Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se kanë sekuestruar 5 automjete në Strugë, pasi gjatë një tubimi të entuziastëve të automjeteve, sipas Policisë, kanë prishur rendin dhe qetësinë duke bërë zhurmë me automjete. Sipas MPB-së, në vendngjarje ishin mbi 500 persona dhe rreth 120 vetura sportive e luksoze.
“Sot (05.08.2025), në periudhën nga ora 00:30 deri në 02:00, duke vepruar pas një denoncimi paraprak se në një parking në Strugë është prishur rendi dhe qetësia publike nga disa persona me zhurmë nga automjetet, punonjës policie ndërmorën disa masa sipas Ligjit për Sigurinë në Trafikun Rrugor. Menjëherë pas marrjes së denoncimit, punonjës policie nga Drejtoria për Sigurinë në Trafikun Rrugor në Strugë dolën në vendngjarje dhe gjetën më shumë se 500 persona dhe rreth 120 automjete sportive dhe luksoze, të cilët dyshohet se organizonin një ekspozitë. Personat nuk i përmbaheshin urdhrave të punonjësve policorë, ndaj u angazhuan njësi shtesë dhe situata u vu nën kontroll. Gjatë këtij procesi, u sekuestruan pesë automjete sipas nenit 344 të Ligjit për Sigurinë në Trafikun Rrugor, si dhe u evidentuan tetë shkelje të tjera nga i njëjti ligj”, thonë mes tjerash nga MPB.