Lajme nga vendi
Tirana mikpret kryetarët e bashkive dhe komunave shqiptare në rajon
Me rastin e festave të Nëntorit, Tirana bëri bashkë në Pallatin e Bigadave kryetarët e bashkive dhe komunave shqiptare në rajon.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u shpreh se Unioni filloi pak vite më parë si një ide modeste dhe tashmë është kthyer në një organizatë të jashtëzakonshme që synon të heqë barrierat.
“Ne nuk komplomentojmë Shqipërinë e madhe, nuk bëjmë teori konspiracioni. Ne nuk fantazojmë gjëra që sot në rendin e ri botëror ndoshta mund të jenë të parealizueshme, po që ne të funksionojmë për të mirën e qytetarëve tanë, si mund të pastrojmë më mirë qytetet, si mund të funksionojë më mirë mobiliteti, si mund të jenë këshillat bashkiak më të zhndërvjellët, si mund të kemi më shumë të rinj përfaqësues, si mund të jemi më shumë nikoqir me ato buxhetet tona modeste, këtë nuk na e ndalon askush. Ndaj dhe unë sot jam shumë krenar për të gjithë anëtarët e Unionit tonë dhe më vjen mirë që të them që prej këtij unioni jemi bërë më të mirë, jemi bërë më të aftë, jemi bërë më transparent, jemi bërë më të zhdërvjellët dhe kemi mësuar një pafundësi nga njëri-tjetri dhe kjo na ka bërë qeverisës, shërbëtorë dhe drejtues lokal shumë herë më të mirë se sa kur nuk ishim me njëri tjetrin”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë nënvizoi se ky vit e gjen Tiranën si kryeqyteti Europian i Rinisë, ndërsa një vit më pas do të jetë Qyteti Europian i Sportit.
“Më vjen mirë që ne e mbyllim këtë vit kur Tirana është “Kryeqyteti Europian i Rinisë”. Dhe fillojmë një vit ku Tirana do të jetë “Qyteti Europian i Sportit”. Edhe ajo që thoshte Ismail Qemali, pavarësisht ku ne gjendemi dhe pavarësisht se në cilat territore jetojmë, Europën e kemi “në rrënjët e zemrës sonë”. Ndaj dhe më vjen mirë që Tirana sot është kryeqyteti i shumë aktiviteteve Europiane”, theksoi ai.
Veliaj shprehu besimin se dhe Samiti i 6 dhjetorit që do të mbahet në Tiranë, do të jetë një histori suksesi.
“Më vjen mirë që në datën 6 Dhjetor një takim historik i të gjithë vendeve të Bashkimit Europian, i të gjithë qeverive të Bashkimit Europian, 27 vendet anëtare plus 6 ato të rajonit tonë në Tiranë në 6 Dhjetor do të kenë Samitin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimorë. Dhe do të hyjë në histori si hera e parë ku gjithë Europa, në vendin që ndoshta ishte historia më e vështirë për të mbijetuar, do të jetë një histori suksesi dhe me shumë shpresë anëtari i ri i Bashkimit Europian” deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi të gjithë atyre që shërbejnë në detyra të ndryshme në mënyrë që kombi të përparojë.
Zv.kryeministri në Maqedoninë e Veriut Artan Grubi përgëzoi kryebashkiakun Veliaj për transformimet që ka pësuar Tirana duke u bërë dhe pikë lidhëse me qytetarët nga të gjitha trevat shqipfolëse.
“Nëntori na bën bashkë të gjithëve, më shumë se festat e nëntorit na bën bashkë Tirana e Erionit. Secili qytetar i Shkupit më shumë njeh projekte të Erionit se sa të bashkisë së Shkupit, njohin pazarin, bulevardin, Toptanin, të gjithë projektet dhe besoni, ky është bashkimi, më i madh edhe më i madh se i nëntorit”, tha Grubi.
Kryebashkiaku Përparim Rama përgëzoi bashkinë e Tiranës për iniciativën e ndërmarrë për Unionin e bashkive shqiptare.
“Më shumë më shtohet kënaqësia kur shoh se takimet po vijojnë me arritje të reja, të ndërkomunikimit mes të gjithë komunave shqiptare. Jemi mbledhur këtë herë në vigjilje të një date të shënuar e që është po e nëntorit të para 110 viteve. Ajo që u paralajmërua në takimin tonë të mëparshëm e që po prezantohet tashmë këtu është se tashmë është jetësuar platforma e komunikimit në kohë reale, Albanac, e para platformë rajonale që do na shërbejë si logo nën të cilën do mblidhemi në kohë reale për të shfaqur idetë, projektet dhe aktivitetet inovatore, për t’i rijetësuar ato e për të sjellë një perspektivë të re rinore në transformimin e shoqërisë shqiptare”, nënvizoi Rama.
Në këtë ceremoni, u dha medalja e mirënjohjes nga Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama për Prof. Dr. Kaliopi Naska dhe nga Kryetari i UBSHR-së Erion Veliaj për ish-Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Lajme nga vendi
Mashtrim përmes një faqeje gjermane të shitjes së veturave, 26-vjeçari nga Tetova humb 6.800 euro
Një 26-vjeçar nga një fshat i Tetovës ka denoncuar në polici se është mashtruar nga një 46-vjeçar nga Gjermania, duke humbur 6.800 euro gjatë një marrëveshjeje për blerjen e një automjeti.
Sipas njoftimit të SPB Tetovë, denoncimi është bërë më 10 nëntor 2026, në orën 12:00. I riu kishte kontaktuar me personin përmes një faqeje gjermane të internetit për shitjen e automjeteve dhe, pasi ishin marrë vesh, më 29 tetor 2026 i kishte paguar 6.800 euro përmes llogarisë bankare.
Megjithatë, kur shërbimi i angazhuar i karrotrecit kishte shkuar në adresën e dhënë në Gjermani, ishte konstatuar se personi me të cilin ishte marrë vesh nuk jetonte aty dhe se adresa ishte e rreme.
Policia ka bërë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
Lajme nga vendi
Shasivari në Berlin: Takim me Anette Kramme për reformat në drejtësi dhe standardet evropiane
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, në kuadër të vizitës së punës në Gjermani, zhvilloi një takim me Anette Kramme, Sekretare Parlamentare e Shtetit në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve të Gjermanisë.
Në takim u diskutua për proceset aktuale reformuese në gjyqësor, forcimin e sundimit të ligjit, pavarësinë dhe efikasitetin e institucioneve të drejtësisë, si dhe sfidat në zbatimin e reformave në përputhje me standardet evropiane.
Vëmendje e veçantë iu kushtua mundësive për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe zbatimin e praktikave të mira nga sistemi gjerman i drejtësisë.
Ministri Shasivari theksoi rëndësinë e Gjermanisë si partnere në procesin e integrimit evropian, duke nënvizuar se reformat duhet të sjellin ndryshime thelbësore në funksionimin e institucioneve.
“Suksesi i reformave në drejtësi nuk matet vetëm me numrin e ligjeve të miratuara, por me zbatimin e tyre në praktikë. Synimi ynë është një sistem drejtësie që garanton siguri juridike, trajtim të barabartë para ligjit dhe besim më të madh të qytetarëve në institucione”, theksoi ministri Shasivari.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit të vazhdueshëm institucional dhe mbështetjes në procesin e harmonizimit të legjislacionit kombëtar me standardet evropiane.
Ministria e Drejtësisë vazhdon aktivitetet për avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, me fokus në rezultate konkrete në procesin e reformave dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Lajme nga vendi
Sekuestrohen 168.7 kilogramë duhan pa pulla akcize në Prilep, gjashtë persona përballen me procedura ligjore
Dogana e Maqedonisë së Veriut ka sekuestruar 168.7 kilogramë duhan të prerë, gjatë një aksioni kontrollues në Tregun e Gjelbër dhe sheshin e qytetit në Prilep. Sipas Drejtorisë së Doganave, me këtë veprim është parandaluar shmangia e pagesës së akcizës në vlerë prej 463.787 denarësh.
Aksioni është realizuar nga doganierët e Doganës së Manastirit, në bashkëpunim me ekipet mobile të Departamentit për Çështje Operative, ndërsa për mbështetje është kërkuar edhe ndihma e policisë.
Nga Drejtoria e Doganave bëjnë të ditur se gjatë kontrolleve janë kapur gjashtë persona duke shitur duhan pa pulla akcize, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Ndaj tyre janë iniciuar procedura përkatëse pranë gjykatës kompetente dhe Komisionit për Kundërvajtje.
„Gjashtë persona u kapën duke shitur duhan pa pulla akcize, duke shkelur rëndë ligjin, duke dëmtuar buxhetin e shtetit dhe duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Ky është aksioni i dytë i këtij lloji i realizuar nga Drejtoria e Doganave brenda një periudhe të shkurtër kohore. Në një kontroll të mëparshëm në tregun e Çairit, autoritetet kishin sekuestruar edhe 135 kilogramë duhan të prerë.
Drejtoria e Doganave njofton se do të vazhdojë intensifikimin e kontrolleve në terren dhe hetimeve për importin e duhanit dhe produkteve të tij, me qëllim luftimin e tregtisë së paligjshme dhe parandalimin e shmangies së detyrimeve doganore dhe akcizore.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

