Lajme nga vendi
Vazhdon ikja e mjekëve nga Maqedonia e Veriut
Në pesë vitet e fundit, 939 mjekë janë larguar nga vendi, sipas të dhënave nga licencat e lëshuara për të punuar jashtë shtetit. Por kush do të mbetet të trajtojë qytetarët? Në disa komuna të vendit si Dojran dhe Çashkë nuk ka fare mjekë amë. Nëse vazhdon ky trend i ikjes, për 5 deri në 10 vjet nuk do të kemi fare mjekë amë, ka paralajmëruar kryetar i mjekëve të përgjithshëm Dragan Gjorgjievski.
Po potencoj edhe një herë se na duhen reforma më të shpejta dhe zbatimi i reformave që të mund mjekët e rinj të qëndrojnë në këtë vend, sepse mjekët që punojnë në shtëpitë e shëndetit te koncensionerët përballen me probleme serioze. . Me ikjen e pronarit jashtë shtetit ose daljes në pension, ngelim në rrugë bashkë me infermieret. Ky problem është që 10 vjet dhe nuk po gjendet asnjë zgjidhje, tha Dragan Gjorgjievski, specialist i mjeksisë familjare.
Për mungesën e mjekëve dhe shërbimeve në disa ambulanta, Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali ka thënë se duhet të reduktohet numri i institucioneve shëndetësore nëpër disa komuna, duke marrë si shembull Strugën dhe Ohrin.
Reduktimi i institucioneve shëndetësore por jo edhe i vendeve të punës. Që nënkupton se nuk kemi nevojë që në dy qytete të afërta të kemi 8 kujdestari kur mund të kemi dy, domethënë mund të racionalizohen të gjitha këto dhe ne po punojmë në atë drejtim, tha ministri i shëndetësisë Bekim Sali.
Po çfarë është bërë deri më tani për ta ndaluar këtë eksod mjekësh? Nga Ministria e Shëndetësisë, radhisin disa masa, siç është mundësia që çdo mjek i ri të angazhohet në sistemin shëndetësor publik dhe paguhet për punën e tij dhe fiton përvojën përkatëse. Thonë se janë rritur ndjeshëm pagat e mjekëve, infermierëve, personelit mjekësor dhe jomjekësor, pasataj se sigurohen fonde për punën e investuar të specializantëve privatë, me të cilat ata marrin një pagë për punën e tyre ndërsa në fund cekin se nga 1 janari i këtij viti është rritur vlera e pikës së kapitacionit për mjekët e përzgjedhur në mjekësi të përgjithshme, gjinekologji dhe stomatologji.
“-çdo mjek i ri fitoi mundësi të angazhohet në sistemin shëndetësor publik, paguhet për punën e tij dhe fiton përvojën përkatëse
-janë rritur ndjeshëm pagat e mjekëve, infermierëve, personelit mjekësor dhe jomjekësor
-sigurohen fonde për punën e investuar të specializantëve privatë, me të cilat ata marrin një pagë për punën e tyre
-nga 1 janari i këtij viti është rritur vlera e pikës së kapitacionit për mjekët e përzgjedhur në mjekësi të përgjithshme, gjinekologji dhe stomatologji”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Mendim në lidhje me ikjen e mjekeve e ka shprehur edhe ish-ministri i Shëndetësisë Nikolla Todorov, i cili si arsye numëron mos ndërtimin e Qendrave spitalore, sipas tij, një faktor negativ shtesë është ndalimi i projektit të trajnimit për mjekët tanë në qendrat më të mira mjekësore në botë.
Lajme nga vendi
SHGM: Të sigurohet respektim dhe punë e papenguar e punonjësve mediatikë në vendvotime

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) u bën apel Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), komisioneve komunale zgjedhore dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme që të vazhdojnë të sigurojnë qasje të papenguar dhe kushte pune për gazetarët dhe punonjësit mediatikë në të gjitha vendvotimet. Informimi profesional, i saktë dhe në kohë i publikut për rrjedhën e procesit zgjedhor është thelbësor për besimin në zgjedhje, informon PressOnline.al
Deri te SHGM këtë mëngjes janë raportuar disa raste të pengimit të punës së ekipeve gazetareske:
Shkup: Komuna Karposh, (IM 2626) ndaj gazetares Elida Zulbeari ka pasur përpjekje për t’i marrë telefonin celular dhe sjellje të pahijshme nga zëvendëskryetari i komisionit, pas çka ka pasur ndërhyrje nga MPB, për çka do të kërkojmë nga KSHZ të ndërmarrë sanksione ndaj zyrtarit.
Ohër (IM 1270): Një ekipi nga televizioni publik iu pamundësua hyrja në orët e hershme të mëngjesit me arsyetimin se, përveç legjitimitetit gazetaresk, duhet të posedojë edhe “akreditim nga KSHZ”. Pas reagimit të kolegëve dhe ndërhyrjes në vendngjarje, hyrja u mundësua dhe puna vazhdoi.
Tetovë: Një gazetar u pengua të marrë deklaratë nga anëtarë të këshillit zgjedhor, me arsyetimin për “mungesë të akreditimit”.
SHGM apelon deri te KSHZ dhe MPB që menjëherë t’i njoftojnë të gjitha këshillat zgjedhore dhe personat zyrtarë se për gazetarët nuk kërkohet akreditim nga KSHZ, me qëllim të shmangen keqkuptime të reja gjatë ditës. Do të vazhdojmë t’i ndjekim rastet, të reagojmë institucionalisht dhe të informojmë për rezultatet.
Theksojmë se për gazetarët dhe punonjësit mediatikë në Maqedoni, përveç legjitimitetit gazetaresk nga mediumi për të cilin raportojnë, nuk kërkohet ndonjë akreditim i veçantë nga KSHZ për prani dhe raportim nga vendvotimet. Prandaj, këshillat zgjedhorë, zyrtarët policorë, vëzhguesit dhe/ose faktorë të tjerë nuk kanë bazë ta kushtëzojnë punën e tyre me leje shtesë. Njëkohësisht, SHGM bën thirrje për respektim të rregullave zgjedhore: gazetarët kanë të drejtë të xhirojnë ambientin e përgjithshëm dhe deklaratat, pa cenuar fshehtësinë e votimit dhe pa penguar zhvillimin e procesit.
I bëjmë thirrje këshillave zgjedhorë nga të gjitha vendvotimet:
-
të mundësojnë hyrje të papenguar për ekipet gazetareske me legjitimitet të dukshëm gazetaresk;
-
të lejojnë xhirime dhe deklarata në hapësirat ku kjo nuk rrezikon fshehtësinë e votimit;
-
në rast të keqkuptimeve, së pari të kërkojnë udhëzime nga KZK/KSHZ, në vend që të kufizojnë hyrjen.
I inkurajojmë edhe gazetarët, fotoreporterët dhe kameramanët:
-
gjithmonë të mbajnë legjitimitetin gazetaresk dhe të prezantohen nëse kërkohet;
-
të respektojnë udhëzimet e këshillit, kur ato kanë të bëjnë me fshehtësinë e votimit;
-
në rast të ndonjë pengese, menjëherë ta evidentojnë rastin (kohën, vendin, vendvotimin, personat) dhe të kontaktojnë SHGM-në.
Për ndihmë juridike dhe praktike, gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët mund t’u drejtohen koordinatorëve rajonalë të SHGM-së në Shtip, Strumicë, Bitola, Ohër, Tetovë dhe Kumanovë, si dhe kontakteve të SHGM-së në Shkup.
SHGM mbetet në dispozicion për çdo mbështetje që do të mundësojë raportim profesional, të sigurt dhe të papenguar nga vendvotimet.
Lajme nga vendi
MPB: 2 të arrestuar dhe 5 të thirrur, për blerje votash

Dy persona janë arrestuar, ndërsa pesë të tjerë janë thirrur në bisedë informative nga policia, në lidhje me veprën penale të blerjes së votave gjatë zgjedhjeve.
“Sot, rreth orës 09:00, në rrugën ‘Dabinqka’ në Prilep, zyrtarë policorë kanë privuar nga liria B.H. (72) dhe D.S. (36), të dy nga Krusheva, për shkak të dyshimit për përfshirje në veprën ‘blerje votash gjatë zgjedhjeve’. Në lidhje me të njëjtën ngjarje, në Stacionin Policor të Prilepit janë ftuar për bisedë informative edhe S.A. (28), M.A. (31), Sh.A. (40), D.A. (22) dhe Xh.A. (36), gjithashtu nga Krusheva me vendbanim në Prilep”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Gjithashtu, janë paraqitur disa denoncime për agjitacion gjatë procesit të votimit në disa vendvotime, por sipas autoriteteve, pas ndërmarrjes së masave të nevojshme, deri më tani nuk janë konfirmuar këto pretendime.
Lajme nga vendi
ODIHR: Vëzhguesit ndërkombëtarë monitorojnë gjithë procesin zgjedhor, jo vetëm ditën e votimit

Shefi i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it për zgjedhjet lokale në vend, Mateo Mekaci, deklaroi sot se vëzhguesit po monitorojnë të gjithë aspektet e lidhura me procesin zgjedhor. Ai theksoi se nuk është i rëndësishëm vetëm dita e zgjedhjeve, por edhe proceset parazgjedhore dhe ato që ndodhin pas ditës së votimit.
Gjatë vizitës në vendvotimin e Shkollës Fillore “Liria” në komunën e Çairit, Mekaci theksoi se Misioni përbëhet nga 250 vëzhgues ndërkombëtarë, të cilët mbikëqyrin procesin në të gjithë territorin e vendit.
“Ne jemi këtu si një mision ndërkombëtar vëzhgues për të monitoruar procesin zgjedhor dhe për të vlerësuar nëse gjithçka po zhvillohet sipas standardeve. Ky vendvotim që shihni pas nesh është një nga shumë vendvotime që po monitorojmë. Misioni ynë përbëhet nga rreth 250 vëzhgues ndërkombëtarë, të shpërndarë në të gjithë Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Mekaci.
Ai shtoi se misioni është vendosur shumë para ditës së zgjedhjeve, me 24 vëzhgues afatgjatë të shpërndarë në gjithë vendin, të cilët monitorojnë të gjithë procesin zgjedhor.
“Siç thamë, nuk është i rëndësishëm vetëm dita e votimit, por edhe proceset parazgjedhore dhe ato që ndodhin pas ditës së zgjedhjeve. Ne monitorojmë të gjithë aspektet që lidhen me zgjedhjet: regjistrimin e votuesve, fushatën zgjedhore, financimin e fushatës, qasjen në media, votimin gjatë ditës së zgjedhjeve, numërimin e votave dhe të tjera”, përfundoi Mekaci.