Lajme nga vendi
Fakulteti me më shumë studentë në RMV nesër do të protestojë para Qeverisë: Kërkojnë “kushte më të mira për studim”
Fakulteti i Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FSHIIK), me vendim të drejtorisë së dekanatit, nesër në ora 12 do të mbajë protestë paqësore para Qeverisë. Përveç dekanit dhe prodekanëve, anëtarëve të drejtorisë së dekanatit do të jenë edhe udhëheqësit e institucioneve dhe një anëtar i zgjedhur nga Asambleja Studentore e Fakultetit. Nga Fakulteti kumtuan se në protestë do të mbahet seanca e 25-të e rregullt e Këshillit-Mësimor Shkencor, shkruan Meta.mk.
Qëllimi i protestës, thonë nga FSHIIK, është që “t’i tregohet pushtetit për nevojën e përmirësimit të kushteve për studim të studentëve të Fakultetit” duke aluduar në problemin hapësinor me të cilin përballet ky institucion. Me më shumë se 5.000 studentë, FSHIIK është fakulteti me më shumë studentë në shtet, por sfidë e vërtetë për udhëheqësinë e fakultetit është ajo që institucioni nuk ka hapësirë të mjaftueshme që t’i akomodojë të gjithë studentët e regjistruar.
Dekani i FSHIIK, prof.dr. Boro Jakimovksi për Meta.mk thotë se vendimi për protestë vjen pas mosplotësimit të premtimit nga ana e Qeverisë në lidhje me kërkesën e tyre.
“Vendimi është miratuar pasi që në periudhën e deritanishme kemi marrë informata nga Qeveria se do të vendoset pozitivisht për kërkesën tonë të drejtuar që vitin e kaluar në maj dhe do të marrim mbështetje dhe informata se ajo do të realizohet, por në seancë qeveritare në shkurt, përpara se të shpallen zgjedhjet presidenciale, kur përfundimisht u vendos në rend dite, vendimi u anulua për një seancë, ndërkaq më pas edhe për një muaj. Pastaj, kur kaloi seanca e djeshme, morëm informatë se nuk do të shkohet në drejtim të miratimit të kërkesës sonë për marrjen e hapësirës shtesë të Kampusit Teknik”, thotë Jakimovski.
Për problematikën në fjalë, dje nga Ministria e Arsimit theksuan se me dhënien eventuale të hapësirave në të cilat për momentin është e vendosur Byroja për Zhvillim të Arsimit (BZHA), FSHIIK do të fitonte objekt i cili nuk përmbush kushte për realizim të mësimit.
Nga atje thonë se FSHIIK do të ketë ndërtesë në mjedisin e kampusit shoqëror të UKM-it, por ndërtimi për momentin është stopuar. Objekti i cili duhej të jetë shtëpi e FSHIIK-së filloi të ndërtohet para më shumë se tetë vite, por mbeti i pandërtuar, pasi në korrik të vitit 2019 firma realizuese “Beton-Shtip” shkoi në falimentim.
“FSHIIK do të ketë objekt tërësisht të ri në mjedisin e kampusit të UKM-it. Siç është e njohur, ai objekt filloi të ndërtohet, por procedura për momentin është stopuar, për shkak të falimentimit të realizuesit të punimeve ndërtimore. Informojmë se pas revizionit të projektit dhe vlerësimit të aktiviteteve të kryera nga marrëveshja, do të zgjidhet realizues i ri i cili tërësisht do ta përfundojë objektin”, thonë nga MASH-i.` `
Meta.mk tashmë kanë shkruar për problemin hapësinor të FSHIIK-ut. Ndërtesa e paralajmëruar prej kohësh që duhet të marrë fakulteti dhe që filloi të ndërtohej në Kampusin Social të UKM-së, mbeti e papërfunduar. Shpresat se ndërtimi do të rifillonte u rritën vitin e kaluar, por u shuan përsëri kur kjo nuk ndodhi.
Buxheti për vitin 2024 nuk parashikon mjete për vazhdimin e ndërtimit të objektit të FShIIK-ut dhe fqinjit të tij – Fakultetit të Kulturës Fizike, Sportit dhe Shëndetësisë (FKFSSh).
Lajme nga vendi
A po zbutet Maksi, pas reagimeve të VLEN vendos flamurin shqiptar në komunë ?!
Pas reagimeve të shumta të VLEN-it ndaj qëndrimeve të tij kundër mbajtjes së provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, kryetari i Komunës së Kumanovës dhe lideri i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, sot ka vendosur flamurin shqiptar në objektin e komunës.
Dimitrievski ditëve të fundit shkaktoi reagime të ashpra në opinion, pasi paralajmëroi se ZNAM-i do të largohet nga Qeveria nëse lejohet që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në një gjuhë tjetër përveç maqedonishtes.
Qëndrimet e tij u kundërshtuan nga përfaqësuesit e VLEN-it. Bashkëkryetari Izet Mexhiti, në një reagim publik, i kujtoi Dimitrievskit se edhe vetë Komuna e Kumanovës funksionon në dy gjuhë, duke i bërë thirrje që, nëse e pengon përdorimi i shqipes, të lirojë postin e kryetarit të komunës.
Vendosja e flamurit shqiptar në Komunën e Kumanovës vjen në kohën e debatit të ashpër politik për të drejtat gjuhësore dhe pas reagimeve të VLEN-it ndaj deklaratave të liderit të ZNAM-it.
Lajme nga vendi
“QYTET I SIGURT”: 29% MË PAK VIKTIMA NË AKSIDENTE TRAFIKU!
Numri i personave që kanë humbur jetën në aksidente trafiku është ulur për rreth 29 për qind, krahasuar me dy vitet paraprake, njoftoi sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Një numër i madh funksionarësh, ministrash, drejtorësh dhe personash nga institucionet fetare kanë qenë në listën e të ndëshkuarve për kundërvajtje në trafik, pasi janë regjistruar nga sistemi “Qytet i Sigurt”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se kishte pasur ndërhyrje për anulimin e gjobave, por ato kanë pushuar pas reagimit të tij të ashpër.
Kundërvajtjet në trafik, sipas tij, janë bërë si me automjete zyrtare, ashtu edhe me ato private, por të gjitha gjobat janë paguar.
Sipas tij, “Safe City” ka ulur ndjeshëm aksidentet me epilog fatal në trafik.
PANÇE TOSHKOVSKI – Ministër i Brendshëm
“Në 15 vitet e fundit në rrugët e Maqedonisë kanë humbur jetën 2.131 persona mesatarisht 142 persona në vit. Gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti, në aksidente trafiku kanë humbur jetën 85 persona, kundrejt 117 viktimave në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe 119 në vitin 2024.Bëhet fjalë për një ulje prej rreth 29 për qind”
Ministria e Punëve të Brendshme, me projektin “Qytet i Sigurt”, ka fituar vendin e parë në kategorinë “Përsosmëri në Sigurinë e Trafikut” në Samitin Botëror të Policisë, të mbajtur në Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe, tha Ministri Toshkovski.
Projekti i Maqedonisë së Veriut u përzgjodh si më i miri në konkurrencë me Policinë e Singaporit, Policinë e Abu Dhabit, Drejtorinë e Rrugëve dhe Transportit të Dubait dhe shërbimin policor të shtetit indian Maharashtra.
Lajme nga vendi
Skandal në një shkollë të rrethinës së Tetovës: 51-vjeçari futet në klasat e shkollës dhe rreh dy nxënës të mitur!
.Dje në ora 18:10, punonjësit e policisë nga Stacioni Policor Grupçin kanë privuar nga liria një 51-vjeçar nga f. Trebosh. Sipas denoncimit, rreth orës 09:00, gjatë pushimit të madh, ai ka hyrë në ambientet e shkollës fillore në fshatin Trebosh, ka sulmuar fizikisht dy nxënës të mitur dhe u ka drejtuar kërcënime verbale. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të pasojë kallëzimi përkatës.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

