Lajme nga vendi
Inspektorët në terren për marzhin e pajisjeve shkollore
Inspektorët nga Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) do të kontrollojnë në terren nëse tregtarët e respektojnë vendimin e Qeverisë për kufizimin e marzhit më të lartë tregtar apo fitues për pajisjet shkollore në 5 për qind për shitje me shumicë dhe 10 për qind për me pakicë.
Vendimi vlen për: çantat e shpinës dhe çantat e dorës; fletore, blloqe, kolazhe; mjete shkrimi (lapsa dhe stilolapsa); ngjyrja prej druri; plastelinë, brumë modelimi, stilolapsa dhe markera; ngjyra me ngjyra të yndyrshme; tempera, akrilik, ngjyra uji dhe furça; vizore dhe materiale didaktike; mprehëse dhe gomë; gërshërë për fëmijë; futrola dhe aksesorë shkollorë; ngjitës dhe kompas, kalkulator, busulla dhe xham zmadhues.
“Tregtarët të cilët janë të përfshirë me Vendimin e Qeverisë për pajisje shkollore (Gazeta Zyrtare e RMV-së nr. 183/24), kanë obligim të harmonizojnë çmimet e produkteve. Nga nesër inspektorët do të jenë në terren dhe do të kryejnë kontrolle për të konstatuar nëse tregtarët kanë vepruar në përputhje me këtë vendim. Inspektorët do të veprojnë në kuadër të kompetencave të tyre që dalin nga Vendimi, e në përputhje me këtë edhe sipas Ligjit për Tregti, kumtoi ISHT.
Marzhi më i lartë tregtar (fitues) i përcaktuar nga Qeveria do të zbatohet deri më 20 tetor të këtij viti.
Mënyra se si do të trajtohet nëse ndonjëri nga tregtarët vepron në kundërshtim me Vendimin është paraparë në Ligjin e Tregtisë. Në rast se konstatohet shkelje e Vendimit, ISHT paralajmëron se do të vijojnë gjoba që dalin nga Ligji i Tregtisë. Gjobat variojnë nga 800 deri në 10 mijë euro, në varësi të madhësisë dhe llojit të tregtarit.
“Kujtoj se Inspektorati Shtetëror i Tregut do të veprojë ekskluzivisht në drejtim të kontrollit të çmimeve të përcaktuara me Vendim, por nuk ka kompetencë të veprojë dhe as të ndikojë në formimin e çmimeve në tregtinë me shumicë dhe pakicë. Siç kemi vepruar më parë, ashtu edhe tani, nuk do të ketë asnjë kompromis për askënd, ligji do të zbatohet njësoj për të gjithë dhe të gjithë tregtarët që mbulohen me Vendimin kanë obligim ta respektojnë atë”, kumtoi ISHT.
Apelon të respektohet vendimi dhe u bën thirrje qytetarëve që nëse vërejnë parregullsi, menjëherë t’i lajmërojnë në Inspektoratin e Tregut.
“Punojmë në interes të qytetarëve dhe pikërisht për këtë është miratuar ky vendim, të parandalohet përfitimi personal dhe keqpërdorimi i qytetarëve”, thekson ISHT.
Raportim në inspektoratin e tregut mund të dorëzoni në numrin 191 ose www.dpi.gov.mk.
Qeveria e mori vendimin në kuadër të masës “Më pak shpenzime, më shumë për ty!” Ne kujdesemi”, për të ndihmuar familjet që kanë nxënës me qëllim që të ulen shpenzimet e blerjes së pajisjeve shkollore.
Lajme nga vendi
VLEN: BDI t’i kërkojë SPAK-ut të Shqipërisë ekstradimin e Grubit
Nisma e Degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair për krijimin e një “SPAK-u” lokal kundër korrupsionit ka nxitur reagime nga Koalicioni VLEN.
Nga VLEN-i thonë se iniciativa duhet të shoqërohet me veprime konkrete dhe jo të mbetet vetëm deklarative, duke e cilësuar si përpjekje propagandistike.
Sipas tyre, nëse synohet vërtet transparencë dhe përgjegjësi, hetimet duhet të nisin nga vetë drejtuesit e BDI-së, për të dëshmuar se bëhet fjalë për proces serioz dhe të paanshëm ndaj të gjithë zyrtarëve, pa përjashtim.
“BDI në Çair shpall me bujë formimin e një “SPAK-u” lokal, sikur të kishte zbuluar “Amerikën”. Por, pyetja që lind menjëherë është: a do ta kapë ky SPAK edhe kryesinë e vet? Apo është vetëm një teatër i radhës për të mashtruar qytetarët? VLEN-i e përshëndet këtë “SPAK” të BDI-së dhe i sugjeron që, nëse vërtet është për veprim dhe jo për spektakël, të fillojë hetimet pikërisht nga këta emra. Punën e parë që duhet ta bëjë është të vendosë komunikim me SPAK-un e Shqipërisë dhe të kërkojë ekstradimin e Artan Grubit.”, – thanë nga Koalicioni VLEN.
Ditë më parë, Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair themeloi një “SPAK” lokal si mekanizëm kundër korrupsionit. Sipas njoftimit, kjo strukturë do të monitorojë ndërtimet pa leje dhe punën e organeve komunale për shkelje urbanistike.
BDI u bëri thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo keqpërdorim të pushtetit. (Armend Murseli, TVM2)
Lajme nga vendi
Dega e BDI-së në Çair ka themeluar një strukturë kundër korrupsionit me emrin “SPAK”
Duke huazuar emrin e Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë që ndjek krimin dhe korrupsionin e nivelit të lartë, dega e BDI-së në Çair ka themeluar një Sekretariat, akronimi i të cilit është i njëjtë me atë të Prokurorisë – SPAK.
“SPAK do të funksionojë si mekanizëm profesional monitorimi, i përbërë nga ekspertë vullnetarë – juristë, ekonomistë, urbanistë dhe profesionistë të fushave përkatëse – të cilët do të analizojnë çdo indikacion për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve publike”, deklaroi Enard Bakiu, BDI – Çair.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i koalicionit VLEN të cilët kërkojnë që SPAKU i BDI-së të kërkojë nga SPAKU i Shqipërisë ta ekstradojë Artan Grubin, funksionarin e BDI-së i cili pasi u fut në listë të Zezë u arratis nga shteti, ndërsa dyshimet janë se fshihet në Shqipëri. Plotësisht kërkojnë të hetohen dhe figura tjera të BDI-së.
“Korrupsioni nuk është thjesht ndërtim pa leje apo tender komunal. Ai ka fytyra të njohura: Faton Ahmeti, për dyshimet e keqpërdorimit të fondeve në FSSH, Arbër Ademi, si ministër i Arsimit me lëndë të hapura për abuzime, Bujar Osmani, për rastin famëkeq “Pacienti”, dhe shumë të tjerë që sot ulen në kryesinë e BDI-së si të paprekshëm”, thonë nga VLEN.
SPAKU i BDI-së, është ironizuar edhe për faktin që në periudhën e kaluar ishte në shënjestër të kritikave pasi dy funksionarët e saj Artan Grubi dhe Ramiz Merko u futën në Listë të Zezë për korrupsion, ndërsa u dorëzuan padi edhe kundër një sërë funksionarëve, duke përfshirë Blerim Bexhetin, Fatmir Deharin, Ramiz Merkon, Bujar Dardhishtën, Kreshnik Bekteshin, Bekim Maksutin, Ejup Rustemin e të tjerë. Mekanizmi SPAK, mbase duket si ide e huazuar nga LSDM, e cila e promovoi Qendrën Hulumtuese për Korrupsion dhe Krim të Organizuar me akronimin MICKO, një shkurtesë që përdoret në komunikimin jokonvencional dhe ironizues për Mickoskin. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
KEMM: 140 ANKESA PËR CEREMONINË MORTORE NË KOÇANË
Këshilli I Etikës në media të Maqedonisë, një ditë pas ceremonisë mortore të viktimave të zjarrit tragjik në diskotekën e Koçanit, ka pranuar 140 ankesa lidhur me mënyrën e raportimit të mediave – ka njoftuar Drejtorja Ekzekutive, Biljana Georgievska.
Ajo ka shtuar se të gjitha vërrejtjet kanë ardhë nga e-maile të hapura për një përdorim nga numra telefonike që nuk ekzistojnë.
“Çdo minutë vinte nga një ankesë që për ne ishte një situatë jo e zakonshme që I gjasonte një sulmi të orkestruar digjital, jo vetëm ndaj KEMM-it, por edhe ndaj mediave, vecanërisht për përmbajtjet dhe mënyrës së raportimit për ceremoninë e varrimit. Ata kryesisht hynë në pakon e ankesave pa bazë, për shkak se kishin të bëjnë me mediat e huaja, nga rajoni, por edhe televizione nga India” – thotë Georgievska.
Në vitin 2025 në KEMM knë mbërritur shumë ankesa që lidhen me tragjedinë në Koçanë. Janë shqyrtuar 96 mha 244 ankesat.
Më së shpeshti është shkelur nëni 1 I Kodit të Gazetarëve – mungesa e burimeve dhe mungesa e palës së dytë të storjes.
Nga KEMM thonë se mediat online paraqiten si shkelësit më të mëdhenj të standardeve për informim etik.

