Lajme nga vendi
BËRVENICË, EKSPOZITË E SHPENDËVE DEKORATIVË DHE RACAVE AUTOKTONE
Dashamirës të shpendëve dhe kafshëve të vogla nga vise të ndryshme të Maqedonisë së Veriut janë mbledhur në Bërvenicë, në kuadër të ekspozitës së shpendëve, shpendëve të imëta dhe kafshëve të vogla. Në këtë ngjarje, e cila ka edhe karakter garues, janë prezantuar raca të ndryshme të pulave dhe pëllumbave, përfshirë edhe racat autoktone maqedonase. Ekspozita ka tërhequr kultivues të shumtë, por edhe vizitorë të interesuar për këtë pasion. Një prej pjesëmarrësve të rregullt është edhe Beadin Muaremi, i cili merret me kultivimin e shpendëve dekorativë. Ai këtë vit është prezantuar me racën gjermane Federfuss, e njohur si një racë e pulave të vogla dekorative. Sipas tij, kjo racë ka mjaft kultivues edhe në vendin tonë dhe interesimi për të vazhdon të jetë i madh, ndonëse nuk kultivohet për përfitime nga vezët apo mishi, por kryesisht për pamjen dhe bukurinë e saj.
BEADIN MUAREMI – Kultivues shpendësh
“Unë marr pjesë çdo vit, është panairi shtetëror i shpezëve në RMV, unë jam pjesëmarrës me racen federface për ndryshe është ferderfuz është një racë gjermane, këto bëjnë pjesë pulat e vogla, janë shpezë dekorative. Këtu te ne ka shumë që e ruajnë këtë racë, është shumë interesimi i madh. Dmth si racë është racë dekorative por nuk është fitimprurëse për vezë ose për mish.”
Përveç ekspozimit, panairi shërben edhe si hapësirë për shkëmbimin, blerjen dhe shitjen e shpendëve, ku vizitorët mund të gjejnë raca të ndryshme, në varësi të interesimit dhe preferencave të tyre. Për disa nga pjesëmarrësit, kultivimi i shpendëve është një pasion i trashëguar dhe një hobi që e ruajnë ndër vite, me interes të veçantë për pulat e vogla dekorative. Ndërkaq, pëllumbat mbeten një tjetër atraksion i ekspozitës. Disa prej kultivuesve tregojnë se ky pasion i shoqëron prej dekadash.
“Kemi dal t’i vizitojmë. Unë blej dhe shes. Me shumë racat më interesante. Si italiankat, titinkat, federfiska, me ngjyra pa ngjyra, varet nga merraku”.
“Unë si hobi e kam, pulat më interesojnë me tëpër, këta të voglat, kikirezkat”.
“Unë jam merakli për pëllumba. Ruaj pëllumba 60 vjet. 60 vjet merrem me këtë sport, më intereson. Të gjitha gjallesat, pula apo pëllumba më intersojnë që fëmijë. I kam merak”.
Përzgjedhja dhe vlerësimi i racave është një tjetër pjesë e rëndësishme e kësaj ekspozite. Gjyqtari sportiv, Tane Serbinovski, thotë se këtë vit janë prezantuar mjaft raca dhe ekzemplarë të pëllumbave dhe pulave, përfshirë edhe disa nga racat autoktone.
Tane Serbinovski – Gjyqtar sportiv
“Momentalisht kanë ekspozuar mjaftë raca dhe shembuj të pëllumbave dhe pulave si dhe racat auotktone maqedonase të pëllumbave, si dyneki, pëllumbi tetovar dhe kemi pëllumba të frizirt”.
Organizatorët vlerësojnë se interesimi i vizitorëve dhe pjesëmarrja nga rajone të ndryshme të vendit dëshmojnë për rëndësinë e kësaj ngjarjeje. Kryetari i Asociacionit për Kujdesin e Shpendëve Dekorativë, Vanço Ilievski, thekson se bashkëpunimi me shoqatën tetovare ka mundësuar organizimin e edicionit të 19-të të ekspozitës, duke synuar ngritjen e nivelit të garës dhe promovimin e kultivimit të shpendëve dekorativë.
VANÇO ILIEVSKI – Kryetar i Asociacionit për Kujdesin e Shpendëve Dekorativë
“Në bashkëpunim me shoqatën e Tetovës për kultivimin e shpendëve të imëta ‘Gjeli Diamant’ organizojmë ekspozitën e 19-të që ka edhe karakter garues. Jemi shumë të kënaqur nga vizitorët, nga vendosja e ekspozitës dhe falënderojmë pjesëmarrësit që vijnë nga të gjitha viset e vendit. Padyshim rajoni i Tetovës është më i përfaqësuar, pasi këtu kemi njerëz që me vullnet mbikëqyrin procedurën e kultivimit të shpendëve dekorativë. Kemi vendosur frymën garuese sepse duam që këtë ngjarje ta ngremë në nivel më të lartë, për shkak se kjo ngjarje bashkon njerëzit dhe shton dashurinë ndaj shpezëve”.
Ekspozita në Bërvenicë edhe këtë vit ka bashkuar kultivuesit, koleksionistët dhe dashamirësit e shpendëve, duke krijuar mundësi për prezantimin e racave të ndryshme, shkëmbimin e përvojave dhe ruajtjen e traditës së kultivimit të tyre. /TV KOHA/







Lajme nga vendi
TOSHKOVSKI: RASTET PENALE ENDE REGJISTROHEN NË FLETORE!
Në Maqedoninë e Veriut, rastet penale ende evidentohen në regjistra të shkruar me dorë. Këtë realitet e pranoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke paralajmëruar digjitalizimin e evidencave. Ai foli edhe për reagimin e policisë ndaj rasteve të dhunës, duke pranuar se ka pasur gabime në ndërhyrje.
Në Maqedoninë e Veriut, rastet penale ende evidentohen dhe regjistrohen në fletore. Kështu deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Në një konferencë për media, Toshkovski tha se këtë gjendje e kishte konstatuar që në kohën kur për herë të parë mori detyrën e ministrit, në kuadër të Qeverisë teknike.
Ai e cilësoi këtë praktikë si të dhimbshme, por njëkohësisht edhe qesharake, duke theksuar se shtetet e zhvilluara evropiane e kanë përfunduar procesin e digjitalizimit të evidencave penale para rreth 30 vitesh.
“Maqedonia ende funksionon me një sistem ku rastet penale evidentohen në regjistra të shkruar me dorë. Sado qesharake të duket kjo për dikë, për fat të keq, ky është realiteti. Për digjitalizimin po punojmë çdo ditë dhe është shumë e rëndësishme që këtë proces ta realizojmë si Ministri e Punëve të Brendshme. Kjo është detyra jonë. Ka qenë detyra jonë edhe gjatë 35 viteve të fundit, por nuk e kemi përfunduar. Suedia, për shembull, e ka realizuar këtë proces para rreth 30 vitesh. Ne po e bëjmë sot. A do të ishte më mirë ta kishim bërë vitin e kaluar? Po, sigurisht.”
Gjatë konferencës, ministri foli edhe për dhunën dhe rritjen e ndërgjegjësimit të viktimave për denoncimin e rasteve.
Toshkovski pranoi se gjatë reagimeve dhe ndërhyrjeve policore ka pasur edhe gabime por tha se këtë vit viktimat janë më të inkurajuara për të raportuar rastet e dhunës, ndërsa institucionet janë më të fokusuara në trajtimin e tyre.
“MPB-ja ka ndërmarrë të gjitha hapat për çdo rast dhune, kërcënimi apo shkaktimi të rrezikut të përgjithshëm. A kemi reaguar gjithmonë me profesionalizëm maksimal? Absolutisht jo. A kemi pasur gabime? Po. A ka reaguar Departamenti për Kontroll të Brendshëm? Po. A do të ketë vepra penale? Po. Çështja është se si do të jepet përgjigjja e duhur ndaj tyre. Më vjen mirë që këtë vit viktimat janë më të inkurajuara për të denoncuar rastet, ndërsa institucionet janë më të fokusuara.”
Ndryshe, sot Ministria e Punëve të Brendshme, në koordinim me sindikatat dhe Shoqatën e Gazetarëve, themeloi Komitetin Nacional për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Sigurisë së Gazetarëve.
Lajme nga vendi
MYFTINIA E TETOVËS: TURNE FUTBOLLI MIDIS XHAMIVE PËR FESTAT E NËNTORIT!
Fryma e festës, sportit dhe bashkimit ka mbledhur dhjetëra ekipe në Zhelinë.
Për nder të Festave të Nëntorit, Myftinia e Tetovës organizon turneun tradicional të futbollit, ku marrin pjesë ekipet e xhamive nga rajoni i Tetovës.
Plot 36 ekipe, të përbëra nga pjesëtarë të xhemateve të ndryshme, janë bërë pjesë e këtij aktiviteti sportiv, i cili përveç garës në fushë, përcjell mesazhin e miqësisë, solidaritetit dhe bashkimit.
SELVER XHEMAJLI – Myfti i Tetovës
Turneu po zhvillohet në sallën sportive të shkollës “Luigj Gurakuqi” në Zhelinë, ndërsa tashmë është shndërruar në një traditë që bashkon xhematet përmes sportit dhe atmosferës festive.
Për organizatorët, rëndësia e këtij aktiviteti nuk qëndron vetëm te rezultati sportiv, por mbi të gjitha te fryma e vëllazërisë, respektit dhe unitetit që përcjell./TV KOHA/
Lajme nga vendi
Ndalohet 31-vjeçari nga Tetova, ishte i dënuar me një vit burg
MPB njofton se ka arrestuar një 31-vjeçar nga Tetova, i cili ishte i dënuar me burg për kryerjen e një vepre penale.
“Më 22.11.2026 në orën 13:30, oficerë policie nga Departamenti i Policisë Kriminale në kuadër të SPB Tetovë, në koordinim me Sektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në Ministrinë e Brendshme, ndaluan M.B. (31) nga fshati Çellopek, rajoni i Tetovës, në bazë të një urdhri gjyqësor për të vuajtur dënimin me burg prej një viti për një krim të kryer sipas nenit 386, paragrafi 1 i Kodit Penal.
Personi u dërgua në Burgun e Tetovës për të vuajtur dënimin”, thonë nga MPB.

