Lajme nga vendi
Politikanët shqiptarë në RMV urojnë qytetarët e besimit Islam për muajin e Ramazanit
Krerët e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, kanë uruar besimtarët mysliman për fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.
Mesazhi i tyre është që gjatë këtij muaji të mbizotërojë toleranca dhe dashuria ndaj njëri-tjetrit.
Më poshtë ua sjellim urimet e tyre:
Ali Ahmeti:
Uroj që muaji i bekuar i Ramazanit të shtojë ndjenjën e mirësisë ndaj njëri – tjetrit, të solidaritetit dhe mirëkuptimit, harmoninë dhe qetësinë në familjet tuaja. Qofshin këto ditë hyjnore shkëndijë e përjetshme reflektimi për rifreskimin tonë shpirtëror mbi vlerat e besimit. Agjërim të lehtë dhe lutje të pranuara!
Bilall Kasami:
Le të jetë ky një muaj i dritës së përbashkët, i bekimit hyjnor dhe reflektimit, një muaj i përndritjes dhe fisnikërisë për të ndjerë afër njëri-tjetrin në dritën e paqes dhe vlerave të solidaritet .Uroj që gjithë së bashku të jemi në lartësinë e mesazhit të muajit të shenjtë të Ramazanit, të bashkuar në paqe dhe bamirësi, në lutje për një botë më të mirë për të gjithë.Të nderuar besimtarë,Ju uroj agjërim të lehtë, të shëndetshëm dhe të pranuar, mbarësi dhe begati në familjet tuaja!
Arben Taravari:
Uroj që të gjithë të kemi agjërim të lehtë! Qoftë muaji i Ramazanit koha që secili nga ne të afrohet sa më shumë me Zotin, e kështu qoftë edhe në muajt e vitet në vazhdim!
Menduh Thaçi:
Në vigjilje të muajit të shenjtë të Ramazanit, uroj që këtë muaj ta kalojmë duke transmetuar mesazhe tolerance e mirëkuptimi. Ju dëshiroj agjërim të lehtë dhe lutje të pranuara gjatë këtij muaji të bekuar.
Afrim Gashi:
Sonte, kur fillon muaji i shenjtë i Ramazanit, dëshiroj që përveç urimit të përzemërt për fillimin e agjërimit, të shpreh edhe kënaqësinë që po takohemi përsëri nën hijen e mëshirës së këtij muaji. Me këtë rast dua të theksoj se agjërimi i muajit të Ramazanit është një dimension i veçantë i jetës së besimtarëve myslimanë. Duke agjëruar për një muaj rresht, pra duke i vendosur vetes kufizime nga ushqimi, por edhe nga fjalët e pakëndshme e deri në kufizimin e mendimeve të liga, besimtari arrin ta aktivizojë një shqisë të përtejme, që reflekton me dashuri, dhembshuri, respekt, maturi dhe qëndrueshmëri, virtyte këto që bëhen kapital shpirtëror i tij në pjesën tjetër të vitit. Unë uroj që ky Ramazan të jetë vërtet i tillë, ndërsa duke qenë politikanë, ku oponenca shpesh di t’i kalojë kufijtë, u bëj thirrje të gjithë aktivistëve, në veçanti atyre të Alternativës, të jenë të kujdesshëm në komente, vlerësime e gjykime, sepse agjërimin nuk e prish vetëm një kafshatë buke e një pikë uji, por edhe një fjalë e ligë. E meqë Ramazani është një muaj i këndelljes shpirtërore, kjo është një mundësi që ne ta dëshmojmë veten edhe ndaj familjes, fqinjit, të vobektit, fëmijëve, pleqve, të sëmurëve dhe bashkëpunëtorëve. Lutja ime është që agjërimi, lutjet dhe krejt adhurimi tjetër të na mundësojë arritjen e plotnisë sonë shpirtërore dhe ngjitjen në gradat më të larta të përshpirtshmërisë. Paçi agjërim të këndshëm e të pranuar!
Lajme nga vendi
SHASIVARI: NË TETOR TAKIME ME STUDENTËT SHQIPTARË!
Kur do të mund ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe studentët shqiptarë? Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, thotë se kjo nuk është çështje etnike apo politike, por juridike dhe institucionale. Ai paralajmëroi takim me organizatat studentore në tetor, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për dhënien e provimit në gjuhët e përcaktuara me ligj.
Provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe sërish në fokus të Kuvendit.
Pyetjes së deputetes Diana Toska se kur studentët do të mund ta japin këtë provim në shqip, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, iu përgjigj se gjuha mund të jetë e ndryshme, por kriteret duhet të jenë të njëjta për të gjithë.
Në Ministrinë e Drejtësisë, sipas Shasivarit, tashmë kanë arritur kërkesa nga pesë organizata studentore për mundësinë e dhënies së provimit në gjuhë të tjera.
Mes tyre janë edhe Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Tetovës, të cilat kërkojnë mundësinë e dhënies së provimit në gjuhën shqipe.
Shasivari thotë se kërkesat e studentëve duhet të merren seriozisht, pasi bëhet fjalë për të rinj që në të ardhmen do të jenë pjesë e sistemit juridik.
Ai paralajmëroi se në tetor do t’i ftojë përfaqësuesit e organizatave studentore në një takim koordinues, ku do të diskutohen kërkesat dhe do të kërkohet një zgjidhje institucionale për provimin e jurisprudencës në gjuhët e përcaktuara me ligj.
Lajme nga vendi
Mexhiti: Premtuam t’ia rikthejmë shkëlqimin Çarshisë, sot rezultati po shihet
Rikonstruimi i Çarshisë së Vjetër të Shkupit po hyn në fazën përfundimtare, ndërsa pjesa më e madhe e punimeve tashmë është realizuar. Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, theksoi se projekti po i jep Çarshisë një pamje të re, duke ruajtur njëkohësisht identitetin dhe karakterin e saj tradicional.
Në një sipërfaqe prej 1.567 m², ndërhyrjet kanë përfshirë infrastrukturën nëntokësore dhe rregullimin e hapësirës mbi tokë: rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, rrjetin elektrik dhe fibrat optike, restaurimin e kalldrëmit me gur travertin, vendosjen e ndriçimit të ri tradicional dhe rregullimin e hapësirave për këmbësorët.
“Premtuam t’ia rikthejmë shkëlqimin Çarshisë dhe sot rezultati po shihet. Pas më shumë se pesë dekadash, po realizojmë një ndërhyrje rrënjësore, nga infrastruktura nëntokësore deri te pamja përfundimtare, duke ruajtur identitetin që e bën Çarshinë të veçantë. Me mbi 28 milionë denarë investim, po krijojmë kushte më të mira për qytetarët, zejtarët, bizneset dhe vizitorët,” deklaroi Mexhiti.
Me përfundimin e projektit, Çarshia e Vjetër do të ketë infrastrukturë të modernizuar dhe hapësira publike më funksionale, duke ruajtur në të njëjtën kohë vlerat e saj historike dhe autentike.
Lajme nga vendi
RASTI I LLASKARCËS ËSHTË FYTYRA E DËSHTIMIT TË GJYQËSORIT
Shtatë vjet pas tragjedisë në Llaskarcë, familjet e 16 viktimave ende presin drejtësi. Shfuqizimi i aktgjykimit të Apelit dhe kthimi i lëndës për rivendosje hapin përsëri mundësinë që ky proces të zvarritet pa fund.
Edhe në dhjetor paralajmëruam se “Durmo Turs”, bashkë me shumë raste të tjera, është dëshmi e gjallë e dështimit të sistemit. Pamë shtyrje të dyshimta, raporte mjekësore dhe moszbatim të vendimeve.
Besimi në gjyqësor, që ka rënë deri në dy për qind, nuk ra nga qielli. Vetëm superekspertiza për rastin e Llaskarcës qëndroi 315 ditë në Byronë për ekspertiza gjyqësore. Në krye të Byrosë ishte Valdet Xhaferi, funksionar i BDI-së. Pra, lënda nuk u zvarrit vetë.
Gjyqësori duhet reformuar nga rrënjët dhe ministri i ri i Drejtësisë e ka nisur mbarë këtë punë, me vendosmërinë që raste si Llaskarca të mos mbeten më peng i sistemit.
Kërkojmë publikimin e shpejtë të arsyetimit dhe trajtimin me përparësi të lëndës, pa lojëra të reja procedurale. Familjet e viktimave nuk duhet të kthehen përsëri në pikën zero.
-
Lajme nga vendi1 month agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota2 months agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori
-
Lajme nga bota2 months agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize

