhet të respektohen plotësisht.
Ministri i Brendshëm i Maltës, Glenn Bedingfield, deklaroi se sulmi ndaj anijes tregtare ndodhi rreth 300 kilometra në jugperëndim të Maltës, afërsisht në gjysmën e distancës mes ishullit të BE-së dhe qytetit portual libian të Bengazit.
Ai e cilësoi sulmin si një tjetër tregues të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Mesdhe, duke theksuar se kjo është një çështje që nuk mund të shpërfillet. përcjell Zhurnal.mk .
Lajme nga bota
Danimarka drejt ndalimit të telefonave në shkolla, nga viti 2027 kufizime edhe për rrjetet sociale
Danimarka po përgatitet të vendosë rregulla të reja për përdorimin e pajisjeve elektronike në shkolla, duke parashikuar ndalimin e telefonave celularë dhe bllokimin e disa faqeve të internetit gjatë procesit mësimor. Masat e reja pritet të hyjnë në fuqi nga viti shkollor 2027 dhe do të përfshijnë shkollat fillore dhe të mesme. Kufizimet nuk do të prekin vetëm telefonat inteligjentë, por edhe pajisjet e tjera personale që kanë akses në internet.
Ministri i Arsimit, Magnus Henike, deklaroi se fëmijët duhet të kenë mundësinë të ndjekin mësimet pa u shpërqendruar vazhdimisht nga mediat sociale, blerjet online apo videolojërat. Plani parashikon instalimin e filtrave në rrjetet e internetit të shkollave, për të kufizuar aksesin në platformat sociale, lojërat online dhe dyqanet elektronike gjatë orëve të mësimit.
Megjithatë, jo të gjitha vendimet do të merren nga qeveria qendrore. Komunat dhe vetë shkollat do të kenë mundësi të përcaktojnë se cilat faqe do të bllokohen, në varësi të nevojave të tyre arsimore. Me këtë nismë, Danimarka i bashkohet një grupi vendesh që kanë ndërmarrë masa për të kufizuar përdorimin e telefonave në shkolla, mes shqetësimeve për ndikimin e tyre në përqendrimin dhe sjelljen e nxënësve.
Edhe Holanda, Koreja e Jugut dhe Italia kanë ndërmarrë hapa në këtë drejtim, ndërsa propozime të ngjashme janë diskutuar së fundmi edhe në Poloni dhe Republikën Çeke.

