Lajme nga vendi
Rritja e pagave të zyrtarëve shton revoltën, kërkesa për rritje pagash në më shumë sektorë
Te të punësuarit në sektorin publik sa vjen e shtohet revolta për mos rritje të pagave. Madje në disa institucione të shtetit vetëm se kanë filluar protesta periodike gjatë orarit të punës. Hapi i radhës, sipas sindikalistëve është greva e përgjithshme. Mosmarrëveshja me autoritetet për unifikim të metodologjisë së re të pagave ka bërë që Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë të ngre alarmin si asnjëherë më parë. Por, pakënaqësi të mëdha ka edhe në sektorin privat. Ivan Peshevski, Sindikata e Ndërtimtarisë dhe Industrisë tha se ideja për protestë vlon edhe te të punësuarit në kompanitë private, të cilët nuk janë të kënaqur me rrogat. Peshevski tha se punëdhënësit kanë abuzuar me fondet e shteti dhe masat lehtësuese, por asnjëherë nuk kanë përmirësuar kushtet e punëtorëve vetëm atëherë kur ka pasur kriza të ikjes masive.
“Do të vazhdojnë trysnitë tona jo vetëm në sektorin publik por edhe në atë privat sepse një pjesë e madhe e të punëdhënësve aty ku nuk e kanë pasur patjetër tu rritin pagat, iu kanë lënë të njëjta. Duke i thirrur në atë se mbushin standardin e pagës minimale por ato është pagë sociale që në këtë krizë nuk mjafton as paga mesatare dhe duhet patjetër të bëhet riorganizimi në ato sektorë”, deklaroi Ivan Peshevski, Sindikata e Ndërtimtarisë, Industrisë dhe Planifikimit.
Sipas ekspertëve ky mllef u shtua kur funksionarët e shtetit, vetes ia rritën pagën 2 mijë denarë në ditë, kurse vetëm një pjese të sektorit publik u rritën pagat veç 2 mijë denarë në muaj. Profesori ekonomisë Abil Baushi thotë se rritja e pagës minimale nuk është për tu lavdëruar nga autoritetet kur inflacioni dy shifrorë ka shkrirë edhe pagat mesatare. Ai tha se formulimi i pagave është bërë në qindra mënyra dhe ka krijuar padrejtësi ndërmjet të punësuarëve dhe treg jo lojal të punës.
“Patjetër duhet të ketë shpejtë metodologji të re të pagave, jo vetëm në rritje të pagave por edhe kushtet më të mira dhe rezultate në punë të sektorit publik. Rritja e pagës minimale e ngacmoi sektorin privat, mendoj se atyre iu paraqiti një shtesë. Nëse fillojnë paralajmërimet për rritje shtesë të energjisë elektrike dhe energjensave tjera, ata do të kërkojnë një alternativë tjetër për ti mbajtur punëtorët. Kërkesat e tyre do të shtohen me presion ndaj Qeverisë”, tha Abil Baush, profesor i ekonomisë.
Në shtetin tonë ku ka rreth 1.8 milion banorë, në sektorin publik janë të punësuar mbi 130 mijë të cilët marrin rrogë nga buxheti i shtetit kurse në sektorin privat janë të punësuar rreth 350 mijë. Nga e gjithë kjo shifër e të punësuarëve në vendin tonë ¼ marrinë paga minimale, diçka mbi 20 mijë denarë. Në vendet e Evropës tre të punësuar duhet të mbulojnë shpenzimet e një pensionisti, kurse te ne duhet 6 të punësuar të mbushin normën e Fondit Pensional për një pensionist. Gjithsesi, kontributi i punëtorit në sektorin privat përveç tjerash, siguron në buxhet edhe një pagë të atyre në sektorin publik./tvnews/
Lajme nga vendi
Besnik Xhemaili zgjidhet zëvendëskryetar i Antikorrupsionit
Anëtari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Besnik Xhemaili, është zgjedhur zëvendëskryetar i KSHPK-së, funksion që do ta kryejë gjashtë muaj.
Zgjedhja e zëvendëskryetarit të KSHPK-së është kryer sipas parimit të rotacionit, dhe renditja u përcaktua sipas rendit alfabetik të mbiemrave të anëtarëve të KSHPK-së, shpjegoi kryetari Adem Çuçuli.
“Mandati i zëvendëskryetares aktuale të KSHPK-së, Sofija Spasova Medarska, përfundon më 18 gusht, ndërsa mandati i zëvendëskryetarit të ri, Besnik Xhemaili, do të fillojë më 19 gusht të këtij viti”, theksoi Çuçul, propozimi i të cilit u pranua unanimisht.
Në seancën e sotme të KSHPK-së, kryetari Çuçul informoi se Komisioni ka evidentuar 30 persona të zgjedhur, të emëruar ose mandati i të cilëve ka përfunduar në prill, të cilët nuk e kanë përmbushur detyrimin ligjor për të paraqitur deklaratën e gjendjes pronësore dhe konfliktit të interesit brenda afatit ligjor. Për të gjithë personat, theksoi Çuçul, do të iniciohen procedura kundërvajtëse dhe shqiptohen gjoba.
Anëtarët e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sot morën 51 vendime për të njëjtin numër rastesh nga ankues të njohur ose të panjohur në KSHPK.
Lajme nga vendi
Uji në Gostivar mbetet vetëm për përdorim teknik, nuk lejohet për pirje
Uji nga ujësjellësi në Gostivar mbetet vetëm për përdorim teknik dhe ende nuk ka rekomandim që të përdoret për pirje ose gatim, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Sipas tij, arsyeja është paraqitja e një bakteri rezidual në instalimet e ujësjellësit, për shkak të të cilit uji vazhdon të jetë i ndaluar për konsum.
Duke komentuar akuzat ndaj Qeverisë se nuk ka ndërmarrë masa për të parandaluar ndotjen e ujit në Gostivar, Mickoski tha se në vitin 2021, kur lideri i SDSM-së, Venko Filipçe, ishte ministër i Shëndetësisë, ishin regjistruar mbi 400 ankesa për cilësinë e ujit në Gostivar.
Kryeministri i bëri thirrje Prokurorisë që t’i verifikojë këto pretendime, të hapë procedurë dhe të kryejë kontrolle në Institutin e Shëndetit Publik dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Sipas Mickoskit, institucionet kompetente duhet të sqarojnë pse, edhe pse kanë pasur mundësi të reagojnë, nuk kanë ndërmarrë masa për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të Gostivarit.
Lajme nga vendi
Skandal me provimin e Stomatologjisë: Studentja i pagoi ryshfet profesorëve, policia kapi mijëra euro
Njësia për Krim Financiar pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penal ndaj tre personave të dyshuar për përfshirje në një skemë korruptive lidhur me përfitimin e paligjshëm të certifikatës për provimin profesional në stomatologji.
Gjatë kontrolleve te dy prej të dyshuarve, policia ka sekuestruar shuma të konsiderueshme parash në valuta të ndryshme.
Sipas MPB-së, A.T. (27) nga Manastiri, studente e stomatologjisë, gjatë dhjetorit 2025 ka komunikuar disa herë përmes aplikacionit Viber me S.Ç. (56) nga Gostivari, profesor në Fakultetin e Stomatologjisë dhe ish-nënkryetar i Odës së Stomatologëve.
Siç njofton MPB-ja, pasi arritën marrëveshje, studentja i ka transferuar para në llogarinë bankare profesorit, me qëllim që ai të përdorte ndikimin e tij për t’i mundësuar marrjen e certifikatës si punëtore shëndetësore, edhe pse nuk i plotësonte kushtet e nevojshme.
Sipas kallëzimit penal, profesori më pas ka ndërhyrë te S.E. (63) nga Shkupi, i cili në atë periudhë ishte kryetar i Komisionit për Provimin Profesional pranë Ministrisë së Shëndetësisë.
Më 17 dhjetor 2025, studentja është paraqitur para komisionit, ka kaluar provimin dhe më pas ka marrë certifikatën shtetërore.
Gjatë aksionit, zyrtarët policorë nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë kanë kryer kontrolle në banesat e të dyshuarve të dytë dhe të tretë, ku janë sekuestruar 65.280 euro, 29.840 franga zvicerane dhe 161.500 denarë.
“Në bazë të provave të siguruara, A.T. dyshohet për veprën penale dhënie shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm, S.Ç. për marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm, ndërsa S.E. për marrje ryshfeti”, njoftoi MPB.
Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e të gjitha rrethanave që lidhen me skemën e dyshuar korruptive.

