Lajme nga vendi
Notë “tre” për shkollat nga inspektorët e arsimit: higjienë e dobët dhe mungesë e kompjuterëve
Kushtet e dobëta higjienike në shkolla dhe sallat e sportit, mungesa e mjeteve ndihmëse mësimore (harta gjeografike, globe, hamerë, harta historike, smart tabela, trupa gjeometrikë, herbariume etj.) si dhe mungesa e kompjuterëve dhe pajisjeve kompjuterike në procesin e mësimdhënies janë mangësitë më të shpeshta që i kanë shënuar inspektorët e arsimit në raportet e tyre gjatë vlerësimit të punës së shkollave në Maqedoni. Inspektorati Shtetëror i Arsimit (ISHA) tashmë për më shumë se një dekadë ndjek punën e shkollave dhe mbi bazë të saj edhe i vlerëson ato. Përmes vlerësimit integral, i cili kryhet çdo tre vjet, mund të shihet se cilat janë pikat e forta dhe cilat janë dobësitë e shkollave, shkruan Portalb.mk.
Meta.mk kërkoi informacion dhe të dhëna nga ISHA për inspektimet e fundit të kryera në shkolla, nga ku na dërguan raporte për disa shkolla.
“Në tetor të këtij viti shkollor janë realizuar 12 vlerësime integrale, nga të cilat shtatë në shkolla fillore dhe pesë në ato të mesme. Nga këto 12 shkolla, katër u vlerësuan me notë “pjesërisht kënaq”, dhe tetë shkolla u vlerësuan me notën “mirë”, thonë nga ISHA.
Notat që një shkollë mund t’i marrë për punën e saj janë “shumë mirë”, “mirë”, “pjesërisht kënaq” dhe “e pakënaqshme”. Në vendin tonë asnjë shkollë nuk është vlerësuar si “e pakënaqshme”, bëjnë të ditur nga ISHA.
Sipas indikatorëve, vlerësohet planifikimi dhe përgatitja e procesit mësimor të cilin e realizon secili mësues. Gjithashtu matet dhe vlerësohet përdorimi i qasjeve të ndryshme në mësimdhënie, si dhe nëse ata mbajnë me rregull dhe siç duhet evidencën pedagogjike. Gjithashtu, për të formuar notën në nivel të shkollës shihet edhe se si çdo mësues i vlerëson nxënësit (a e bën këtë në mënyrë të vazhduar, me ndërprerje apo herë pas here duke i zbatuar standardet),shkruan Portalb.mk. Është me rëndësi edhe nëse mësuesi planifikon dhe organizon takime me prindërit dhe nëse ka certifikata për zhvillim profesional. Po ashtu analizohet edhe atmosfera e punës brenda shkollës dhe merret parasysh edhe puna e shërbimit profesional dhe drejtorit të shkollës.
Sa i përket lëndës së TIK-ut, problemi është se klasat ose janë të pajisura dobët me kompjuterë, ose ato që janë nuk përdoren. Ndër “dobësitë” inspektorët e kanë listuar edhe inventarin e vjetërsuar të shkollave, shkollat e pasiguruara, qëllimet e pa përshtatura për ligjërimin e lëndëve sipas nevojave arsimore të nxënësve, mungesën e rampave për qasje për personat me aftësi të kufizuara, shkruan Portalb.mk.
Gjithashtu, në këto “dobësi” bën pjesë edhe ajo që në disa shkolla qasja e mësimdhënësve ndaj mësimdhënies është e njëjtë për të gjithë nxënësit, e kështu është, për shembull, në shkollën “Kiro Spanxhov-Brko” në Kavadar.
“Mësuesit nuk e përshtasin zgjedhjen e detyrave dhe aktiviteteve me nevojat individuale arsimore të nxënësve. Ata nuk i njoftojnë prindërit dhe nxënësit me standardet dhe kriteret e vlerësimit, nuk përdorin metoda të ndryshme vlerësimi, nuk monitorojnë në vazhdimësi ecurinë e nxënësve, nuk i përfshijnë nxënësit në vlerësim nëpërmjet vetëvlerësimit. Shkolla nuk ka procedura të parapara për mekanizmat dhe instrumentet për nxënësit e talentuar, si dhe për identifikimin dhe monitorimin e nxënësve me vështirësi në mësim”, ka shënuar në raportin e tij inspektori përgjegjës për këtë shkollë.
Çdo shkollë ka pikat e saj të forta. Kështu, në “Strasho Pinxhur” në Vevçan, shumica e mësimdhënësve përdorin teknika, forma dhe metoda interaktive bashkëkohore të mësimdhënies, nxënësit marrin pjesë në gara, mësimdhënësit vazhdimisht avancohen me trajnime, kurse, seminare, projekte. Ngjashëm është edhe në “Vëllezërit Milladinovci” në Aerodrom të Shkupit, ku ka pjesëmarrje të madhe në gara dhe suksese të nxënësve në nivel komunal, shtetëror dhe ndërkombëtar.
Roli i vlerësimit integral nuk është represiv, pra nuk ka dënime për shkollat me nota më të ulëta dhe qëllimi është të shihet cilësia e sistemit arsimor në vend.
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

