Lajme nga vendi
Jemi të turpëruar Siljanovska-Davkova pas 4 ditëve reagon për thirrjet antishqiptare në Kumanovë
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, reagoi sot pas katër ditëve lidhur me incidentin e ndodhur në sallën “Maqedonia” në Kumanovë gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë dhe Rumanisë, ku u bënë thirrje me gjuhë urrejtjeje ndaj shqiptarëve.
Në një deklaratë publike, presidentja Siljanovska-Davkova e cilëson ngjarjen si të turpshme dhe thekson se urrejtja dhe racizmi nuk kanë vend në asnjë fushë sportive.
Ajo e krahasoi këtë rast me incidentin e mëparshëm që ndodhi në mes të korrikut gjatë ndeshjes ndërmjet Shkëndijës dhe ekipit uellsian TNS, kur futbollisti Armand Ote u ofendua në mënyrë raciste nga një tifoz. Sipas saj, ky lloj sjelljeje i njollos jo vetëm ndeshjen dhe sportin, por edhe klubin, qytetin dhe shtetin, duke theksuar se përfaqësimi i tillë i Maqedonisë në sytë e botës është i papranueshëm.
“Nuk është sportive të keqpërdoret fusha e lojës për të ‘ushtruar’ gjuhën e urrejtjes, për të ofenduar dhe demonizuar me fjalë të helmuara e vrasëse. Me këtë akt nuk u goditën vetëm shqiptarët, por të gjithë ne, përfshirë edhe vetë ata që i shqiptonin ato fjalë,” shkroi presidentja. Ajo propozoi që para çdo ndeshjeje të lexohet një mesazh i drejtuar tifozëve, ku të theksohet qartë se sporti është garë fisnike dhe jo betejë me armë verbale. Sipas saj, publiku duhet të jetë burim mbështetjeje dhe motivimi, jo mjet përçmimi dhe përçarjeje. Ajo theksoi nevojën për të kultivuar dhe fisnikëruar mënyrën e mbështetjes në sport, për të luftuar paragjykimet dhe ndasitë, si dhe për të ndaluar shpërthimet e urrejtjes përmes reagimit të shpejtë dhe sanksionimit të duhur. (INA)
Lajme nga vendi
Mungojnë mbi 7.800 kilogramë kanabis mjekësor, kallëzim penal ndaj një kompanie në Strumicë
SPB Strumicë ka ngritur kallëzim penal ndaj një personi juridik nga fshati Borisovë dhe drejtuesit të tij, V.K., nga Novo Sella, me banim në Strumicë, për shkelje të Ligjit për Kontrollin e Drogave Narkotike dhe Substancave Psikotrope.
Gjatë një inspektimi në ambientet ku ruhej kanabisi mjekësor i tharë, policia dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë konstatuan mungesë të dokumentacionit për personelin dhe dokumenteve të tjera të detyrueshme.
Gjithashtu, u konstatua mungesa e 7.813,49 kilogramëve kanabis mjekësor të tharë, për të cilin kompania nuk kishte dokumentacion dhe mbulim përkatës, njoftojnë nga SPB Strumicë.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 27 Tetor
Dje, sipas një denoncimi paraprak se në rrugën magjistrale Gostivar – Tetovë një automjet pasagjerësh “Shkoda” me targa të Tetovës po lëvizte në drejtim të kundërt, u ndërmorën masa dhe në pikën e pagesës rrugore Tetovë punonjësit e policisë e ndaluan automjetin dhe pas kontrolleve të kryera u konstatua se shoferi një 33-vjeçar nga fshati Dobrosht ishte nën efektin e alkoolit, përkatësisht iu matën 2,06 promilë alkool në gjak, pas së cilës u privua nga liria. Punonjësit e policisë privuan nga liria edhe pasagjerët e tij nga fshati Nerasht dhe nga fshati Dobrosht, sepse janë sjellë në mënyrë agresive dhe arrogante ndaj punonjësve të policisë që po kryenin veprime zyrtare. Ata janë mbajtur në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit, ndaj tyre do të ketë parashtresa përkatëse.
……..Dje, punonjësit e policisë nga SPB Tetovë privuan nga liria një 46-vjeçar nga fshati Sellcë, e Tetovës. Gjatë një kontrolli në shtëpinë e tij dhe hapësirat ndihmëse, të kryer me urdhër gjyqësor, u gjet dhe u sekuestrua marihuanë. Pas dokumentimit të rastit, ndaj tij do të ketë parashtresë përkatëse.
…….Dje në orën 14:05 para Institucionit Ndëshkimor-Korrektues Burgu i Tetovës, punonjësit e policisë nga SPB Tetovë privuan nga liria një 44-vjeçar nga f.Sellarcë e Epërme. Pasi iu tha se nuk është ditë vizitash, ai sulmoi fizikisht komandantin dhe punonjësit e burgut që po kryenin veprime zyrtare. Ai është mbajtur në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të pasojë një parashtresë përkatëse.
………Dje në orën 17:25 në SPB Tetovë, nga Qendra Mjekësore e Gostivarit është raportuar se tek ata me lëndime ishte sjellë një 22-vjeçar nga fshati Çegran, i Gostivarit. Pas masave të ndërmarra dhe kontrolleve të kryera u konstatua se ai i ka marrë lëndimet gjatë një rënieje nga mopedi në fshatin Çegran, të cilin e ka drejtuar pa patentë shoferi. Është kryer inspektimi dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të pasojë një kallëzim përkatës.
…….Dje në orën 17:50 në DPB Gostivar, një 64-vjeçar nga Gostivari ka denoncuar se rreth orës 16:00 në rrugën “Beliçica” në Gostivar është sulmuar fizikisht nga një person. Po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit.
…….Dje në orën 22:55 në Stacionin Policor Jegunovcë, një 46-vjeçar nga një fshat i Tetovës ka denoncuar se një shok 17-vjeçar i djalit të tij 16-vjeçar i ka marrë portofolin nga lokali i tij dhe e ka përdorur kartelën e tij të pagesave për të paguar në një market në fshat. Sipas denoncimit, ai me djalin e tij ishin duke pastruar lokalin dhe me një rast të përshtatshëm ia ka marrë portofolin, kurse pasi ka marrë një mesazh për transaksionin e kryer, është bërë një kontroll i kamerave të sigurisë në market dhe është konstatuar se 17-vjeçari e ka përdorur kartelën. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
…….Sot në mëngjes në orën 04:10, punonjësit e policisë nga Stacioni Policor i Grupçin kanë privuar nga liria një 39-vjeçar nga një fshat i Tetovës, duke vepruar sipas një denoncimi paraprak nga babai i tij 61-vjeçar se rreth orës 01:00 e ka sulmuar fizikisht dhe i ka thyer xhamin e derës. Ai është mbajtur në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të pasojë një parashtresë përkatëse.
Lajme nga vendi
Dogana me aksion te madh sekuestrimi, Dauti jep detaje
Zëvendësdrejtori i Doganave, Mustafa Dauti, ka njoftuar për intensifikimin e kontrolleve kundër tregtisë së paligjshme të duhanit dhe produkteve të tjera, pas goditjes së një grupi ndërkombëtar të përfshirë në krimin e organizuar dhe importin e paligjshëm të cigareve.
Dauti bëri të ditur se kontrollet janë shtuar jo vetëm ndaj importeve të duhanit dhe produkteve të tij, por edhe në tregun e brendshëm.
Gjatë kontrolleve të realizuara nga zyrtarët doganorë dhe ekipet mobile, janë konstatuar raste të shitjes së produkteve të duhanit dhe alkoolit pa pulla akcizore dhe pa paguar detyrimet përkatëse ndaj shtetit.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, janë sekuestruar 135 kilogramë duhan i prerë dhe 30 litra alkool, ndërsa vlera e akcizës së papaguar për këto produkte arrin në 337.558 denarë.
Sipas njoftimit të Dautit, për dy persona janë ngritur kallëzime për kundërvajtje, ndërsa ndaj një personi, në rastin ku shmangia e akcizës arrin rreth 257 mijë denarë, do të parashtrohet kallëzim penal në përputhje me Kodin Penal.
Dauti theksoi se kontrolli i tregtisë së ligjshme është i rëndësishëm për mbrojtjen e interesit publik, respektimin e ligjit dhe krijimin e kushteve të barabarta për të gjithë tregtarët që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë të rregullt.
-
Lajme nga rajoni1 month agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni1 month agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni1 month agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

