Lajme nga vendi
BE KONFIRMON TË ARDHMEN EVROPIANE TË RMV – TË ZGJIDHEN ÇËSHTJET DYPALËSHE!
Me bindjen se zgjerimi është imperativ strategjik për Bashkimin Evropian, ka përfunduar samiti BE–Ballkani Perëndimor, i cili u mbajt dje në Bruksel. Në konferencën përmbyllëse për media, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se integrimi gradual është kyç për afrimin e mëtejshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
Në Samitin BE – Ballkani Perëndimor, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, konfirmoi se do të ketë rishpërndarje të mjeteve financiare nga Plani i Rritjes në favor të tri vendeve që konsiderohen si më të avancuarat në zbatimin e reformave. Në mesin e tyre është edhe Maqedonia, së bashku me Malin e Zi dhe Shqipërinë.
URSULA FON DER LAYEN – Presidente e KE-së
“Ne po punojmë intensivisht në të dy drejtimet paralelisht. Kjo do të thotë se po punojmë me intensitet për buxhetin afatgjatë, por njëkohësisht po punohet intensivisht edhe në procesin e zgjerimit. Kjo dëshmohet përmes konferencave ndërqeveritare që po mbajmë, takimeve të ministrave të Punëve të Jashtme, si dhe punës intensive të komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, me vendet kandidate, me qëllim që të çojë përpara procesin e zgjerimit. Të dy proceset janë të rëndësishme dhe zhvillohen paralelisht”
Edhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, bëri thirrje që të shfrytëzohet momenti dhe mundësia për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Megjithatë, ai rikujtoi sfidat aktuale, përfshirë çështjet dypalëshe mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, si dhe mosmarrëveshjet mes Malit të Zi dhe Kroacisë, për shkak të kërkesave të kësaj të fundit në prag të anëtarësimit të Malit të Zi në BE.
ANTONIO COSTA – President i Këshillit Evropian
“Bashkëpunimi rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë parakushte kyçe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Pres përparim të mëtejshëm në zgjidhjen e çështjeve të hapura dypalëshe. Sfidat që kanë rrënjë në të kaluarën duhet të tejkalohen. Është koha të shikojmë përpara dhe jo prapa”
Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski, i cili mori pjesë në samit në Bruksel, përsëriti edhe një herë qëndrimin e Qeverisë së Maqedonisë, duke kërkuar që përparësi t’i jepet planit të veprimit për pakicat dhe vetëm më pas të diskutohen ndryshimet kushtetuese.
HRISTIJAN MICKOSKI – Kryeministër i RMV-së
“Edhe nëse nesër vendosim ta ndryshojmë Kushtetutën, gjë që nuk do të ndodhë, sërish përpara nesh do të kemi një pengesë, e ajo është plani i veprimit për pakicat. Prandaj, ne kemi dhënë një propozim dhe mendoj se është thelbësisht e rëndësishme që fillimisht të diskutojmë planin e veprimit për pakicat. Le të merremi vesh për këtë, pasi 26 vende anëtare nuk kanë kundërshtime dhe vetëm një është kundër. Vetëm më pas të shohim nëse ka hapësirë për të diskutuar për çështje të tjera”
Ky ishte samiti i dytë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor brenda gjashtë muajve, pas atij të mbajtur në qershor në Tivat të Malit të Zi.
Në samitin e qershorit u prezantua i ashtuquajturi propozim franko-gjerman për integrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili parasheh që gjashtë vendet e rajonit të përfitojnë të drejta, privilegje dhe përfitime të caktuara nga Bashkimi Evropian edhe para anëtarësimit të tyre formal në këtë union.
Lajme nga vendi
Sindikata e Kulturës në protestë kundër shfuqizimit të marrëveshjes kolektive
Me një performancë simbolike të një “funerali” drejtësie, duke ndezur qirinj para pankartave me mbishkrimet “Drejtësi ” dhe “Të drejta”, Sindikata e Kulturës ka dalë në protestë përpara Gjykatës Kushtetuese kundër shfuqizimit të marrëveshjes kolektive për të punësuarit në institucionet e kulturës.
Nga sindikata druajnë se me këtë akt mund të kërcënohen të drejtat e mijëra të punësuarve, përfshi këtu edhe përllogaritjen aktuale të pagave.
“Ne nuk kërkojmë asgjë, kërkojmë diçka që ka filluar të kërkohet prej shekullit 17-18 mund të them. Miq të dashur ne nuk kërkojmë asgjë përveç se të drejtave tona që kanë kërkuar, siç thash më herët në shekullin 17 e 18 dhe këto grupime të punëtorëve janë ndaluar në vitin 1800 në Angli. Pyetja ime është a kthehemi ne në vitin 1800 kur u ndaluan grupimet dhe kjo nëse bëhet si presedan do të jetë shumë e vështirë.”, – deklaroi Diu Rashidi nga Sindikata e Kulturës.
Protestuesit këmbëngulin në mbrojtje të të drejtave të tyre.
“Bëhet fjalë për llogaritjen e pagave, pagat thuhej se ishin shumë të larta, nuk kishte marrëveshje kolektive në kulturë për 30 vjet, pagat paguheshin siç vendosnin drejtorët, ato ishin shumë të ulëta.”, – tha një protestues.
“Vlera e koeficientit shumëzohet me punën, kështu që kushdo që punon normalisht do të ketë të gjitha të drejtat e reduktuara nga fakti se ata që duan që vlera e koeficientit si minimum të hiqet.”, – tha një protestues tjetër.
Kryetarja e Sindikatës së Kulturës tha se është absurde që punëtorët duhet të mbrojnë të drejtat e tyre të fituara para institucionit që supozohet të jetë mbrojtës i kushtetutshmërisë.
Protestuesit kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të shtyjë vendimin e saj deri në mbajtjen e një seance dëgjimore publike në të cilën përfaqësuesit e sindikatës do të kenë mundësinë të paraqesin argumentet e tyre. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
Lajme nga vendi
Ndryshimet kushtetuese, Rokas paralajmëron hap gjigant
Nëse Kuvendi miraton ndryshimet kushtetuese, qëllimi i Bashkimit Evropian është që Maqedonia e Veriut të mbajë dy konferenca ndërqeveritare me BE-në në të njëjtën ditë dhe të hapë grupin e parë negociues “Bazat”, thotë ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas për “360 Gradë”.
“Qëllimi ynë është, pasi të miratohen ndryshimet kushtetuese, të mbajmë dy konferenca ndërqeveritare njëra pas tjetrës, në të njëjtën ditë. E para do të përfundonte hapjen e negociatave të pranimit, dhe e dyta do të hapte grupin “Bazat”. Ky është qëllimi ynë. Mund ta përdorim kohën deri në miratimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend për të punuar në këto tre dokumente dhe të jemi gati për të ecur përpara.”, thotë Rokas.
Grupi “Bazat”, i cili mbulon sundimin e ligjit, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, hapet i pari dhe mbyllet i fundit.
Për hapjen e tij, nevojitet një udhërrëfyes për reformën e administratës publike dhe një udhërrëfyes për sundimin e ligjit, me të cilin është i lidhur edhe Plani i Veprimit për Minoritetet, shpjegon ambasadori i BE-së.
Lajme nga vendi
KREDITË E SHPEJTA: SI DO T`U KTHEHEN MJETET QYTETARËVE TË DËMTUAR!
Më shumë se 26 mijë qytetarë në Maqedoninë e Veriut duhet të marrin mbrapsht mbi 140 milionë denarë, të cilat shoqëritë financiare ua kanë arkëtuar në kundërshtim me dispozitat ligjore, kryesisht në formë të shpenzimeve për vërejtje dhe njoftime për shkak të vonesave në shlyerjen e kredive të shpejta. Kontrollet inspektuese kanë përfshirë dokumentacionin për periudhën nga viti 2023 deri në vitin 2026, ndërsa kompanitë ndaj të cilave janë marrë vendime kanë afat prej 30, 60 ose 90 ditësh për t’i kthyer paratë.
Për qytetarët, informacioni më i rëndësishëm është se, sipas deklaratave të drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Vllatko Stojkoski, personat e përfshirë në vendimet inspektuese nuk kanë nevojë të paraqesin kërkesë të veçantë.
Shoqëritë financiare të përfshira në vendimet inspektuese duhet vetë t’i identifikojnë klientët të cilëve u janë arkëtuar në mënyrë të paligjshme mjete financiare, t’i kontaktojnë dhe të realizojnë kthimin e parave. Janë përcaktuar afate prej 30, 60 ose 90 ditësh, varësisht nga numri i konsumatorëve të prekur.
Kontrollet nuk kanë të bëjnë vetëm me kreditë aktive. Meqë inspektorët kanë kontrolluar dokumentacionin për periudhën nga viti 2023 deri në vitin 2026, arsye për të kontrolluar dokumentacionin e tyre kanë edhe qytetarët që ndërkohë i kanë shlyer plotësisht kreditë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për ata të cilëve u janë faturuar shuma të veçanta për njoftime përmes SMS-ve, njoftime telefonike, vërejtje me shkrim, shpenzime administrative të lidhura me vonesat apo tarifa të tjera të ngjashme.
Qytetarët që kanë shfrytëzuar kredi të shpejta në periudhën nga viti 2023 deri në vitin 2026 dhe dyshojnë se u janë faturuar shpenzime për vërejtje ose njoftime, fillimisht mund të kontrollojnë kontratën, anekset, fletëpagesat, ekstraktet bankare dhe komunikimin me shoqërinë financiare.
Nëse dokumentacioni nuk është i plotë, rekomandohet që nga shoqëria financiare të kërkohet me shkrim një përllogaritje e detajuar e të gjitha pagesave të arkëtuara.
Nëse kompania nuk përgjigjet ose refuzon të kthejë mjetet për të cilat qytetari konsideron se janë arkëtuar në mënyrë të paligjshme, mund të paraqitet ankesë në Inspektoratin Shtetëror të Tregut.
Kujdes i shtuar nevojitet edhe në rastet e borxheve për të cilat tashmë zhvillohet procedurë pranë noterit ose përmbaruesit. Kundërshtimi ndaj shoqërisë financiare ose ankesa në Inspektoratin e Tregut nuk nënkupton automatikisht se procedura e arkëtimit të borxhit ndërpritet./Tv Koha/

