Lajme nga vendi
Shumë toka bujqësore të pambjella në Pollog
Vitet e fundit, gjithnjë e më shumë në Pollog mund të hasim të fusha të këtilla, të pambjella e të lëna anash. E gjithë kjo sepse nuk ka leverdi, thonë bujqit të cilët dita ditës mendohen që të heqin dorë krejtësisht nga bujqësia.
Nagip Rushiti merrej me bujqësi rreth pesë dekada. Por vitin e fundit, ai hoqi dorë, për shkak të punës me humbje. Sipas tij 20 vitet e fundit janë më të zezat për bujqësinë, ndërsa akuzon shtetin se nuk ndihmon aspak.
“Kurrë nuk kemi qenë me keq se këta 20 vite. Kemi punuar jemi bërë idare por këta 20 vite vetëm jemi duke humbur. Ka mbet djali ai e shtyn edhe pak se tjerë për bujqësinë skam më. Unë jam hek krejt prej bujqësisë më e shtyj dita ditës. Shteti nuk ndihmon, nëse s’jep ryshfet s’ka. Kam konkurruar disa herë për makinat, po që se nuk i jep dikujt s’ka makinë. Patjetër të japish. Nipi im konkurroi mori makinën më shtrenjtë se me e ble i doli, këtij ryshfet atij ryshfet dhe nuk mbetet gjë s’mund t’ia dalësh. Janë bërë hajdutë të mëdhenj të pa ngirë. Kjo është absurde edhe në komunizëm nuk kemi qenë kaq të shtypur”, u shpreh Nagip Rushiti, bujk.
Bekim Reshiti nga Reçica e Vogël thotë se dikur nuk kishte arë pa mbjell, ndërsa tani me rritjen e shpenzimeve fushat mbetën të zbrazëta.
“Më parë nuk kishte arë që s’punohej, tash duket se punohen por krejt shkretë kanë mbet shkaku i harxhimeve të mëdha. S’kemi leverdi e lejmë më mirë pa mbjellë. Shteti duket kurse ndihmon, por, ndihmon me naftë vetëm sa për të shkuar te ara dhe të kthehesh, aq na ndihmon. Për punëtor është vështirë nuk ka, edhe ata pak që janë nuk ke leverdi t’i marrësh, dyzet dhe pesëdhjetë euro kërkojnë edhe atë me orar të caktuar me bukën tonë. Familjarisht jemi marrë vetëm me bujqësi por dalë ngadalë e shoh se nuk shkon, dua ta le krejt”, theksoi Bekim Reshiti, bujk.
Nga Njësia rajonale e ministrisë së Bujqësisë në Tetovë, informojnë se vitin e shkuar ka pasur afër 4.000 aplikime për masa për bujqit dhe blegtorët, ndërsa këtë vit ky numër ka shënuar rënie. Shkak për këtë sipas kësaj Njësie janë edhe kushtet klimatike, të cilat kanë ndikuar që, korrjet e grurit të ulen për rreth tridhjetë për qind.
Lajme nga vendi
REAGOJNË STUDENTËT: KANË PUNUAR NË GJERMANI DO TË PAGUAJNË NË MAQEDONI?!
Studentët që kanë qëndruar dhe punuar më shumë se gjashtë muaj në Gjermani dhe kanë përfituar kthim të tatimit, mund të përballen me detyrime shtesë tatimore në Maqedoninë e Veriut. Kjo ka shkakuar revolt dhe reagime nga studentët.
Në vend të përmirësimit të standardit studentor dhe zgjerimit të beneficioneve për studentët, ata që kanë vendosur të fitojnë të ardhura shtesë përmes programit “Work and Travel”, më së shpeshti në Gjermani, kanë marrë njoftime nga Drejtoria e të Ardhurave Publike me detyrim për të paguar tatim mbi të ardhurat e realizuara.
Sipas informacioneve të publikuara nga organizata studentore, studentët janë thirrur të paraqesin deklaratë elektronike tatimore dhe të deklarojnë të ardhurat e realizuara jashtë vendit.
Bëhet fjalë për të ardhura që tashmë kanë kaluar tatimin në Gjermani, ndërsa kërkohet edhe pagesë shtesë e tatimit për mjetet e marra si kthim i tatimit të mbajtur, të cilat janë transferuar në llogari valutore në vend.
Kuvendet studentore vlerësojnë se ky vendim është i papranueshëm. dhe bëjnë thirrje për respektimin e plotë të marrëveshjes bilaterale mes Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë për shmangien e tatimit të dyfishtë.
Drejtoria e të Ardhurave Publike njoftoi se studentët nuk janë “në shënjestër” dhe se nuk po vendosen detyrime të reja tatimore, por po zbatohen ligjet ekzistuese.
Institucioni thekson se qëllimi është vendosja e rendit dhe zbatimi i barabartë i rregullave tatimore për të gjithë qytetarët.
Studentët që kanë punuar jashtë vendit duhet të deklarojnë të ardhurat, por nuk do të ketë tatim të dyfishtë. Sipas marrëveshjes me Gjermaninë, tatimi për punë afatshkurtër nën 183 ditë paguhet në Maqedoninë e Veriut.
Nga DAP theksojnë se masat janë të orientuara drejt deklarimit vullnetar, dhe jo ndëshkimit.
Për rikujtim, tatimi mbi të ardhurat në Gjermani është rreth 16%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut norma është 10% (efektivisht 11.11% në përllogaritjen bruto).
Lajme nga vendi
RRITJA E ÇMIMIT TË BUKËS – QYTETARËT TË REVOLTUAR!
Gjevreku 32 denarë, byreku prej 80 deri 120 denarë, buka prej 450 gram e cila shitej për 35 denarë, tani shitet për 40 denarë.
Një pjesë e bukëpjekësve në Shtip, Koçanë, por edhe në Prilep dhe Manastir, kanë paralajmëruar se nga sot do të rrisin çmimin e bukës.
Nga Industria e furrave të bukës pranë Odës Ekonomike thonë se nuk kanë ndikim në rritjen e cmimeve dhe se vendimi është në duart e bukëpjekësve, por thonë se janë rritur harxhimet e prodhimit të bukës dhe se çmimet duhet të rriten për 10%.
Jo, nuk është shaka e 1 Prillit. Paralajmërohet shtrenjtimi i cmimit të bukës. Në disa rajone të vendit tashmë buka shitet me çmim të ri. Kohëve të fundit janë shtrenjtuar vezët, vaji dhe produkte të mishit, kurse cmimet e produkteve bujqësore nëpër tregje shënojnë rekorde. Si ka për t`u reflektuar kjo në buxhetet familjare? A janë pagat të mjaftueshme për të përballuar presionin e rritjes së çmimeve?
“Le të rritet, buka kam boll, shyqyr Allahut”
“Për buxhetin familjar është prish krejt.
-A mund t`ia dilni me një rrogë?
Jo hiç. A në doktor, a ku? Çdo çmim është rritur, edhe të shkosh ta punosh tokën, nafta ka hip”
“Nuk është në rregull. Sipas standardit tonë, kjo nuk është në rregull. Rritja nuk është vetëm tek buka, çdo artikull tashmë e ka kaluar kufirin”
“Rritja e çmimit të bukës do të thotë krizë, katastrofë.
Me një rrogë, me cilën rrogë, të Maqedonisë? Një javë nuk del, për një familje flas. Individët mund t`ia dalin”
Nga ana tjetër Qeveria zotohet se do ta analizojë cmimin e bukës dhe do të ndërmarrë masa nëse ka nevojë për rritje reale, në të kundërtën do të dënohen bukëpjekësit që në mënyrë joreale kanë rritur cmimin e bukës.
“Në terren është Inspektorati i Tregut, 30 ekipe po ndjekin situatën. Gjatë ditës do të kem takim për këtë temë. Do t`i shohim pasojat dhe nëse ka nevojë për këtë rritje të cmimeve. Nëse ka nevojë do të ndërmarrim masa, kurse nëse s`ka nevojë atëherë kundër atyre që sillen në mënyrë devijuese do të shqiptohen gjoba”
Më herët janë rritur edhe çmimet e vajit dhe vezëve, ndërsa sipas reagimeve të qytetarëve, në rritje janë edhe çmimet e perimeve në tregje, veçanërisht të specave dhe domateve.
Ky trend i rritjes së çmimeve po ushtron presion shtesë mbi buxhetet familjare.
Sipas të dhënave të fundit të Sindikatës, shporta minimale e konsumit është rritur për më shumë se 2.000 denarë në tre muaj.
Ndërkohë, paga minimale është rritur për 1.600 denarë, por mbetet e paqartë nëse kjo do të jetë e mjaftueshme për të përballuar rritjen e vazhdueshme të kostos së jetesës.
Lajme nga vendi
PROTESTA E 7 ME RADHË KUNDËR TATIMIT RETROAKTIV
Është hera e 7 me rradhë që po protestojnë por zëri i tyre nuk po dëgjohet. Andaj këtë të mërkurë qytetarët e prekur nga ligji për tatim retroaktiv marshuan nga qendra e qytetit të Tetovës drejt Gjykatës themelore, nga ku përcollën disa porosi me rëndësi.
Ata thonë se shteti duhet të merr parasysh kërkesat e tyre dhe të ndalojë menjëherë tatimin retroaktiv që sipas tyre është i paligjshëm meqë thonë se i kanë kaluar më shumë se 183 ditë jashtë shtetit, gjë që i liron nga pagesa e tatimit.
Sipas tyre, çdo qytetarë që ka punuar në shtetet e lindjes por edhe të tjerë, duhet të paguajnë së paku nga 50 mijë euro tatim, para që më nuk i kanë meqë i kanë investuar në shkollim dhe mbajtje të familjeve.
Së fundmi, përveç të hyrave shteti ka filluar që të tatimoj edhe dëmshpërblimet që disa kanë marr, gjë që sipas tyre është e ndaluar edhe me ligje ndërkombëtare. Protestuesit gjithashtu u bënë thirrje edhe studentëve që kanë punuar njëkohësisht që kanë studiuar, e që tani kanë filluar që shteti t’i tatimoj, të i bashkëngjiten protestës së tyre që thonë se nuk do të ndalet deri sa zëri i tyre të ndëgjohet dhe shteti të merr masa. Protesta të njëjta vazhdojnë të mbahen edhe në qytetin e Kumanovës ku qytetarët që punuan jashtë vendit përballen me të njëjtin proble.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Lajme nga rajoni6 days agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Lajme nga bota6 days ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen

