Lajme nga vendi
SOT NATA E MADHE E NDËRRIMIT TË VITEVE, URIMI PËR NJË VIT MË TË MBARË
Edhe viti që po lëmë pas, nuk ishte i lehtë. Sapo vendi, ashtu si e gjithë bota, filloi të merrte veten nga pasojat e pandemisë, rritja e çmimeve, e cila kishte nisur që në fund të vitit 2021 nga zhbalancimi i kërkesë-ofertës, u përshpejtua me shpejtësi.
Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës shkaktoi probleme të mëdha në tregun global, duke shtrenjtuar karburantet, gazin, energjinë, drithërat, teksa efekti zinxhir kaloi në të gjitha produktet e tjera.
Në vend, Indeksi i Çmimeve të Konsumit kulmoi në tetor në 8.3%, niveli më i lartë që nga viti 1998, kur vendi vuajti pasojat e krizës së shkaktuar nga piramidat. Vetëm në nëntor filluan të shfaqen shenjat e para të ngadalësimit, duke zbritur në 7.9%.
Në përgjigje të inflacionit të lartë, Banka e Shqipërisë rriti katër herë normën bazë, duke e çuar në 2.75%, nivel ky që ishte parë për herë të fundit në vitin 2014. Kjo lëvizje u transmetua, në pjesën më të madhe, në shtrenjtimin e kostos së borxhit të qeverisë dhe në këstet e pagesave për kreditë për konsumatorët dhe bizneset.
Konsumi në vend nisi të reflektonte rritjen e çmimeve, teksa pagat nuk ndoqën të njëjtin ritëm. Importet kanë rënë në sasi me 6.3% për 11-mujorin, duke ndikuar dhe në ecurinë buxhetore.
Pas rritjes së shpejtë të të ardhurave në pjesën e parë të vitit, e ndikuar nga çmimet e larta, në tetor dhe në nëntor, zgjerimi real (përjashtuar efektin e inflacionit) ishte negativ. Interesat e larta kanë filluar të japin efekt edhe në rënien e kërkesës për kredi, duke frenuar investimet e bizneseve dhe blerjet e konsumatorëve, sidomos ato të mëdha.
Shtrenjtimi i energjisë për bizneset që kanë dalë në treg të lirë ndikoi negativisht në rritjen e kostove, duke bërë që disa kompani të mëdha të mbyllin përkohësisht aktivitetin, duke ndikuar në ngadalësimin e eksporteve. Industria përpunuese ishte një tjetër sektor që u përball me shtrenjtimin e lëndëve të para, duke e transferuar në çmimin e produktit përfundimtar.
Gjetja e fuqisë punëtore është kthyer në një shqetësim të përhershëm të bizneseve. Ritmet e emigracionit u përshpejtuan pas pandemisë, duke ndikuar jo vetëm sipërmarrësit në të gjithë sektorët, por dhe konsumin.
Pavarësisht vështirësive, ekonomia vendase, edhe një herë shfaqi rezistencë dhe elasticitet të lartë. Në tremujorin e tretë të vitit 2022, rritja u përshpejtua në 4.02% me bazë vjetore, nga 2.65% në të dytin.
Turizmi është kthyer në një sektor të rëndësishëm, duke nxitur tregtinë dhe shërbimet në vend. Hyrjet e të huajve në vend për 11- mujorin e kanë tejkaluar ndjeshëm nivelin e parapandemisë, ndërsa është zgjatur dhe sezoni përtej muajve të verës, duke garantuar më shumë hyrje të valutës.
Ndërtimi është sektori tjetër që po nxit ekonominë, ndonëse ka debate të shumta për burimet e financimit dhe mbingopjen në treg, që mund të rrezikojë rënie të çmimeve në të ardhmen, me efekte zinxhir në sistemin financiar.
Edhe viti 2023 nuk pritet të jetë i lehtë. Elementet e mësipërme do të vijojnë të ndikojnë, ndoshta me intensitet më të ulët, teksa tregu do të priret që të arrijë një ekuilibër të ri. Bizneset, si gjithmonë do të arrijnë të përshtaten, disa më lehtë, të tjerë me më shumë vështirësi.
Nëse qeveria do të arrijë të ndikojë pozitivisht me politikat nxitëse, pa shtrembërime të konkurrencës dhe rialokim të drejtë të burimeve buxhetore, do të ishte faktor shtesë që 2023-shi të ishte një vit më i mbarë!news33
Lajme nga vendi
Dimitrieska-Koçoska: Takim koordinues me drejtorët e DAP-it dhe Doganës – Ndjekim me kujdes lëvizjen e realizimit të Buxhetit
Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska sot pati takim pune me drejtoreshën e Drejtorisë së të Ardhurave Publike Elena Petrova dhe drejtorin e Drejtorisë Doganore Boban Nikollovski, ku u shqyrtua realizimi rrjedhës i Buxhetit, me fokus të veçantë në arkëtimin e të ardhurave dhe lëvizjet në kategoritë individuale të tatimeve.
Gjatë takimit u konstatua se realizimi i Buxhetit lëviz në kuadër të dinamikës së planifikuar dhe se në këtë moment nuk ka devijime të theksuara as në anën e të ardhurave as në anën shpenzimeve.
Ministria e Financave, në koordinim me Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe Drejtorinë Doganore, vazhdon të ndjekë me kujdes lëvizjen dhe realizimin e të ardhurave buxhetore.
“Buxheti po realizohet në përputhje me dinamikën e planifikuar. Së bashku me DAP-in dhe Drejtorinë Doganore, i kemi ndjekur në detaje të ardhurat dhe të gjitha lëvizjet që mund të kenë ndikim në realizimin e tyre. Në këtë moment nuk ka devijime domethënëse nga ajo që ishte planifikuar, por mbetemi të kujdesshëm dhe do të reagojmë në kohë nëse situata do të na imponojnë”, tha ministrja Dimitrieska-Koçoska.
Të dhënat për realizimin e Buxhetit deri në muajin gusht tregojnë se të ardhurat e përgjithshme arrijnë në 230.6 miliardë denarë, përkatësisht 60.77% e të ardhurave të planifikuara, ku bazuar në këto të dhëna shënohet rritje prej 8%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Të ardhurat tatimore në tetë muajt e parë të vitit janë realizuar në vlerë prej 131.5 miliardë denarësh, që paraqet rritje prej 8.2% në bazë vjetore. Rritje është shënuar në të gjitha kategoritë kryesore tatimore – të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë më të larta për 19.9%, të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale për 10.9%, të ardhurat ga TVSH-ja për 10.6%, ndërsa të ardhurat nga detyrimet e importit shënojnë rritje prej 9.7%.
Te akcizat është evidentuar devijim i caktuar, i cili lidhet edhe me masat e ndërmarra nga Qeveria për zbutjen e ndikimit të krizës së shkaktuar nga derivatet e naftës. Ecuria e të ardhurave në këtë kategori do të vazhdojë të ndjekjet me vëmendje.
Në anën e shpenzimeve, në periudhën janar–gusht janë realizuar 268.9 miliardë denarë, përkatësisht 63.15% e shpenzimeve të planifikuara.
Në takim u theksua rëndësia e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet Ministrisë së Financave, DAP-it dhe Drejtorisë së Doganave, si institucione me rol kyç në realizimin e të ardhurave buxhetore. Në periudhën e ardhshme do të vazhdojë ndjekja e rregullt e realizimit të Buxhetit dhe i zhvillimeve ekonomike mbi bazën e të cilave do të merren vendime për përshtatje eventuale të shpenzimeve buxhetore.
Ministria e Financave mbetet e përkushtuar ndaj menaxhimit të përgjegjshëm të financave publike, servisimit në kohë të detyrimeve dhe sigurimit të qëndrueshmërisë së Buxhetit, duke i dhënë përparësi mbrojtjes së qytetarëve dhe sektorit të ekonomisë.
Lajme nga vendi
Mexhiti: Çdo rrugë ka rëndësi, çdo lagje meriton investime
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, sot ishte në terren për të parë nga afër punimet infrastrukturore që po zhvillohen në disa pjesë të komunës. Në rrugën “Emin Duraku” po vazhdon rikonstruimi, ndërsa punime po realizohen edhe në rrugët “Dervish Hima” dhe “Parashqevi Qiriazi”.
Në këto rrugë po bëhet asfaltimi, rregullimi i trotuareve me kubëza dhe hyrjeve të banesave. Paralelisht, në të njëjtat lagje është investuar edhe në hapësirat për fëmijë, përmes rregullimit dhe vendosjes së këndeve të reja të lojërave.
“Çdo rrugë e Çairit ka rëndësinë e vet dhe çdo lagje meriton kushte më të mira. Prandaj po investojmë gjithandej. Një lagje e mirë nuk ka vetëm rrugë të rregulluara, por edhe trotuare, hapësira për fëmijë dhe kushte më të mira për jetën e përditshme. Çairi sot është një kantier ndërtimi dhe kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve, sepse po punohet dhe po investohet për komunën tonë, për lagjet tona dhe për të ardhmen,” deklaroi Mexhiti.
Punimet do të vazhdojnë në pjesë të ndryshme të Çairit, me investime që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës në çdo lagje.
Lajme nga vendi
Hoxha: Agjenda e Gjelbër duhet të kalojë nga zotimet në rezultate konkrete për qytetarët e Ballkanit Perëndimor
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, merr pjesë në Takimin e Tretë Ministror për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor (GAWB), i cili mbahet më 18 dhe 19 shtator në Zhabljak, Mali i Zi, në kuadër të kryesimit të Malit të Zi me Procesin e Berlinit për vitin 2026.
Në fjalimin e tij në sesionin kryesor „Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor – nga zotimet drejt zbatimit“, ministri Hoxha konfirmoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut ndaj Agjendës së Gjelbër dhe integrimit evropian, duke theksuar se në fazën e ardhshme fokusi duhet të jetë te zbatimi, investimet dhe bashkëpunimi rajonal.
„Agjenda e Gjelbër duhet gjithnjë e më shumë të bëhet një platformë për zbatim rajonal dhe jo vetëm për dialog rajonal. Ndotja nuk ndalet në kufij, ndërsa rreziqet klimatike janë të përbashkëta“, theksoi Hoxha, duke nënvizuar nevojën për zgjidhje të përbashkëta, shkëmbim të njohurive dhe të dhënave, harmonizim të standardeve dhe zhvillim të infrastrukturës rajonale aty ku kjo është e arsyeshme.
„Suksesi nuk do të matet me numrin e dokumenteve të miratuara. Ai do të matet përmes ndryshimeve konkrete që sjellin përfitime për qytetarët në të gjithë rajonin“, theksoi Hoxha.
Duke folur për prioritetet kryesore të Maqedonisë së Veriut në periudhën e ardhshme, ministri u ndal te përshpejtimi i investimeve në burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe efikasitetin energjetik, forcimi i qeverisjes klimatike dhe përgatitja për kornizën evropiane për klimën, tranzicioni i drejtë për rajonet e varura nga qymyri, përshpejtimi i reformave në menaxhimin e mbetjeve dhe ekonominë qarkore, si dhe forcimi i përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, mbrojtjes së natyrës dhe biodiversitetit.
Takimi i Tretë Ministror për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor është një forum për të shqyrtuar përparimin e arritur deri më tani dhe për të përcaktuar drejtimet politike për fazën e ardhshme të zbatimit të Agjendës së Gjelbër. Në kuadër të takimit në Mal të Zi është paraparë miratimi i Deklaratës Ministrore për Agjendën e Gjelbër për vitin 2026, si dhe mbështetja politike për hapa kyç në nivel rajonal.
-
Lajme nga vendi2 months agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota2 months agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize
-
Lajme nga bota2 months agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori

