Lajme nga vendi
Rritet numri i automjeteve në pikat kufitare të Maqedonisë, koha e pritjes është rreth gjysmë ore
Si zakonisht për periudhën e verës edhe sot ka rritje të frekuencës së automjeteve në vendkalimet kufitare Tabanoc për hyrje në RMV dhe në VK Bogorodicë për dalje nga shteti. Por nuk ka vonesa të mëdha, koha e pritjes është rreth 30 minuta.
Në vendkalimet tjera kufitare nga ana e Maqedonisë nuk ka vonesa të mëdha për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon rregullim të shpejtësisë së lëvizjes, respektim të sinjalistikës në komunikacion dhe menaxhim të kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumore dhe gryka, ku ka mundësi për rrëshqitje të dheut. Kjo veçanërisht vlen për segmentet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
Lajme nga vendi
Kompania amerikane Carlyle arrin marrëveshjet për t’i blerë asetet globale të Lukoilit rus
Firma amerikane e kapitalit privat, Carlyle Group, ka arritur marrëveshje për t’i blerë shumicën e aseteve të huaja të Lukoilit, të vlefshme rreth 22 miliardë dollarë.
Lukoil, kompania e dytë më e madhe e naftës në Rusi, është e detyruar t’i shesë këto asete për shkak të sanksioneve amerikane.
Shitja, për të cilën njoftuan të dyja kompanitë të enjten, vjen në një moment kur negociatorët rusë, ukrainas dhe amerikanë po përpiqen të arrijnë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Kjo shitje do të shënonte fundin e përpjekjeve të Lukoilit, të paktën tani për tani, për t’u bërë aktor global.
As Lukoil dhe as Carlyle nuk treguan çmimin e shitjes së aseteve.
Shitja duhet të miratohet nga agjencia amerikane që administron sanksionet. Thesari i SHBA-së i kishte dhënë Lukoilit afat deri më 28 shkurt për ta shitur portofolin e tij global.
Lajme nga vendi
Çdo komunë do të ketë varreza për kafshët shtëpiake
Drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinarinë (AUV), Oliver Millanov pas takimeve me ministrin e Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, dhe me kryetarin e Qytetit të Shkupit dhe kryetarin e BNJVL-së, Orce Gjorgjievski tha se ka dhënë dhanë mbështetje të plotë për ndërtimin e varrezave për kafshët shtëpiake nëpër komuna, përcjell TV21. Në takime u vu gjithashtu theksi te masat e propozuara për uljen e popullatës së kafshëve të rrugës përmes krijimit të një sistemi strehimi në secilën njësie të vetëqeverisjes lokale.Drejtori i AUV-së, Milanov, theksoi se në ndryshimet e propozuara ligjore tashmë janë përfshirë vërejtjet dhe propozimet e shoqatave për mbrojtjen dhe mirëqenien e kafshëve, dhe do të merren parasysh edhe propozimet nga komunat.
“Si institucion përgjegjës për mbrojtjen shëndetësore dhe mirëqenien e kafshëve, AUV do t’u vijë në ndihmë njësive të vetëqeverisjes lokale dhe do t’u ofrojë ndihmë në zgjidhjen e çështjeve teknike për krijimin e sistemit të kontrollit të popullatës së qenve të rrugës, në përputhje me mundësitë, kompetencat dhe autorizimet e Agjencisë”, përfundoi drejtori Millanov.
Lajme nga vendi
Mexhiti: Këtë vit fillojmë me ndërtimin e rrugës Cvetan Dimov, rrugës së Jahja Pashës!
Projekti për ndërtimin e rrugës Cvetan Dimov, e njohur edhe si rruga e Jahja Pashës, tashmë ka hyrë në buxhetin e Qytetit të Shkupit dhe në planin e furnizimeve, duke hapur rrugën për fillimin e realizimit gjatë këtij viti. Kështu është shprehur kryetari i Komunës së Çairit dhe njëherësh njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti në emisionin Click Plus në TV21.
Sipas Mexhitit ka pasur disa vonesa për nisjen e këtij projekti për shkak të mungesës së dokumentacionit nga qeverisja e kaluar, por sipas tij, këto pengesa tashmë janë drejt finalizimit.
I pyetur nëse realizimi i projektit do të prekë bizneset përgjatë kësaj rruge, Mexhiti siguroi se nuk parashihet rrënim i dyqaneve dhe se bizneset nuk do të dëmtohen.
“Nuk ka dyqane që duhet të rrënohen. Pika më kritike është ndërtesa që ka mbetur prej kohës së komunizmit, përballë shkollës “Liria”. Të tjerët, edhe ata që kanë ndërtuar objekte të përkohshme, i dinë vijat e kuqe, ose janë tërhequr më brenda ose kanë lënë hapësirë që kur të vijë puna për realizimin e bulevardit, të rrënohen ato pjesë”, tha Mexhiti.
Mexhiti gjithashtu ka shtuar se në rast se ka rrënime të pjesshme të objekteve, qytetarët do të dëmshpërblehen nga Qyteti i Shkupit.
“Ka një buxhet prej 2 deri në 3 milionë euro për dëmshpërblim të qytetarëve. Nëse dikujt do i merren 2 metra, 5 apo 10, për aq sa merret, do të dëmshpërblehen. Këtu kompromis nuk ka, pasi që kjo është arteria kryesore e Çairit”, ka theksuar më tej Mexhiti.
Sipas kryetarit të Çairit, Izet Mexhiti me realizimin e bulevardit “Cvetan Dimov”, Çairi do të marrë një dimension të ri zhvillimi, pasi që kjo rrugë lidh drejtpërdrejt lagjen me qarkoren e Shkupit, duke përmirësuar ndjeshëm qarkullimin dhe perspektivën urbane të zonës.

