Lajme nga vendi
Kovaçevski sot mbledh në takim liderët e partive të koalicionit qeverisës
Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot do të ketë takim të rregullt me liderët e koalicionit qeveritar, ku do t’i informojë për vizitën në SHBA, mbështetjen e shprehur për vendin dhe reformat për vazhdimin e rrugës evropiane.
Në prag të takimit, Bordi Qendror i LSDM-së mbrëmë u bëri thirrje të gjithë aktorëve politik dhe social që të bashkohen rreth së ardhmes evropiane dhe të vazhdojnë rrugën evropiane.
“Partnerët tanë strategjikë, SHBA, e kuptojnë se sa e rëndësishme është në një kontekst kombëtar, rajonal dhe global që Maqedonia e Veriut të vazhdojë me integrimin evropian që tashmë e ka filluar. Në takimet, Blinken dhe Escobar pa mëdyshje konfirmuan se integrimi evropian i vendit është një proces i pakthyeshëm. Për këtë arsye ata shprehën shqetësimin për bllokimin e opozitës. Nëse nuk vazhdojmë rrugën europiane, nëse nuk hedhim hapat e mëtejshëm, integrimi europian do të ndalet dhe do të gjendemi sërish në një gjendje stagnimi si ai që kishim për 10 vjet deri në vitin 2016. Është shumë e rrezikshme për vendin tonë”, tha Kovaçevski.
Duke theksuar se nuk ka qenë e lehtë për të arritur deri këtu në vitet e kaluara, Kovaçevski theksoi se kjo është hera e parë që bllokada nuk ka ardhur nga jashtë, por, siç tha ai, nga brenda, nga shtëpia, nga opozita, e cila de facto sipas tij, është kundër të gjitha proceseve që e çojnë shtetin përpara.
Takimi i Kovaçevskit me partnerët e koalicionit qeverisës do të mbahet në Klubin e deputetëve dhe pas përfundimit të tij janë planifikuar deklarata për media, njoftojnë nga Qeveria.
Lajme nga vendi
MASH krijon mundësi për zhvillim të vazhdueshëm profesional të mësimdhënësve me fokus në kompetencat digjitale
Zhvillimi i shpejtë teknologjik imponon nevojën për avancimine vazhdueshëm të kompetencave digjitale të mësimdhënësve, në mënyrë që ata të mund të realizojnë mësimin me cilësi dhe t’i njoftojnë nxënësit me trendet bashkëkohore. Për këtë qëllim, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bashkëpunim me Zyrën për Zhvillimin e Arsimit dhe disa partnerë, veçanërisht gjatë vitit të fundit, është fokusuar në organizimin e trajnimeve për zhvillimin e aftësive digjitale të stafit mësimor dhe profesional në shkolla.
Këtë e theksoi sekretarja shtetërore në MASH, Elena Ivanovska, në panel-diskutimin të dedikuar aftësive digjitale dhe inkluzivitetit, në kuadër të konferencës “Transformimi i të Ardhmes: Strategjia Digjitale për Shoqëri Moderne”,të organizuar nga Ministria për Transformim Digjital.
Këtë vit shkollor, inteligjenca artificiale është përfshirë në mësim. Është përgatitur udhëzues për mësimdhënësit, bashkëpunëtorët profesionalë dhe nxënësit për përdorimin etik të mjeteve të inteligjencës artificiale për qëllime arsimore,dhe në bashkëpunim me Fakultetin e Informatikës në Shtip, FEIT dhe Brainster në Shkup organizojmë trajnime cilësore të dedikuara kësaj teme. Deri tani janë përfshirë mbi 1000 mësimdhënës dhe trajnimet do të vazhdojnë edhe vitin e ardhshëm”, tha Ivanovska, duke shtuar se zhvillimi i aftësive digjitale dhe të gjelbërta te mësimdhënësit është edhe detyrim i shtetit, i cili rrjedh nga Plani për rritje të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i përgatitur nga Bashkimi Evropian.
Ivanovska potencoi se paralelisht vazhdon edhe pajisja e shkollave me pajisje bashkëkohore të TIK-ut, duke informuar se në 100 shkolla është vendosur infrastrukturë rrjeti për internet të sigurt pa tela, ndërsa janë prokuruar kompjuterë personalë, tabela inteligjente, projektorë dhe teknologji të tjera.
Gjithashtu, theksoi se Qeveria аktuale dhe MASh-i realizojnë proces të optimizimit të rrjetit shkollor, që nënkupton transferimin e nxënësve nga shkollat më të vogla rajonale në mjediset rurale më të mëdha, zakonisht shkollat qendrore ku ka numër shumë më të madhë fëmijësh, që është e rëndësishme për socializimin dhe posedojnë pajisje më të mira. Kjo siguron qasje të barabartë në arsim cilësor për të gjithë fëmijët, përfshirë edhe zhvillim të barabartë të aftësive digjitale.
Në panel-diskutim u drejtuan edhe zëvendësministri i administratës publike, Llaze Jaçimoski, dekani i FETTI Prof. Dr. Petre Llameski, Prof.Dr. Dimitar Tashkovski nga FETTI dhe Bojana Bajiq nga ReSPA – Regional School of Public Administration.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës
Lajme nga vendi
Aliu për vdekjen e foshnjës në Klinikën E Gjinekologjisë: Presim rezultatet nga Komisioni i Ekspertëve
Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, sot është pyetur në lidhje me rastin e vdekjes së foshnjës në Klinikën e Gjinekologjisë në Shkup, për të cili tha se është formuar komision ekspertësh dhe priten rezultatet e raportit.
“Inspektorati Shëndetësor dhe Sanitar ka përfunduar tashmë procedurat dhe kishte edhe konferencë për shtyp. Nuk janë konstatuar procedura administrative që nuk janë zbatuar. Komisioni është formuar dhe sot është në terren. Të presim rezultatet edhe nga obduksioni për të përmbledhur të gjitha gjetjet dhe më pas do të japim informacion”, tha Aliu.
I pyetur se pse Inspektorati nuk kishte marrë parasysh në raportin e tij një njoftim nga shefja e repartit të Klinikës së Gjinekologjisë që tregonte trajtim të pa kujdesshëm të të porsalindurit, ministri shpjegoi se ai ishte në një udhëtim zyrtar dhe nuk kishte mundur të shihte dokumentin.
“Realisht, nuk isha këtu. Dokumenti është në zyrën time dhe nuk arrita ta lexoj. Në komunikim me drejtorin e ISHS-së, më tha se nga ana e tyre rasti është i pastër dhe kështu më dha informacionin. Do të kontrolloj analizat që janë bërë dhe do t’ju informoj”, tha Aliu.
Pas lajmit për vdekjen e të porsalindurit, Inspektorati Shëndetësor Sanitar ka kryer mbikëqyrje të jashtëzakonshme, duke konstatuar se shkaku i vdekjes ishte pneumotoraks masiv dhe edemë cerebrale. Megjithatë, priten rezultatet e obduksionit që do të tregojnë saktësisht shkakun e vdekjes.
Lajme nga vendi
Çdo i dhjeti adoleshent në Maqedoni ka përdorur qetësues si diazepam apo lexilium
Qetësuesit ose sedativët (diazepam, lexilium, valium, helex) që farmacitë nuk duhet t’i japin pa recetë, përdorimi me recetë në një moment të jetës së tyre u raportua nga 9.9 përqind e djemve dhe 12.2 përqind e vajzave në Maqedoni, për një total prej 11 përqind. Përdorimi i qetësuesve pa recetë ishte më i ulët, në 5.7 përqind të djemve dhe 7.5 përqind të vajzave, për një total prej 6.6 përqind, treguan të dhënat e projektit evropian të kërkimit shkollor mbi alkoolin dhe drogat e tjera – ESPAD 2024, i cili u prezantua dje nga Instituti i Shëndetit Publik.
Të dhënat mbi përdorimin e kanabisit tek adoleshentët tregojnë se 5.5 përqind e popullsisë së përgjithshme të anketuar raportuan se kishin përdorur kanabis të paktën një herë në jetën e tyre, 4.3 përqind gjatë vitit të fundit, ndërsa 2.6 përqind raportuan se e kishin përdorur atë muajin e fundit. Të ndara sipas gjinisë, prevalenca e përdorimit gjatë jetës, vitit të kaluar dhe muajit të fundit është më e lartë tek djemtë sesa tek vajzat.
-
Lajme nga vendi2 months agoBilall Kasami : Mega projekti që po bëhet realitet investim prej 70 milionë denarëve Tetova po transformohet
-
Lajme nga vendi1 month agoUniversiteti i Tetovës shpreh ngushëllime për vdekjen e studentes Daorsa Spahija
-
Lajme nga vendi2 months agoEdhe LSDM del me vlerësimet e saj: Me këtë rezultat, VMRO-DPMNE do të kishte 52 deputetë, kurse ne 21

