Lajme nga vendi
Hyrja e bankës serbe Alta në Maqedoni, kërkohen hetime, përmenden lidhje dhe emra
Ekipi Antikorrupsion i LSDM-së ka dalë sot me akuza të reja lidhur me hyrjen e grupit serb ALTA në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut, duke u fokusuar këtë herë në emra të caktuar dhe lidhje të dyshuara me struktura afër VMRO-DPMNE-së.
Sipas LSDM-së, në pozitat menaxheriale dhe në bordet mbikëqyrëse të bankës janë emëruar persona me lidhje politike dhe biznesi nga konteksti politik vendas, dhe ata kërkuan që institucionet të hapin një hetim mbi marrjen e bankës dhe origjinën e kapitalit.
Në konferencën për shtyp, partia përmendi emra si Lidiya Nedelkova në ekipin menaxherial, Stevço Jolakoski në bordin mbikëqyrës, si dhe Marjan Zakev, duke e lidhur me struktura biznesi të mëparshme që kanë qenë objekt i debatit publik. Gjithashtu, LSDM përmendi Majan Kadievska-Vojnoviq si anëtare të bordit drejtues, duke e paraqitur këtë si një “rreze X” për mënyrën se si një institucion financiar lidhet me rrjetet politike.
Akuzat vijnë në një kohë kur marrja e bankës është formalizuar tashmë si procedurë. Banka Industriale a.d. Bitola më 12 Dhjetor 2025 mori zyrtarisht emrin ALTA Banka AD Bitola, ndërsa raportet publike tregojnë se akvizicioni është finalizuar në Tetor 2025, me shumicën dominuese të kapitalit tek pronari i ri dhe subjektet e lidhura. Në atë periudhë, LSDM kishte ngritur tashmë dyshime për pastrim parash dhe kishte dërguar pyetje te Banka Popullore, duke iu referuar masave evropiane ndaj kompanive të lidhura me kontekstin e Addiko Bank dhe raporteve mediatike mbi kontrolle dhe rreziqe.
Nga ana tjetër, ALTA Banka AD Bitola reagoi duke e cilësuar lajmin si të pavërtetë dhe manipulues, kërkoi falje publike dhe paralajmëroi hapa ligjorë. Sipas bankës, akvizicioni është realizuar me aprovime rregullatore, dhe këto akuza dëmtojnë reputacionin e institucionit dhe besimin në sistemin financiar.
Debati politik nuk ndalet vetëm te deklaratat institucionale. LSDM drejton pyetjen edhe tek kryeministri Hristijan Mickoski, duke kërkuar të sqarojë nëse ka llogari në bankë dhe nëse zyrtarë ose bashkëpunëtorë të afërt kanë investime në struktura financiare në Serbi të lidhura me rrethin afër SNS. Ndërkohë, debati zhvendoset në zonën më të ndjeshme: besimi në kontrollet, transparenca e pronësisë dhe kufiri mes politikës dhe sektorit bankar.(INA)
Lajme nga vendi
“BETEJA” KUNDËR NDOTJES: MINISTRI HOXHA PARALAJMËROI PESË PLATFORMA DIGJITALE
Ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamed Hoxha, ka prezantuar pesë modulet e iniciativës për transformimin e gjelbër përmes digjitalizimit, të cilat sipas tij, synojnë rritjen e transparencës, thjeshtimin e procedurave administrative dhe përmirësimin e menaxhimit të të dhënave dhe proceseve që lidhen me mjedisin jetësor.
“E ardhmja nuk pritet. E ardhmja ndërtohet çdo ditë, përmes modernizimit dhe digjitalizimit. Për ne, digjitalizimi nuk është vetëm softuer. Ai është një instrument politik për drejtësi. Ai nënkupton transparencë të plotë. Aty ku ekziston një sistem digjital, nuk ka hapësirë për fshehje. Aty merr fund joefikasiteti i sistemit. Aty marrin fund lidhjet dhe ndikimi i faktorit njerëzor“
Në kuadër të këtyre masave, Hoxha bëri të ditur se është duke u realizuar edhe një projekt pilot për mbikëqyrjen e deponive ilegale përmes kamerave, i cili aktualisht po testohet në disa komuna.
“Jemi duke realizuar projektin pilot për mbikëqyrjen me kamera të deponive ilegale, i cili aktualisht po testohet në disa komuna. Kjo nuk është vetëm digjitalizim. Ky është një sistem i ri vlerash. Ky është transformimi ynë i gjelbër. Nuk kemi një planet rezervë dhe i kemi zgjidhjet e duhura. Nuk humbim më kohë“
Në fund, ministri theksoi se synimi i këtyre masave nuk është zbatimi i reformave sipërfaqësore, por realizimi i një transformimi thelbësor dhe rrënjësor në fushën e mjedisit jetësor./Tv Koha – Shkup/
Lajme nga vendi
Kurti: 25 vjet pas humbjes së Millosheviqit, humbin edhe Vuçiqi e Daçiqi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për zgjedhjet në Serbi që u mbajtën të delen e kaluar, duke thënë se pati rezultate historike.
Për humbjen e zgjedhjeve nga koalicioni i Aleksander Vuçiqit dhe moskalimin e pragun të listës së Ivica Daçiqit, ka thënë pasardhësit politik të Millosheviqit humbën.
“Lista Studentore doli e para, koalicioni i Vuçiqit e humbi shumicën parlamentare, ndërsa Lista e Daçiqit mbeti jashtë Kuvendit. Një çerekshekulli pas humbjes se Millosheviqit, në fillim të shekullit 21 edhe pasardhësit e tij politik, Vuçiqi e Daçiqi humbën”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Ndërsa, e ka vlerësuar historike rezultatin e “Koalicionit Shqiptar” që ka arritur të sigurojë dy ulëse në Kuvendin e Serbisë.
Kurti tha se ky rezultat u arrit falë bashkimit
“Bashkimi i të gjitha forcave në një, për çka e falënderoj secilin subjekt politik. Bashkimi duhet të vazhdojë me mbrojtjen me të fuqishme të drejtave, ndaljen e diskriminimit dhe për një jetë më të mirë”, tha ai.
Lajme nga vendi
AMBASADORI I PAQËS TAHIR SHABANI URË LIDHËSE MES PRISHTINËS DHE SHKUPIT
Ambasadori i Paqes Botërore, Tahir Shabani, ka ligjëruar para studentëve të Fakultetit Juridik në Universitetin e Evropës Juglindore, në Shkup. Ai u zotua se do të mbështesë vizitat studimore të studentëve në Kuvendin e Kosovës, ndërsa universitetit i dhuroi botime me rëndësi për studimet juridike dhe zhvillimin akademik. Gjatë ligjëratës, Shabani foli edhe për bashkëpunimin ndërinstitucional, shtetin e së drejtës dhe rëndësinë e ndarjes së pushteteve në funksionimin e demokracisë.
Ambasadori i Paqes Botërore, Tahir Shabani, njëherësh president i Institutit për Zhvillim dhe Bashkëpunim, me seli në Gjenevë të Zvicrës, ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të Fakultetit Juridik në Universitetin e Evropës Juglindore, në Shkup.
Gjatë ligjëratës, Shabani u zotua se do t’i mbështesë studentët që dëshirojnë të realizojnë vizita studimore në Kuvendin e Kosovës.
Përveç kësaj, Shabani njoftoi se do t’i dhurojë universitetit disa botime me rëndësi për studimet juridike dhe përgatitjen akademike të studentëve.
Kemi raporte të mira edhe me Kuvendin e Kosovës këtë libër do ua lë juve për fakultet. Kur studentët kanë nevojë për me bo ndonjë vizitë studimore në Kuvendin e Kosovës do të jemi urë lidhëse mes Prishtinës dhe Shkupit. Përball kësaj është një botim shumë i shkëlqyeshëm nga institucioni i Avokatit të Popullit do të jetë për biblotekën tuaj dhe sidomos për studentët që kanë nevojë. Përball kësaj kemi fuqizimin, kur ka përfundu mbikqyrja ndërkombëtare në Kosovë një botim është shumë interesant në aspektin kushtetues të Pavarësisë së Kosovës edhe kjo do të jetë një botim i shkëlqyeshëm.
Gjatë takimit, Shabani ndau me studentët edhe përvoja konkrete nga bashkëpunimi ndërinstitucional, duke sjellë si shembull një kërkesë që kishte marrë nga Prokuroria e Kosovës për organizimin e një vizite studimore në Francë.
Më erdhi një kërkesë nga Kosova, Prokuroria e Kosovës donin ta vizitonin Francën. Unë ua propozova bashkëpunimin rajonal është më i frytshëm sesa bashkëpunimi bilateral, mes Parisit dhe Prishtinës. Edhe ashtu doli. Një delegacion nga Prokuroria e Prishtinës vizituan një zonë rajonale, u trajtua Zvicra, Frankosys dhe Italia, dmth hyri një kontekst rajonal. Por, këtu duhet të jetë edhe vullneti politik, funksionimi i shtetit të së drejtës. Montesque filozofi francez e ka pasur një mesazh shumë të qartë, aty ku nuk ka ndarje të pushteteve është e vështirë të funksionojë demokracia.
Në përfundim të ligjëratës, Shabani la të hapur mundësinë që sesioni pranveror i Ambasadorëve të Paqes, gjatë këtij viti, të organizohet në ambientet e Universitetit të Evropës Juglindore, në Shkup ose në Tetovë./Tv Koha – Shkup/
-
Lajme nga rajoni1 month agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni1 month agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga vendi1 month agoDaut Memishi mban premtimin, ndahen vendimet e para – çerdhja “Foleja” në Përshefcë drejt hapjes

