Lajme nga vendi
Cigaret do të shtrenjtohen në Maqedoni, plani për të ulur duhanpirjen
Të dhënat e modelimit ekonomik të “Analitika” për periudhën 2026–2030 tregojnë se një politikë më e fortë e akcizës mund të ndihmojë në uljen e pirjes së duhanit dhe në rritjen e të ardhurave buxhetore. Ky model u prezantua në konferencën kombëtare “Nga të dhënat te politikat: Si të ulet kostoja e pirjes së duhanit?”, e organizuar në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Sipas analizës, standardet minimale aktuale të akcizës së Bashkimit Evropian nuk do të mjaftonin për të ulur ndjeshëm pirjen e duhanit. Me një rritje vjetore të akcizës specifike prej 15 për qind, prevalenca e duhanpirjes mund të bjerë në afërsisht 46.1 për qind deri në vitin 2030, ndërsa të ardhurat totale tatimore parashikohen rreth 542 milionë euro. Nëse rritja vjetore do të arrinte 18 për qind, prevalenca do të zbriste në rreth 45 për qind dhe të ardhurat do të kapnin afërsisht 573 milionë euro. Skenari më ambicioz i shqyrtuar parashikon që prevalenca të ulet në rreth 44 për qind, me të ardhura totale tatimore që pritet të arrijnë rreth 602 milionë euro deri në vitin 2030.
Rezultatet e anketës më të re kombëtare të realizuar nga Analitika me 1.065 të rritur konfirmojnë nevojën për një politikë më efektive të akcizës. Megjithëse çmimi mesatar i një pakete cigaresh klasike u ngjit nga 1.73 në 2.72 euro, pagat u rritën me një ritëm dukshëm më të shpejtë. Krahasuar me vitin 2020, çmimet e cigareve shënuan një rritje prej 57.6 për qind, ndërsa pagat mesatare neto u rritën me 90.4 për qind. Për pasojë, pesha e çmimit të një pakoje cigaresh në pagën mesatare ra me 17.3 për qind, çka tregon se cigaret janë bërë më të përballueshme. Kjo dëshmon se vetëm rritja e çmimeve nuk mjafton, nëse nuk ulet përballueshmëria reale ekonomike e produkteve të duhanit.
Nga analiza theksohet se nevojiten tri masa prioritare: rritje më të forta dhe të parashikueshme të akcizave, duke ndjekur inflacionin, rritjen e pagave dhe përballueshmërinë reale të cigareve; forcimin e parandalimit dhe mbështetjes për lënien e duhanit, sidomos te të rinjtë dhe grupet e cenueshme; si dhe zbatimin e vazhdueshëm të ndalimit të pirjes së duhanit në ambientet e mbyllura publike dhe kontrollin e shitjeve ndaj të miturve.
Lajme nga vendi
Sindikata e Kulturës në protestë kundër shfuqizimit të marrëveshjes kolektive
Me një performancë simbolike të një “funerali” drejtësie, duke ndezur qirinj para pankartave me mbishkrimet “Drejtësi ” dhe “Të drejta”, Sindikata e Kulturës ka dalë në protestë përpara Gjykatës Kushtetuese kundër shfuqizimit të marrëveshjes kolektive për të punësuarit në institucionet e kulturës.
Nga sindikata druajnë se me këtë akt mund të kërcënohen të drejtat e mijëra të punësuarve, përfshi këtu edhe përllogaritjen aktuale të pagave.
“Ne nuk kërkojmë asgjë, kërkojmë diçka që ka filluar të kërkohet prej shekullit 17-18 mund të them. Miq të dashur ne nuk kërkojmë asgjë përveç se të drejtave tona që kanë kërkuar, siç thash më herët në shekullin 17 e 18 dhe këto grupime të punëtorëve janë ndaluar në vitin 1800 në Angli. Pyetja ime është a kthehemi ne në vitin 1800 kur u ndaluan grupimet dhe kjo nëse bëhet si presedan do të jetë shumë e vështirë.”, – deklaroi Diu Rashidi nga Sindikata e Kulturës.
Protestuesit këmbëngulin në mbrojtje të të drejtave të tyre.
“Bëhet fjalë për llogaritjen e pagave, pagat thuhej se ishin shumë të larta, nuk kishte marrëveshje kolektive në kulturë për 30 vjet, pagat paguheshin siç vendosnin drejtorët, ato ishin shumë të ulëta.”, – tha një protestues.
“Vlera e koeficientit shumëzohet me punën, kështu që kushdo që punon normalisht do të ketë të gjitha të drejtat e reduktuara nga fakti se ata që duan që vlera e koeficientit si minimum të hiqet.”, – tha një protestues tjetër.
Kryetarja e Sindikatës së Kulturës tha se është absurde që punëtorët duhet të mbrojnë të drejtat e tyre të fituara para institucionit që supozohet të jetë mbrojtës i kushtetutshmërisë.
Protestuesit kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të shtyjë vendimin e saj deri në mbajtjen e një seance dëgjimore publike në të cilën përfaqësuesit e sindikatës do të kenë mundësinë të paraqesin argumentet e tyre. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
Lajme nga vendi
Ndryshimet kushtetuese, Rokas paralajmëron hap gjigant
Nëse Kuvendi miraton ndryshimet kushtetuese, qëllimi i Bashkimit Evropian është që Maqedonia e Veriut të mbajë dy konferenca ndërqeveritare me BE-në në të njëjtën ditë dhe të hapë grupin e parë negociues “Bazat”, thotë ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas për “360 Gradë”.
“Qëllimi ynë është, pasi të miratohen ndryshimet kushtetuese, të mbajmë dy konferenca ndërqeveritare njëra pas tjetrës, në të njëjtën ditë. E para do të përfundonte hapjen e negociatave të pranimit, dhe e dyta do të hapte grupin “Bazat”. Ky është qëllimi ynë. Mund ta përdorim kohën deri në miratimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend për të punuar në këto tre dokumente dhe të jemi gati për të ecur përpara.”, thotë Rokas.
Grupi “Bazat”, i cili mbulon sundimin e ligjit, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, hapet i pari dhe mbyllet i fundit.
Për hapjen e tij, nevojitet një udhërrëfyes për reformën e administratës publike dhe një udhërrëfyes për sundimin e ligjit, me të cilin është i lidhur edhe Plani i Veprimit për Minoritetet, shpjegon ambasadori i BE-së.
Lajme nga vendi
KREDITË E SHPEJTA: SI DO T`U KTHEHEN MJETET QYTETARËVE TË DËMTUAR!
Më shumë se 26 mijë qytetarë në Maqedoninë e Veriut duhet të marrin mbrapsht mbi 140 milionë denarë, të cilat shoqëritë financiare ua kanë arkëtuar në kundërshtim me dispozitat ligjore, kryesisht në formë të shpenzimeve për vërejtje dhe njoftime për shkak të vonesave në shlyerjen e kredive të shpejta. Kontrollet inspektuese kanë përfshirë dokumentacionin për periudhën nga viti 2023 deri në vitin 2026, ndërsa kompanitë ndaj të cilave janë marrë vendime kanë afat prej 30, 60 ose 90 ditësh për t’i kthyer paratë.
Për qytetarët, informacioni më i rëndësishëm është se, sipas deklaratave të drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Vllatko Stojkoski, personat e përfshirë në vendimet inspektuese nuk kanë nevojë të paraqesin kërkesë të veçantë.
Shoqëritë financiare të përfshira në vendimet inspektuese duhet vetë t’i identifikojnë klientët të cilëve u janë arkëtuar në mënyrë të paligjshme mjete financiare, t’i kontaktojnë dhe të realizojnë kthimin e parave. Janë përcaktuar afate prej 30, 60 ose 90 ditësh, varësisht nga numri i konsumatorëve të prekur.
Kontrollet nuk kanë të bëjnë vetëm me kreditë aktive. Meqë inspektorët kanë kontrolluar dokumentacionin për periudhën nga viti 2023 deri në vitin 2026, arsye për të kontrolluar dokumentacionin e tyre kanë edhe qytetarët që ndërkohë i kanë shlyer plotësisht kreditë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për ata të cilëve u janë faturuar shuma të veçanta për njoftime përmes SMS-ve, njoftime telefonike, vërejtje me shkrim, shpenzime administrative të lidhura me vonesat apo tarifa të tjera të ngjashme.
Qytetarët që kanë shfrytëzuar kredi të shpejta në periudhën nga viti 2023 deri në vitin 2026 dhe dyshojnë se u janë faturuar shpenzime për vërejtje ose njoftime, fillimisht mund të kontrollojnë kontratën, anekset, fletëpagesat, ekstraktet bankare dhe komunikimin me shoqërinë financiare.
Nëse dokumentacioni nuk është i plotë, rekomandohet që nga shoqëria financiare të kërkohet me shkrim një përllogaritje e detajuar e të gjitha pagesave të arkëtuara.
Nëse kompania nuk përgjigjet ose refuzon të kthejë mjetet për të cilat qytetari konsideron se janë arkëtuar në mënyrë të paligjshme, mund të paraqitet ankesë në Inspektoratin Shtetëror të Tregut.
Kujdes i shtuar nevojitet edhe në rastet e borxheve për të cilat tashmë zhvillohet procedurë pranë noterit ose përmbaruesit. Kundërshtimi ndaj shoqërisë financiare ose ankesa në Inspektoratin e Tregut nuk nënkupton automatikisht se procedura e arkëtimit të borxhit ndërpritet./Tv Koha/

