Lajme nga vendi
Dasmat në Pollog/ Dy të plagosur nga të shtënat me armë
Dy persona janë plagosur në Pollog nga të shtënat me armë zjarri në ahengje familjare që nga nisja e këtij sezoni. Një në Çellopek të Tetovës dhe tjetri në fshatin Çegran të Gostivarit. Zëdhënësi i sektorit për punë të brendshme Tetovë zbulon se rastet janë plagosje nga plumbat qorr.
“Siç e filluam sezonin nuk kishim raste. Dy rastet e fundit, njëri në Çegran një zonjë duke qëndruar në oborrin e shtëpisë së saj pësoi lëndime nga një plumb i pa destinuar, kështu pjesëtarë të SPB Tetovë si të dyshuar të armës së zjarrit kanë arrestuar 13 persona ku janë mbajtur në stacionin policor dhe punohet në zbardhjen e rastit. Rasti dytë është në Çellopek të Tetovës ku një person duke qëndruar në qendër të fshatit është goditur në kokë nga një plumb i pa destinuar dhe për fat të mirë ka përfunduar me lëndime jo serioze”, u shpreh Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.
Rexhepi apelon të festohet me zemër, por jo me armë. Rikujton se edhe fishekzjarrët janë të ndaluara nëse paraprakisht nuk është marrë leje për hedhjen e tyre.
“Kemi organizuar takime me menaxherë dhe udhëheqës të objekteve e hotelerisë, siç janë organizatorët e ahengjeve familjare dhe dasmave duke i njoftuar të njëjtët për implikimet ligjore në rast se ndodhin të shtëna me armë zjarri apo organizim i fishekzjarrëve në mënyrë të paligjshme nëpër objektet e tyre hotelierike”, shtoi Rexhepi.
Të shtënat me armë janë në kundërshtim me Ligjin për prishjen rendit dhe qetësisë publike dhe gjoba për këtë lloj kundërvajtjeje sipas nenit 31 varion nga 200 deri në 500 euro. Po ashtu varësisht nga pasojat, gjuajtja mund të jetë dhe vepra penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, për të cilin është paraparë dënim me burg prej një deri në pesë vjet./TV21
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

