Lajme nga vendi
Fatmir Dehari i lëshon postin e kryetarit të Kërçovës Aleksandër Jovanovskit , Alili: Fajin e mban heshtja e atyre që duhej të kërkonin falje dhe bashkim
Kandidati për kryetar të Kërçovës, Shkodran Alili, duke thënë që mërgata luajti rol vendimtar në zgjedhje në këtë komunë, sqaroi se përse nuk bëri thirrje për votimin e kandidatit shqiptar.
“Menjëherë pas raundit të parë, unë kërkova një zgjidhje të ndershme: Të bashkoheshin votat shqiptare, të fitohej komuna, dhe kandidati të jepte dorëheqje pas zgjedhjeve. Për dy javë nuk pati asnjë përgjigje. As edhe një tentativë për bashkim”, shkruan Alili. Ai thotë se nuk mund të mbështeste një kandidat të përfshirë në skandale morale dhe mungesë transparence. Ai theksoi se qytetarët që votuan ndryshe nuk janë tradhtarë, por njerëz të lënduar nga mungesa e përgjegjësisë. Sipas tij, fajin e mban heshtja e atyre që duhej të kërkonin falje dhe bashkim.
Pas 12 vitesh Fatmir Dehari lëshon postin e kryetarit të Komunës së Kërçovës dhe ia lë Aleksandër Jovanovskit. Komisioni Komunal Zgjedhor ua dorëzoi çertifikatat këshilltarëve komunal dhe kryetarit të ri të Komunës.
Pas marrjes së mandatit kryetari aktual i Komunës së Kërçovës Aleksandër Jovanovski tha se do të përkushtohet për të realizuar punë të mira për qytetin dhe qytetaret pa dallim përkatësie etnike.
“Nga kjo foltore ju premtoj punë të sinqertë, te vlefshme dhe me përkushtim për të realizuar të gjitha projektet të cilat i kemi premtuar. Dua tua bëjë të qartë të gjithëve se nuk do te kemi asnjë problem nga ana ime, unë do të mundohem të kemi bashkëpunim të mirë me të gjithë të punësuarit dhe t’i përmbushim pritshmëritë e qytetarëve tanë, si higjienën, projektet që i premtuam”, tha Aleksandër Jovanovski – Kryetar i komunës së Kërçovës.
Pas eventit solemn kryetari i ri u prit në zyrë nga kryetari në ikje Fatmir Dehari i cili e njoftoi Jovanovskin me projektet e nisura dhe të nënshkruara, të cilat sipas Deharit kapin vlerën e 7 milionë eurove investime kapitale. Dehari pasi përshëndeti të punësuarit me të cilët ka punuar 12 vite, falënderoi mërgimtarët dhe gjithë qytetarët e vendit. Jam njeri, mund edhe të kem gabuar dhe për çdo gabim timin ju kërkoj ndjesë, falje, çdo qytetari që mund eventualisht të jetë i prekur”, pohoi Fatmir Dehari, ish- kryetari s Komunës së Kërçovës.
Përbërja e re e Këshillit Komunal është e përbërë prej 19 këshilltarëve: 5 këshilltarë ka AKI, 3 këshilltarë janë nga Koalicioni VLEN, 2 këshilltarë nga kandidati pavarur, 8 këshilltarë VMRO-DPMNE-ja dhe 1 LSDM-ja.
Lajme nga vendi
Qeveria Shqiptare e demanton Mickovskin: Autostradën do ta bëjmë deri në Qafë Thanë!
Nga pjesa e Shqipërisë segmenti drejt vendkalimit kufitar të Qafë Thanës do të ndërtohet plotësisht me Autostradë, konfirmojnë për TV21 nga Tirana zyrtare. Prej Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë shqiptare thonë se me kërkesë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është miratuar ndryshimi i një trajektore të re me tunel për të hapur edhe një vendkalim të ri kufitar me Republikën e Shqipërisë. Por, sipas tyre nuk do të pezullohet dhe as të tjetërsohet projekti aktual në zonën e mbrojtur nga UNESCO.
“Punimet e autostradës së Korridorit 8 zhvillohen në dy segmente njëkohësisht Rrogozhinë-Elbasan dhe Elbasan-Qafë Thanë. Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut është kërkuar që të projektohet një trase e re nga ura e Bushtricës përmes një tuneli drejtë Ladorishtes dhe të hapet një vendkalimi i ri kufitarë, për shkurtim të kohës dhe për të evituar maloret që janë më të kushtueshme për ndërtim dhe mirëmbajtje. Por, Qeveria e Shqipërisë do të vazhdoj edhe segmentin e mëparshëm drejt Qafë Thanës me Autostradë, për të cilat po zhvillohen punimet edhe në zonën e mbrojtur nga UNESCO”, thonë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë për TV21.
Sot pikërisht në Qafë Thanë ishin të pranishëm qeveritarët e të dyja vendeve për inter-konektorin energjetik, por nuk folën për autostradën e Korridorit 8.
Ndërsa nga VLEN- betohen se ky projekt do të jetë amanet i këtij mandati ose nuk do të jenë më pjesë e qeverisë.
“Që ky segment nuk ka ku shkon tjetër përveç se të përfundoj në lidhje me Qafë Thanën në Shqipëri, unë nuk e di prej nga i nxjerrin këto insinuate që një projekt kaq serioz të përfundoj pa dalje diku ose pa një destinacion të caktuar? Kështu që ne jemi garancia! Shqiptarët duhet të rrinë të qetë se ne po bëjmë Korridorin 8, do ta bëjmë edhe rrugën Shkup-Bllacë, do ta bëjmë edhe rrugën Tetove-Prizren. Po që se nuk do të bëhen këto në mandatin tonë, unë ju garantoj se as unë, as Besa e shkrirë në VLEN nuk do të jetë pjesë e Qeverisë”, theksoi Adnan Azizi, deputet i VLEN.
Dje TV21 e publikoi dokumentin me 8 vërejtjet e Komitetit të trashëgimisë botërore të UNESCO për Maqedoninë e Veriut, në të cilin vetëm në një pikë përmendet autostrada për Korridorin 8.
Kryeministri Mickoski dje tha se në segmentin andej kufirit në pjesën e Shqipërisë nuk do të jetë autostradë.
Lajme nga vendi
Komisioni Venecias porosi Shkupit për zbatimin e shqipes, por e njeh si gjuhë të pakicës
Gjykata Kushtetuese në ueb-faqen e saj publikoi mendimin e përbashkët “Amicus Curiae” (Këshillë miqësore) e Komisionit të Venecias dhe Drejtorisë së Përgjithshme për Demokraci dhe Dinjitet Njerëzor në Këshillin e Evropës lidhur me lëndën për përdorimin për Përdorimin e Gjuhëve.
Sipas këtij mendimi, të drejtat gjuhësore të pakicave janë standarde minimale, që shtetet mund t’i zgjerojnë, por vetëm nëse sigurojnë zbatim real në praktikë. Pra, nuk mjafton që këto të drejta të ekzistojnë në ligj – ato duhet të mbështeten me burime financiare, staf dhe mekanizma funksionalë.
Komisioni thekson se shtetet kanë hapësirë të gjerë për të vendosur si do t’i zbatojnë këto të drejta, por duhet të përdorin kritere objektive dhe të respektojnë parimin e mosdiskriminimit, si dhe të konsultohen me komunitetet pakicë. Në nivel lokal, pritjet janë më të larta për përdorimin e gjuhëve të pakicave, pasi institucionet janë më afër qytetarëve.
Në raport me administratën, përdorimi i gjuhëve të pakicave mund të kushtëzohet nga përqindja e popullsisë, por pragjet shumë të larta mund të pengojnë zbatimin real të këtyre të drejtave. Ndërkohë, çdo zgjerim i përdorimit të gjuhëve kërkon investime shtesë nga shteti.
Sa i përket gjyqësorit, standardi minimal është i qartë: çdo i akuzuar që nuk e kupton gjuhën zyrtare ka të drejtë për përkthim dhe mbrojtje në një gjuhë që e kupton.
Shtetet mund të ofrojnë edhe të drejta më të gjera, por pa e dëmtuar funksionimin e drejtësisë.
Në përfundim, Komisioni i Venecias thekson se balancimi mes të drejtave të pakicave dhe funksionimit efektiv të shtetit është thelbësor, dhe çdo politikë gjuhësore duhet të jetë e zbatueshme dhe e qëndrueshme në praktikë.(INA)
Lajme nga vendi
Filloi ndërtimi i linjës interkonektive 400 kV Maqedonia e Veriut – Shqipëria
- Pas një periudhe ngecjeje, sot filluan punimet ndërtimore të njërit prej projekteve më të mëdha elektroenergjetike në dhjetë vitet e fundit. Vendosja e gurthemelit për linjën interkonektive 400 kV ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë shënon rifillimin e projektit, i cili ka rëndësi strategjike për stabilitetin energjetik dhe integrimin rajonal. Projekti është pjesë e Korridorit 8 Pan-evropian, i cili do të mundësojë lidhjen direkte të sistemeve elektroenergjetike të dy vendeve, rritjen e sigurisë në furnizim dhe avancimin e shkëmbimit ndërkufitar të energjisë elektrike.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Lajme nga rajoni1 week agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Lajme nga bota1 week ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen

