Lajme nga vendi
Tymi duhanit nuk e pengon rrugëtimin evropian, RMV shtet “paradoksal” me ligje që as në BE nuk ekzistojnë!
Maqedonia e Veriut si shtet pretend për anëtarësim në Bashkimin Evropian, po dëshmon edhe një herë se rruga drejt Evropës po rëndohet edhe më shumë në vend që të harmonizojë politikat me standardet evropiane, ajo po prodhon ligje skandaloze, disproporcionale dhe jashtë realitetit shoqëror, ligje që shpesh nuk ekzistojnë as në vetë vendet anëtare të BE-së.
Cilët “juristë” shpikën ligjin që nuk ekziston as në BE?
Një ligj mund ta kenë përpiluar shumë juristë e këta juristë nuk dihet sa shumë dije kanë që shpikin gjëra që nuk janë praktikë në asnjë vend të Evropës, derisa ky vend po pretendon për të qenë vend i anëtar i BE-së.
Projektligji i ri për mbrojtje nga duhani është shembulli më flagrant i këtij paradoksi. Nën petkun e “shëndetit publik” dhe “mbrojtjes së të rinjve”, shteti po shndërrohet në një aparat ndëshkues, që kriminalizon sjelljen individuale dhe shtrin kontrollin policor në çdo cep të jetës së përditshme të qytetarëve.
Askush nuk e konteston faktin se duhani është i dëmshëm. As nuk e vë në dyshim nevojën për politika parandaluese. Por ajo që po propozohet këtu nuk është parandalim është kontroll absolut fiskal dhe moral, i shoqëruar me gjoba absurde për një shoqëri me paga minimale evropiane vetëm në letër.
Gjobë 100 euro për një cigare?
Në një vend ku paga minimale mezi e kalon këtë shumë? Kjo nuk është politikë shëndetësore, por ndëshkim social, që godet kryesisht shtresat e varfra, punëtorët, të rinjtë dhe pensionistët. Nëse gjoba nuk paguhet menjëherë, ajo trefishohet. Kjo logjikë nuk ekziston as në shumicën e vendeve të BE-së, ku fokusi është te edukimi, jo te terrori financiar.
Ndalesa totale e pirjes së duhanit në objekte gastronomike, kazino, bastore, madje edhe në hapësira të caktuara të hapura, përfshirë para institucioneve, shkon përtej çdo standardi evropian. Në shumë vende të BE-së ekzistojnë zona të dedikuara për duhanpirës, ventilim i kontrolluar, apo zgjedhje për pronarët e lokaleve. Në RMV, shteti sillet si pronar absolut i çdo hapësire publike dhe private.
Edhe më problematike është ndërhyrja brutale në biznes. Gjobat nga 2.000 deri në 5.000 euro për persona juridikë janë goditje direkte për sektorin e gastronomisë, i cili ende nuk është rimëkëmbur nga krizat e njëpasnjëshme. Në vend që të mbështesë bizneset shteti i trajton si kundërshtarë për t’u disiplinuar.
Nga ana tjetër, ndalesa e ekspozimit të cigareve në dyqane, ndalimi total i reklamimit edhe në internet dhe podcast-e, si dhe zgjerimi i kompetencave policore deri në automjete private, krijojnë një ambient mbikëqyrjeje dhe kontrolli, që më shumë i ngjan një diktature komuniste sesa një politike demokratike.
Ironia është se gjithë kjo bëhet në emër të BE-së. Por BE-ja nuk kërkon ligje ekstreme, kërkon balancë mes shëndetit publik, lirive individuale dhe realitetit ekonomik. Asnjë direktivë evropiane nuk kërkon që qytetari të gjobitet si kriminel për një cigare, as që policia të shndërrohet në “gjuetar duhani”.
Ky ligj nuk është evropianizim është simulim i reformës, një përpjekje për të treguar “rregull” përmes frikës dhe gjobave. Është politika e vjetër ballkanike kur nuk dimë të edukojmë, ndëshkojmë e kur nuk dimë të reformojmë duhet të ndalojmë.
Kujtojmë që, nëse RMV-ja vërtet dëshiron Evropën le të fillojë duke kuptuar se Evropa nuk ndërtohet me ndalesa absurde dhe gjoba absurde, por me politika të arsyeshme, dialog shoqëror dhe respekt për lirinë individuale. Përndryshe, ky ligj do të mbetet një tjetër dëshmi se rruga drejt BE-së po shndërrohet në një karikaturë autoritare që vështirë të bëhet realitet. /Zhurnal.mk
Lajme nga vendi
ZGJEDHJET NË SERBI – REAGIME NGA MAQEDONIA E VERIUT!
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka uruar Listën Studentore për fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi.
“Urime për rezultatin e zgjedhjeve në Serbi! Qytetarët serbë treguan pjekuri demokratike përmes transferimit paqësor të pushtetit politik”, shkroi Siljanovska-Davkova në platformën X.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, uroi qytetarët e Serbisë fqinje për zgjedhjet e zhvilluara parlamentare, ndërsa Listës Studentore i dëshiroi sukses për rezultatin e arritur.
Në një postim në platformën “X”, Mucunski theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar për thellimin e mëtejshëm të miqësisë dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Serbinë.
VLEN përmes një komunikate ka uruar Koalicionin Shqiptar për rezultatin e arritur teksa ka përshëndetur edhe ndryshimin politik në Serbi.
Presim që qeveria e re të formohet sa më shpejt, të respektojë të drejtat e shqiptarëve të Luginës dhe t’i japë fund diskriminimit sistematik, përfshirë pasivizimin e adresave. Shpresojmë që qeveria e re e Serbisë të gjejë forcën dhe vullnetin politik për dialog e bashkëpunim me Republikën e Kosovës. Një dialog mes të barabartëve, që duhet të kulmojë me njohjen reciproke mes dy shteteve të pavarura.
Përmes rrjeteve sociale rezultati I zgjedhjeve është komentuar edhe nga liderë partiak dhe parti politike.
Urime qytetarëve të Serbisë për fitoren e madhe historike! – shkroi kreu i LSDM-së, Venko Filipçe.
“Ashtu siç paralajmëruam, në vijim vjen çlirimi nga strukturat kriminale të pushtetit. Ra Orbani. Ra Vuçiqi. Të gjithë e dimë se kush është i radhës. Pres që Serbia dhe Maqedonia e Veriut të ndërtojnë marrëdhëniet më të mira të mundshme, të bazuara në respektin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin. Qytetarëve të Maqedonisë së Veriut u them se na pret një betejë aspak e lehtë, sepse po luftojmë kundër pjesës së mbetur të kësaj grupi kriminal ballkanik” – shkruan Filipçe.
Por, nga ana tjetër, krahu i LSDM-së që kërkon dorëheqje të Filipçes, pas zgjedhjeve në Serbi, ka bërë thirrje për bashkimin e opozitës.
Nuk kanë munguar postimet nëpër rrjetet sociale edhe nga eksponent të BDI-së.
“Fillimisht Orbani, tani Vuçiqi. Kremlini ka humbur papritur dy nga aleatët e tij kryesorë në Evropë… P.S Vuçiqi paska fituar në Maqedoninë e Veriut” – ka shkruar Bujar Osmani në Facebook./Tv Koha/
Lajme nga vendi
NGA E ENJTJA LETËRNJOFTIMI DHE PATENT SHOFERI EDHE NË CELULAR!
Nga e enjtja, qytetarët do të mund t’i përdorin letërnjoftimet dhe patentë shoferët përmes telefonit mobil, me fillimin e zbatimit zyrtar të portofolit elektronik. Aplikacioni do të promovohet të mërkurën, më 28 tetor.
Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, sqaroi se aplikacioni është i sigurt dhe u mundëson përdoruesve të zgjedhin vetë se cilat të dhëna personale dëshirojnë të ndajnë.
Gjatë identifikimit në bankë, bar apo në ndonjë lokal tjetër, qytetarët nuk do të kenë nevojë t’i zbulojnë të gjitha të dhënat që përmbajnë dokumentet e tyre.
Në vend të kësaj, ata do të mund të ndajnë vetëm informacione të caktuara përmes një kodi QR për përdorim të vetëm.
Kodi mund të skanohet, ndërsa të dhënat do të jenë të qasshme vetëm me lejen e përdoruesit. Pas 10 deri në 15 sekondash, kodi skadon dhe nuk mund të përdoret përsëri.
Andonovski theksoi se kjo është faza e parë drejt krijimit të një portofoli digjital evropian, i cili synon të mundësojë digjitalizimin e plotë të dokumenteve.
Ai shpreson se me zhvillimin e mëtejshëm të aplikacionit do të shtohen shërbime, mundësi dhe dokumente të reja për qytetarët.
Ministri i bëri këto deklarata para fillimit të panel-diskutimit me temë „Parakushtet dhe sfidat për digjitalizimin e përshpejtuar të sektorit privat“.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 22 Tetor
Dje, zyrtarë policorë nga Sektori për Polici Kriminalistike pranë SPB Tetovë dhe nga ekipi mobil “Task Force”, në koordinim me përfaqësues të Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe Drejtorisë së të Ardhurave Publike, kanë realizuar kontroll aksional në një objekt hotelerie në Qendrën Tregtare të Qytetit në Tetovë.
Me këtë rast, para objektit është zënë një 48-vjeçar nga Tetova dhe gjatë kontrollit tek ai është gjetur një substancë e bardhë pluhur, pas çka është privuar nga liria.
Ndërsa, brenda në objekt, te pronari 54-vjeçar nga fshati Trebosh janë gjetur 15 paketime me substancë të bardhë pluhur, pas çka edhe ai është privuar nga liria.
Të dy janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj tyre do të vijojë parashtresë përkatëse.
…….
Dje në orën 12:00 në Stacionin Policor Gostivar, nga Ndihma e Shpejtë Mjekësore Gostivar është denoncuar se te ata është sjellë një 15-vjeçar nga Gostivari pa shenja jete. Sipas denoncimit, në shtëpinë e tij në Gostivar ai kishte rrëshqitur dhe ka rënë shkallëve, ndërsa pasi është pranuar në spital, pas reanimimit të kryer ka shfaqur shenja jete dhe me automjet të Ndihmës së Shpejtë Mjekësore Gostivar është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, ku i janë konstatuar lëndime të rënda trupore. Është njoftuar prokurori publik, është kryer këqyrje në vendngjarje dhe po merren masa për zbardhjen e ngjarjes.
…….
Dje në orën 19:10 në Stacionin Policor Tetovë, një 38-vjeçar nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 18:30 në rrugën “Todor Cipovski Merxhan”, djali i saj 11-vjeçar është sulmuar fizikisht nga një i mitur tjetër. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
……
Dje në orën 22:30 në Hanet e Mavrovës, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Mavrovë kanë privuar nga liria një 22-vjeçar nga Shkupi. Gjatë një kontrolli në trafik është ndaluar automjeti i udhëtarëve “Volksëagen Golf” me targa të Shkupit, të cilin e drejtonte ai, me ç’rast është konstatuar se e drejtonte pa pasur leje drejtimi. Automjeti është konfiskuar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresë përkatëse.
……..
Dje në orën 20:00 në Stacionin Policor Gostivar, një 71-vjeçar nga Gostivari ka denoncuar se rreth orës 18:30 te Stacioni i Autobusëve në Gostivar, derisa po kryente detyrat e punës si taksist, është sulmuar fizikisht nga një person. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
…….
Dje në orën 13:25, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Gostivar kanë privuar nga liria një 29-vjeçar nga Gostivari, i cili ditën e mëparshme është denoncuar nga nëna e tij 53-vjeçare se në disa raste e ka kërcënuar. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.
……
Pas mesnate në orën 02:00 në SPB Tetovë është denoncuar se ka shpërthyer zjarr në një arë në fshatin Sellarcë e Epërme. Zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Zherovjan kanë dalë në vendngjarje dhe kanë konstatuar se është djegur kashtë, e cila ishte grumbulluar në disa pirgje. Ekipi i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit e ka shuajtur zjarrin, ndërsa persona të lënduar nuk ka. Këqyrja e vendngjarjes është kryer nga ekipi i SPB Tetovë.
-
Lajme nga rajoni1 month agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni1 month agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga vendi1 month agoDaut Memishi mban premtimin, ndahen vendimet e para – çerdhja “Foleja” në Përshefcë drejt hapjes

