Lajme nga vendi
Konferencë për promovimin e të drejtave të fëmijëve: Përmes angazhimit Institucional për mbrojtje më të madhe
Të drejtat e fëmijëve janë shumë të rëndësishme dhe mbrojtja dhe avancimi i tyre duhet të jetë prioritet për çdo shtet evropian, porositi ambasadori evropian Dejvid Gir në konferencën e sotme për promovimin e të drejtave të fëmijëve.
Në ngjarje me rastin e 25 vjetorit të zyrës së Avokatit të Popullit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ambasadori evropian foli për mbështetjen e BE-së për krijimin e hapësirës për të drejtat e fëmijëve.
“Të drejtat e fëmijëve dhe nevoja e tyre për mbrojtje janë prioritet i Bashkimit Evropian, sepse fëmijët dhe të rinjtë janë shtylla e së ardhmes. Shumë shpesh fëmijët nuk janë pjesë e sjelljes së politikave, politika që i sjellim pa i konsultuar, prandaj hapat tanë synojnë për mundësimin e kushteve për përfshirjen e tyre maksimale”, porositi Giri.
Shëndeti mendor i fëmijëve, siç thekson, është nën ndikim të teknologjisë digjitale dhe për këtë shkak krijohen programe të cilat kanë për qëllim fëmijëve t’u mundësojnë edukim për shfrytëzimin e mundësive që i ofron teknologjia.
Sipas Girit, ngjarjet e tilla janë me një rëndësi të madhe sepse janë përkujtuespër të gjitha arritjeve të deritanishme dhe të gjitha qëllimeve të cilat në të ardhmen duhet të realizohen.
Avokati i Popullit, Naser Zyberi, ndërkaq, në fjalimin e tij u përqendrua në punën e zyrës së Avokatit të Popullit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vitet e kaluara.
“Avokati i Popullit me profesionalizëm angazhohet për të drejtat e fëmijëve. Këto të drejta janë shumë të rëndësishme, prandaj institucioni i trajton me shumë kujdes. Duhet të theksoj se veçanërisht jemi krenarë për hulumtimet të cilat i bëjmë dhe më tej shfrytëzohen për ndryshime ligjore, të cilat kanë për qëllim përmirësimin e të drejtave të fëmijëve”, tha Avokati i Popullit Zyberi.
Shtoi se kontribut të veçantë për fëmijët, Avokati i Popullit ka dhënë gjatë pandemisë përmes mbështetjes së shkollave.
Në panel debat morën pjesë edhe përfaqësues të të gjitha organizatave të përfshira të cilat u përqendruan në aspekte të ndryshme të gjendjes me të drejtat e fëmijëve në vend.
Suzana Kiranxhiska, drejtoreshë e Fondacionit “Hapi pas Hapi” u përqëndrua në shkollat dhe rolin e tyre në parandalimin e dhunës, si dhe në promovimin e të drejtave të fëmijëve. Sipas saj, shkollat mund të bëjnë shumë për ta parandaluar dhunën.
“Ne në Shoqatën tonë konsiderojmë se një program arsimor i mirë cilësor është ai që përfshin inkluzion, respekt të demokracisë dhe diversitet që të mundet çdo fëmijë ta realizojë potencialin e tij. E gjithë kjo që ndodh në shoqërinë tonë dhe ngjarjet e fundit në fqinjësi ka bërë t’i hapim sytë dhe të mendojmë se si t’i mbrojmë fëmijët nga dhuna. Detyra jonë dhe detyra e shkollave nuk është me fjalë, por me vepra t’i tregojnë vlerat e vërteta që duhet t’i ndjekin”, vlerësoi ajo.
Kryetari i Ambasadës së parë të fëmijëve në botë “Megjashi”, Dragi Zmijanac, tha se vetëqeverisjet lokale duhet të marrin pjesë shumë më tepër në procesin e avancimit dhe dhe krijimit të politikave.
“Ai që është fokusi im është komunat ku do të mundësohet për fëmijët një vend i përshtatshëm për rritje dhe zhvillim dhe komunat të cilat do të përkushtohen maksimalisht. Në të vërtetë, politikanët bëjnë premtime shumë të ndershme, por vështirë realizojnë. Ajo që mua realisht më shqetëson është se në zgjedhjet lokale premtohen shumë gjëra, por askush nuk mendon në çfarë gjendje ndodhen fëmijët. Duhet shumë të punohet nga ana e komunave, mungon një plan strategjik që kemi bërë, por ende nuk ka arritur në strukturë këshilli”.
I porositi politikanët që të lënë më shumë hapësirë për zërin e fëmijëve, në vend që ta uzurpojnë me fjalimet e tyre politike.
Përveç kryetarëve të komunave dhe përfaqësuesve të pushtetit lokal të pranishëm të Dibrës, Gostivarit, Kisella Vodës, Velesit dhe Vinicës, si dhe drejtorëve dhe përfaqësuesve tjerë të shkollave partnere, në debat morën pjesë edhe nxënës nga disa shkolla të mesme nga Shkupi.
Ngjarja është në organizim të Delegacionit të BE-së në bashkëpunim me organizatat partnere Fondacioni për Iniciativa Arsimore dhe Kulturore “Hap pas Hapi”, Ambasada e parë e fëmijëve në botë “Megjashi” dhe Qendra për Familje dhe Përkujdesje për Fëmijë KMOP Shkup, si dhe Zyra e Avokatit të Popullit.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 22 Tetor
Dje, zyrtarë policorë nga Sektori për Polici Kriminalistike pranë SPB Tetovë dhe nga ekipi mobil “Task Force”, në koordinim me përfaqësues të Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe Drejtorisë së të Ardhurave Publike, kanë realizuar kontroll aksional në një objekt hotelerie në Qendrën Tregtare të Qytetit në Tetovë.
Me këtë rast, para objektit është zënë një 48-vjeçar nga Tetova dhe gjatë kontrollit tek ai është gjetur një substancë e bardhë pluhur, pas çka është privuar nga liria.
Ndërsa, brenda në objekt, te pronari 54-vjeçar nga fshati Trebosh janë gjetur 15 paketime me substancë të bardhë pluhur, pas çka edhe ai është privuar nga liria.
Të dy janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj tyre do të vijojë parashtresë përkatëse.
…….
Dje në orën 12:00 në Stacionin Policor Gostivar, nga Ndihma e Shpejtë Mjekësore Gostivar është denoncuar se te ata është sjellë një 15-vjeçar nga Gostivari pa shenja jete. Sipas denoncimit, në shtëpinë e tij në Gostivar ai kishte rrëshqitur dhe ka rënë shkallëve, ndërsa pasi është pranuar në spital, pas reanimimit të kryer ka shfaqur shenja jete dhe me automjet të Ndihmës së Shpejtë Mjekësore Gostivar është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, ku i janë konstatuar lëndime të rënda trupore. Është njoftuar prokurori publik, është kryer këqyrje në vendngjarje dhe po merren masa për zbardhjen e ngjarjes.
…….
Dje në orën 19:10 në Stacionin Policor Tetovë, një 38-vjeçar nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 18:30 në rrugën “Todor Cipovski Merxhan”, djali i saj 11-vjeçar është sulmuar fizikisht nga një i mitur tjetër. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
……
Dje në orën 22:30 në Hanet e Mavrovës, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Mavrovë kanë privuar nga liria një 22-vjeçar nga Shkupi. Gjatë një kontrolli në trafik është ndaluar automjeti i udhëtarëve “Volksëagen Golf” me targa të Shkupit, të cilin e drejtonte ai, me ç’rast është konstatuar se e drejtonte pa pasur leje drejtimi. Automjeti është konfiskuar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresë përkatëse.
……..
Dje në orën 20:00 në Stacionin Policor Gostivar, një 71-vjeçar nga Gostivari ka denoncuar se rreth orës 18:30 te Stacioni i Autobusëve në Gostivar, derisa po kryente detyrat e punës si taksist, është sulmuar fizikisht nga një person. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
…….
Dje në orën 13:25, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Gostivar kanë privuar nga liria një 29-vjeçar nga Gostivari, i cili ditën e mëparshme është denoncuar nga nëna e tij 53-vjeçare se në disa raste e ka kërcënuar. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.
……
Pas mesnate në orën 02:00 në SPB Tetovë është denoncuar se ka shpërthyer zjarr në një arë në fshatin Sellarcë e Epërme. Zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Zherovjan kanë dalë në vendngjarje dhe kanë konstatuar se është djegur kashtë, e cila ishte grumbulluar në disa pirgje. Ekipi i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit e ka shuajtur zjarrin, ndërsa persona të lënduar nuk ka. Këqyrja e vendngjarjes është kryer nga ekipi i SPB Tetovë.
Lajme nga vendi
Në shtator, tetë burra në Maqedoni u diagnostikuan me HIV, vetëm këtë vit janë regjistruar 49 raste të reja
Në shtator të këtij viti, në Maqedoninë e Veriut u regjistruan tetë raste të reja me HIV/AIDS, të gjitha te persona të gjinisë mashkullore, tregojnë të dhënat nga buletini më i ri mujor i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP). Katër nga personat e diagnostikuar rishtazi janë të moshës 30 deri në 39 vjeç, ndërsa nga një rast është regjistruar në grupmoshat 15–19 vjeç, 20–29 vjeç, 40–49 vjeç dhe 50–59 vjeç, transmeton Portalb.mk.
Në shtator u raportuan edhe dy raste të vdekjes te persona me HIV, të cilët ishin regjistruar më parë me këtë infeksion, përkatësisht në vitin 2015 dhe 2018. Të dy personat që vdiqën ishin të moshës 40 deri në 49 vjeç. Sipas të dhënave të ISHP-së, nga fillimi i vitit 2026 deri më 30 shtator, në vend janë regjistruar gjithsej 49 raste me HIV/AIDS.
Që nga fillimi i regjistrimit të rasteve, në vitin 1987, e deri në shtator të vitit 2026, në vend janë regjistruar gjithsej 778 persona me HIV/AIDS. Prej tyre, 520 persona jetojnë me HIV/AIDS, 144 kanë vdekur, ndërsa 114 figurojnë si të humbur për ndjekje, përkatësisht si persona që janë shpërngulur jashtë vendit.
Në buletinin për sëmundjet akute infektive thuhet se gjatë shtatorit në Maqedoninë e Veriut katër persona kanë vdekur nga ethet e Nilit Perëndimor, ndërsa gjithsej 1.042 persona janë prekur nga sëmundje akute infektive. Numri i të prekurve është 22 përqind më i lartë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 854 raste.
“Të katër personat që kanë vdekur ishin të moshës 65 deri në 70 vjeç dhe te ta ishte diagnostikuar forma neuroinvazive e etheve të Nilit Perëndimor. Ata ishin të hospitalizuar në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup, ndërsa te të gjithë ishin regjistruar edhe sëmundje shoqëruese”, thuhet në buletin.
Epidemia e etheve të Nilit Perëndimor është ende në vazhdim.
Pjesa më e madhe e sëmundjeve infektive të regjistruara në shtator ishin infeksione të zorrëve. Nga gjithsej 1.042 rastet e raportuara, 694 ishin raste me enterokolit, që përbëjnë 66,6 përqind të të gjitha sëmundjeve akute infektive të regjistruara.
Krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, kur ishin raportuar 465 raste me enterokolit, këtë vit është shënuar rritje prej 49,2 përqind. Nga fillimi i këtij viti deri në fund të shtatorit janë regjistruar 4.313 raste, që është 43,1 përqind më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në vendin e dytë për nga shpeshtësia janë lija e dhenve, me 123 persona të prekur, të ndjekura nga salmoneloza me 56 raste, zgjebja me 47 raste dhe infeksionet bakteriale e intoksikimet e shkaktuara nga ushqimi me 30 raste.
Në shtator u regjistruan edhe 29 raste të mononukleozës infektive, tetë raste të sëmundjes së legjionarëve dhe gjashtë infeksione të shkaktuara nga bakteri Escherichia coli.
Lajme nga vendi
Ministria e Transformimit Digjital në RMV bllokon përkohësisht trafikun e jashtëm në internet si masë parandaluese
Ministria e Transformimit Digjital informon se, si pjesë e aktiviteteve parandaluese, trafiku i jashtëm në internet në sistemet e prekura është bllokuar përkohësisht, me qëllim parandalimin e shfrytëzimit të mundshëm të dobësive.
Prandaj, ata theksojnë se Ministria, përmes Sektorit të Sigurisë Kibernetike dhe ekipit qeveritar të sigurisë kompjuterike (MKD-GOV-CSIRT), vazhdon me monitorimin e zgjeruar dhe të vazhdueshëm të kërcënimeve kibernetike, analizën e ngjarjeve të sigurisë dhe të dhënave të regjistrave, si dhe kontrollin e treguesve të mundshëm të kompromentimit.
Përndryshe, institucionet qeveritare dhe kompanitë në të gjithë Evropën dhe botën u detyruan të mbyllin faqet e tyre të internetit dje, pasi u zbuluan të meta serioze në gjuhën e programimit mbi të cilën bazohet pjesa më e madhe e internetit, raportuan mediat botërore.
Ministria e Transformimit Digjital informon se, si pjesë e aktiviteteve parandaluese, trafiku i jashtëm i internetit në sistemet e prekura u bllokua përkohësisht, me qëllim parandalimin e shfrytëzimit të mundshëm të dobësive.
Më pas, shtohet, u kryen kontrolle në versionet e softuerit dhe u aplikuan patch-e dhe përditësime të përshtatshme sigurie, si dhe u kontrollua funksionaliteti dhe siguria e serverëve të internetit.
Masat, thonë nga Ministria, synojnë të zvogëlojnë rrezikun e aksesit të paautorizuar dhe kompromentimit të mundshëm të serverëve të internetit.
“Sipas kontrolleve të kryera deri më tani, nuk janë gjetur indikacione për shfrytëzim të suksesshëm të dobësive të listuara ose për kompromentimin e faqeve të internetit të Qeverisë dhe ministrive”, thuhet në njoftim.

