Sport
EURO U-21 NË SHQIPËRI E SERBI: HIDHET SHORTI PËR FAZËN E GRUPEVE!
Mbrëmë në Beograd është hedhur shorti për fazën e grupeve të Kampionatit Evropian për futbollistët deri në 21 vjeç, ku janë përcaktuar katër grupet e turneut kontinental. Para tërheqjes së shortit, ishte përcaktuar që Serbia të ishte pjesë e Grupit A, ndërsa Shqipëria në Grupin B. Përfaqësueset e tjera u shpërndanë në tri vazot e mbetura.
Kampionati Evropian për futbollistë deri në 21 vjeç, në vitin 2027 do të mbahet nga 16 qershori deri më 2 korrik, kurse organizimin e turneut final do ta ndajnë Serbia dhe Shqipëria, të cilët si nikoqirë siguruan plasma direkt në këtë kampionat.
Shorti, vendosi Shqipërinë në grup me Spanjën, Italinë dhe Finlandën.
Sa i përket grupeve të tjera, Anglia do të jetë me Francën, Poloninë dhe Serbinë në Grupin A.
Në Grupin C, goglat vendosën Portugalinë, Kroacinë, Greqinë dhe Çekinë.
Në Grupin D, Gjermania, Holanda, Norvegjia dhe Belgjika
Ndeshjet e këtij kampionati do të zhvillohen në tetë stadiume, nga katër në secilin prej dy vendeve organizatore.
Në Serbi, takimet do të luhen në stadiumin e Partizanit në Beograd, “Duboqica” në Leskovc, “TSC Arena” në Baçka Topollë dhe “Lagator” në Loznicë.
Ndërkaq, Shqipëria do të mirëpresë përfaqësueset e reja evropiane në “Arena Kombëtare” dhe “Arena e Demave” në Tiranë, “Loro Boriçi” në Shkodër dhe “Elbasan Arena” në Elbasan.
Sport
LIGA EUROPA: TENSIONE NË NDESHJEN BESHIKTASH – HAPOEL BER SHEVA!
Një ndeshje futbolli mes Beshiktashit turk dhe ekipit izraelit Hapoel Beer-Sheva është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes tifozëve dhe policisë në qytetin e Batumit, në Gjeorgji. Shkak për incidentet u bë edhe shfaqja e mesazheve në mbështetje të Palestinës nga tifozët turq.
Ndeshja në kuadër të Ligës Europa midis Beshiktashit dhe Hapoel Ber Sheva që duhej të luhej në Stamboll, për shkaqe sigurie u zhvillua në Batumi të Gjeorgjisë dhe përfundoi me fitoren 2-1 të Beshiktashit.
Situata doli jashtë kontrollit në tribunat e stadiumit, ku pati përplasje mes tifozëve dhe forcave të policisë. Si pasojë, ndeshja u ndërpre përkohësisht në minutën e 26-të, ndërsa arbitri urdhëroi të dyja skuadrat të largoheshin drejt dhomave të zhveshjes.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Gjeorgjisë, tre efektivë policie mbetën të plagosur dhe 16 persona u ndaluan. Autoritetet gjeorgjiane pretendojnë se disa tifozë hodhën edhe ulëset e stadiumit në drejtim të policisë.
Nga ana tjetër, agjencia turke e lajmeve DHA raportoi se policia përdori sprej djegës ndaj tifozëve, disa prej të cilëve patën nevojë për ndihmë mjekësore.
Klubi turk reagoi ashpër ndaj veprimeve të policisë gjeorgjiane. Beshiktashi bëri të ditur se ka paraqitur ankesë pranë UEFA-s.
Edhe Federata Turke e Futbollit dënoi ndërhyrjen e policisë, duke e cilësuar sjelljen ndaj mbështetësve të Beshiktashit si të papranueshme.
Ngjarja mori edhe përmasa diplomatike, pasi ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, kontaktoi homologen e tij gjeorgjiane. Ndërkohë, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e Beshiktashit, Serdal Adali, duke e informuar se po i ndiqte nga afër zhvillimet.
Në mbështetje të Beshiktashit dolën edhe klubet rivale Gallatasaraj, Fenerbahçe, si dhe Trabzonspor, të cilët dënuan incidentet. Mesazhe solidariteti u publikuan gjithashtu nga përfaqësues të politikës dhe sportit në Turqi.
Lajme nga vendi
MYFTINIA E TETOVËS: FUTBOLLI SI URË MIQËSIE MES XHEMATEVE – SPEKTAKËL NË ZHELINË!
Futbolli bëhet më shumë se lojë kur në fushë zbret fryma e miqësisë, vëllazërisë dhe bashkimit! Nën moton “Sport, miqësi, bashkim”, ky aktivitet në Zhelinë ka mbledhur qindra sportdashës, duke dëshmuar se sporti është një gjuhë që bashkon njerëzit përtej garës dhe rezultatit. Ndërsa turneu po i afrohet finales së madhe, mesazhi i tij tashmë është fituar: Nëntori na bashkon!
Salla Sportive e SH.F “Luigj Gurakuqi” në Zhelinë këtyre ditëve është shndërruar në epiqendër të ngjarjeve sportive në rajonin e Tetovës.
Myftinia e Tetovës në kuadër të aktivitetit festiv “Nëntori na bashkon” organizon turnirin në futboll të vogël ku marrin pjesë xhematet e Xhamive nga Rajoni që mbulon kjo Myftini.
Ndeshjet në futboll të vogël, me moton “Sport, miqësi, bashkim” kanë tërhequr një numër të madh të vizitorëve, të cilëve lakmi do t`ua kishin edhe klubet që garojnë në ligat eminente futbollistike të vendit.
SAMIR FAZLIJI – Myftinia e Tetovës“Jemi në natën e gjashtë të turneut të organizuar nga Bashkësia Fetare Islame Muftinia e Tetovës. Deri tani gjithë turneu ka shkuar ashtu siç duhet dhe më lejoni që të falënderojë të gjithë si lojtarët ashtu edhe shikuesit për karakterin shembullor që kanë treguar. Me të vërtetë kanë treguar se Nëntori neve na bashkon dhe mund të jemi të vëllazëruar në këto festa të mëdhaja. Kështu që nesër është e paraparë gjysmëfinalja si dhe ditën e diel nga ora tetë do të mbahet edhe finalja. I urojmë gjithë pjesëmarrëseve për prezencën e tyre dhe karakterin e tyre shembullor. Atyre që do të kalojnë tutje iu urojmë suksese në hapat e radhës si ashtu faleminderit edhe juve ‘’
Mbrëmë u zhvilluan ndeshjet e çerekfinales, ku u arritën këto rezultate;
Xhamia e Sellcës – Xhamia Eski Tetovë 0:2
Xhamitë e Sllatinës – Xhamitë e Shipkovicës 3:0
Xhamia e Rinisë Tetovë – Xhamia e Re Tearcë 0:1
Xhamia e Pashës – Xhamia Muharemçe 0:2
Sonte zhvillohen ndeshjet gjysmëfinale ku do të përballen;
Në orën 20:00 – Xhamia e Re Tearcë – Xhamia Muharemçe dhe
Në orën 20:45 – Xhamitë e Sllatinës – Xhamia Eski Tetovë
Plot 36 ekipe, të përbëra nga pjesëtarë të xhemateve të ndryshme, u bënë pjesë e këtij aktiviteti sportiv, i cili përveç garës në fushë, përcjell mesazhin e miqësisë, solidaritetit dhe bashkimit.
Për organizatorët, rëndësia e këtij aktiviteti nuk qëndron vetëm te rezultati sportiv, por mbi të gjitha te fryma e vëllazërisë, respektit dhe unitetit që përcjell/Tv Koha/
Sport
LIGA E DYTË: TË SHTUNËN PËRFUNDON SEZONI VJESHTOR
Dy skuadrat tetovare në xhiron fundit të sezonit vjeshtor në Ligën e Dytë të Futbollit, përballen me ekipet e Strumicës. Teteksi në Tetovë takohet me AP Brera, ndërsa Kamjani në Strumicë me Bellasicën. Të gjitha ndeshjet zhvillohen të shtunën me fillim në ora 13:00.
Të shtunën në shtatë terrenet e Ligës së Dytë në futboll, do të zhvillohet java e 13-të dhe e fundit e sezonit vjeshtor ku pritet të zhvillohen ndeshje cilësore si nga ekipet që luftojnë kreun e tabelës poashtu edhe për ato që luftojnë për mbijetesë.
Një ndeshje mjaft interesante pritet të zhvillohet në Strumicë mes Bellasicës që aktualisht mbanë pozitën e tetë me 16 pikë dhe Kamjanit në pozitën e katërt me 20 pikë.
Teteksi në stadiumin e Qendrës sportive nëTetovë është nikoqire e AP Brera .
Osogova është nikoqire e liderit në renditjen e tabelës Ohrit, Detonit Pllaçkovica takohet me Rabotniçkin, Euromilku me Peisterin, Kozhufi me Makedonija Gj.P dhe Novaci me Shkupin.
Të gjitha ndeshjet e fillojnë në ora 13:00.

