Lajme nga rajoni
Në Nju York emërtohet rruga “Isa Boletini” në muajin e Pavarësisë
Presidenti i Shoqatës Shqiptare Amerikane Staten Island, Naser Nika, ka njoftuar të afërmit e familjes së Heroit Isa Boletini dhe gjithë komunitetin shqiptar se Bashkësia Amerikane në Nju York ka miratuar kërkesën e kësaj shoqate dhe disa organizatave të tjera me në krye Federatën Pan Shqiptare “Vatra” për emërtimin e një rruge në Staten Island me emrin e Heroit tonë Kombëtar, Isa Boletini.
Sipas Nikajt, i cili njihet si aktivist dhe patriot i përkushtuar i çështjes shqiptare në SHBA, ndër të tjera thotë: “Të dashur bashkatdhetarë, me zemër plot krenari ju ftojmë të bëhemi pjesë e një ngjarje të paharruar inaugurimi i rrugës ‘Isa Boletini’, kushtuar heroit të madh të kombit tonë, i cili do të mbahet më 30 nëntor në këndin midis Father Capodanno Blvd dhe Seavieë Avenue, Staten Island, NY.
Isa Boletini, trim i Kosovës dhe simboli i sakrificës për lirinë, bëhet heroi i parë kombëtar nga Kosova që merr një rrugë me emrin e tij në Staten Island. Ky nderim bëhet edhe më i madh, sepse rruga e tij do të qëndrojë pranë asaj të Ismail Qemalit, udhëheqësit të pavarësisë, e cila u emërua dy vite më parë. Kështu, dy figurat më të ndritura të kombit do të takohen përgjithmonë në zemër të Nju Jorkut, si një dëshmi e pavdekshme e unitetit dhe krenarisë sonë kombëtare”.
Nipi i Isa Boletinit, Drejtor gjeneral Marketingu Armend Murati, që jeton e punon prej vitesh në Norvegji, duke falënderuar Shoqatën Shqiptare Amerikane në Staten Island dhe Presidentin e saj Naser Nika, ndër të tjera shkruan: “Çfarë të themi tjetër pos të shprehim respekt të thellë, për angazhimin e Shoqatës së Shqiptarëve në Amerikë, Staten Island dhe në veçanti për atdhetarin e shquar dhe udhëheqësin e shoqatës Naser Nika, për vendosmërinë për të arritur që projekti i emërtimit të rrugës në Staten Island të mbajë emrin e Isa Boletinit.
E di se sa kohë, mund dhe financim ishin të nevojshme për të arritur këtë, gjë që zoti Naser Nika nuk kurseu asnjë moment, vetëm për të arritur qëllimin. Si trashëgimtarët e Isa Boletinit, të përgëzojmë për atdhedashuri dhe patriotizëm që keni treguar, ju paçim faqebardhë për gjithmonë. Na bëni të ndjejmë që frymëzimi që Isa Boletini ka lënë, është ende i gjallë dhe i fortë si kurrë më parë”.
Njëherësh për nipërit e mbesat e Heroit Isa Boletini ka lajme tepër interesante, dy mbesat e tij, Ariana Hoxha dhe Arijeta Turku, nën siglën e partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me drejtues të lartë Ramush Haradinaj, kandidojnë respektivisht për asambleiste, Ariana në Gjakovë, ndërsa Arijeta në Mitrovicë. Motoja e tyre për fitoren e tyre në këtë fushatë është “Dritë për Komunat”. Ndërsa një nga arsyet kryesore pse ato mbështesin programin dhe statutin e kësaj partie është se Lideri dhe Kryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka qenë një mbështetës i flaktë i figurës legjendare Isa Boletini dhe familjes së tij. Çdo vit në çdo përvjetor përkujton heroin duke vizituar varrin e tij dhe Kullën e Boletinëve në Mitrovicë. Edhe ditën që u lirua nga Gjykata Speciale në Hagë, nuk harroi, por direkt vendosi një buqetë me lule te varri i Isa Boletinit. Hekuran Hoxha, edhe ky nip i Isa Boletinit dhe djali i Arianës, përfundon tani mandatin katërvjeçar si asambleist në Komunën e Gjakovës për Partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Sipas sloganit që Ariana Lila Hoxha dhe Arijeta Murati Turku paraqesin si moton e tyre përgjatë kësaj fushate “Dritë për Komunat”, flet për një jetë më të mirë për popullin në Kosovë. “Të jemi shembull i mirë për të gjithë – thotë Ariana – pasi me punë arrihet suksesi dhe jo me premtime si të tjerët”.
Duke përfunduar, falënderojmë Shoqatën Shqiptaro Amerikane në Staten Island, Presidentin e saj Naser Nika, Bashkinë e Nju Jorkut si dhe të gjitha organizatat e tjera që bënë të mundur emërtimin e rrugës “Isa Boletini” përkrah liderit historik “Ismail Qemali” në Staten Island, Nju Jork. Njëherësh i urojmë suksese e fitore Ariana Hoxhës, Arijeta Murati Turkut, si dhe Hekuranit në arritje të sukseseve te reja në karrierë. /Panorama/
Lajme nga rajoni
Plagoset me thikë një infermier në Morgun e Spitalit të Elbasanit
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Elbasan kanë arrestuar në flagrancë shtetasin E. B., 30 vjeç, i dyshuar për një akt dhune të ndodhur në lagjen “5 Maj”.
Sipas informacioneve zyrtare, 30-vjeçari ka goditur me mjet prerës shtetasin E. G., i cili ushtron detyrën si infermier në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për shkak të detyrës së viktimës.
Si pasojë e sulmit, infermieri ka pësuar dëmtime të lehta dhe ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka ndërhyrë pas njoftimit dhe ka bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, ndërkohë që vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Elbasan, për vijimin e veprimeve ligjore.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin E. B., 30 vjeç, pasi në lagjen “5 Maj” ka goditur me mjet prerës, për shkak të detyrës, shtetasin E. G., infermier në Institutin e Mjekësisë Ligjore, i cili është dëmtuar lehtë”, tha policia.
Ajo shtoi se materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Vitet e fundit Morgu i Spitalit të Elbasanit, është vënë vazhdimisht nën akuzë se është kthyer në qendër biznesi. Punonjësit e këtij morgu, janë denoncuar se bëjnë pazare kundrejt pagesash, me familjarë apo të afërmit e viktimave që vdesin në spital apo në aksidente, por dhe për ata njerëz që vdesin në mënyrë natyrale në shtëpitë e tyre. Në denoncimet ka pasur dhe raste kur një natë në këtë morg paguhet 30 mijë lekë të reja.
Në një tjetër denoncim, një qytetar nga Elbasani u ankua se për tërheqjen nga morgu i këtij spitali të një të afërmi të tij i cili kishte ndërruar jetë i kishin kërkuar 500 mijë lekë të vjetra.
Lajme nga rajoni
Gjenden eshtrat e dy personave në një liqen artificial në Halkidiki, nisin hetimet
Zbulimi i eshtrave njerëzore brenda një valixheje në një liqen artificial në zonën turistike të Sithonias, në Halkidiki, ka vënë në lëvizje autoritetet greke dhe ka ngritur dyshime për një ngjarje të rëndë kriminale.
Eshtrat u gjetën më 3 mars gjatë punimeve për pastrimin e zonës në ambientet e një kompleksi hotelier. Fillimisht dyshohej se ato i përkisnin një personi, por analizat mjeko-ligjore kanë konfirmuar se bëhet fjalë për mbetjet e dy individëve të ndryshëm.
Sipas burimeve hetimore, viktimat janë të moshave të ndryshme dhe dyshohet se kanë qëndruar për një kohë të gjatë në vendin ku u zbuluan. Një nga viktimat mendohet paraprakisht të jetë grua, ndërsa identiteti i tyre ende nuk është përcaktuar.
Autoritetet greke vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar viktimat.
Lajme nga rajoni
MOTI I LIG NË KROACI – SKENA “APOKALIPTIKE” NË ZAGREB!
Stuhia e fortë që goditi Zagreb gjatë natës dhe në orët e mëngjesit shkaktoi kaos në të gjithë qytetin: era rrëzoi pemë, shqeu pjesë të çative, përmbysi semaforë dhe paralizoi trafikun e tramvajit dhe hekurudhave, ndërsa zjarrfikësit u përballën me një numër të madh thirrjesh nga qytetarët.
Në disa zona, uji depërtoi në ndërtesa banimi, ndërsa dëme janë raportuar edhe në disa nga objektet më të njohura të qytetit.
Sipas informacioneve nga terreni, shpejtësia e erës arriti deri në 120 km/h, ndërsa pasojat janë të dukshme pothuajse në të gjitha pjesët e kryeqytetit kroat.
Qytetarët morën paralajmërime përmes sistemit të alarmit në telefonat mobil, ndërsa autoritetet vendore pezulluan mësimin në shkollat fillore dhe të mesme në Zagreb dhe në rajonin përreth, për shkak të kushteve të rrezikshme atmosferike.
Në të njëjtën kohë, në zonat më të larta të qytetit dhe rrethinës, situata mori pamje dimërore. Në malin Sljeme shpërtheu një stuhi e fuqishme dëbore.
Disa banorë mbetën të izoluar, pa energji elektrike, ngrohje dhe kushte bazë për jetesë, ndërsa priten ndërhyrje nga zjarrfikësit, shërbimet dimërore dhe kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike. Reshje dëbore u regjistruan edhe në zona të tjera përreth Zagrebit.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes maksimal dhe durim, duke rekomanduar që të shmangin daljet e panevojshme deri në përmirësimin e kushteve të motit. Sipas meteorologëve, era e fortë pritet të vazhdojë gjatë gjithë ditës dhe stabilizimi i plotë i motit nuk pritet menjëherë.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Lajme nga rajoni2 days agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Lajme nga bota2 days ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen

